Kameleonizmi është veçori e realpolitikës, por ka çmim. Duhet të jetosh me vrasjen e ndërgjegjes “ta tradhtoj” idealin për interesin e përgjithshëm apo t’i qëndroj besnik idealit duke e rrezikuar të mirën e përgjithshme? Ideali është bindje personale: nëse e tradhton, vret një njeri, veten. Ta sakrifikosh mundësinë do të thotë të vësh në rrezik shumë njerëz. Sido që të jetë vendimi, vrasje ndërgjegjeje do të kesh. Por, më e keqja është nëse kalimi nuk është i plotë, por gjysmak ose kur bindjet tregtohen për interesa dhe jo për ideal. Atëherë dështimi është i pashmangshëm. Adem Demaçi nuk duhej të rrezikonte dhe nuk rrezikoi.
Rizvan SULEJMANI, Shkup
Adem Demaçi pa dyshim është një nga figurat më emblematike të rezistencës aktive të popullit shqiptarë në ish Jugosllavi. Për kontributin e tij tanimë flasin çmimet, mirënjohjet dhe disa herë i propozuar nga institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe ato të Kosovës për çmimin Nobel. Përskaj bagazhit të padiskutueshëm njerëzor dhe kontributit të jashtëzakonshëm për çështje kombëtare, ai vendosi të mbetet vetëm mit, për çka e meriton respektin. Ambienti plural e demokratik nuk u tregua i përshtatshëm që të promovohet si lider politik e burrështetas, edhe pse pati disa tentime. Pyetja është: pse? Pse një ideator, që inspiroi, motivoi dhe u bë simbol i kauzës kur ajo dukej se po realizohej, edhe pse jo në formën origjinale, nuk u bë lojtar institucional për ta vënë në jetë idenë? Apo, pse ai vazhdon të mbetet mit, por jo edhe aktualitet politik, si Rugova, dhe disa të tjerë me shumë më pak kontribut se ai?
Për këtë mund të ketë më tepër arsye, që nga karakteri dhe profili psikologjik, e deri tek aftësitë organizative, karizma, pse jo pasojat nga izolimi i gjatë që mund të ndikojnë në socializimin e njeriut në rrethanat e reja. Bindjet e tij ideologjike, të formuara në rrethana krejt të tjera, që ishin antiteza të një sistemi politik në ngritje, ku tanimë si i lirë duhej të jetojë e të veprojë, ndoshta ishin shkak për abstenim nga implementimi i idesë. Ai ishte dhe mbeti frymëzim dhe ideal i gjeneratës sime, por mua fatkeqësisht nuk m’u dha mundësia ta takoj personalisht. Gjithë njohuritë e mia për të janë nga shkrimet, rrëfimet, deklarimet publike, komentet dhe vlerësimet që kanë bërë të tjerët për të sesa nga eksperienca personale.
Emrin e tij për së pari herë e kam dëgjuar krejt rastësisht në moshë të re nga një storie që në momentin kur m’u rrëfye fare nuk e besoja, por ja që vetëm disa ditë më vonë do të konfirmohej. Si maturant në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, në vitin 1975, një ditë pasi e kisha mbaruar mësimin e pasdites dhe po kthehesha në shtëpi, krejt rastësisht e takova një shok klase të tetëvjeçares që kishte vazhduar shkollimin në shkollën e mesme policore. Pasi zbritëm nga autobusi, pashë se ai kishte me vete një torbë që dukej se kthehej nga rruga. E pyeta se prej ku po vinte. “Mos pyet.”, më tha. “Ta them në besim, po kthehem prej një operacioni sekret tejet të ndërlikuar. Kemi arrestuar një grup njerëzish shumë të rëndësishëm.”, vazhdoi ai. Me mosbesim dhe skepticizëm e pranova këtë tregim, andaj iu drejtova: “Ti që ende nuk e ke mbaruar shkollën e mesme në operacion të tillë?”. “Po, unë si shqiptar i ri, pasi ata që i arrestuam ishin shqiptarë.”, e mbylli ai. Pastaj më tregoi detaje se si i kishin pajisur me revole miniaturë dhe i kishin zhvendosur disa herë nga një vend në tjetrin nëpër hotele e shtëpi. Përskaj këtyre detajeve, mbeta mosbesues me bindjen se ai vetëm e shpalos rëndësinë dhe sfidat e profesionit që pritet ta ushtrojë. U ndamë me shamatë, por në fund më tha: “Së shpejti do të dëgjosh”. Dhe, vërtet dëgjova. Pas disa ditëve televizioni shtetëror njoftoi për kapjen e një grupi “irredentistësh” dhe “separatistësh” shqiptarë në krye Adem Demaçin. Ky ishte momenti kur për herë të parë e kisha dëgjuar këtë emër.
Më pas, pasi do të isha regjistruar në Fakultetin e Elektroteknikës në Shkup, si shqiptar i vetëm në mesin e mbi treqind maqedonasve, kisha nevojë t’i takoj shokët që ishin regjistruar në Prishtinë, mes tjerash edhe djalin e axhës tim. Në ato takime përjetova shok kulturor. Shokët e gjeneratës nuk i njihja. Kalova dy-tri net në debate duke më shpjeguar për mrekullitë e komunizmit të Enver Hoxhës. Tregonin shembuj si atje mbretëronte drejtësia, se ishte rregull, se nuk kishte vjedhje, se njerëzit ishin të lumtur dhe të gjithë ishin të barabartë… “Mund ta lësh kuletën në rrugë dhe askush nuk do ta marrë, bile nëse dikush e gjen ta sjellë deri në shtëpi.”, më shpjegonin ata. Disa nga më entuziastët nëpër krevatet e tyre e kishin gravuar emrin e Enver Hoxhës. Nuk e kuptoja sa ishin indoktrinuar, por dëgjoja frazën se modeli për realizimin e kësaj mrekulli shihej në personalitetin e Adem Demaçit, që asokohe e vuante burgon e tretë prej pesëmbëdhjetë vitesh si rezultat edhe i aksionit të shokut tim të klasës. Më sugjeronin ta lexoj romanin “Gjarprinjtë e gjakut”, por meqë ishte i ndaluar, vetëm dorë pas dore mund të lexohej, andaj unë vështirë së mund të vija në rend si student në Shkup. I habitur dhe në përpjekje për ta kuptuar filozofinë e kësaj ideologjie, shtroja pyetje dhe i kujtoja në atë që e kishim mësuar në sociologji, logjikë, por edhe në marksizëm-leninizmin e shkollës së mesme, që nuk përputhej me kuptimin e tyre për socializmin si fazë kalimtare në komunizëm. Pyetjet që më së shpeshti ua parashtroja ishin: “Nëse ka drejtësi, a ka polici?”. “Po, policia është shumë e fuqishme. Kontrollon çdo gjë.”, përgjigjeshin ata. “Po nëse ka drejtësi, pse ka nevojë për aq polici?”, vazhdoja unë. “Shqipëria ka shumë armiq, veçanërisht Jugosllavinë.”, e kthenin ata. “Mirë, por ne a nuk kemi mësuar në marksizëm se baza e shoqërisë janë mjetet e punës që e diktojnë superstrukturën, raportet në shoqëri?”, vijoja më tej unë. E dëgjoja për aq sa mundesha radion shqiptare, që fliste për tejkalimin e planit në kooperativat bujqësore me 120%, 130% dhe asnjë që kishte dështuar, por flisnin për dhen, dhi e karroca, ndërsa ne në atë kohë përdornim traktorë dhe kamionë, e megjithatë nuk arrimë të kemi raporte as për së afërmi harmonike në shoqëri. Vërtet dëgjoja këngë me zëra shumë të bukur që i këndonin Enver Hoxhës dhe përshëndesnin me “Enver Hoxha tungjatjeta..” në shenjë mirënjohje për gjithë të mirat, si dhe vajzën e qytetit që me kënaqësi shkon në fshat përmes këngës (“Erdha prej qyteti në fshat të jetojë me ju…”), edhe pse nuk kuptoja si një shtet që nuk e ka përjetuar industrializimin e urbanizimin të ketë aq begati dhe të ndërtojë raporte aq harmonike shoqërore me dashuri pothuajse përrallore. Kjo nuk përputhej me atë që kisha mësuar në shkollë për çka isha notuar me nota maksimale dhe kisha marrë shumë lëvdata. Skepticizmi im mund të jetë ndikuar nga bindjet antikomuniste që i kishim kultivuar në familje, meqë veten e njihnim si ish agallarë, të cilëve komunizmi u kishte marrë shumë tokë e pasuri për qëllime ideologjike, po aq sa edhe Serbia e Parë dhe e Dytë si hakmarrje për shfrytëzimin e familjeve maqedonase për të punuar tokat. Andaj mundohesha t’u sugjeroj shokëve të mi që ta ruajnë gjykimin racional për llogari të ndjenjave emocionale, sepse simpatia, qoftë ajo edhe për një njeri që mund ta admirojmë për të bëmat e tij, por kot e kisha.
Përshtypja ime ishte se shokët e mi ishin tejet irracionalë në mbrojtjen e qëndrimeve dhe gjithmonë kur nuk kishin argumente vinin në lojë emrin e Adem Demaçin si simbol i kësaj lufte. Shkurt, për këta studentë Demaçi ishte idhulli, shëmbëlltyra e një patrioti të pakontestueshëm ngritur në mit, që e paguan dënimin e injorancës së popullit të tij, i cili nuk e kupton rrugën e shpëtimit, mu si Krishti për mëkatet e njeriut mëkatar. Përskaj bindjes sime dhe insistimit se nuk kishim njohuri teorike për marksizëm-leninizmin, as për Shqipërinë enveriste, e cila ishte veç një kuti e zezë për shumë prej nesh, të cilët nuk kishim pasur mundësi ta vizitonim, për ta kjo nuk paraqiste shqetësim. Perceptimi i tyre ishte i bazuar në ambalazhin e propagandës dhe tiketa e vendosur mbi të përmes vargjeve të këngëve nëpër festivale që madhëronin liderin për të konstatuar se diçka e bukur fshihet në atë kuti të zezë. Thjesht, rruga kah një jetë e tillë pothuajse idilike ishte bashkimi kombëtarë përmes marksizëm-leninizmit të pasqyruar në figurën e Adem Demaçit dhe Enver Hoxhës. Sa ishte Adem Demaçi komunist e sa nacionalist apo edhe të dyja bashkë, këtë edhe sot e kësaj dite nuk e di. Por, e di se një gjeneratë e tërë u ritën e u kultivuan me këtë personalitet, që më vonë do të jenë bartës të proceseve politike, shfaqur veçanërisht përmes luftës së Kosovës.
Në gjykimin tim, atëherë por edhe sot, në perceptimin e tyre kishte një përzierje konceptesh të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës, të sigurisë me lirinë, barazisë me varfërinë, kritikës me armiqësinë, pushtetit me drejtësinë, si dhe të vlerave universale me ato parciale, kombëtare. Përfundimi që mund të nxirrej përmes debateve duke e përdor figurën e Demaçit, si simbol i rezistencës, përkushtimit dhe sakrifikimit, të linte përshtypjen se vlerat kombëtare, që zakonisht janë parciale, mund të shtriheshin vetëm mbi platformën e vlerave universale që mbronte marksizëm-leninizmi, enverizmi, misioni i fundit i të cilit ishte fundi i historisë dhe paqja botërore nën diktaturën e proletariatit.
Vënë në kontekstin e kohës që jetojmë, kjo është shumë e ngjashme me mendësinë që dominon sot ndër ne, se vlerat tona të veçanta, kombëtare, parciale, mund t’i realizojmë përmes vlerave universale, si demokracia liberale dhe ekonomia e tregut, pasqyruar përmes BE-së. Nëse sot idenë e kemi përmbledhë përmes parullës “bashkimi i shqiptarëve në Europën e bashkuar”, atëherë ajo do të mund të përshkruhej si “bashkimi i shqiptarëve përmes marksizëm-leninizmit enverist”. Fundja, Partia e Punës dhe Enver Hoxha i kishin “shpall” luftë revizionizmit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë jo për shkaqe territoriale e etnike, por se kjo e fundit e kishte deformuar socializmin, për ta penguar bashkimin e vëllezërve ideologjikë, me të edhe të shqiptarëve. Ngjashëm si sot, kur akuza kryesore që i bëhet Serbisë, nëse lexohet me kujdes, është dualizmi që mban ajo në orientin Lindje-Perëndim, demokraci liberale vs iliberale, pasi e pengon integrimin e regjionit në BE dhe me të edhe bashkimin e shqiptarëve në Europën e bashkuar. Nuk ka dyshim se rol misionar i përshkruhet edhe demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut nga mendimtarë si Fukujama kur e shpalli fundin e historisë ngjashëm si marksist-leninistët që e shihnin fundin e historisë në komunizëm.
Në këtë rast nuk është qëllimi ta nënvlerësojmë idenë e madhore për bashkim kombëtar, por të konstatojmë se të gjitha përpjekjet e bashkimit si emërues të përbashkët e kanë bindjen se çështjen parciale mundohen ta zgjidhin përmes platformave universale. Në këtë frymë do vazhdojmë me një pyetje që nuk do t’i japim përgjigje: a kanë shqiptarët opsion për platformën e re në ngritje, për kohën e pas-demokracisë liberale, të elitokracisë, teknologjikokracisë.., pasqyruar përmes idesë izolacinaliste të Trump-it? Brenda kësaj kornize mund edhe t’i jepet përgjigje edhe pyetjes se “Pse Adem Demaçi nuk u vu në rolin e udhëheqësit institucional të jetësimit të pavarësisë së Kosovës?”. Konstatimi më logjik është se ai nuk u sfidua, meqë barka mbi të cilën kishte notuar ideologjia e tij misionare, komunizmi, qëmoti ishte përmbytur. Barka e re e shpëtimit, që i ofrohej, konvertimi në demokrat liberal e integrist ishte në kundërshtim me bindjet e tij ideologjike. Kjo ishte kafshatë që nuk kapërdihej. Atë e kishte paracaktuar historia të mbetet legjendë dhe jo kameleon. Ai duhet të prehet në qetësi për kontributin që dha për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, pa marrë parasysh se mbi cilat vlera e bazonte atë ideal.
Në këtë trajektore mund të gjendet edhe përgjigjja pse disa nga dishepujt e tij që u vënë në ballë lëvizjes çlirimtare dhe shtetndërtimit të Kosovës sot kanë probleme me drejtësinë. Bindjet e tyre ideologjike ishin në kundërshtim me vlerat e reja që duhej përkapur, andaj edhe në shumë raste gabuan. U rritën, u kultivuan dhe u farkuan me vlera të tjera, por për qëllime pragmatike, realpolitike, u detyruan të konvertohen, “t’i tradhtojnë” bindjet dhe idealin parësor – bashkimin kombëtarë, për llogari të demokracisë dhe integrimit europian. Përplasja e brendshme shpirtërore do t’i ketë frustruar për të gabuar. Ata nuk e kuptuan sa duhet se pushteti nuk është barazi me drejtësinë, siguria me lirinë dhe kritika me armiqësinë. Ata nuk mbajtën llogari se këto janë kategori të kundërta dialektike, që e mbajnë në balancë një shoqëri me demokraci liberale, ku liria e garanton sigurinë, kritika e forcon atë, kurse drejtësia i mban frenat e pushtetit për të mos u tjetërsuar në krim e diktaturë.
Kameleonizmi është veçori e realpolitikës, por ka çmim. Duhet të jetosh me vrasjen e ndërgjegjes “ta tradhtoj” idealin për interesin e përgjithshëm apo t’i qëndroj besnik idealit duke e rrezikuar të mirën e përgjithshme? Ideali është bindje personale: nëse e tradhton, vret një njeri, veten. Ta sakrifikosh mundësinë do të thotë të vësh në rrezik shumë njerëz. Sido që të jetë vendimi, vrasje ndërgjegjeje do të kesh. Por, më e keqja është nëse kalimi nuk është i plotë, por gjysmak ose kur bindjet tregtohen për interesa dhe jo për ideal. Atëherë dështimi është i pashmangshëm. Adem Demaçi nuk duhej të rrezikonte dhe nuk rrezikoi. Popullit i duhet si legjendë. Ai mbeti legjendë. Ai do të jetë silueta që do të endet ndër gjenerata për t’i përkujtuar për idealin e parealizuar. Në këtë vazhdë është edhe pyetja e fundit pa përgjigje: “Kë do ta tradhtojnë gjeneratat që tanimë ngjiten në politikat shtetërore, demokracinë liberale pa perspektivë, apo ngjitjen në një platformë të re që tanimë bëhet realitet, pa të cilën vështirë të realizohet ëndrra shqiptare?”.