Lindja e shteteve të vogla në Ballkan do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme, pasi do t’u jepte grupeve të tjera ambicie të shpallin shtete të tilla brenda shteteve. Do të kërkonin ndihmë nga institucionet botërore për t’u akomoduar brenda shteteve dhe për të deklaruar qoftë fenë ose shtetësinë.
Selim IBRAIMI, Uashington
Teksa e gjithë shoqëria shqiptare ka shkuar lart e poshtë në këtë shekull, ku migrimi e ka dëmtuar të ardhmen e kombit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga OKB-ja në mënyrë të papritur përpara komunitetit ndërkombëtar e promovoi idenë e një shteti të komunitetit bektashi. Ai i zemëroi komunitetet e tjera fetare në Shqipëri e gjetkë. Ideja ose projekti për themelimin e shtetit bektashi në Shqipëri ka qenë tronditës për opinion shqiptar. Do të vazhdojë të diskutohet për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe rajone të tjera se pse bektashinjtë janë të interesuar për themelimin e një shteti në Shqipëri e nuk janë të kënaqur vetëm me kryeqendrën e tyre botërore në Tiranë. Në të drejtën ndërkombëtare duket se iniciativa e qeverisë shqiptare do të ketë implikime brendaterritoriale dhe rajonale, veçanërisht në Kosovë, ku komunitetet e tjera, si serbët, janë të interesuar për forma të pavarura të organizimit shtetëror. Dhe, me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Serbisë ata po bëjnë përpjekje për ndërtimin e faltoreve të tilla fetare dhe në fund shpalljen e republikave të vogla brenda një territori, ndërsa këtu është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
Lëkundja e baraspeshës fetare
Meqenëse flitet për një shtet të vogël brenda Shqipërisë pa popullsi të madhe, përsëri praktika ligjore e vënë do të ketë efekte negative. Bazuar në situatat politike në Shqipëri, në fuqinë e kryeministrit Edi Rama, mbështetësve të tij dhe mbështetjen e tij ndërkombëtare, është e mundur që në vitet që vijnë ose për një kohë shumë të shkurtër të lindë shteti bektashi, pavarësisht nga idetë e kundërta dhe pavarësisht justifikimit për ndikimin negativ në marrëdhëniet ndërfetare. Tani për tani, nuk duket se vendosja e themeleve të një shteti bektashi në periferi të Tiranës do të paraqesë ndonjë shqetësim për botën demokratike. Por, përballja me Vatikanin dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë do të jetë problem tjetër. Në plan afatgjatë mund të rrisë paqëndrueshmërinë ndërfetare në Shqipëri. Kur jemi në aspektin ligjor dhe politik, do të kërkonte shumë përpjekje nga qeveria e Ramës për të arritur qëllime të tilla në atmosferën toksike që është në rritje në Shqipëri pas lajmit për krijimin e shtetit bektashi.
Para komunizmit dhe pas vitit 1991 nuk kishte asnjë çështje që i ndalonte fetë në Shqipëri dhe, në këtë kontekst, as sektin bektashi. Më kujtohen ende vitet e postkomunizmit në Shqipëri, sidomos pas vitit 1992 si student, kur feja ishte e lirë për t’u praktikuar. Dhe, po me mbështetjen e shteteve europiane, të SHBA-së dhe, natyrisht, nga shtetet e Lindjes së Mesme, përfshirë Iranin, nuk kishte asnjë pengesë shtetërore për ta praktikuar fenë. E tani, pas tre dekadave, ja ku jemi – në një debat të nxehtë, që asnjëherë nuk është dëgjuar në hapësirën shqiptare që nga shuarja e principatave shqiptare në Mesjetë: gjendemi para krijimit të shteteve të vogla brenda territorit të Shqipërisë, madje shtete të natyrës fetare. Kështu dalëngadalë po vijmë te rrënjët e krijimit të shtetit bektashi në Shqipëri, pasi kjo mund të jetë një lojë mes qeverisë shqiptare dhe lojtarëve të jashtëm, e cila do të vendosë themelet e shtetit bektashi si një fe unike me një territor të njohur nga komuniteti botëror. Në aspektin e së drejtës publike ndërkombëtare, Selia e Shenjtë në Romë dhe Qyteti i Vatikanit kanë dallime, por nuk besoj të kenë selia bektashe dhe shteti që tentohet të formohet. Shteti bektashi, teorikisht dhe praktikisht, sipas të drejtës ndërkombëtare nuk i përmbush kriteret e vendosura prej kohësh në të drejtën ndërkombëtare të shtetësisë. Sipas të drejtës ndërkombëtare “nuk ka një popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar, një qeveri të qëndrueshme dhe aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera”. Aktualisht, në ndihmë për të vënë rrënjë si shtet bektashi është qeveria shqiptare dhe disa mbështetës të tjerë që të krijohet një shtet tjetër brenda territorit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare me mbështetje të qeverisë Rama e më gjerë. Me këtë mbështetje do të bëhet e mundur që ky shtet i ri në të ardhmen të krijojë kapacitete për t’u përfshirë në marrëdhënie diplomatike-ndërkombëtare.
Mbështetja ndërkombëtare për shtetin bektashi
Në këtë drejtim kanë qenë edhe raportimet e mediave të huaja e sidomos të gazetës “New York Times” se “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të jetë një mikroshtet dhe qytet-shtet europian i propozuar që do të enklavohej tërësisht brenda Tiranës, kryeqytetit aktual të Shqipërisë”. Autori Andrew Higgens, në artikullin me titull “Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj” (New York Times, 21 shtator 2024), shkruante se “nëse do të krijohej, ai do të ishte shteti më i vogël se qyteti i Vatikanit dhe do të bëhej shteti sovran me sipërfaqen më të vogël të tokës në botë, me një sipërfaqe totale prej 27 hektarësh (0.11 km2)”. Ashtu si më parë kur flitet për komb dhe për fe, debati i nisur në Shqipëri rreth shtetit bektashi mori jehonë ndërkombëtare. Pavarësisht se do ta vështirësojë veprimtarinë e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, komuniteti bektashi është i vendosur. Aktorë europianë kanë shfaqur interes që projekti të ecë përpara, pavarësisht argumenteve kundër. Këtë e bazojnë në vendosmërinë e kryeministrit Rama dhe të komunitetit bektashi, e sidomos në deklaratat e klerit bektashi, që si duket po mbajnë lidhje me disa qeveri në Lindjen e Mesme, duke përfshirë këtu dhe izraelitët. Edhe pse javëve të fundit debati i brendshëm ka shkuar në një nivel të ulët rreth themelimit të shtetit bektashi, kryeministri Rama po punon për konsolidimin e këtij shteti të vogël në periferi të Tiranës. Megjithatë, tash e tutje me rëndësi për Ramën dhe mbështetësit e tij është se si të ndryshohet kushtetuta e Shqipërisë, ku po aty qeveria shqiptare do të ballafaqohet me pjesën tjetër të popullatës që e kundërshton këtë projekt të themelimit të një shteti tjetër brenda territorit të Shqipërisë. Ashtu siç nënvizuam më lart, për habi, një mbështetje të fshehtë për këtë shtet të vogël në Shqipëri po vjen edhe prej lobistëve ndërkombëtarë. Derisa projekti po merr përmasa të gjëra dhe shteti shqiptar, pra qeveria e Ramës, po merr një vendim të paprecedentë – baza ligjore për këtë shtet do të vendoset nga lart, ndërsa ndryshimet në kushtetutë do të lihen në fund, pasi projekti të finalizohet nga jashtë. Në këtë kohë, mënyra se si tentohet të vendosen themelet e një shteti nuk duken racionale. Lindja e shteteve të vogla në Ballkan do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme, pasi do t’u jepte grupeve të tjera ambicie të shpallin shtete të tilla brenda shteteve. Do të kërkonin ndihmë nga institucionet botërore për t’u akomoduar brenda shteteve dhe për të deklaruar qoftë fenë ose shtetësinë.
Në fund, mund të themi se, praktikisht, shteti i ri bektashi do t’i përmbushte orekset e politikës, së pari atë të politikës shqiptare, rajonale dhe, sigurisht, në shkallë ndërkombëtare të bektashinjve si fe dhe jo si sekt, por njëkohësisht si shtet i njohur ndërkombëtarisht bashkë me institucionet fetare. Perceptimi kombëtar në aspektin psikologjik për këtë shtet do ishte diçka e re, që në qoftë se do të krijohet, do duhet kohë dhe mjaft edukatë për t’u përshtatur në realitetin e ri.
Sipas fjalorëve botërorë, “Bektashizmi, zyrtarisht Urdhri i dervishëve bektashianë, është një rend mistik islamik sufi që e ka origjinën në Anadoll të shekullit të 13-të. Në shekullin e 16-të, bektashizmi i përshtati disa parime të Islamit Shia”. Në mbarë botën jetojnë nga 7 deri në 20 milionë bektashinj.
Mbetet paqartë nëse ky shtet do të krijohet si do të veprojë me shtetësinë dhe kujt do t’i jepet. Pavarësisht politikës dhe përfshirjes së jashtme në këtë rast, në të drejtën ndërkombëtare juridike dhe situatën aktuale të brendshme shqiptare, duke përfshirë këtu situatën rajonale dhe globale, do të jetë një mision sfidues, që kërkon një plan të saktë dhe më shumë nga kjo. Pa përjashtuar shtetet tjera që mund të përfshihen apo jo në njohjen e shtetit bektashi, në politikën, historinë dhe kulturën shqiptare, bektashinjtë kanë luajtur një rol vendimtar, për mbi dy shekuj. Andaj politika dhe ideatorët e tjerë duhet t’i kushtojnë vëmendje në këtë kohë idesë për një shtet, që të mbizotërojë si ekuilibër, e jo për ndarje të reja në Shqipëri dhe më gjerë.