Një dallim i rëndësishëm mes dy figurave, Ataturkut dhe Zogut, është fakti se i pari e fitoi një luftë të rëndësishme, i dyti jo. Fatet e burrave të shtetit vendosen pikërisht nga momente të tilla historike, ndërsa ai që fiton luftërat, gjithnjë e skalit historinë në mënyrë të qëndrueshme e shumë më afatgjatë. Pesha e vogël ekonomike e ushtarake e Shqipërisë ia pamundësoi Zogut këtë sukses, por rol luajti edhe një gabim gjeopolitik që ai bëri, duke u afruar shumë me fuqitë fqinjë.
Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë
Termi me prejardhje turke, “Ballkan”, me kuptimin gjeografik të sotëm, nisi të përdorej në Europë vetëm në fillimet e shekullit XIX. Arsyeja për riemërtimin ishte si zakonisht politike e gjeopolitike. Më përpara gadishulli emërtohej kryesisht si “Turqia Europiane” (Turkey-in-Europe) ose, shumë rrallë, me termat e lashtë të kohës së Romës. Ndërrimi i emrit të gadishullit shënon kohën kur fillojnë të mbruhen synimet politike për ta larguar perandorinë turke nga Europa. Projekti gjuhësor po i paraprinte atij ushtarak.
Shekulli XIX ishte kohë e zhvillimeve të mëdha teknologjike e shoqërore, kohë kur në Europën Perëndimore u zhvillua kapitalizmi dhe revolucioni industrial. Perandoria Osmane (së cilës rëndom i janë referuar si Turqi në atë kohë edhe sot) nuk e kishte kapur këtë tren të zhvillimit. Prapambetja krijon disbalancë në nivel kontinental, e siç ndodh zakonisht në të tilla raste, të qenit i dobët është arsye e mjaftueshme për të ngjallur orekset e më të fortit. Gjeopolitika nuk ka njohur mëshirë, as atëherë as sot.
Veç kapitalizmit dhe industrializimit në Europë gjatë shek. XIX është shfaqur dhe një fenomen tjetër i ri, i lindur nga Revolucioni Francez e i shpërndarë nga luftërat napoleonike: mobilizimi i popullit si faktor politik e ushtarak, pra mveshja e popullit me fuqi ose demokratizimi. Ky proces filloi gradualisht, prej popullarizimit të së drejtës së votës, te arsimi masiv, taksimi e sistemi pensional, e deri te rekrutimi i ushtrive të mëdha të bazuara mbi idenë se shteti është i kombit, e kombi duhet të luftojë për të çuar përpara interesin shtetëror. Ushtria masive kombëtare e transformoi rrënjësisht konceptin e luftës ndaj luftërat napoleonike konsiderohen si fillimi i luftërave moderne. Strategët, prej asaj kohe e deri më sot, kanë mësuar t’i analizojnë popujt ose si burim fuqie për ushtritë, ose si burim rezistence kundër tyre. Një nga pasojat direkte të këtij kombëtarizimi demokratik të ushtrive ishte përfshirja në planet ushtarake e skemave për të neutralizuar popullatat që konsideroheshin si potencialisht rezistuese në teatret e luftërave që projektoheshin. Neutralizimi i popujve të tërë nuk konsiderohej si synim përpara asaj kohe, në fakt në kohërat para-napoleonike ushtritë ishin kryesisht mercenare dhe mvareshin nga aftësitë që kishte një mbret për të paguar trupa profesionistësh që vinin nga vende të ndryshme apo për të grumbulluar trupa vullnetare nga feudalët e vet. Mirëpo, në shek. XIX kjo gjë nisi të ndryshojë dhe synim i arsyeshëm ushtarak u bë edhe spastrimi etnik.
Kulmin e vet kjo shprehi mizore e modernitetit e gjen në Luftën e Parë Botërore e mandej në të Dytën, por sprovat e para ndodhin gjatë shek. XIX. Në Europën Perëndimore me përfundimin e luftërave napoleonike nisi një periudhë relativisht paqësore e cila mund të thuhet se zgjati deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Historiani me nam, Eric Hobsbawm, e quan këtë periudhë “The long 19th Century” dhe e ndan në tri faza: ajo revolucionare e viteve 1789-1848, ajo e kapitalit e viteve 1848-1875 dhe ajo e imperializmit e viteve 1875-1914.
Mirëpo, teksa në Europën Perëndimore kjo periudhë paqeje relative dhe zhvillimi teknologjik e industrial solli unifikimin e Italisë e të Gjermanisë si shtete të mëdha moderne, si dhe intensifikimin e kolonializmit në kontinente të tjera, në Lindje të Europës zhvillimet ishin të një natyre tjetër. Brenda po kësaj kohe ndodhën tre luftëra ruso-turke, ajo e viteve 1828-29, ajo e viteve 1853-56 dhe ajo e viteve 1877-78. Këto ishin respektivisht e nënta, e dhjeta dhe e njëmbëdhjeta (prej dymbëdhjetë sa numërohen gjithsej luftëra ruso-turke). E dhjeta kryesisht u zhvillua në teatrin e Detit të Zi dhe çështje e saj ishte Krimeja, ndërsa dy të tjerat teatër kryesor patën Kaukazin dhe atë që na intereson ne në këtë shkrim, Ballkanin.
Lufta e nëntë qe ajo kur fitoi pavarësinë formale entiteti shtetëror grek, e lufta e njëmbëdhjetë ajo kur e fitoi pavarësinë edhe entiteti shtetëror serb. Por, ka edhe diçka tjetër që i dallon këto luftëra. Në pothuaj pesëdhjetë vite distancë, ato tregojnë një shembull interesant të avancimit të konceptit post-napoleonik mbi ushtrinë dhe luftën, ku kombësia shihet si e favorshme ose e papërshtatshme për synimet ushtarake pra bëhet cak i veprimeve të ushtrisë.
Historiani Victor Taki, në veprën e tij “Luftërat e Rusisë me Turqinë”, e paraqet kësisoj çështjen: “Në 10 qershor 1877 teksa ushtria ruse po kapërcente Danubin, Aleksandri II lëshoi një shpallje që i drejtohej grupeve të ndryshme të popullatave ballkanike. Në atë dokument cari sillte në kujtesë luftërat që paraardhësit e tij i kishin bërë kundër Turqisë ‘për të lehtësuar barrën e rëndë’ të të krishterëve ballkanas e si pasojë e të cilave kishin arritur që të merrnin në mbrojtje fatin e serbëve e të rumunëve. Koha tash kishte ardhur që të merrej në mbrojtje edhe kombësia bullgare dhe t’u jepeshin bullgarëve ‘ato të drejta të shenjta që janë të domosdoshme për zhvillimin paqësor e të rregullt të jetës së tyre qytetare’. Simbas fjalëve të shpalljes së nxjerrë nga cari roli i Rusisë ishte që ‘të sillte harmoni dhe paqe mes gjithë kombësive dhe feve të atyre që banojnë në ato vende’ si dhe të mbrojë ‘jetën, lirinë, nderin dhe pronën e çdo të krishteri, pavarësisht se në ç’kishë ai bënte pjesë’.
Pavarësisht ‘mizorive dhe krimeve që shumë myslimanë kanë bërë kundër popullatës së pambrojtur të krishtere në Ballkan’ – e këtu e kishte fjalën për kryengritjen e dështuar bullgare të prillit 1876 – Aleksandri II premtonte se nuk do të hakmerrej kundër myslimanëve dhe do të çonte ‘në gjyq të drejtë e të paanshëm vetëm ata pak mizorë që i pranonte si kriminelë edhe vetë qeveria osmane por që ende nuk ishin dënuar’. Përndryshe myslimanëve u bënte thirrje që të pranojnë kërkesat legjitime të administratës që Rusia do të krijonte dhe të bëhen ‘qytetarë paqësorë në atë shoqëri që ishte e gatshme t’u ofronte të gjitha të mirat e një jete të mirë-rregulluar qytetare’. Cari pra jepte besën që ‘besimtarët myslimanë nuk do të preken’ e që ‘jetët, pronat dhe familjet e myslimanëve do të mbrohen pa u përdhosur’.”
Por, siç vë në dukje historiani V. Taki, shtatë apo tetë muajt që pasuan atë shpallje doli të ishin ndër më tronditësit në historinë e Ballkanit. Qindra mijëra myslimanë u spastruan, një pjesë u vranë e u dogjën e një pjesë edhe më e madhe u përzunë e dolën refugjatë lufte, duke përfshirë këtu edhe një numër të madh shqiptarësh që përbënin shumicë në sanxhakun e Nishit, por që pas asaj lufte nuk lanë pas thuajse asnjë syresh. Fitorja e Rusisë në Plevne dhe pastaj përparimi i saj drejt Edrenesë e drejt Stambollit e rriti disafish më shumë numrin e të spastruarve, vetëm në Bullgarinë lindore mendohet se janë spastruar etnikisht të paktën mbi gjysmë milioni myslimanë vendas asokohe, duke i dhënë përmasa të katastrofës humanitare luftës ruso-turke të viteve 1877-78. Kjo bie edhe më shumë në sy, vëren V. Taki, nëse krahason këtë luftë me atë të viteve 1828-29, kur rusët pak a shumë pushtuan të njëjtin territor në Ballkan, e mbajtën për një kohë pak a shumë të ngjashme (përreth një vit), por krimet dhe spastrimet ndaj popullsisë myslimane nuk ishin as për së afërmi të njëjtat.
E, pra, dobësimi i Perandorisë Turke që asokohe quhej “I sëmuri i Europës”, shoqëruar me avancimet industriale e teknologjike, por sidomos shoqëruar me konceptin post-napoleonik që lidhte ushtrinë dhe luftën me kombin e kombësinë, kishte krijuar situatën ku myslimanët në Europë ishin bërë cak i spastrimeve etnike. Drejt Ballkanit u vërsul e para Rusia, që kishte synimin e kahershëm për të siguruar dalje në detet e ngrohta, e shumë shpejt edhe Austro-Hungaria që e shihte Rusinë si konkurrent direkt të sajin në frontin lindor, por edhe Italia që e shihte veten si fuqi me synime mesdhetare e që për pasojë nuk mund të toleronte as zgjerimin e Rusisë e as atë të Austro-Hungarisë. Nuk mbetën pa u përzier as Franca e Anglia, që synimet i kishin më shumë te Lindja e Mesme sesa te ajo e Afërt, e as Gjermania që asokohe nisi të projektonte hekurudhën Berlin-Bagdad.
Në shekullin XX kjo tendencë, që i përngjan Reconquista-s mesjetare që u bë në Gadishullin Iberik gjashtë shekuj më parë, u bë edhe më e shprehur. Luftërat Ballkanike ishin paraprirëse dhe ndezëse të Luftës së Parë Botërore, e pikërisht nga gazetarët që raportonin për luftërat ballkanike u përdor për herë të parë termi “spastrim etnik”. Bëhej fjalë për spastrimin etnik të shqiptarëve që jetonin në rrethinat e Shkupit e të Kumanovës, “të sapoçliruara” nga ushtria serbe. Shqiptarët nuk morën pjesë si palë ndërluftuese në luftërat ballkanike, sepse shteti i tyre i sapokrijuar ishte ende i vogël e i dobët. Mirëpo, bash pse ishin të vegjël e të dobët e pësuan më keq. Mospjesëmarrësit në luftë e humbën luftën më shumë sesa secili pjesëmarrës. Pa kaluar kohë fare, dy apo tre vite më vonë, tashmë si pjesë e një lufte botërore, fuqitë perëndimore iu vërsulën Turqisë, e cila ishte në prag të falimentimit shtetëror. Synimi ishte qartësisht mesjetar – t’i kthejmë myslimanët “nga kanë ardhur”, pra t’i heqim ata prej Europe, madje edhe prej Azisë së Vogël njësoj siç i hoqëm prej Spanjës dikur. Shumë intelektualë e shkencëtarë europianë e ngritën zërin duke vënë në dukje se popujt ballkanas, pavarësisht feve, ishin kryesisht autoktonë, flisnin gjuhë të lashta, trashëgonin kultura vendase dhe ishin qartazi europianë, por kur dëshira për zgjerim territorial kaplon mendjet e zemrat e popujve dhe të ushtrive, askush nuk ka më kohë të dëgjojë e të mendojë për mesazhet e intelektualëve. Fatkeqësisht.
M’u desh ta bëj këtë hyrje disi të gjatë për të vendosur kontekstin e situatës së përgjithshme në këtë rajon, situatë me të cilën u përballën qysh prej fillimit sidomos Mustafa Qemali (Ataturku) dhe Ahmet Zogolli (Zogu), dy burra shtetesh që dallonin në shumëçka, në radhë të parë edhe nga përmasa e nga ambiciet e shteteve që drejtonin, por që i bashkonte së paku një rrethanë, ata drejtonin dy shtetet e vetme me shumicë popullsie myslimane e me territor europian.
Konteksti i vuri të dy (por edhe të tjerët që erdhën në pushtet në ato shtete) përballë detyrave urgjente që ishin:
– Domosdoshmëria e modernizimit në ushtri, ekonomi, administratë dhe kulturë (pra në përmbajtje e në imazh të vendit). Prapambetja filloi të shihej gjerësisht si arsyeja kryesore për dobësimin dhe për humbjet. Shkollimi i të rinjve në Perëndim, afrimi i modeleve industrializuese dhe i teknologjive, ishin rendi i ditës.
– Shekullarizimi i shtetit e i shoqërisë. Nëse Europa kaplohej herë pas here nga pasione të ngjashme me Reconquista-n, atëherë ishte e mençur të qetësoheshin gjakrat duke i treguar Europës një islam të pajtueshëm me modernitetin dhe jetesën civile perëndimore, një islam që nuk i mbivendoset shtetit por që rri i ndarë prej tij.
– Zgjidhja e çështjes demografike. Politika dhe ekonomia ishin (e ende janë) edhe demografi, e vendet për të cilat flasim demografikisht qëndronin ligsht. Turqia nga Ataturku e deri te Erdogani, zhvilloi një plan të rritjes demografike që e çoi prej më pak se 10 milion që kishte asokohe, në mbi 90 milionë sot. Shqipëria gjithashtu eci në këtë drejtim, por kuptohet në shkallën që ia lejonte gjeografia dhe ekonomia. Jo vetëm Zogu, por edhe Enver Hoxha e shihte si faktor kyç demografinë. Prej më pak se një milion, në vitin 1989 Shqipëria arriti të katërfishohet demografikisht. Mirëpo, atë çka menduan ta bëjnë Zogu e më vonë Hoxha, e zhbënë politikat liberale e neoliberale, që i shpërndanë shqiptarët nëpër botë si emigrantë ekonomikë, a thua se deshën të tregojnë që “nuk ka nevojë të na spastrojë kush, ne njerëzit tanë i përzëmë vetë”!
Sidoqoftë, një dallim i rëndësishëm mes dy figurave, Ataturkut dhe Zogut, është fakti se i pari e fitoi një luftë të rëndësishme, i dyti jo. Fatet e burrave të shtetit vendosen pikërisht nga momente të tilla historike, ndërsa ai që fiton luftërat, gjithnjë e skalit historinë në mënyrë të qëndrueshme e shumë më afatgjatë. Pesha e vogël ekonomike e ushtarake e Shqipërisë ia pamundësoi Zogut këtë sukses, por rol luajti edhe një gabim gjeopolitik që ai bëri, duke u afruar shumë me fuqitë fqinjë. Në rekordet parlamentare të një figure opozitare ndaj Zogut, Luigj Gurakuqit, kam lexuar qëndrimin e tij se Shqipëria nuk duhet të asociohet fort me fuqitë të cilat janë afër, pra mund të mbajnë pretendime territoriale ndaj saj. Ky qëndrim i Gurakuqit nënkuptonte mbajtjen e Shqipërisë në distancë sigurie prej Jugosllavisë e Italisë dhe kërkimin e aleatëve ekonomikë e gjeopolitikë pak më larg. Zogu mendoi se, pavarësisht vendit të vogël që drejtonte, kishte mençurinë për të drejtpeshuar mes fqinjëve të mëdhenj e agresivë, herë me njërin e herë me tjetrin. Ky vetëbesim i tepruar në fund nuk e lejoi të bëhej “Ataturk” i shqiptarëve.