Për ta kuptuar se si ishin të trajtuar shqiptarët nga Maqedonia postsocialiste dhe elitat politike të saj e për të shpluhurosur kujtesën e fjetur, mjafton të kujtojmë parullat që shfaqeshin gjetiu “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” e kështu me radhë, si dhe të kujtojmë njëpasnjëshëm Ladorishtën, Bit Pazarin, Aferën e Armëve, ngjarjet me rastin e hapjes së Universitetit të Tetovës, ngjarjet e Tetovës dhe Gostivarit… që kulmuan me konfliktin e vitit 2001 dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Ardian RAMADANI, Kumanovë
“Dheas, shqiptarët janë dheas të fjalës”. Është kjo një thënie që më frymëzoi nga fjalori poetik i autorit të njohur shqiptar, Martin Camaj, i lindur në Temal, fshat i Shkodrës, i cili, së bashku me Ernest Koliqin, do të botonin revistën e njohur “Shejza”. Por, a kundrohen si të tillë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? Institucionet e këtij shteti si i kundrojnë ata? E tërë kjo më lart, me qëllim të trajtimit të temës tejet të qëlluar në revistën, që gati mban emrin e njëjtë si ajo e Camajt-Koliqit, pra në revistën “Shenja”, gjegjësisht rreth asaj se si është raporti Maqedoni e Veriut-shqiptarët (bota shqiptare).
Maqedonia (lexo e Veriut), e skicuar fillimisht nga Titoja në Jajce si shtet-komb, me arsyen e (pa)thënë gjoja se për të frenuar ndikimin bullgar dhe atë serb, e në fakt e ideuar për të penguar kompaktësinë shqiptare me territorin e Kosovës dhe të Luginës, si dhe me Shqipërinë, ajo vazhdoi ndërtimin e saj gjatë periudhës socialiste vetëqeverisëse si shtet e si komb, duke përjashtuar elementin shqiptar nga bërthama e krijimit të saj, me disa ndryshime kozmetike tek-tuk gjatë viteve të ‘70-ta deri në vitet e ’80-ta. Edhe pse kishte përfaqësues shqiptarë që ishin pjesë e udhëheqësisë së asaj kohe, rasti këtu i Vullnet Starovës, i cili në vitin 1986 arriti të katapultojë deri në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë së atëhershme, ajo edhe më tej vazhdoi të ishte njerkë për shqiptarët. Për të, shqiptarët, megjithëse ishin të dytët në numër pas maqedonasve, nuk mund të ishin asgjë më tepër, përpos se kombësi, të barabartë me ca pakica të përfaqësuara në shifra tejet të ulëta, e që nëse do t`i rrekeshim origjinës së atyre pakicave, mund të dilnin shumë syresh shqiptarë me origjinë, ajo vazhdoi të etablohet si shtet e të etablonte institucione të cilat në shumë parametra, pas viteve 1981, ishin edhe më antishqiptare se ato të Beogradit.
Përdëftim për këtë është qasja e politikanëve maqedonas dhe shtetit të asaj kohe dhe trajtimi i tyre ndaj shqiptarëve që pas 1945, mandej pas tërmetit të vitit 1963, kur me plan e projekt konkret filloi deshqiptarizimi i Shkupit, mandej qëndrimi i maqedonasve ndaj demonstratave të dhjetorit 1968 në Tetovë, qëndrimi tejet i rreptë dhe i dënueshëm i elitës maqedonase ndaj protestave të studentëve në Kosovë, burgosja e profesorëve të shumtë shqiptarë në Kumanovë, Shkup e qytete tjera vetëm se kërkonin arsimimin në gjuhën shqipe, për të vazhduar më tej me të njëjtën qasje, edhe pas pavarësimit të saj e pas vendosjes së shumëpartizmit.
Për të kuptuar se si ishin të trajtuar shqiptarët nga Maqedonia postsocialiste dhe elitat politike të saj e për të shpluhurosur kujtesën e fjetur, mjafton të kujtojmë parullat që shfaqeshin gjetiu “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, e kështu me radhë, si dhe të kujtojmë njëpasnjëshëm: Ladorishtën, Bit Pazarin, Aferën e Armëve, ngjarjet me rastin e hapjes së Universitetit të Tetovës, ngjarjet e Tetovës dhe Gostivarit…, që kulmuan me konfliktin e vitit 2001 dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
E kundruar nga shqiptarët si marrëveshje kompromisi që nuk ofronte gjithçka për ta, e në anën tjetër nga maqedonasit si një kompromis me të cilën shqiptarët fituan gjithçka, edhe sot e kësaj dite flitet për implementimin e kësaj marrëveshjeje në praktikë. Pra, jemi në vitin 2024, ndërsa kjo marrëveshje ende nuk është rrumbullakosur sa e si duhet. Kjo flet qartë se si kundrohet edhe më tej shqiptari në këtë shtet.
Edhe pas vitit 2001 vazhdoi saga shqiptare, ku njëpasnjëshëm na u shfaqën ngjarjet në Rakovec të Tetovës, mandej tensionimi në vitin 2003 në Vaksincë, ngjarjet e Sopotit, Brodeci, burgosjet e njëpasnjëshme dhe vrasjet enigmatike, shpallja e dënimeve drakonike për ish luftëtarët shqiptarë, që nuk ishin pjesë e konjukturave e kështu me radhë.
Ndërsa, në anën tjetër, shqiptarët jo vetëm që dëshmuan besnikërinë ndaj këtij shteti, por edhe Shqipëria dhe Kosova kishin dhe kanë qëndrim shumë solidarizues me këtë shtet, kur ky i fundit kontestohej(t) nga të gjithë fqinjët.
Megjithëse në shikim të parë kemi të drejtë të themi se ka zhvillime pozitive, ngase është rritur ndjeshëm në shumë institucione prania e elementit shqiptar, e së këndejmi, si asnjëherë më parë, shqiptarët kanë zënë vende kyçe në pozita të larta shtetërore, ende mbetet shumë për t’u bërë për të thënë se jemi si duhet.
Këtë që e them e mbështes në faktin se mjafton të shihet pasqyra e vërtetë e raporteve të këtij shteti me elementin shqiptar në Çashkë, ku kontestohet mësimi në gjuhën shqipe nga ana e bashkëqytetarëve maqedonas (pavarësisht kushtrimit rishtar se është zgjidhur ky problem), mandej mjafton të shihet përdorimi i gjuhës shqipe në nivel shtetëror, ku ende ka shumë punë për t’u bërë, me gjithë trumbetimin se është zyrtarizuar shqipja, e në fakt përdorimi i saj vetëm se është avancuar (lexo: ministrat shqiptarë, funksionarët shqiptarë, në takime me ambasadorët e huaj e përdorin shumë pak të drejtën e shprehjes në gjuhën amtare shqipe, për të mos prekur në sedër palën tjetër, e cila paska “bërë” mjaftueshëm lëshime dhe qenka “mbështetur për muri »), mandej edhe më tej përqindja e shqiptarëve në disa institucione është minore…
Për të përfunduar trajtesën e për të vënë në pah gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet mjafton të sjellim në kujtesë thënien e ish senatores amerikane, Hillary Clinton, e cila në një rast në vitin 1995 në Pekin, në një konferencë kushtuar të drejtave të grave, kishte thënë: “Problemet e grave nuk kanë përfunduar, përderisa ende bëjmë një konferencë me autore gra, e kjo nuk ndodh me burrat. Andaj, të drejtat e njeriut janë të drejta të grave dhe anasjelltas të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, njëherë e përgjithmonë”.
Fakti se edhe më tej flitet (flasim) për të drejta të shqiptarëve në RMV, edhe pse jemi në numër të dytët në këtë shtet, shumë afër me shifra me të parët, kërkon angazhime dhe guxim nga elitat politike, nga cilado qoftë parti politike, që të punojnë vazhdueshëm dhe me seriozitet në drejtim të arritjes së barabarësisë në institucione e në shtet, të paqtimit të këtyre dy popujve me njëri-tjetrin dhe heqjes së paragjykimeve dhe stereotipave, si dhe në drejtim të hapërimit drejt strukturave eurointegruese dhe flakjes së urrejtjes.
Claudio Magris, shkrimtar dhe përkthyes italian, me të drejtë kishte thënë “njëri prej çelësave drejt mirëkuptimit dhe tolerancës është ndërgjegjësimi që ne hera-herës jemi ata, të tjerët, dhe që ata, hera-herës janë ne”.
Uroj që kjo thënie të gjejë vend në veshët shpeshherë të shurdhër të disa elitave miope të palës sllavomaqedonase, që nuk po këndellen e nuk po kuptojnë sa e si duhet tik-takun e rrethanave aktuale dhe nevojës për ndryshime në të mirë të tyre dhe shtetit të përbashkët.