loader image
November 15, 2024

Shqiptarët mes dekomunistizimit dhe rikomunistizimit

Komunizmi më së pari ishte një ideologji dhe më së paku një njeri. Nëse madhëron çdo mendim, vendim dhe prodhim historik e kulturor që ai regjim ka pasur, pak ose aspak rëndësi ka nëse mendon se filani apo fisteku nuk duhet të jetë në pozitë publike pse ka qenë mbështetës i regjimit komunist apo punëtor/bashkëpunëtor i sigurimit të regjimit.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Diskutimi mbi dosjet e sigurimit të pushtetit komunist është zhvilluar i ngarkuar dhe i drejtuar që prej fillimit nga dyfaqësia dhe mungesa e seriozitetit. Që në dekadën e parë pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri, vërehej një solidaritet “klasor” mes komunistëve dhe, natyrisht, ajkës së tyre, atyre që kishin qenë të lidhur për shkak të profesionit, të pasionit ose presionit me sigurimin, pra drejtorëve, punëtorëve ose bashkëpunëtorëve të sigurimit. Një barsoletë shkodrane, e bazuar mbi një rast real, e ilustron këtë dukuri. Një i ri, që ishte diplomuar në universitet, pasi ishte lodhur duke kërkuar punë nëpër zyrat përkatëse shtetërore dhe kur i kishte humbur shpresat, e takon në rrugë të atin me një grup shokësh antikomunistë e të persekutuar. Djaloshi, me letra në dorë, rrëfen ecejaket e tij nëpër zyra dhe se fakti që ishin familje e persekutuar dhe antikomuniste nuk merrej parasysh. Një nga miqtë e të atit i thotë që të mos e përmendë se është djali i një antikomunisti, por përkundrazi të angazhoheshin që të hapnin fjalën se miku i tij dhe i ati i djaloshit kishte qenë një spiun besnik dhe i zellshëm i sigurimit. Djaloshi kundërshton, duke thënë se kurrsesi nuk e bënte të atin bashkëpunëtor të sigurimit, mirëpo miku ia kthen: “Ndigjo mor djalë. Deri sa të merret vesh se nuk e ke pasë babën spiun, ti ke kry punë e je punësu, se këta vetëm fëmijët e ish-sigurimsave i punësojnë nëpër zyra”. Kjo barsoletë e shtjellon paradoksin që pasja e dosjes dhe qenia kontingjent i sigurimit nuk ishte dhe nuk u bë asnjëherë pengesë për karrierë në regjimin e ri, por përkundrazi ishte mundësi dhe garanci. Prandaj edhe po aq paradoksalisht vjen sugjerimi i mikut mendjemprehtë për të shpikur një “dosje” informale, të përkohshme bashkëpunimi me Sigurimin me qëllim punësimi!

Pa dyshim që dosjet e sigurimit të pushtetit komunist janë dëshmi me rëndësi për të kuptuar shkallën dhe mënyrat e represionit që ai regjim ushtronte mbi shqiptarët. Një regjim që është në gjendje të ushtrojë një shtypje të tillë mbi nënshtetasit e vet, natyrisht që edhe do të ishte një regjim që nuk do ta kishte problem etik manipulimin, tjetërsimin, fshirjen dhe shtimin e të dhënave mbi njerëz të caktuar. Për këtë arsye dosjet nuk janë dokumente që duhen këndvështruar si të sakta dhe të pacenuara. Natyrisht, një numër i madh i tyre me karakter sensitiv dhe që mund të lëndonin ushtruesit kryesorë të tmerreve të atij regjimi janë asgjësuar. Kjo e dëmton dhe e zbeh rëndësinë e tyre në shërimin e shoqërisë nga e keqja komuniste. Aspekt tjetër me po kaq rëndësi, që e zbeh rëndësinë e tyre në këtë shërim, është se ato janë të varura kryekëput nga mosha e personave të përfshirë. Shumica e bashkëpunëtorëve, drejtorëve dhe punëtorëve tashmë kanë vdekur ose janë në moshë tejet të thyer. Praktikisht, të gjithë elementët me rëndësi në atë strukturë kriminale të atij regjimi kriminal janë në moshë pensioni ose të vdekur. Ata që janë në prag të moshës së pensionit ose mbase më të rinj, por jo më të rinj se 55 vjeç, janë edhe më të parëndësishmit, pasi kanë qenë të parëndësishëm edhe në kohën e përfshirjes për shkak të moshës së re. Përfundimisht, dosjet janë sikur shumëçka në këtë tranzicion paskomunist: shumë zhurmë për pak ose hiçgjë.

Një shembull se si ka funksionuar presioni i dosjeve dhe përmes dosjeve është aventura e forcave mercenare Wagner, të drejtuara nga Prigozhin-i në marshimin e tyre mbi Moskë që nuk zgjati as 24 orë dhe u kontrollua nga regjimi i Putinit. Shpresat e njerëzve në mbarë botën, pse jo edhe në Rusi, se kjo përpjekje e papritur do të kurorëzohej me sukses, u ushqyen minutë pas minute me ndjekjen e ecurisë së përparimit të forcave të rebeluara drejt Moskës. Mirëpo, heshtja e regjimit dhe vetë Putinit për të përditësuar rusët dhe botën mbi atë që për shumëkënd ishte fillimi i fundit të shpejtë të Putinit dhe të Rusisë, fshihte diçka që do ta ndryshonte rrënjësisht situatën dhe do t’i shuante përfundimisht shpresat e një ndryshimi në regjimin e Moskës. Kjo përbën një nga tentativat për ndryshim regjimi dhe marshim mbi një kryeqytet ndër më të çuditshmet. E veçanta e kësaj tentative për rebelim dhe marshim mbi kryeqendrën e pushtetit ishte se u zgjidh në mënyrë të habitshme. Papritmas, kur gjithçka dukej se shkonte për bukuri për forcat e rebeluara, jepet lajmi se drejtuesi i marshimit mbi Moskë është tërhequr. Një tërheqje për shumëkënd e pashpjegueshme dhe, aq më tepër, pa një përballje mes forcave që marshonin me shpejtësi drejt Moskës dhe forcave të regjimit të Putinit. Përballja në fakt po ndodhte tjetërkund e jashtë syve të publikut dhe jo thjesht në një vend, por në shumë vende gjithandej Rusisë. Arsyeja qëndronte tek kërcënimi që shërbimet e sigurisë ruse kishin bërë jo ndaj forcave që po marshonin mbi Moskë, por mbi familjarët e tyre.

Kjo mënyrë e funksionimit të regjimeve diktatoriale e vështirëson bërjen e dallimit mes atyre bashkëpunëtorëve që kanë qenë të tillë për pasion dhe atyre që janë bërë të tillë me presion. Aq më tepër që mënyra se si u zhvillua dhe u shua marshimi mbi Moskë lë shteg të mjaftueshëm për palën që tërhiqet ose i nënshtrohet presionit për t’u paraqitur jo bash si të nënshtruar, por si një lloj i veçantë heroi që me nënshtrimin ose tërheqjen e tij e mbron familjen nga dëmi dhe këtë veprim e bën jo nga interesi personal ose nga frika për vetveten, por si sakrificë personale për familjen. Ngjashëm edhe bashkëpunëtorët e sigurimit të regjimit enverist, ndjenjën e fajit e tëhollojnë deri në atë masë sa ta paraqesin si sakrificë për të shmangur presionin dhe persekutimin e familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Prandaj ideja që dekomunistizimi i shoqërisë do të kryhej përmes ndalimit të ish funksionarëve të regjimit dhe të ish punëtorve e bashkëpunëtorëve të sigurimit të regjimit nga ushtrimi i detyrave publike me rëndësi nuk ka funksionuar si duhet. Komunizmi më së pari ishte një ideologji dhe më së paku një njeri. Nëse madhëron çdo mendim, vendim dhe prodhim historik e kulturor që ai regjim ka pasur, pak ose aspak rëndësi ka nëse mendon se filani apo fisteku nuk duhet të jetë në pozitë publike pse ka qenë mbështetës i regjimit komunist apo punëtor/bashkëpunëtor i sigurimit të regjimit. Pak rëndësi ka nëse anëtarë të ish nomenklaturës komuniste përsëri janë në pozicione vendimmarrëse dhe krijues të politikave aktuale shqiptare nëse nuk arrin të dalësh nga vatha ideologjike e komunizmit edhe në kushtet e lirisë për të dalë prej saj.

E thënë ndryshe, ndërkohë që kemi nevojë për dekomunistizimin e shoqërisë dhe shërimin e pasojave të së keqes komuniste, ka që punojnë vetëdijshëm ose pavetëdijshëm për rikomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe shërimin e ringritjen e komunizmit nga pasojat që i solli ndryshimi i regjimit! Ky realitet paradoksal e ka bërë të pamundur shkëputjen e shoqërisë shqiptare nga kthetrat e së keqes komuniste. Komunizmi mund të jetë lënë pas, mund të jetë shembur regjimi enverist, por e keqja e tij ka mbetur dhe vazhdon të jetë e pranishme, aktive dhe pa dyshim e dëmshme. Kjo e keqe është një nga arsyet pse shpresa se shekulli XXI të ishte shekulli i rikthimit të shqiptarëve po zbehet, për fat të keq. Ai fund i shekullit të kaluar, që u mbyll aq madhërishëm me lirimin e Kosovës, është ngjarja më madhore pas shumë dekadash që i dha hov shpresës së një shekulli të ri, të ndryshëm, të mirë për shqiptarët. Mirëpo, jemi në dekadën e tretë të shekullit të ri dhe e keqja e komunizmit tashmë haptazi po e sfidon shekullin e shpresuar të shqiptarëve. E majta, politikisht, ka gati një shekull që mbisundon te shqiptarët. Kur shpresohej që skena politike e shekullit të ri do të ishte më e balancuar sesa sundimi i të majtës totalitare në gjysmën e shek. XX, edhe kjo gjysmë e gjysmës së parë të shek. XXI është e pabalancuar dhe e majta totalitare vazhdon për inerci të lindë të majtat pastotalitare, që konkurrojnë për pushtet, hapësirë, publik, narrativë e vëmendje në një skenë politike ku komunizmi, bashkë me të keqen e tij, adhurohet në altarë privatësie e haptazi. Lëvizjet e reja politike, që shfaqen herë pas here në peizazhin tonë politik, në fakt janë të vjetra dhe thjesht e riciklojnë të keqen e komunizmit pa pasur nevojë ose mundësi ta riciklojnë regjimin komunist të kaluar. Sa zbehet një e majtë politike, del në skenë një e re politike po ashtu e majtë. Pa pikë risie e kreativiteti!

Shoqëria e sotme shqiptare, në një masë të madhe, është produkt i pasojave të sistemit monist. Tetë dekada, gati një shekull, pa një alternativë kahu politik, vazhdojmë të jemi të fundit në të mira dhe të parët në të këqijat që na serviren. Edhe pse regjimi komunist zgjati zyrtarisht për rreth gjysmë shekulli, vetë instalimi dhe thelbi i tij ishte i tillë që synonte përjetësimin e vet të rrënjosur mbi zhbërjen e çdo sistemi tjetër. Kjo prirje për shkatërrimin dhe zhbërjen e gjithçkaje e vështirësonte dhe mund të themi e pamundësonte ekzistencën e një disidence të organizuar brenda juridiksionit të shtrirjes së atij pushteti.

Krijimi i njeriut të ri si zhdukës i njeriut të vjetër synohej e trumbetohej si triumf i merituar i sistemit komunist mbi gërmadhat e të gjitha sistemeve të deriatëhershme në histori. Prandaj, edhe shpjegohet mungesa e një shtrese politike e aq më pak e një klase politike disidente apo antikomuniste jo vetëm në Shqipëri, por në krejt vendet komuniste. Askund në hemisferën komuniste nuk ka ekzistuar një klasë e tillë. Disidenca e organizuar ndaj regjimit komunist ka qenë më shumë një dëshirim i pabazë i rivalëve perëndimorë sesa një realitet i regjimeve komuniste. Nëse sistemet juridikisht pluraliste, si regjimi i sotëm në Rusi, Serbi ose edhe në Shqipëri, kanë krijuar shtete praktikisht pa opozitë, përfytyroni se sa e mundur ka qenë që në shtete juridikisht moniste të ketë pasur mundësi për opozitarizëm të organizuar kundër atij sistemi.

Në njëfarë kuptimi dhe në kushtet e mbisundimit të ideologjisë komuniste në shoqërinë shqiptare të sfidosh këtë ideologji duke vënë në pikëpyetje produktin e saj social, kulturor, shkencor, është një lloj disidence, pasi dosjet e reja të patronazhistëve, që i adhurojnë produktet e komunizmit, të skualifikojnë menjëherë nga të qënit i përshtatshëm për promovim e vlerësim të merituar. Vënia në pikëpyetje e verdiktit të regjimit komunist mbi qëndrimet që duhet të mbajmë ndaj historiografisë, gjuhësisë, letërsisë, kinematografisë, biografisë së figurave të njohura politike është një arsye e sigurt për të qenë i diskriminuar dhe i mënjanuar nga establishmenti ideologjik komunistolatrik apo enverolatrik, që është mbisundues në vendimmarrjen e shoqërisë sonë. Prandaj, disidenca ndaj këtij mbisundimi gati njëshekullor të së majtës, qoftë totalitare, qoftë pastotalitare në opinionbërjen e shoqërisë shqiptare, duhet konsideruar si një detyrë atdhetare që shpie tek balancimi i botëkuptimeve ideologjike dhe kështu mbase pas “himalajës” ideologjike komuniste e paskomuniste të shquhen rrezet e shpresës së atdhetarizmit dhe shekullit të shqiptarëve.

Nëse nuk kemi pasur fatin të kemi një disidencë të mirëfilltë ndaj komunizmit gjatë regjimit komunist, le të shpresojmë e të përpiqemi që të kemi një kundërshtim të organizuar e të bashkërenduar ndaj rikomunistizimit të shoqërisë. Duhet ta kemi të qartë dhe ta bëjmë të qartë se shqiptarët nuk mund të konkurrojnë në skenën ndërkombëtare komuniste dhe të kenë dobi nga komunizmi, pasi ajo është një fushë e zënë me kohë nga sllavët, kryesisht nga sllavët ortodoksë. Duke qenë sllavosfera ortodokse fusha më pjellore e komunizmit, shqiptarët komunistë ose komunizmi shqiptar natyrshëm është i pafavorizuar në një ambient të tillë. Në këtë veçori duhet kërkuar edhe izolimi që komunistët shqiptarë e përjetojnë kur përpiqen ta marrin komunizmin seriozisht. Qenia e tyre komunistë ua pret krahët nga Perëndimi, kurse qenia e tyre shqiptarë ua pret krahët nga Lindja. Kështu, përfundojnë të izoluar dhe duke qenë në sundim që tetë dekada e shpien edhe Shqipërinë e Kosovën që e mbisundojnë në izolim. Kam dëshmi historinë e shteteve tona të Shqipërisë dhe Kosovës në këto tetë dekada dhe tri dekada, përkatësisht, për këtë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X