Shqiptarët as nuk e nisën konfliktin izraelito-palestinez, e as që mund ta ndalin. Palestina është barrë e fuqive të mëdha, është në ndërgjegjen e atyre që nuk arritën ta jetësojnë formulën që mundëson dy shtete të pavarura – Izraelin dhe Palestinën – në paqe me njëri-tjetrin, me lirinë, barazinë dhe dinjitetin e garantuar për izraelitët dhe palestinezët.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Plani i presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez shkaktoi reagime të ashpra në rrafshin ndërkombëtar. Ky plan parashikonte zhvendosjen e mbi 2 milionë palestinezëve nga Rripi i Gazës, një territor i vogël bregdetar prej rreth 365 kilometrash katrorë i bllokuar nga Izraeli dhe Egjipti, në një vend tjetër më të përshtatshëm. Ky vend u përfol se do të ishte Putlanda, një rajon gjysmë-autonom në verilindje të Somalisë me stabilitet relativ dhe qasje strategjike në Gjirin e Adenit, i cili pas strehimit të palestinezëve do të fitonte një njohje ndërkombëtare si shtet. Ndërkohë, Rripi i Gazës do t’i jepej në administrim SHBA-së, e cila do ta shndërronte në një adresë të njohur të turizmit elitar.
Planet për Gazën
Nuk dihet nëse vërtet ka ekzistuar një plan konkret, por Trump-i mori kritika serioze nga vende partnere, duke e quajtur këtë një skenar të pamëshirshëm të spastrimit etnik. Pas këtyre kritikave, Trump-i sikur u tërhoq, duke thënë se kjo ishte një taktikë e tij për të detyruar vendet arabe të zgjidhin qeset e tyre për t’i ndihmuar palestinezët, duke mbledhur plot 53 miliardë dollarë për rindërtimin e Gazës pas shkatërrimit gati të tërësishëm të saj. Kjo shumë u sigurua pas miratimit të Planit të Egjiptit, në kuadër të Samitit për Palestinën, të mbajtur në fillim të marsit të këtij viti. Samiti u mbajt pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit , ndërkohë që plani synon shmangien e zhvendosjes së popullsisë, konsolidimin e sigurisë dhe përjashtimin e Hamasit nga qeverisja. Nga samiti i vendeve arabe u miratua deklarata për ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe fillimin e bisedimeve për paqe, që do të rezultonin me një shtet të pavarur palestinez.
A i zgjoi Trump-i vendet arabe me planin e tij për zhvendosjen e popullsisë, që të merren më seriozisht me Palestinën? A ishte ky qëllim final i planit apo vetëm një arsyetim ndaj kritikave të marra pas shpalosjes së tij? Trump-i është i njohur për strategjitë ekstreme të negocimit, të cilat i ka përdorur edhe në biznes. Ai i shpalos qëndrimet e tij shokuese në fillim të negociatave, me qëllim që kompromisi të jetë përmbushja e qëllimit paraprakisht të vendosur. Ai e hedh spirancën thellë në ujërat e palëve biseduese, që edhe pas tërheqjes ajo të ngelet në territorin e bashkëbiseduesve.
Realizmi i egër
Realizmi, që nga paraqitja e shteteve, është e vetmja shkollë dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare si teori në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo teori nënkupton vënien e interesit shtetëror mbi vlerat humane, vënien e sigurisë kombëtare mbi parimet morale dhe etike, si dhe pavarësinë e shteteve nga njëra-tjetra në çdo aspekt. Realizmi thotë se shtetet veprojnë në një anarki të plotë, ku lufta është vazhdim i politikës me mjete tjera, ku paqja është mungesë e luftës dhe ku vetëm më i fuqishmi mbijeton. Vendet ose popujt e vegjël mund të mbijetojnë në aleanca me vendet ose popujt më të fuqishëm, duke gjetur strehë në ombrellën e madhe të sigurisë që e ofrojnë ato. Por, ekonomisti dhe fituesi i çmimit Nobel në ekonomi, Milton Friedman, thotë se “nuk ka drekë falas”. Strehimi nën ombrellat e shteteve të fuqishme kërkon një subordinim, i cili nënkupton dëgjueshmëri dhe rreshtim me interesat e të fuqishmit. Në sytë e realistëve, paqja mund të jetë e qëndrueshme nëse ka baraspeshë forcash në rajone të caktuara, me parakushte për luftë.
Trump-i është ithtar i realizmit, si edhe shumë republikanë ose konservatorë tjerë. Nga ana tjetër, liberalizmi, si teori, i vë në plan të parë parimet dhe vlerat e jo interesat shtetërore. Në vend se në gjendje të përhershme të luftës, kjo shkollë në marrëdhëniet ndërkombëtare i sheh raportet midis shteteve si mundësi bashkëpunimi, kurse paqja dhe progresi mund të arrihen në rast të formimit të organizatave ose aleancave mbikombëtare. Promotorë të liberalizimit zakonisht kanë qenë demokratët, të cilët janë të bindur se vetëm me instalimin e vlerave demokratike kudo mund të arrihet deri te paqja e qëndrueshme në botë. Megjithatë, ish presidenti amerikan, Joe Biden, nuk u tregua shumë liberalist kur vendosi t’i tërheqë trupat nga Afganistani. Ai e la pushtetin atje në duart e talebanëve me kusht që Afganistani të mos promovojë terrorizëm që do të kërcënonte SHBA-në. Pra, interesi i SHBA-së ose siguria kombëtare amerikane u vunë në plan të parë para vlerave demokratike që u zhbënë më pas.
Palestina e interesave gjeostrategjike
Konflikti i Palestinës është dëshmi se realizmi ende mbizotëron në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleancat dhe armiqësitë e krijuara në mbi shtatë dekadat e kaluara të konfliktit të përhershëm Izrael-Palestinë, në thelb, i kanë në plan të parë interesat ekskluzivisht shtetërore. Marrëdhëniet e mira midis SHBA-së dhe Izraelit nuk janë të bazuara as në religjion, as në histori, por në interesa konkrete gjeostrategjike. E njëjta gjë vlen edhe për mbështetësit e Palestinës, si Irani, Rusia ose Kina, të cilat e mbështesin çlirimin dhe lirinë e Palestinës vetëm për ta luftuar interesin amerikan në Lindjen e Mesme. Ka edhe shtete që udhëhiqen nga dhembshuria e qytetarëve të tyre, të cilët bashkëndjejnë dhimbjen e popullit palestinez dhe e përkrahin Palestinën, edhe pse janë aleatë të SHBA-së. Këto shtete janë Turqia, e cila është zëri i kauzës palestineze në skenën e politikës globale, Katari – si financuesi më i madh i rikonstruktimit të Gazës ose Indonezia – si shteti më i madh mysliman në botë, i cili gjendet në Azinë Juglindore. Është pikërisht mbështetja e hapur e ish presidentit Biden për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, menjëherë pas sulmit terrorist të 7 tetorit të vitit 2023, momenti që ndikoi në rënien e mbështetjes dhe simpatisë për SHBA-në në gati të gjitha vendet myslimane, përfshirë edhe Indonezinë. Këtë rënie e materializon Kina në rajonin Indo-Paqësor, Rusia në ish-republikat sovjetike dhe Irani te myslimanët. Ky moment kishte ndikim edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, kur shumica e shtetasve myslimanë nuk e votuan Biden-in, por Trump-in, i cili premtoi paqe të menjëhershme.
Mbi 62 mijë vrasjet e civilëve palestinezë nga ofensiva izraelite, e filluar në tetor të 2023, nga të cilët mbi 17 mijë janë fëmijë, nuk janë vetëm statistikë, por po aq tragjedi që e kanë trazuar pjesën më të madhe të njerëzimit. Palestina vazhdon ta sfidojë moralin ndërkombëtar, i cili para së gjithash nënkupton mbrojtjen e të drejtave universale të njeriut, si e drejta për jetë, për siguri, dinjitet, barazi dhe liri. Ajo vazhdon të sfidojë moralin e përcaktuar nga konventat e luftës, konventat e paqes, konventat për të drejtat e njeriut, konventat për drejtësi. Kjo vuajtje e palestinezëve ka hapur shumë dilema dhe debate edhe në mesin e shqiptarëve: a duhet të mbrojmë humanen e Palestinës në llogari të interesave të shteteve tona (apo të shqiptarëve si popull) apo të heshtim dhe të tentojmë të baraspeshojmë përderisa jemi gati pa zë në skenën ndërkombëtare?! A mundne shqiptarët, si shtet apo si popull që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi e anekënd botës, të bëjnë diçka, duke u udhëhequr nga parimet morale dhe etike si dhe nga vlerat humane?
Nëse konstatojmë se jetojmë në një botë të egër realiste, atëherë është e pritshme që krerët shtetërorë të shqiptarëve të ndjekin ekskluzivisht interesat e shteteve të tyre. Vrasjet masive në Palestinë, njëjtë si vrasjet e civilëve izraelitë më 7 tetor dhe më pas, është e pritshme të nxisin reagime emocionale nga shpirti human i shqiptarëve, por është detyrë e autoriteteve shtetërore t’i kanalizojnë këto reagime aty ku nuk cenohet interesi shqiptar. Fundja, shqiptarët as nuk e nisën konfliktin izraelito-palestinez, e as që mund ta ndalin. Palestina është barrë e fuqive të mëdha, është në ndërgjegjen e atyre që nuk arritën ta jetësojnë formulën që mundëson dy shtete të pavarura – Izraelin dhe Palestinën – në paqe me njëri-tjetrin, me lirinë, barazinë dhe dinjitetin e garantuar për izraelitët dhe palestinezët.