loader image
December 3, 2024

Shqiptarët – demokracia dhe demokratura

Ashtu si në Shqipëri, edhe në trojet etnike këndej kufirit, pra në Jugosllavinë e Titos, gjatë periudhës (1944-1990) shqiptarët e (mbi)jetuan sistemin qeverisës, i cili bazohej në modelin e partisë–shtet, ku një parti e vetme dominuese, siç ishte Partia Komuniste Jugosllave, qëndronte në çdo segment të organizimit shoqëror e shtetëror. Një model i këtillë përbën shembullin kur emri dhe ideologjia e një partie sanksionohej si subjekt dhe parim kushtetues. Por, me shembjen e ish regjimit komunist jugosllav, shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë u organizuan në parti politike. 

Mixhait POLLOZHANI, Strugë  

Demokracia nuk është gjë tjetër, veçse sundimi i shumicës, ku çdo person ka një votë po aq të vlefshme, me çka fituesi e formon qeverinë. Atëherë, shtrohet pyetja: vallë a ka diçka “demokratike” në demokraci, përveçse lojës me numra? Përgjigja është e vështirë. Teorikisht, demokraci, në kuptimin e saj origjinal, do të thotë thjesht “sundim nga populli”, ndërkaq matematikisht nënkupton operim me numra (mandate) deputetësh në parlament. Por, tjetër gjë është se si sigurohen ato numra. Pra, në thelb, demokracia nënkupton edhe faktin që qytetarët kanë thjesht të drejtën e votës, por nuk thotë asgjë mbase për natyrën dhe ideologjinë e asaj “vote”. Kjo, pra, flet se nocioni demokraci jo gjithmonë përdoret në domethënien e plotë të saj, pasi që ndonjëherë është e mundur që të kemi “fashizëm” të zgjedhur në mënyrë demokratike! Shembuj të këtillë ka pasur shumë gjatë historisë, kurse më së miri këtë e dëshmoi shpërbërja e përgjakshme e ish Jugosllavisë. Dhe, këtë përgjakje shumë egërsisht e ndjenë edhe shqiptarët (jashtë kufijve të Shqipërisë) në kurrizin e tyre.

Meqenëse kjo nuk është tema, atëherë do të përqendrohemi te relacioni i shqiptarëve me demokracinë, e cila pa dyshim që është një çështje shumë më komplekse, për të mos thënë edhe ca më e komplikuar për t’u trajtuar nëpërmjet një artikulli prej disa faqesh. Pasi që do të ndalemi shkurtimisht te disa trajtime teorike mbi demokracinë, do të vazhdojmë me pasqyrimin e traditës dhe zbatimin aktual të demokracisë në shoqërinë shqiptare, me theks të veçantë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Abrogimi i demokracisë    

Një analist, pasi është marrë gjatë tërë jetës së tij me studimin e procesit të krijimit të kombeve, kur has te fenomeni i nacionalizmit në demokraci, pa mundur të depërtonte plotësisht në sekretet e tij, ngriti duart lart dhe tha: “komb është çdo grup njerëzish që e konsiderojnë veten të tillë”! Ky dorëzim profesional i tij flet shumë se sa e vështirë është që të shpjegohen pështjellimet e shtresuar në strukturën mentale të disa kombeve! Për fat të keq, në këtë grup bëjnë pjesë edhe populli (kombi) shqiptar bashkë me disa nga fqinjët e tij të afërt dhe të largët. Përveç tjerash, kjo kategori kombesh, krahas problemeve sistemore, problem ka edhe me funksionimin e demokracisë, pa çka se një komb pa demokraci është si ajri pa oksigjen!

Ndonjëherë, me të drejtë thuhet se demokracia, si një nocion i diskutueshëm, dhe kuptimet e saj në kohët klasike dhe moderne, ndryshojnë, ndaj dhe është bërë e paqartë nga regjimet autokratike që e përvetësojnë në mënyrë cinike këtë vlerë shoqërore. Krahas demokracisë, qëndron edhe nacionalizmi, i cili është një fenomen shumë i gjerë për t’u përcaktuar lehtësisht, e lëre më të reduktohet në përgjithësime të teorisë politike. Pavarësisht këtyre vështirësive, të dyja konceptet tregojnë ndikime shumë të rëndësishme për historinë moderne për t’u përjashtuar nga shqyrtimi teorik. Teorikisht, mund të argumentohet se nacionalizmi qytetar ose politik është i pajtueshëm me demokracinë dhe është një instrument i dobishëm i veprimit kolektiv, por kur ai merr forma ekstreme, atëherë përbën një rrezik serioz për shoqërinë. Demokracia moderne (lexo, bashkëkohore) është shumë e ndryshme nga versioni i saj i lashtë, sepse kjo e sotshmja përfshin edhe dy dimensione shtesë, autonominë pluraliste dhe individuale, të cilat hapin mundësinë e një ndarjeje midis demokracisë nacionale, civile dhe politike. Por, kjo ndarje me gjasë në arealin ballkanik, po merr formën e etatizmit ekstrem, deri edhe të nacionalizmit radikal, duke e abroguar “demokracinë konsensuale”, si njëri nga mekanizmat e vetëm të mbrojtjes së autonomisë pluraliste, në të mirë të një shumice politike ose të një shumice nacionale (etnike). Kjo tendencë mund të shërbejë edhe si një kundërforcë ndaj demokracisë, e cila rrezikon të kthehet në demokraturë, të cilën jo njëherë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë ndjerë në kurrizin e tyre gjatë tre dekadave të shkuara.

Demokracia e reduktuar

Shikuar nga këndvështrimi i kronologjisë historike, demokracia rezulton të ketë lindur shumë para shqiptarëve, që në kohën e ilirëve, më saktësisht, që në shekullin V para Krishtit, në Greqinë antike. Ndaj dhe shpjegimi i fenomenit “demokraci”, në relacion me etnonimin shqiptar, përbënë një togfjalësh (binom) tejet të komplikuar për t’u zbërthyer. Ngritja e një varg pyetjesh të tipit sa ka demokraci në trojet shqiptare, sa e kanë kuptuar drejt dhe sa e duan demokracinë shqiptarët, del se shqiptarët nuk kanë problem me demokracinë, por me zvetënimin, për të mos thënë me surrogatin e saj. Dhe, sado që mund të arsyetohemi se demokracia është më e avancuar në disa pjesë të trojeve shqiptare dhe më e prapambetur shfaqet në pjesët tjetra, si konstatim përgjithshëm del sa përvoja në praktikë dëshmon se shqiptarët nuk gëzojnë ndonjë demokraci të konsoliduar. Mbase me (pa) të drejtë këtë version të zvogëluar do ta quajmë demokraci të reduktuar. Kur e themi këtë, kemi parasysh fakti se demokracia, përveçse është mekanizëm i “pushtetit të numrave” ose edhe i “sundimit të popullit”, është edhe kulturë, formë e të menduarit, mirëkuptim, humanizëm, vetëdije, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Por, për më shumë është organizim i mirëfilltë plural politik dhe shprehje e vullnetit të lirë politik.

Gjithashtu, kemi parasysh faktin se për këtë gjendje të demokracisë në planin mbarëkombëtar shqiptar kanë ndikuar dhe po ndikojnë faktorë të ndryshëm të jashtëm dhe të brendshëm, objektivë dhe subjektivë. Nga ana tjetër, përvoja e popullit shqiptar nga e kaluara flet për një realitet kontrovers. Por, para se të lëshohemi në trajtimin e relacionit shqiptarët dhe demokracia, ta kujtojmë hipotezën të ngritur në artikullin “shqiptarët dhe aleatët”, se nëpërmjet proceseve demokratike, populli shqiptar, varësisht se ku gravitojnë në aspekt territorial dhe administrativ, ka synuar demokratizimin, lirinë dhe barazinë. Kjo do të thotë se Shqipëria, krahas shtetndërtimit synonte demokratizimin e shoqërisë, Kosova bashkë me demokratizimin ëndërronte lirinë, kurse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u mjaftuan vetëm me avancimin e të drejtave etnike. Por, këto përpjekje të dyzuara nuk i amniston aspak nga përgjegjësia për gjendjen në të cilin janë gjendur idealet demokratike të popullit (kombit) shqiptar.

Pluralizëm asimetrik

Ndonëse ka edhe parametra tjerë që mund të shërbenin për matjen e shkallës së demokracisë, megjithatë zgjodhëm organizimin pluralist politik të shqiptarëve, të cilin e ka ndjekur një zhvillimi asimetrik. Partitë politike, si një institucion thelbësor mbi të cilat ngrihet dhe funksionon pluralizmi politik, përbëjnë bazën e pazëvendësueshme për jetësimin e demokracisë. Sistemi pluralist politik në shoqëritë shqiptare, duke ndjekur logjikën “një parti pak, kurse dy shumë”, nuk krenohet dot për ndonjë traditë të kënaqshme demokratike. Pluralizmi politik në Shqipëri ka filluar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së saj, pra plot një shekull më parë, qëkur filluan të dalin në skenë partitë e para politike, si: Partia Përparimtare dhe Partia Popullore, të cilat më vonë zëvendësohen nga Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Partia Komuniste, si dhe disa organizata të vogla politike. Por, instalimi i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), që sundoi për 45 vjet rresht (1944-1990), përfundoi në personalizimin e skajshëm të shtetit në funksion të liderit të partisë, duke degraduar pothuajse çdo element të traditës demokratike në vend. Statistikat flasin se në Republikën e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit, pra nga viti 1990 e deri më sot, kur u lejua pluralizmi politik, lindën dhe kryen aktivitet rreth 126 parti politike, por vetëm 3-4 parti politike ruajtën përfaqësim të rregullt parlamentar në zgjedhje. Por, pikërisht si mungesë e kapacitetit demokratik të klasës politike në vitin 1997, Shqipëria u shkatërrua shumë keq edhe në planin institucional edhe në aspekt të infrastrukturës.

Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës dhe në Maqedoninë e sotshme të Veriu, organizimin politik për shumë dekada të shekullit XX e kishin të lidhur me sistemin politik të ish mbretërisë dhe ish federatës së Jugosllavisë – herë duke u lidhur me ndonjë parti serbe, herë duke u organizuar në ndonjë organizatë politike me proveniencë fetare dhe etnike, por të përfshira me (pa)dëshirën e tyre edhe në kuadër të partive ideologjike. Për t’u veçuar është partia politike “Xhemijet” (Bashkimi), e cila qe themeluar për të mbrojtur të drejtat e popullatës “muslimane të Jugut”, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së sotshme të Veriut, Malit të Zi, Sanxhakut. Por, më së afërmi pluralizmin politik me premisa kombëtare pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze e ndjeu gjatë periudhës 1941-1945, pra gjatë pushtimit italian, periudhë kjo që nga popullata shqiptare u përjetua si çlirim nga prangat e “pushtuesve sllavë” dhe u quajt si “koha e Shqipnisë”, me ç’rast veprimtarinë e tyre e shtrinë edhe dy partitë shqiptare, Legaliteti dhe Balli Kombëtar.

Ashtu si në Shqipëri, edhe në trojet etnike këndej kufirit, pra në Jugosllavinë e Titos, gjatë periudhës 1944-1990 shqiptarët e (mbi)jetuan sistemin qeverisës, i cili bazohej në modelin e partisë-shtet, ku një parti e vetme dominuese, siç ishte Partia Komuniste Jugosllave, qëndronte në çdo segment të organizimit shoqëror e shtetëror. Një model i këtillë përbën shembullin kur emri dhe ideologjia e një partie sanksionohej si subjekt dhe parim kushtetues. Por, me shembjen e ish regjimit komunist jugosllav, shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë u organizuan në parti politike. Përderisa jeta politike alternative përball regjimit serb gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit XX në Kosovë u përfaqësua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila është partia e parë e themeluar në trojet shqiptare pas rënies së komunizmit në federatën Jugosllav, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i formuan dy parti politike, fillimisht Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), e pak më vonë edhe Partia Demokratike Popullore (PDP) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Por, në epokën postkomuniste këto parti politike nuk arritën t’i plotësojnë as aspiratat kombëtare dhe as ato demokratike të shqiptarëve, andaj dhe në skenë dolën UÇK-të, të cilat me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë Kosovës ia sollën pavarësinë, kurse shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut avancimin e të drejtave. Nga struktura UÇK-ve pastaj dolën parti të reja politike: në Kosovë u themeluan: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kurse në Maqedoninë e Veriut u ngrit Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Poetika e demokraturës

Një praktikë e këtillë e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon edhe sot e kësaj dite – në diskursin e tyre vazhdimisht e përsërisin avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe konsolidimin e demokracisë brenda shoqërisë sonë. Kjo do të thotë se divergjenca kryesore e jetës politike të vendit po zhvillohet midis partive politike maqedonase dhe shqiptare. Disbalanca në ndarjen e pushtetit midis dy komuniteteve shpesh e ka tensionuar gjendjen në vend, ashtu që pas luftës së vitit 2001 u arrit Marrëveshje e Ohrit, e cila pos tjerash solli ligje për ndarjen e pushtetit dhe funksionimin e shtetit. Por, me anashkalimin e kohëpaskohshëm të kësaj marrëveshjeje, kjo bëhet shkak i krizave politike dhe i tensionimeve ndëretnike. Gjendjen e rëndon sidomos anashkalimi i demokracisë së mirëkuptimit. Duke demonstruar epërsinë etnike dhe arrogancën e numrave, jo vetëm që cenohen vlerat demokratike, por rrezikohet edhe kohezioni shtetëror. Dhe, kjo filozofi qeverisëse shkon përtej orbitës demokratike, ashtu që demokracia kthehet në demokraturë. Ndonëse ndaj nocionit demokraturë nuk janë imune shumë shtete me sisteme politike pluraliste dhe aq më pak shoqëria shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në këtë rast do të mjaftohemi me pasqyrimin e situatës në Maqedoninë e Veriut.

Nocionin demokraturë në publicistikën shqiptare për herë të parë haset i përdorur nga filozofi, publicisti dhe politikani Arbër Xhaferi, në njërin nga artikujt e tij analitikë gjatë viteve të ‘90-ta  të shekullit të kaluar kushtuar funksionimit të demokracisë asokohe në Republikën e Maqedonisë. Sa për dijeni, ky nocion është krijuar në vitin 1987 nga shkrimtari dhe gazetari, Eduardo Galeano nga Uruguai, për të përshkruar bashkëjetesën e elementeve demokratike dhe autoritare brenda një modeli që ne mund ta përkufizojmë si “diktaturë kushtetuese”. Në zhargonin politik bashkëkohor, demokratura shfaqet në një sistem shtetëror që në dukje i respekton të gjitha procedurat demokratike, por vepron nga pozita e një regjimi autoritar, ku bëhet shkrirja e padrejtë e parimeve të demokracisë dhe diktaturës. Por, tjetërsimi i demokracisë në demokraturë nuk është pasojë vetëm e mangësive të sistemeve politike, por pak më shumë është rezultat i rezonit dhe i (pa)përgjegjësisë së politikanëve.

Ndërkohë që demokratura nuk është rregullim formal shtetëror, por duke u përdor si një mekanizëm informal qeverisës, jo rrallë i vendos në pozicion të pabarabartë komunitetet e ndryshme brenda një shteti. Kështu ka ndodhur me shqiptarët gjatë tre dekadave të fundit në Maqedoninë e Veriut. Vetëm të kujtojmë se me logjikën e poetikës së demokraturës, Partia Socialdemokratike e Maqedonisë (LSDM), gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, disa vite e qeverisi vendin duke u pamundësuar shqiptarëve shumë nga të drejtat e tyre etnike, gjë që i shkaktoi trazirat e përgjakshme të Gostivarit në vitin 1997, si dhe çoi deri te konflikti i armatosur i vitit 2001. Ngjashëm veproi gjatë viteve në pushtet (2006-1917) edhe VMRO-DPMNE: inskenoi edhe konflikte me grupe të armatosura shqiptare në rrethinën e Tetovës, si dhe në Kumanovë.

Përfundimi

Demokracia nuk mund t’ua sigurojë barazinë e drejtë juridike qytetarëve duke bërë dallimin demokratik mes tyre. Duke marrë parasysh që demokracia duhet kuptuar si një medium relativisht i pavarur nga pushteti politik dhe kufizimet ligjore si mjedisi i tij, shikuar nga këndvështrimi aktual, del se format ekzistuese të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, si dhe format tradicionale të vendimmarrjes demokratike, kanë si pasojë rrezikun e përparimit regresiv brenda një shoqërie ose një shteti në drejtim të “demokracisë së kufizuar” në shkallë kombëtare, klasore ose konfesionale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X