loader image
November 20, 2024

“Shpëtimtari” dhe “Një thesar që nuk duhet lënë të tretet”

Përpjekja e Ramës për t’u bërë mburojë e beshktashinjve, në fakt, më shumë i viktimizon ata, duke i kthyer në një “komunitet” që duhet të rrnojnë me frikën së mos tëhuajësohen. Rama, me zor, duke e vënë theksin vetëm tek kontributi i besimtarëve bektashinjë, veçmas në procesin e shtetndërtimit të Shqipërisë, e ka zhbërë një pjesë pamatë të rëndësishme të përpjekjeve të të parëve prej kësaj fryme shpirtnore. Rama po i përkthen bektashinjtë në “jetima” të paqenë në funksion të agjendës së tij politike.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Në katundin tonë përrallave nuk duhej t’ju binte as edhe një germë nga zinxhiri kallxonjës, që ish gdhendur prej kujtimeve e rrëfimeve të korrura ndër motmote. Pra, anëve tona, andej ku gratë “jepnin gisht” se s’dinin akoma as shkrim as këndim, gjithëçfarë ish dëftuar ndën breza, vazhdonte me u qëmtu imtësisht, duke përcjellur kështu një lloj fryme që Njeriun e formësonte mespërmes urtnish e traditash. Përkundun n’djep uratash që rrekeshin me i kapërcy të shtatë palë qjejt, ne gjezdisnim edepin dhe dashninë si dy shtylla ku lidheshin n’kërthizë ojnat e sofrabezave të jetës. Ah, dhe doemos, neve na mësohej përmes magjisë së rrëfenjave arti i të ruajturit dhe fisnikëria e të mosshiturit, vatanin dhe veten. Thënë kështu, paralelisht, në brendinë tonë lëshohej fara e dinjitetit dhe amaneti i atdheut. Ato, kryesisht ato që na edukonin me heshtjen e përunjësisë, ishin vetë Kandilat e Dashnisë.

“14 Fusha Futbolli” ose “Një Copëz Toke me Qera të Ulët”

Javë me parë, Edi Rama ose kreu i ministrave të Shqipërisë, trazoi një dynja, duke deklaruar nga podiumi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork se qeveria e tij ishte e gatshme që ta transformonte Urdhrin Botëror të Bektashinjve në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar.”

E famshmja “The Sun” nuk do vononte për ta krahasuar territorin e shtetit në tentativë me madhësinë e 14 fushave të futbollit, duke theksuar se brenda një zonë të tillë do të mund të promovohej, ndër tjerash, toleranca fetare dhe barazia gjinore.

“Dielli” britanik teksa e quante Shqipërinë “fener të bashkëjetesës fetare” përmbledhte edhe fjalimin e famshëm të Ramës, i cili, si kaherë, nuk harroi të vinte në dukje se Shqipëria shpëtoi refugjatët hebrenj nga tmerret e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe se, së fundmi, ndihmoi afganët e pafajshëm që të shpëtonin prej “përbindëshave talebanë”. Në “The Sun” shkruhej që Rama ka pohuar se historia krenare e Shqipërisë shërbeu si frymëzim për ndërtimin e një shteti të veçantë bektashi si “qendër e re moderimi, tolerance dhe bashkëjetese paqësore”

Një tjetër artikull mbi “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashian” u publikua në “New York Times” ku përmendej enklava sovrane e stilit të Vatikanit, e cila do ta kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju-Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të vishen me çfarë të duan dhe nuk do të imponojë rregulla në stilin e jetesës.

Natyrisht, tek “New York Times” nuk do të mungonin as deklaratat e klerikut Edmond Brahimaj, i cili pasi tha se “Zoti nuk ndalon asgjë, prandaj na dha mendjen”, siguroi të tjerat që “të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi” sepse “madhësia e shtetit nuk ka rëndësi” dhe se ai “nuk ka nevojë të jetë diktator” anise i vetmi kufizim në autoritetin e tij do jetë Zoti, pasi që “vetëm Zoti nuk bën gabime.”

Gazeta amerikane po ashtu vuri në pah përfshirjen e etshme të Babë Mondit në fushatat kundër ekstremizmit dhe më pas nënvizon që ai të ketë thënë se “shteti i ri bektashi mund të ketë nevojë për një shërbim të vogël inteligjence ‘sepse edhe ne kemi armiq’, por nuk do të ketë ushtri, roje kufitare ose gjykata.”

Siç tashmë dihet, mikroshtetet përkufizohen si entitete shtetërore sovrane, që karakterizohen nga kombinimi i tre elementeve kryesore: territori jashtëzakonisht i vogël (zakonisht nën 1,000 km²), popullsia e kufizuar (zakonisht nën 500,000 banorë) dhe burimet e kufizuara ekonomike dhe administrative. Në përgjithësi, mikroshtetet njihen si anëtare të barabarta të komunitetit ndërkombëtar, pavarësisht madhësisë së tyre, por në të shumtën e herave, karakterizohen nga varësia e lartë që ato kanë në partneritetet strategjike me shtete më të mëdha. Thënë ndryshe mikroshteti, në u bëftë, me kë aleat do duhej të forcohej?

I fundit, i luftëtarëve

Më 28 shtator “The Jerusalem Post” publikoi një artikull me titull “Lëvizja Kundër Antisemitizmit nderon kryeministrin shqiptar për luftën kundër Urrejtjes” dhe i cili tregonte se në Nju-Jork, në një aktivitet të organizuar nga Lëvizja Kundër Antisemitizmit (CAM), në bashkëpunim me Qendrën për Ndikimin Hebre dhe B’nai B’rith International, kryeministri shqiptar, Edi Rama, u nderua për rolin e tij në promovimin e unitetit midis vendeve të Ballkanit, ndërtimin e urave të bashkëpunimit me vendet e tjera europiane dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe për luftën kundër antisemitizmit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë.

Në praninë e shumë diplomatëve, liderëve ndërkombëtar dhe udhëheqësve të komunitetit hebre, Edi Rama, në fjalën e tij kryesore, citohet të ketë thënë se “Kushdo që e vlerëson lirinë dhe demokracinë, nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson më të keqen e fytyrave antidemokratike të kësaj bote. Pra, atyre që e quajnë Gazën një burg në qiell të hapur duhet t’u thuhet se rojet e burgut janë Hamasi, jo Izraeli.”

“The Jerusalem Post” gjithashtu ka përmendur edhe ambasadoren Deborah Lipstadt, të dërguarën speciale të SHBA-së për Monitorimin dhe Luftimin e Antisemitizmit, e cila tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin me padurim të bëjnë edhe më shumë në luftën kundër antisemitizmit së bashku me Shqipërinë.”

Kësaj ngjarje me rëndësi planetore, për të parin e shqiptarëve, ndërtuesin e “urave të bashkëpunimit” dhe “luftëtarin e njerëzimit”, i parapriu vizita e shumëpërfolur e presidentit të Izraelit, Isack Herzog. Gjatë takimit, kreu i qeverisë e rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit, duke bërë thirrje edhe për lirimin e pengjeve.

“Do të jemi në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme antisemitizmi e kundër çdo lloj paragjykimi kundër hebrenjve. Jemi të vetëdijshëm se ajo që po ndodh në territorin ku populli i Izraelit dhe Palestinës jetojnë është shumë e rëndë. Kjo duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Lufta kundër terrorit është me e vështirë se nga ç’mund të duket nga lart. Shqipëria ka qenë një mbështetëse shumë e madhe e armëpushimit dhe për sjelljen në shtëpi të pengjeve dhe për të nisur një proces armëpushimi në të mirë të njerëzve. Jam shumë i pirur të theksoj se, ndërkohë që këto janë kohë të vështira për Izraelin dhe popujt rreth tij, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë dhe më të sigurt për një rajon të paqtë e vizionar. Jemi krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që do të vijnë, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë. Në breg të dy deteve rrethuar nga shumë lumenj, ku gjen gjithçka brenda një hapësire shumë të vogël. Bashkëpunimi ekonomik ka një potencial të jashtëzakonshëm. Prirjet janë inkurajuese dhe të dukshme. Jam shumë i lumtur se kam presidentin këtu si mik dhe jo si president i Izraelit.”- tha ndër tjerash kryeministri Rama.

Vizita e parë në Shqipëri e presidentit të Izraelit u mbyll pas një ceremonie në Parkun e Liqenit të Tiranës, ku u prezantua Memoriali i Holokaustit. Tek po shkrihej talenti i mikpritjes, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, tha se “…në një ditë si kjo jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota reflekton mbi Holokaustin, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.” (!!! LEXO: mos përsëriten më!) Qershiza mbi tortë, për ta nderuar ardhjen e Herzog-ut (i cili, në funddhjetorin e shkuar nënshkruante predha artilerie përpara se të qëllohej me to drejt Rripit të Gazës) qenë rreshtuar edhe të tjera figura, si Baba Mondi ose përfaqësuesi i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, për të cilin zërat prej KMSH-së pohuan se filani zgjodhi të ikte në takim me vetëdëshirë, pa detyrim institucional. (!!!)

(Në këtë dekik do kisha dashtë shumë me i pasë ca fjalë që t’i shkonin shtati këtij takimi. Megjithatë, në mungesë të tyre, njeriu detyrohet të mjaftohet me hiç. Me asgjë. Në jetë qenka më mirë të jesh askush. Ose, më mirë të jesh një milingonë që bart pikla uji për ta fikun zjarrin e faraonit sesa … sesa, mëkëmbës pa edep e dinjitet.)

Të “ndërtosh” duke prishur

Nëse rëndom, mikroshtetet krijohen për arsye historike (mbijetesë, marrëveshje te veçanta diplomatike, procese dekolonizimi); arsye gjeopolitike (zona tampon, balancim forcash rajonale, zgjidhje konfliktesh territoriale); arsye ekonomike (krijimi i qendrave financiare offshore, zhvillimi i turizmit të specializuar, përfitime nga burimet specifike natyrore); arsye juridiko-ndërkombëtare (zbatimi i parimit të vetëvendosjes, nevoja për ruajtjen e identitetit kulturor, mbrojtja e të drejtave të pakicave) ose për arsye praktike, siç mund të jenë distancat gjeografike nga qendrat administrative ose vështirësitë në qeverisjen e territoreve të largëta atëherë, ku bien këmbanat për kryeministrin Rama dhe Baba Mondin?

Ka edhe të tjera përvoja që theksojnë se shumë mikroshtete moderne kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar duke u specializuar në shërbime specifike, siç janë ato financiare. Mos, ndoshta, modernizuesit e shqiptarëve mund të rrijnë këmbëkryq këtu?!

Në rastin “Rama & Co.”, matanë pompozitetit të një strategjie PR-i, mjeshtërisht kopsitur me ojna demokracie, lirie, çlirimi, mallëngjimi, konservimi, moderimi e reflektimi, perdet bien për me dëftu se zallamahia alla-babaxhane ka një ngërç që zor se mundet me e kalu. Ndonëse ne jemi soji i shoqërisë që kollaj harron vuajtjet dhe historinë, megjithatë s’mund t’i mbyllim sytë kur Rama pretendon se e dashunon fort Shqipërinë. Korrupsioni mendor dhe akullnaja shpirtnore që e ka pllakosur, pa dallim, shumicën e krerëve të shteteve përballë masakrave shfarosëse të një ushtrie djallëzisht manipulatore, tregon zëshëm se çdo përpjekje në dukje për “ruajtjen e një trashëgimie shpirtnore” a rryme fetare nuk mund të jetë as më pak e as më shumë sesa përpjekje e tkurrur për përfitime materiale prej një grushti njerëzish, që mëtojnë t’ia ndrrojnë faqet e historisë, një vendi të vockël siç është Toka e Shqipërisë.

Përpjekja e Ramës për t’u bërë mburojë e beshktashinjve, në fakt, më shumë i viktimizon ata, duke i kthyer në një “komunitet” që duhet të rrnojnë me frikën së mos tëhuajësohen. Rama, me zor, duke e vënë theksin vetëm tek kontributi i besimtarëve bektashinjë, veçmas në procesin e shtetndërtimit të Shqipërisë, e ka zhbërë një pjesë pamatë të rëndësishme të përpjekjeve të të parëve prej kësaj fryme shpirtnore. Rama po i përkthen bektashinjtë në “jetima” të paqenë në funksion të agjendës së tij politike.

Besa, duke mos resht së përmenduri “moderimin e Islamit të bektashinjve”, Rama me ose pa vetëdije e minimizon në mos e zhbën “bashkëjetesën fetare” ose “mitin e tolerancës fetare” mes shqiptarësh. Bile, ai lë të kuptohet se matanë iftareve që shtrohen në “selinë” e tij, Islami tradicional ose tradita e Islamit ndër shqiptarë në nënvetëdijën e Ramës është politikisht e papranueshme.

Në mos qoftë kjo, atëherë këtu kemi të bëjmë me një nismë që mëton ta fuqizojë ekonomikisht Shqipërinë, duke e kthyer atë në “oazë ekonomish të dyshimta” brenda territorit të së cilës qasje do të ketë “vetëm” Baba Mondi apo i “deleguari i shenjtë” i kryeministrit, kurrë në ikje.

Të ishte njëmendsisht kjo nismë përpjekje për të mos e tretur një thesar të açikuar, Rama & Co. minimalisht duhej t’i njihnin rrëfenjat e gjysheve të tyre; t’i kujtonin amanetet që ishin mbjellur në zemrat imcake që n’djepin e nina-nanave pa cen. Të ishte qelibar qëllimi, narrativat përçarëse dhe gjuha e urrejtjes që Rama përdorë “nënzëshëm” kur i referohet gjenocidit modern që po ngjet mu para syve tanë, në kohë reale, 24h pa ndërprerje; duhej të ishin fanitur me kohë; për të mos thënë pastaj që mëkëmbësit e së Mirës mbi Tokë në ishin të atillë siç duan ta shesin veten, Tokën e tyre nuk e kthenin në nji katrahurë me pretekstin se “po vejnë rend e drejtësi.”

Korrupsioni shpirtnor i një brezi të tanë, që sot bënë sehir përpara trupave të përzhitur të foshnjave gazane, që nuk u gjenden më as kokat prej bombardimeve, të shtyen me kuptu se njerëzimi po jeton motin e hidhur të harresës, gënjeshtrës, hajdutërisë dhe syfaqësisë. Ky mot nuk lë shteg për të shpresuar se Rama a shokët e tij medaljendryshkun të jenë “shpëtimtarët” a të parët në konakun ku mund të ishte meremetu drejtësia e njerëzia. Shteti bektashian nuk është “paqe e premtuar” dhe as “drejtësi e mohuar”. Politikë? Po, agjendë politike, po! Politikë me shumicë. Veç për një pakicë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X