loader image
November 21, 2024

Shkollë rutine apo shkollë jete dhe pune

Sot mendohet se një sistem arsimor mund të reformohet vetëm nëpërmjet miratimit të ligjeve. Huazohen modele të gatshme arsimore që nuk funksionojnë në çdo sistem kulturor dhe shoqëror. Të gjitha ndikojnë në dështimin e një sistemi arsimor. Një sistem arsimor quhet i dështuar nëse nga gjiri i shkollës dalin edhe delikuentë. Me këtë rast, bashkë me shkollën, ka dështuar familja dhe shoqëria. Përgjegjësia është e të gjithëve. Veçanërisht e elitave intelektuale.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Poliset greke mëtonin të përgatisnin njerëz të shëndetshëm dhe me prirje estetike. Nëse Sparta mëtonte të përgatiste luftëtarë që do t’u mbijetonin rrethanave të ashpra jetësore, Athina mëtonte të përgatiste njerëz të lirë, të përgjegjshëm dhe me ndërgjegje shoqërore. “Nëse në Athinë s’do të kemi bukëpjekës, atëherë do na mungojë buka. Nëse s’do të kemi këpucëtarë, atëherë s’do të kemi këpucë. Por, nëse s’do të kemi mësues, atëherë s’do të kemi athinas”, tha Sokrati.

Misioni i shkollave ndryshoi gjatë historisë, në varësi nga rrethanat shoqërore dhe kërkesat e kohës. Por, ndodhi që shkolla shërbeu edhe si “instrument ideologjik”, veçanërisht në sistemet diktatoriale. Si e tillë, ajo kishte si qëllim që t’i indoktrinonte të rinjtë me një ideologji të caktuar dhe të ndikonte në formimin e vetëdijes totalitare. Shtetet post-komuniste ende përballen me pasojat e këtij sistemi.

Në kohën e përbotësimit ofrohen modele të shumta arsimore. Disa vlerësohen dhe disa kritikohen.

Shkrimtari Ernesto Sabato, nëpërmjet librit Rezistenca, tha se në botën moderne u kushtohet pak rëndësi pleqve; turpi është bërë vlerë e humbur; njerëzit largohen nga familja; bëhen vetmitarë në turmë; pushteti largohet nga solidariteti; demokracia shpërfytyrohet dhe e lufton në vend se ta mbrojë larminë; njeriu robotizohet me shpejtësi marramendëse; bota është më shumë jashtë se brenda zemrave tona; e keqja triumfon mbi dashurinë; humbet vullneti ndaj tjetrit; profania e mbizotëron sakralen, transcendentalen dhe nuk mbrohet natyra…

Ai kërkoi që në botën moderne të krijohej me urgjencë një formë e re edukimi që nxënësit “të mësojnë se jetojnë në një tokë për të cilën duhet të kujdesemi, sepse varemi nga uji, nga ajri, nga pemët, nga zogjtë dhe të gjitha qeniet e gjalla dhe çfarëdo dëmi që ia bëjmë këtij universi grandioz do ta dëmtojë jetën e ardhshme dhe madje mund ta shkatërrojë atë”.

Arsimi, sipas tij, duhej t’i paralajmërojë të rinjtë për rrezikun planetar dhe “për mizoritë që luftërat ua kanë shkaktuar popujve.”

“Na nevojiten shkolla që favorizojnë ekuilibrimin mes iniciativës individuale dhe punës ekipore, që dënojnë individualizmin e ashpër i cili duket se është përgatitja për Leviatanin e Hobsit, kur thotë që njeriu për njeriun është ujk”, shkroi ai. (Ernesto Sabato, Rezistenca, Përktheu: Fatbardha Statovci, Pema, Prishtinë, 2022, f.64-65.)

II. Shkolla e dështuar dhe shkolla e mirë

Sot mendohet se një sistem arsimor mund të reformohet vetëm nëpërmjet miratimit të ligjeve. Huazohen modele të gatshme arsimore që nuk funksionojnë në çdo sistem kulturor dhe shoqëror. Të gjitha ndikojnë në dështimin e një sistemi arsimor. Një sistem arsimor quhet i dështuar nëse nga gjiri i shkollës dalin edhe delikuentë. Me këtë rast, bashkë me shkollën, ka dështuar familja dhe shoqëria. Përgjegjësia është e të gjithëve. Veçanërisht e elitave intelektuale. Një elitë intelektuale që vetëmburret se na qenka e emancipuar dhe e kritikon popullin për injorancë dhe dështime, ka probleme me kulturën dhe ndërgjegjen e saj. Ajo është elitë snobe që nuk sjell asnjë ndryshim në shoqëri.

Sot flitet shumë edhe për “shkollën e mirë”. Qëllimi i saj, sipas studiuesve, është përhapja e dijes dhe dashuria e shkollarëve për njeriun, vendin, natyrën, shoqërinë dhe njerëzimin. Kjo shkollë fokusohet te dija dhe e vërteta që një kombi dhe shoqërie i sigurojnë mbrothësi. Ajo mëton ta formojë qytetarin e përgjegjshëm, solidar, me empati, paqësor, që e respekton larminë kulturore, etnike, religjioze e racore dhe me vetëdije për mbrojtjen e mjedisit.

Ta ngjallësh në shpirtin e brezit të ri ndjenjën për jetën e përbashkët do të thotë ta mësosh atë si ta mbrojë dhe ta respektojë edhe pronën e vet. Se vetvetja nuk mbrohet pa mos e mbrojtur tjetrin dhe anasjelltas. Perandori te Fausti i Gëtes thotë: “Secili tash mendon vetëm për vete. / S’ka mirënjohje, ndjenjë, detyrë e nder. / Po a s’e dini që, në fund të fundit, / Zjarri i komshiut djeg edhe shtëpinë tuaj?” 

Sot duhet t’u japim përgjigje pyetjeve: Çfarë shkolle duam? Cilat duhet të jenë vlerat kryesore të saj? Çfarë misioni duhet të ketë shkolla jonë në kohën e përbotësimit? A kemi strategji për arsimim më cilësor në mijëvjeçarin e ndryshimeve marramendëse teknike dhe teknologjike apo vetëm e përligjim punën zyrtare duke huazuar modele të gatshme, pa i pasur parasysh specifikat e një shoqërie? A e kuptojnë nxënësit se janë duke jetuar në botën e lajmeve të rrejshme, në botën e hiperrealitetit, siç e quan Jean Baudrillard-i?

Pyetjet mund të jenë të panumërta. Ndërkohë vazhdojnë improvizimet. Organizohen debate pa ndonjë ndikim në politikat arsimore. Institucione dhe organizata qytetare vetëm e konstatojnë gjendjen në arsim, sa për ta përligjur punën e tyre, por nuk ofrojnë ndonjë formulë që do të shërbente për krijimin e një sistem arsimor cilësor, gjithnjë duke e pasur në konsideratë realitetin tonë. Ata që thirren në “reforma” dhe “cilësi” në arsim besojnë se çështjet e arsimit zgjidhen me rrugë revolucionare dhe me huazime modelesh arsimore. Arsimi është proces evolutiv që kërkon mund e strategji shumëvjeçare dhe nuk e duron fjalën revolucion.

Në Maqedoninë e Veriut ka nxënës që pengohen të mësojnë në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë u garantohet nga kushtetuta dhe ligjet. Mbi 90 për qind e autorëve të teksteve shkollore në gjuhën shqipe nuk janë shqiptarë. Përkthimet e librave shkollorë shpesh janë skandaloze. Tekstet shkollore janë të rënduara me paragjykime etnike. Nxënësit shqiptarë lexojnë në librat shkollorë se të parët e tyre qenkan “ardhacakë” në këto troje. Nxënësit maqedonas, pa fajin e tyre, duhet të besojnë se “toka e tyre” qenka uzurpuar nga “ardhacakët”. Shkollat, si të këtilla, krijojnë ndarje në shoqëri, në vend se të shërbejnë për një pranim të larmisë kulturore, gjuhësore, etnike etj. Në shoqëritë shumetnike nxënësve nuk u thuhet se “secili komb ka të drejtë të besojë se kultura e tij është e vlefshme”, siç thotë Çarls Tejlori, pra mos bëhet “presion mbi identitetet etnike”. Përkundrazi, nxënësit indoktrinohen dhe, pa fajin e tyre, botën e ndajnë sipas formulave: “ne dhe të tjerët”; “ne superiorët dhe ata inferiorët”; “ne rezidentët dhe ata ardhacakët”; “ne të rrezikuarit dhe ata që na rrezikojnë”. Mos harrojmë, siç thonë psikanalistët, se “fëmijëria është prind i personalitetit”.

III. Sisteme të suksesshme arsimore

Në botë ka sisteme arsimore shumë të suksesshme. Disa janë konservatore, si në Japoni, por shumë efikase. Prej tyre mund të huazohen vlera që i përshtaten sistemit tonë kulturor e shoqëror.

Sistemet e avancuara arsimore kanë disa vlera dhe qëllime. Mëtojnë që nxënësit t’ia zhvillojnë karakterin. Ia nxisin të menduarit kritik. Ia zhvillojnë aftësitë komunikuese. E aftësojnë që ta analizojë se çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme për shoqërinë dhe individin. Ia krijojnë ndjenjën e bashkëpunimit dhe empatinë. E përgatisin për të ndikuar pozitivisht në komunitet. E aftësojnë për rrethanat e reja. Mëtojnë që nxënësin ta bëjnë të ndershëm dhe miqësor, që e vlerëson të vërtetën, drejtësinë dhe e respekton traditën. Shkolla i ndjek zhvillimet globale. Ka mësues të përkushtuar. Bashkëpunon me familjen. Krijon klimë të favorshme mësimi dhe edukimi. I kushton rëndësi trajtimit social dhe sportiv etj. (https://weiweics.com/admission-guide/characteristics-good-school/)

Në analogji me të sipërthënën, shkollat tona duhet që nxënësit t’ia nxisin të menduarit kritik; t’ia përsosin aftësitë komunikuese; ta përgatisin që nesër të jetë i suksesshëm në jetën private dhe publike. Në kohën e shëmbëllesave, nxënësi duhet ta dijë se çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme për atë dhe për shoqërinë. Në vend të forcimit të egos, nxënësit duhet t’i nxitet ndjenja e bashkëpunimit dhe kreativiteti dhe jo të ngarkohet me informacione të padobishme.

Branko Merxhani mendonte se shkolla duhej të ishte një lidhje harmonike e kulturës së përgjithshme dhe asaj profesionale. Të mos ishte shkollë e rutinës, por e jetës dhe e punës.

Nxënësit tanë janë si gjithë nxënësit e botës, por çfarë u ofrojmë atyre? Shkollë rutine apo shkollë të jetës dhe të punës?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X