loader image
October 17, 2024

Shekulli i sermtë

Serbia duhej të ishte e para që do ta pranonte gjenocidin në Srebrenicë, ashtu sikurse Gjermania e pranoi Holokaustin. Kjo nuk ndodh, edhe pse pati zëra të vetmuar në shkretëtirë që e pranuan një gjë të këtillë.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Në vitin 2021 e përktheva dramën Shajni nga shekulli i sermtë nga dramaturgu boshnjak Almir Bashoviq, që u botua në Sarajevë edhe në gjuhën shqipe. Gjatë përkthimit, kisha dilema rreth titullit, i cili në origjinal është Priviđenja iz srebrenog vijeka. Fjalën “srebro” (argjend) e përktheva “serm”, sepse me “s” fillon emri i Srebrenicës. Shekulli XX është shekulli i Srebrenicës.

Kjo vepër dramaturgjike flet për gjenocidin në Srebrenicë, për ankthin e njerëzve që i kanë humbur të afërmit, për indiferencën e shoqërisë kundrejt tyre dhe për hipokrizinë e burokratëve që flasin për rezoluta, vlera e humanizëm, por vetë nuk i respektojnë. Vepra, sa realiste, po aq surrealiste, që e problematizon luftën dhe fatin tragjik të njeriut në shekullin XX, siç shkroi në parathënie Sava Angjelkoviq, “nuk është vetëm tekst për gjenocidin e Srebrenicës dhe njeriun i cili në shekullin XX e humb iluzionin e humanitetit, por edhe për brishtësinë e një qenie njerëzore që pushtohet nga ndjenja e fortë e vdekjes”.

Protagonistja Fatime, një grua fatkeqe nga Srebrenica, me profesion juriste, së cilës ia kanë vrarë djalin dhe burrin, përjeton dramë jetësore edhe pas përfundimit të luftës. Ajo është bërë e padukshme për shoqërinë që ka “prioritete” të tjera. Fatimeja jeton për një qëllim: të mësojë se çfarë ndodhi me të afërmit e saj. Ka edhe një peng: derisa e përgatiste darkën e fundit familjare, iu dogj buka, prandaj ndjehet fajtore që burri dhe djali i ngelën të uritur.

Gruaja e gjorë endet nëpër zyrat e institucioneve lokale dhe ndërkombëtare me një karrocë dore, ku i mban fotografitë e Burrit dhe Djalit. Ajo ka një xixë shprese, sepse “shpresa është si kuçkë katundi, që zgjohet edhe nga zhurma më e vogël”.

Bashkë me të vuan edhe Sena, e cila e ka humbur burrin. Të dyja përballen me indiferencën njerëzore e shoqërore dhe mungesën e empatisë.

“Ne, viktimat, të gjithëve u krijojmë bezdi. Ata që na kuptojnë e kanë dhembjen e njëjtë. Të tjerët nuk duan as të na dëgjojnë. E ndiej se bëhen nervozë”.

Shkrimtari, një tjetër protagonist i veprës, i cili e ka humbur babanë në Srebrenicë, tundohet nga ndjenja e hakmarrjes, por nuk dëshiron t’u ngjajë kriminelëve, kurse vëzhguesve memecë ua kujton shprehjen e Shekspirit: “Tani e tutje vetëm heshtje”.

Profesor Hoffmani është shkencëtari serioz dhe “djalli qesharak”, për të cilin janë më të rëndësishme zbulimet shkencore sesa jeta e njerëzve.

Majori, togeri dhe ushtarët ndërkombëtarë i “ushtrojnë rezolutat”, të cilave dikur u pati besuar Babai, por jo edhe i Biri.

Njerëzit fatkëqinj, që jetonin të qetë para luftës, tani e kanë humbur botën. Ata nuk mendojnë për hakmarrje. Duan të dinë se ç’ndodhi me të afërmit e tyre dhe kërkojnë drejtësi. Gjendja e tyre shprehet me atë që tha Czeslaw Milosz-i: “Si të jetoj në tokën ku shkelet nëpër eshtrat e pavarrosura të njerëzve më të afërm?”.

Kriminelët dihen, por nuk ndëshkohen, sepse burokratët “kërkojnë prova”.

“Këto prova unë i quaj: burrë dhe bir”, thotë Fatimeja.

Kjo vepër dramaturgjike na rikthen vëmendjen te familjarët e të zhdukurve, që janë pjesa më fatkeqe e shoqërisë ku vuan viktima dhe shëtit lirshëm krimineli.

Fatimeja vdes pa e mësuar të vërtetën, kurse karrocën me fotografitë e Burrit dhe Djalit të saj, në skenën ku është vendosur pëlhura me mbishkrimin: “Ku janë?”, tani e lëviz Sena.

Rezoluta

Derisa e përktheja librin, flisja me veten (çdo përkthyes dhe shkrimtar flet me veten): Pse nuk e shpallin gjenocid atë që ndodhi në Srebrenicë? A mos bëhen kompromise me drejtësinë që të kënaqet edhe viktima edhe xhelati? “E drejta nuk mund t’u takojë dy palëve”, tha Eskili.

Se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi, kjo dihej që në fillim dhe sipas çdo përkufizimi. Gjenocidi mohohet vetëm nga ata që s’kanë empati për viktimat, nga ata që e nxitën drejtpërdrejt ose tërthorazi gjenocidin dhe nga vrasësit e njerëzve të pafajshëm, shumica të pandëshkuar, të cilët nuk kanë brejtje të ndërgjegjes. Mbase do t’i shpëtojnë edhe ndëshkimit tokësor, por assesi s’do t’i shpëtojnë dënimit hyjnor dhe dënimit të historisë. E keqja është se shkaktarët dhe kryerësit e gjenocidit shfaqen çdo ditë në media dhe e mohojnë gjenocidin, duke i lënduar ata që i kanë humbur të afërmit.

Rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë s’do t’i rikthejë në jetë të vrarët. As nuk do ta shërojë shpirtin e plagosur përjetësisht të familjarëve të tyre. Së paku, është gjest moral kundrejt viktimave dhe porosi se asnjë gjenocid nuk guxon të mbetet i pandëshkuar me qëllim që të mos përsëritet.

Rezoluta parasheh që 11 korriku të shpallet ditë ndërkombëtare për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë 1995: të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë. Shtetet anëtare të OKB-së obligohen ta përfshijnë gjenocidin në sistemet arsimore dhe në programet studimore, që të parandalohet mohimi e shtrembërimi i fakteve dhe i dukurisë së gjenocidit në të ardhmen. I dënon veprimet që i himnizojnë personat e dënuar për krime lufte dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare. E thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe të identifikimit të viktimave të tjera të gjenocidit dhe varrosjes dinjitoze të tyre. Kërkon vazhdimin e procesuimit të kryerësve të gjenocidit në Srebrenicë dhe përballjen e tyre me drejtësinë. Kërkon të përcaktohet programi për shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit, pra në vitin 2025. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së duhet t’ua tërheqë vëmendjen për këtë rezolutë shteteve anëtare, organizatave të sistemit të OKB-së dhe organizatave të shoqërisë civile që ta shënojnë këtë ditë ndërkombëtare dhe të tregojnë respekt ndaj viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe, njëkohësisht, të ketë edukim përkatës dhe veprimtari për ngritjen e vetëdijes së publikut.

Realisht, sipas Rezolutës, në ekrane nuk duhet të shfaqen më shkaktarët e gjenocidit dhe as të himnizohen të dënuarit për krime lufte. Por, në realitet ndodh e kundërta.

Zërat kundër ligësisë

Serbia duhej të ishte e para që do ta pranonte gjenocidin në Srebrenicë, ashtu sikurse Gjermania e pranoi Holokaustin. Kjo nuk ndodh, edhe pse pati zëra të vetmuar në shkretëtirë që e pranuan një gjë të këtillë.

Kur shpërtheu lufta në hapësirat e ish Jugosllavisë, disidenti Radomir Konstandinoviq, u angazhua për një Serbi që nuk do të pajtohej me krimin. Ai ishte pjesë e “elitës së padëshiruar”, siç e përkufizoi Latinka Peroviqi.

Intelektuali i ri, Milosh Qiriqi, shkroi se Serbisë i pengon fakti që e bëri gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe kërkoi që në librat shkollorë në Serbi e gjetkë të shkruhej për krimet në Bosnjë dhe në Kosovë.

“Të vdekurit kurrë s’do na lënë në qetë… Nuk duhet të kërkojmë kompromise për gjenocidin e bërë… Serbia nuk ka bërë luftë në Kosovë, por spastrim etnik.”, shkroi ai. 

Në Serbi, sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar. Aty nuk ka mendim kritik, por të manipuluar. Diskursi i medieve është si në vitet e ‘90-ta. Elitat politike e kulturore duan ta relativizojnë gjenocidin dhe t’i mohojnë varrezat kolektive.

Pendimi i përbashkët si çlirim

Popujve shpesh u duhet të përballen me një sfidë, me të keqen brenda tyre, dhe të marrin vendime të vështira. Në këtë përpjekje luajnë rol të madh gjenitë e popujve. Kështu ndodhi me grekët e lashtë, të cilët ndjenë brejtje të ndërgjegjes për shkatërrimin e Trojës.

Ismail Kadare, në veprën Eskili, ky humbës i madh, shkroi: “Ashtu si njeriut që befas, pas një kohe të gjatë dhe shi atëherë kur s’e pret, i vjen kujtimi turbullues i një krimi që ka bërë në rini, ashtu edhe popullit grek në moshën e pjekurisë iu zgjua befas vrasja e ndërgjegjes për një dhunë të kryer në rininë e tij. Tetëqind vjet më parë kishte mbytur në gjumë një popull tjetër, trojanët.

Pendimi i përbashkët, brejtja e ndërgjegjes në përmasat e një populli mund të tingëllojë si diçka e kërkuar, jo fort e besueshme, por fakti që ky pendim u bë ushqimi kryesor i letërsisë antike greke është i mjaftueshëm për të besuar se ai ka qenë i vërtetë. Provo t’i heqësh Trojën, provo, pra, t’i heqësh të vdekurin që vazhdon të rrijë shtrirë mu në mes të saj, si një ceremoni funebre, dhe letërsisë greke nuk i mbetet as gjysma.

Shkrimtarët grekë i vunë vetes për mision që ta nxirrnin nga ndërgjegjja e popullit të tyre këtë krim. Dhe ai u zbulua në të gjitha pamjet prej vetë grekëve, pa kurrfarë shtyse ankete revanshistësh apo trysnie ndërkombëtare. E ngjalli vetë, pra, atë Trojë që e kishin rrënuar me kulm e themel, që ishin betuar ta varrosnin aq thellë, saqë asnjë dëshmi, asnjë zë, as vetë kujtimet të mos mbeteshin prej saj, e nxorën, pra, vetë, nga varri, i shkundën baltën dhe dëshmuan për të me paanësi, njëlloj si për veten e tyre, në mos më dhembshurisht.

Ishte ky ekzorcizëm i paparë, një akt tronditës, çlirues, emancipues, i panjohur gjer atëherë. Sepse për herë të parë në historinë e njerëzimit ndërgjegjja e një populli vihej në një trazim të tillë.

Kjo tregonte se ky popull ishte tashmë i aftë për vepra të mëdha.”

Popujt, njerëzit apo shoqëritë nuk mund të rrugëtojnë përpara dhe mbeten të ngujuar në kohë të ngrirë, në kohë mitike, nëse nuk kanë guxim që të përballen me të keqen brenda vetes.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X