loader image
February 22, 2024

Sfidat në sektorin e arsimit si tregues i mungesës së politikave afatgjata

Nëse përgjatë dekadave të fundit do të ishte ndjekur një politikë afatgjatë dhe një plan veprimi konkret dhe i matshëm mbi politikat në arsim, me gjasë do të mund t’i paraprihej gjendjes së sotme, ku një në çdo dy të rinj kërkon të largohet nga vendi pas përfundimit të studimeve.

Lulzim HOXHA, Tiranë

Arsimi, shpeshherë, konceptohet si një proces tërësisht i veçuar nga sektorët e tjerë të shoqërisë, ku të rinjtë kultivohen dhe formojnë botëkuptimin e tyre rreth realitetit shoqëror dhe fenomeneve të ndryshme që e përbëjnë atë. Sipas kësaj pikëpamjeje, shkollat ose universitetet vëzhgohen si “oaze” në një shoqëri komplekse të karakterizuar nga problematika të shumëllojshme, ku të rinjtë ndërveprojnë me njëri-tjetrin ose me mësuesit/pedagogët veç duke performuar rolin e nxënësit ose studentit në një ambient ku funksionojnë rregulla të ndryshme nga ato që praktikohen në mjediset jashtë këtij institucioni arsimor. Mirëpo, vitet e fundit, si pasojë e zhvillimit të vazhdueshëm të teknologjisë, aplikacioneve të ndryshme të celularëve apo Inteligjencës Artificiale, përmes përdorimit masiv të internetit, realiteti shoqëror ka depërtuar edhe nëpër auditoret dhe klasat e këtyre “oazave të dijes”, mbase duke i bërë edhe më të dukshme problematikat e brendshme të këtyre institucioneve, të cilat në vend se të mëtojnë përmirësimin e realitetit shoqëror, në fakt duket se gradualisht po kthehen në një pasqyrim të mirëfilltë të shoqërisë ku bëjnë pjesë, me pothuaj të njëjtat sfida dhe pengesa që i kanë edhe sektorë të tjerë të shoqërisë.

Rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA, të publikuara në fillim të muajit dhjetor, vetëm sa rikonfirmuan edhe njëherë rënien e mëtejshme të cilësisë së arsimit në Shqipëri. Por, të dhëna të ngjashme, aspak optimiste, mund të gjenden edhe në sektorë të tjerë të shoqërisë shqiptare në raportet e herëpashershme të organizatave ndërkombëtare ose shoqërisë civile mbi sektorë si ai i drejtësisë, ekonomisë, punësimit, shëndetësisë, transportit, infrastrukturës etj. Në fakt, si shkak kryesor për rrënimin e vazhdueshëm të sistemit arsimor, njësoj si një pjesë të sektorëve të tjerë të lartpërmendur, thuhet se është largimi masiv i të rinjve, të cilët kanë sjellë që shumë degë të universiteteve të jenë afër mbylljes (më të rrezikuarit nga ky fenomen janë fakultetet e shkencave shoqërore, humaniteteve dhe ato të shkencave të natyrës). Nga ana tjetër, arsimi i lartë në Shqipëri nuk është më në gjendje të ushqejë shpresat e të rinjve për punësim. Edhe në vende pune të tilla si shërbimet “Call Center” ose punësimi sezonal në sektorin e turizmit, ku një dekadë më parë punësoheshin një pjesë e madhe e të rinjve të diplomuar, sot nuk preferohen më. Gjithashtu, ndonëse shumica e universiteteve private në Tiranë e kanë reduktuar tarifën e studimeve krahasimisht me dhjetë vjet më parë, numri i studentëve te këto universitete nga viti në vit po ulet ndjeshëm. Sigurisht, që këto të dhëna sërish mund të argumentohen përmes faktorit të largimit masiv të të rinjve, mirëpo nëse i pyesim të rinjtë, do të na rezultojë se largimi masiv i tyre nuk është shkaku, por pasoja e problematikave të shoqërisë, paçka se një pjesë e mirë e sfidave në sektorin e arsimit dhe atij të punësimit të të rinjve sot justifikohen me fenomenin e emigracionit. Nëse e shohim këtë të fundit si pasojë dhe jo si shkak të këtyre problematikave, mund të arrijmë në përfundimin se në të vërtetë sistemi arsimor në Shqipëri ka qenë në krizë prej dekadash dhe rrjedhojat e kësaj krize kanë nisur të bëhen më të dukshme përgjatë viteve të fundit. Pra, nëse përgjatë dekadave të fundit do të ishte ndjekur një politikë afatgjate dhe një plan veprimi konkret dhe i matshëm mbi politikat në arsim, me gjasë do të mund t’i paraprihej gjendjes së sotme, ku një në çdo dy të rinj kërkon të largohet nga vendi pas përfundimit të studimeve.

Autonomia financiare e universiteteve dhe emigrimi masiv i të rinjve

Pavarësisht rezultateve dekurajuese të të rinjve shqiptarë në rajon, kriza arsimore veçanërisht në nivel universitar, është një fenomen ndërkombëtar, ku po ashtu në universitetet perëndimore disiplina studimore, si humanitetet ose shkencat shoqërore, po shkojnë drejt mbylljes, duke u zëvendësuar më së shumti me disiplinat e teknologjisë dhe inovacionit. Mirëpo, në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit, zhvillimi i disiplinave tilla inovative paraqitet tejet e vështirë, më së shumti për shkak të mungesës së infrastrukturës digjitale nëpër universitete. Testimi PISA 2020 nxori në pah problematikat e arsimit pikërisht në infrastrukturën digjitale, aplikimin e mësimit online gjatë pandemisë, por edhe nevojën për investim në fushën e arsimit, ku Shqipëria në 5 vjetët e fundit regjistron përqindjen më të ulët të buxhetit për arsimin në raport me GDP e saj vjetore. Vëmendja e ulët e shtetit shqiptar në buxhetin e akorduar për arsim reflektohet qartazi në rezultatet e ulëta të nxënësve shqiptarë në testimin “PISA 2020”. Në një artikull për Gazetën Libération, eksperti i politikave të arsimit dhe ish ministri i Arsimit në Francë, Claude Allègre, shkruan se: “Arsimi është si një mamuth, gjymtyrët e të cilit lëvizin aq ngadalë, saqë është përherë në varësi të modernizimit të shërbimeve publike, zhvillimit të qendrave urbane dhe, mbi të gjitha, realizimit të reformave shtetërore.” Franca është ndër vendet ku shteti është veçanërisht i pranishëm në sektorin e arsimit, krejt ndryshe nga vendet anglo-saksone, ku në arsim dominon përgjithësisht sektori privat. Në Shqipëri, si rrjedhojë e reformës në arsim të vitit 2015, institucionet e arsimit të lartë janë bërë financiarisht autonome nga Ministria e Arsimit dhe modeli i vetëmenaxhimit ka fituar prioritet mbi modelin etatist, që është ndjekur gjatë dekadës së parë të postkomunizmit. Kësisoj, qysh pas reformës, universitetet në Shqipëri janë të varura financiarisht vetëm nga tarifa e regjistrimit të studentëve, sipas parimit të konkurrencës mes universiteteve se cili do të tërheqë numër më të madh të studentëve. Mirëpo, në kushtet ku grupmosha më e shpeshtë e të rinjve që emigrojnë është pikërisht ajo e studentëve, modeli i autonomisë financiare jo vetëm që e redukton kapacitetin financiar të universiteteve (më pak studentë do të thotë më pak klientë) dhe e pamundëson aftësinë e tyre për të konkurruar në tregun rajonal ose atë lokal, por mbi të gjitha nuk krijon dot ndërlidhjen midis njohurive që marrin studentët në auditor dhe atyre që kërkohen në tregun e punës.

Shkollimi afatgjatë përballë arritjeve të përkohshme

Problematikat aktuale të arsimit të lartë në Shqipëri e reflektojnë më së miri kontekstin politiko-shoqëror të vendit njësoj si në periudhën e komunizmit, ku universitetet ishin një pasqyrim i mirëfilltë i ekonomisë së planifikuar të regjimit monist. Nëse në të shkuarën, përfundimi i studimeve dhe marrja e diplomës e bënte studentin pjesë të ingranazheve të një makinerie shtetërore të planifikuar nga partia-shtet, çka parakuptonte – përveç rasteve të ndonjë shkeljeje të ligjit që përkthehej në internim ose burgosje të (pa)planifikuar – se e gjithë jeta (mono)profesionale e të rinjve do të përkonte me diplomën e marrë, përkundrazi, në ditët tona të rinjtë përfundojnë duke ndryshuar shpesh profesionin, degën e studimeve dhe kualifikimet në bazë të luhatjeve të vazhdueshme të tregut të punësimit, shpeshherë duke mos arritur të thellohen në asnjërin prej tyre.

Ekspertët e këshillimit të karrierës theksojnë se në shoqërinë bashkëkohore tregu i punësimit është bërë më i shpejtë sesa përfundimi i studimeve universitare, aq sa nëse një i ri sot vendos të regjistrohet në universitet në një disiplinë ku tregu i punësimit ka një kërkesë të konsiderueshme, pas 5-6 vjetësh, kur t’i ketë përfunduar studimet, mund të ndodhë që tregu nuk do të ketë më kërkesë për profesionin që ai i ka kryer studimet. Kësisoj duket se gradualisht studimet e thelluara universitare po zëvendësohen nga kurset e përshpejtuara (si për shembull kurset 6-mujore për gjuhët e programimit), të cilat jo vetëm zgjasin më pak, por edhe të garantojnë punësim të menjëhershëm. Në të njëjtën linjë, edukimi afatgjatë me kalimin e kohës po zëvendësohet nga arritjet e përkohshme, ku certifikatat fitojnë përparësi mbi diplomat, kurset mbi shkollimin dhe, në tërësi, dijet teknike shihen me më tepër prioritet sesa formimi teorik. Në librin “Shoqëria e Sfilitur”, filozofi Byung-Chul Han shkruan se: “Shoqëria e sotme nuk është më shoqëria disiplinore e Foucault-së, ajo e spitaleve, shkollave, fabrikave e kazermave. Vendin e saj ka kohë që e ka zënë një shoqëri krejtësisht tjetër, një shoqëri e palestrave të fitnesit, e zyrave, bankave, aeroporteve e qendrave tregtare. Shoqëria e shekullit të 21-të nuk është më një shoqëri disiplinore, por shoqëri e performancës. Banorët e saj nuk janë më ‘subjekt i bindjes’, por subjekt i arritjeve. Ata janë sipërmarrës të vetvetes (të vetëmenaxhuar). Muret e institucioneve disiplinore që ndajnë hapësirat e normales nga ato të anomalive tashmë ngjajnë arkaike. Termi i Michel Foucault-së ‘Shoqëri e kontrollit’ nuk i përgjigjet këtij shndërrimi. Në të ka ende tepër negativitet. Shoqëria e arritjeve, si një shoqëri aktive, po shndërrohet dalëngadalë në një shoqëri dopingu. Dopingu bën të mundur arritjen pa ia dalë mbanë.”

Problematikat e arsimit shqiptar mund të shpjegohen vetëm nën dritën e kësaj “shoqërie dopingu”, që për të rinjtë shihet si e vetmja zgjidhje përkundrejt paqartësisë së të ardhmes. Tekefundit, kurset e vazhdueshme 6-mujore, vullnetarizmi në OJQ të ndryshme ose edhe vetë emigrimi, për të rinjtë në Shqipëri nuk janë veçse njëfarë dopingu që shfaq trajtat e një arritjeje të përkohshme në mungesë të një karriere të qëndrueshme.

Në kuadër të alternativave që mund të parashihen për përmirësimin e gjendjes së arsimit të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, mund të ishte zgjerimi i politikave bashkëpunuese ndërmjet universiteteve shqiptare të këtyre tri vendeve përmes nxitjes së programeve të përbashkëta “Youth Exchange”, ku studentëve shqiptarë do t’u ofrohet mundësia të zhvillojnë një ose dy semestra në Tiranë, Prishtinë ose Shkup, duke ndjekur lëndë të një profili të përbashkët. Gjithashtu, unifikimi i kurrikulave të universiteteve shqiptare në rajon do të mundësonte që studentët të ndjekin programe studimi të ngjashme e në këtë mënyrë t’i jepnin një përgjigje të përbashkët sfidës së largimit masiv të të rinjve prej këtyre vendeve. Aktualisht, nuk ekziston asnjë ligj që mund të shfaqet si pengesë kundrejt nismave të tilla, por nga ana tjetër po kështu nuk ka asnjë instancë institucionale që ta nxisë një program mbarëshqiptar “Youth Exchange”, pavarësisht se me vende të tjera, si Sllovenia, Kroacia ose Greqia, ky program vijon të aplikohet me sukses falë partneritetit të universiteteve shqiptare me disa prej universiteteve të këtyre vendeve.

Shkëmbimi i të rinjve dhe i stafit akademik të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të ishte një mundësi shumë e mirë që në të ardhmen, me njohjen reciproke të diplomave, të kishim një zgjerim të tregut të punësimit për të rinjtë e sapodiplomuar. Kësodore, në pamundësi për ta frenuar emigrimin e të rinjve, më së paku mund të nisej duke krijuar ura bashkëpunimi rajonal mes institucioneve të arsimit të lartë, për ta nxjerrë tregun e punësimit për të rinj nga izolimi aktual.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X