loader image
November 21, 2024

Sfidat dhe peripecitë përballë zhvillimeve të reja

Kur vjen çështja tek elementi shqiptar, ka të ngjarë që sentimenti antishqiptar të jetë edhe më tej tejet i madh në këtë vend. Gati se asnjë politikan nga spektri politik maqedonas nuk shpreh gatishmëri që elementin shqiptar ta pranojë si të qenë, ashtu si është në numër dhe në peshë, edhe pse faktorizimi shqiptar në këtë shtet është garantues i stabilitetit dhe mirëqenies së shtetit.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Në librin e tij udhërrëfyes “Diplomacia” Henry Kissinger-i shkruan se në çdo periudhë historike ekziston një rend midis shteteve, që garanton sjellje të përbashkët në një komunitet ndërkombëtar legjitim, bazuar në një ekuilibër forcash, që siguron paqen dhe bashkëpunimin midis subjekteve të ndryshme politike. Kjo ishte edhe ëndrra që qysh në fillimet e karrierës së tij e përndiqte këtë autor të njohur, mjeshtër i politikës realiste amerikane, një ëndërr kjo që nuk arrin të distancohet nga dominimi ose diktimi, e që për disa të tjerë kundrohet si hegjemoni e Shteteve të Bashkuara.

Sot, kur bota po gëlon nga një sërë zhvillimesh dhe ndodhish, në kulmin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, në kulmin e ngritjes së tensioneve mes Kinës dhe Tajvanit, në një epokë kur u negociua një detantë (çtensionim) mes Arabisë Saudite dhe Iranit, e lehtësuar nga Kina, në këtë botë tejet viskoze ngrihen shumë çështje dhe pyetje në lidhje me atë se cila mund të jetë e ardhmja e rajonit, duke nënkuptuar këtu nënqiellin shqiptar.

Fillimisht, në Maqedoninë e Veriut është tejet aktuale çështja e diskutimeve në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Me këmbënguljen e Bullgarisë po insistohet që të futet si kategori kushtetuese edhe komuniteti bullgar (gjë që është tejet normale dhe krejt e pranueshme), për një shtet që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Është e pakuptueshme se pse kur vjen puna tek aspekti i ndonjë kompromisi eventual ndaj Bullgarisë aktivizohet tërë propaganda antibullgare, ndërkaq kur vjen në pyetje ndonjë çështje ndaj Serbisë nuk bëzan askush. Në Maqedoninë e Veriut sentimenti antibullgar është tejet i pranishëm, ndërsa kjo vërehet edhe në provokimet dhe thyerjet e vazhdueshme të zyrave, që i bëhen, për shembull, Qendrës Kulturore Bullgare, e vendosur kjo në qendër të Shkupit, si edhe në gjuhën e disa mediave të fuqishme. Duket e pakuptimtë e tërë kjo, kur dihet mirëfilli që në një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të ecë përpara nëse kultivon sentiment kundër një shteti, i cili ka vite që është pjesë e BE-së (me gjithë faktin se anëtarësimi i Bullgarisë në BE është kundruar si vendim koniuktural i diktuar nga rrethanat e asokohshme).

Kur vjen çështja tek elementi shqiptar, ka të ngjarë që sentimenti antishqiptar të jetë edhe më tej tejet i madh në këtë vend. Gati se asnjë politikan nga spektri politik maqedonas nuk shpreh gatishmëri që elementin shqiptar ta pranojë si të qenë, ashtu si është në numër dhe në peshë, edhe pse faktorizimi shqiptar në këtë shtet është garantues i stabilitetit dhe mirëqenies së shtetit. Por, deklarimet publike të liderëve opozitarë maqedonas ose të ndonjë politikani lokal, gjegjësisht kryetari të ndonjë komune, na i çelin sytë mirë e mirë, e së këndejmi duhet të na bëjnë tok në drejtim të (vetë)realizimit të aspiratave tona, që janë në fakt edhe aspirata që bazohen ne europianizëm. Termet si “gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës”, në vend të formulës “gjuha shqipe”, si dhe mosgatishmëria për ta ndryshuar këtë gjë, mendoj se shpërfaqin qartë mendësinë e instaluar superiore, kryeneçësinë dhe, në thelb, mungesën e një vlere të padyshimtë europiane. Partitë politike shqiptare të pozitës dhe ata të opozitës (edhe pse është bërë tanimë e vështirë të përcaktohet se kush nga to është pozitë e kush opozitë), të prira nga partia e parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI, duhet që mos të lëshojnë fare pe e të këmbëngulin me çdo kusht në drejtim të plotësimit dhe realizimit të aspiratave të shqiptarëve. E kanë për detyrë dhe obligim kombëtar, me gjithë përplasjet dhe lojërat e brendshme mes grupacioneve të ndryshme në akëcilën partinë politike shqiptare. Para interesave madhore është e rrugës të lihen inatet dhe mëritë.

Sa i përket Kosovës, ecja përpara në dialogun me Serbinë, bazuar në zotimet e dala prej Marrëveshjes rishtare të Ohrit, duket të jetë conditio sine qua non për rrugëtimin e saj në drejtim të agjendës europiane. Por, ecja në këtë rrugë duhet të bëhet me kujdes të veçantë dhe me hapa të duhur, pa mos u ngatërruar, duke mos shkuar drejt zhveshjes nga elementet shtetërore dhe sovrane. Mendoj së në këtë pikë, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë tejet të kujdesshëm, si dhe po veprojnë me mençuri dhe maturi. Në anën tjetër, organizimi i zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, si dhe fitorja e partive politike shqiptare në këto komuna, për shkak të bojkotit serb dhe mosdaljes së komunitetit serb në këto zgjedhje, nuk duhet të kundrohet si triumf ekzaltues i palës shqiptare, sepse gjasme kjo do të shërbejë si një pretekst nga pala serbe për t’u paraqitur si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare, si dhe si propagandë se si pushteti shqiptar i Kosovës nuk po e përfillka demokracinë dhe zërin e sovranit (shto këtu edhe zërat e çjerrë të disa analistëve dhe gazetarëve shqiptarë atje, të cilët shkojnë deri në atë çmenduri sa të krahasojnë situatën pas zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe me situatën e instalimit të terrorit ushtarak dhe policor të Millosheviqit pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989). Çmenduria dhe budallallëku nuk po njihka kufij!

Në anën tjetër, procesi gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së po vazhdon, kjo pavarësisht protestave, debateve televizive, shkrimeve e analizave, që nuk ndikojnë fare në epilogun e gjykimeve të kësaj gjykate. Po vazhdon edhe intervistimi i dëshmitarëve të ndryshëm, ku shumë prej tyre po thuhet të jenë shqiptarë, të cilët po shfaqen në gjykatën e Hagës për të dëshmuar kundër këtyre krerëve. Të kishte menduar ndokush ndonjëherë se do të kishte shqiptarë që do të dilnin dëshmitarë kundër atyre që në momentet e para e deri në çlirimin e Kosovës nuk iu ndanë pushkës për çlirim nga Serbia, vërtetë do të merrej si i çmendur. E, në fakt, ata që kontribuuan për çlirimin e Kosovës, ata që u rreshtuan kundër falangës serbe me guxim të pashoq, të kapluar fatkeqësisht nga dalldia e pushtetit pas luftës, si dhe nga zelli për të qëndruar jetëgjatësisht në pushtet, votuan themelimin e një gjykate, e bile-bile bënë fushatë për votimin e themelimit të kësaj gjykate (lexo: të Kosovës, paçka se e dinin se kjo gjykatë u paralajmërua se do të merrej vetëm me krerët e UÇK-së dhe të “ndërmarrjes së saj kriminale”), sot po i “shijojnë” frytet e votimit dhe lobimit për themelimin e saj. Deri në epilogun përfundimtar, urojmë që drejtësia të dal në shesh e të pafajshmit të lirohen përfundimisht. Kjo gjykatë, edhe pse iu imponua Kosovës, do të kishte qenë më mirë sikur të refuzohej unanimisht, kur ishte koha, nga të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë. Fundja, le të themelohej ajo nga OKB-ja, por jo nga Kuvendi i Kosovës. Nuk është e thënë të dëgjohen qorrazi këshillat, qoftë edhe nëse vijnë nga aleatët.

Krejt në fund, më 14 maj në Shqipëri, me gjithë rritjen e tensioneve politike, ashtu siç edhe e shoqëron historinë e këtij shteti që nga rënia e komunizmit, mbahen zgjedhjet vendore. Me sa duket, kryeministri Rama nuk do ta ketë fare problem të triumfojë ndaj spektrit politik të shkërmoqur opozitar. Performimi i Ramës, kalkulimet e tij politike, zhdërvjelltësia dhe “raison d`être” i tij, mungesa e një konkurrenti të duhur politik, qoftë brenda opozitës, si edhe brenda pozitës, mungesa e një platforme bindëse nga opozita, duket se do t`ia japin atij edhe më tej timonin drejtues të politikës shqiptare.

Me sa duket, ai është i vetmi që e ka kuptuar thënien e Napoleon Bonapartës “Në politikë… kurrë mos u tërhiq… kurrë mos u tërhiq… kurrë mos prano një gabim.”, si dhe atë të burrështetasit dhe presidentit amerikan Ruzvelt: “Politikani më i suksesshëm është ai që e thotë më shpesh dhe me zërin më të lartë atë që e mendojnë gati të gjithë”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X