Pavarësisht se Serbia është po aq agresive dhe dashakeqe si një shekull më parë, elementit shqiptar në Kosovë nuk “po i kërcënohet rreziku i shfarosjes totale”, siç paralajmëronte Mid’hat Frashëri zyrtarin më të lartë të Lidhjes së Kombeve. Duke u kthyer te e shkuara, vërejmë se Shqipëria ka pasur njerëz të ndritur, të cilët kanë predikuar dritën në mes të errësirës totale.
Çelo HOXHA, Tiranë
Më 19 prill 1921, Mid’hat Frashëri i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, me anë të së cilës e informonte për gjendjen e vështirë në Kosovë, për shkak të represionit serb ndaj shqiptarëve. Gjendja ishte e ngjashme, pak a shumë, me atë të Mitrovicës sot, veçse e shtrirë në gjithë territoret shqiptare nën sundimin serb.
Ja disa nga informacionet drejtuar zyrtarit më të lartë të planetit:
- “Ekceset e serbëve kundër shqiptarëve, të cilët janë nënshtetas të sundimit serb prej vitit 1912, janë duke u bërë dita më ditë më të furishme, kështu që elementit shqiptar po i kërcënohet rreziku i shfarosjes totale.”
- “Shqiptarët, që jetonin në trevat në kufirin serbo-turk… janë plaçkitur, janë dëbuar nga fshatrat e tyre, janë zëvendësuar nga kolonistë rusë.”
- “Nëpunësit serbë, civilë e ushtarakë, po bëjnë vazhdimisht akte të plaçkitjes, të dhunimit, të djegies e të vrasjes në mbarë krahinën e Kosovës.”
- “Vetëm gjatë tre muajve të kaluar më shumë se dy mijë shqiptarë janë vrarë pa kurrfarë arsyeje të dukshme e mos të përmendim shtëpitë që janë rrënuar e të mirat që janë plaçkitur.”
Krahasuar me gjendjen e sotme, pavarësisht krizës që mund të përjetojë Kosova për shkak të ngjarjeve në Mitrovicë, situata është përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme në favor të shqiptarëve. Ajo që dikur ishte përhapur gjithandej, si një kolerë, tashmë është një vend i izoluar, si njollë plagë në një trup të dalë nga lëngimi i gjatë.
Pavarësisht se Serbia është po aq agresive dhe dashakeqe si një shekull më parë, elementit shqiptar në Kosovë nuk “po i kërcënohet rreziku i shfarosjes totale”, siç paralajmëronte Mid’hat Frashëri zyrtarin më të lartë të Lidhjes së Kombeve.
Duke u kthyer te e shkuara, vërejmë se Shqipëria ka pasur njerëz të ndritur, të cilët kanë predikuar dritën në mes të errësirës totale.
Në fillim të viteve e ’20-ta të shekullit të kaluar, Shqipëria ishte një shtet i ri, i krijuar në parim, por ende pa kufij të përcaktuar dhe fqinjët suleshin nga të gjitha anët për të këputur llokma sa më të mëdha në përmasa dhe sa më të shumta në numër.
Mid’hat Frashëri asokohe jetonte në Paris, punonte për mbrojtjen e interesave shqiptare, duke e promovuar atë në Europë përmes librave dhe artikujve, duke kontaktuar, personalisht ose me korrespondencë zyrtarë të lartë europianë e botërorë dhe personalitete me ndikim, duke komunikuar me zyrtarët e shtetit shqiptarë dhe patriotët e angazhuar në çështjen kombëtare kudo që ndodheshin.
Rreziku i Shqipërisë ishte i dyanshëm: në veri nga Serbia dhe në jug nga Greqia.
Mid’hat Frashëri, me urtësinë e tij tipike, këshillonte për vizion, punë dhe durim. Patriotët shqiptarë që punonin për më të mirën e atdheut ishin të shumtë, por qasjet e tyre ndryshonin.
Nga një letër e Mid’hatit për Bedri Pejanin mundemi ta kuptojmë ekzistencën e qëndrimeve të ndryshme. Bedriu, me sa kuptohet, e ka qortuar më herët për çështjen e Kosovës, dhe Mid’hati i shkruan, me keqardhje për kritikën, “se ti e di fort bukur që çdo pëllëmbë tokë e Shqipnisë është e shenjtë për mua dhe s’di prapë se çfarë rivendikimesh kam unë, sa edhe me miqtë jam zënë duke na quajtur shamatanë.”
E përmend këtë kundërshti të tyre, jo se ka ndonjë rëndësi për marrëdhënien e këtyre dy firmëtarëve të deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por sepse nevoja e Mid’hatit për t’u shpjeguar e ka nxitur të hidhte në letër idetë një plan të qartë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Plani i tij ka shtatë pika, siç vijojnë:
- Kosova asht tokë shqiptare.
- Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën.
- Pra, ne dimë me shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet.
- Për me forcue Shqipninë, duhet që të ketë paq.
- Për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët.
- E shoh nji punë kriminale me u dhënë kosovarvet shpresë të kotë dhe me i marrë në qafë.
- Duhet me i bind kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyne në rrugë të nomit.
Në këtë skicë programatike të Mid’hat Frashërit dëgjoj të flasë zëri i arsyes kombëtare. Ai i jepte përparësi stabilizimit të Shqipërisë, ndërtimit të institucioneve të saj dhe forcimit të vazhdueshëm të tyre. Sipas tij, nëse Shqipëria forcohej, do të ishte më e dobishme në mbrojtje të çështjes së Kosovës sesa puna e grupeve të copëzuara të patriotëve që vepronin asokohe.
Ideja e Mid’hatit se për t’u bërë Shqipëria duhej paqe, është brilante. Një shekull më vonë, ne kemi mundësinë të shikojmë atë që ka ndodhur dhe ta ballafaqojmë me vizionin e Mid’hatit.
Në 15 vitet, 1925-1939, shtetit shqiptar filloi të konsolidohej, dhe ajo është periudha më e shëndetshme në gjithë ekzistencën e tij. Prishja e paqes së Europës më 1939, rezultoi fatale për Shqipërinë, e cila ishte e para që u godit ushtarakisht, pavarësisht se fillimi i Luftës së Dytë Botërore njihet sulmi i Gjermanisë kundër Polonisë, 4-5 muaj më vonë. Lufta e zhyti shtetin shqiptar në kaos dhe në fund të saj e zaptuan komunistët, të cilët kontrolloheshin nga armiqtë e Shqipërisë, komunistët jugosllavë.
Nëse një shekull më parë ishin patriotët kosovarë të vijës së ashpër, për marrjen e Kosovës me luftë, ata që dëmtonin çështjen shqiptare, sipas pikëpamjes së Mid’hat Frashërit, sot është Shqipëria nën influencën e Serbisë, ajo që dëmton çështjen e Kosovës.
Për shkak të ndërhyrjes së komunistëve jugosllavë në kontrollin e shtetit shqiptar, Shqipëria nuk u bë kurrë shtylla ku Mid’hat Frashëri mendonte të domosdoshëm për lidhjen e anijes.
Kur Kosova është në konflikt me Serbinë dhe Shqipëria bashkëpunon me Serbinë për hapjen e tregjeve, kufijve etj., kjo nuk është politikë paqësore, por politikë armiqësore ndaj Kosovës. Shqipëria duhet të vepronte në unison me Kosovën kundër Serbisë. Faktori shqiptar në Maqedoni, nëse do të bënte presion që Maqedonia zyrtare të mbështeste politikën e Kosovës, atëherë dhe Maqedonia nuk do ta kishte të lehtë bashkëpunimin me Serbinë. Në raportin 3 me 1 përballë Serbisë, ajo do të ishte minorancë përballë faktorëve që mbronin interesat shqiptare në tërësi dhe ato të Kosovës në veçanti në Ballkan. Por, mjerisht, Shqipëria nuk është bërë ende ajo që e përfytyronte vizionari i saj më i madh.