Dhe, saherë që e kthejmë kokën prapa, ne do të gjejmë një model për kohët dhe breznitë që vijnë. Rilindja Kombëtare është një model i pazëvendësueshëm, një vizion që kurdoherë mund ta ridimensionojmë me urtësi të tashmen dhe të ardhmen tonë, sepse tashmë është dëshmuar si një model i qëndrueshëm me themele përhershmërie shqiptare. Ky model mbështetet në universin kulturor shqiptar, në identitetin shqiptar, në urtësinë e bashkëpunimit, në kapërcimin e ndasive, në gjithë atë që nënkupton dinjitet kombëtar në kontekste të ndryshme historike. Pikërisht në frymën e këtij modeli produktiv lirisjellës, tolerant dhe civilizues duhet të ridemensionohet edhe politika shqiptare në të gjitha hapësirat ku gjallon kombi shqiptar.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Gjërat nuk janë dhënë njëherë e përgjithmonë. Bota është në një shndërrim të përhershëm dhe, bashkë me këtë, edhe momentet historike shfaqen dhe krijojnë kontekste të reja. Më të mëdhenjtë, fuqitë më të mëdha, gjithnjë synojnë ta diktojnë lojën varësisht nga pretendimet që kanë, varësisht nga projeksionet, ambiciet dhe kapacitetet, ndërsa më të vegjlit, popujt më të vegjël, janë të detyruar të përgjojnë, të dekodojnë me kujdes vibrimet e matematikave gjeopolitike.
Gjithnjë ka qenë kështu, gjithnjë ekuilibrat botërorë janë performuar nga raporti i forcave, nga frika, marrëveshjet, paqja e përkohshme, por pa diskutim edhe nga një zhvillim i racës njerëzore në drejtim të afirmimit të vlerave universale, afirmimit të drejtësisë, vlerave demokratike, humanitetit dhe lirisë si dimension politik. Sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, kur pas miliona viktimave, bota progresiste themeloi institucione në nivel ndërkombëtar për të krijuar një rend me rregulla të përcaktuara. Pa dyshim Perëndimi shkëlqeu në këtë ndërmarrje, duke afirmuar pandërprerë paqen, vlerat demokratike, mirëqenien, të drejtat e njeriut, liritë politike dhe humanitetin përgjithësisht. Gjithë ky areal dhe kjo gjendje e përndritur vlerash kaloi nëpër tmerret e dy luftërave botërore, por edhe luftërave paraprake gjithashtu të tmerrshme. Kaloi përmes ferrit të urrejtjes, ndasive, shtypjeve të shumta, të cilat u shndërruan në kujtesë, në përvojë për të ndërtuar diçka ndryshe, për t’i dhënë shanse paqes dhe zhvillimit.
Nëpër ferrin e këtyre vuajtjeve, shtypjeve dhe sakatimeve të ndryshme kaloi edhe populli shqiptar, një histori e dhimbshme, plagët e së cilës akoma nuk mund t’i shërojmë.
Dhe, saherë që e kujtojmë këtë trajektore dhimbjeje dhe madhështie, ne rikthehemi te epoka e ndritur e formësimit kombëtar, te Rilindja Kombëtare, që me urtësi dhe thellësi konstituoi identitetin e përhershmërisë shqiptare, që dimensionoi fatin shqiptar, gjallninë në koordinatat e historisë. Ishte Rilindja Kombëtare, emrat e përveçëm të mbrothësisë shqiptare që e projektuan rrugëtimin kombëtar, që i dhanë dritë diturie dhe dinjiteti përtej ndasive dhe përtej agresioneve brutale të kontekstit të atëhershëm. Rilindja Kombëtare mbetet paradigma e ngadhënjimit të një populli kundër ndasive, tkurrjes, sakatimeve nga fqinjët agresivë, por mbetet edhe paradigmë përndritjeje në rrafshin e identitetit të veçantë kulturor, në rrafshin e gjeografisë shqiptare, tërësisë dhe gjallnisë historike. Mendje vizionare dhe dijeshumë, njohës të mirë të rrethanave historike, por edhe të kontekstit të atëhershëm, sidomos të kontekstit kur tashmë po shihej fundi Perandorisë Osmane, projektuan rrugëtimin shqiptar, i dhanë frymëzimin e duhur, përbashkimin dhe vlerat më të larta civilizuese.
Mbi premisat e këtij vizioni të tanësishëm, populli shqiptar po dilte nga humnera shekullore, nga gjithë ai fatalitet historik konfiguracionesh gjithnjë armiqësore. Rilindja Kombëtare mbi të gjitha arriti që të krijojë konceptin e përhershmërisë shqiptare, idealitetin e domosdoshëm që njëjtësoi fatin e një kombi në rrugën e historisë. Një vizion dhe përkushtim që gjatë tërë kohës do ta mbajë gjallë përpjekjen shqiptare edhe në kohët që do të vijnë, edhe në kohën e një zezone tjetër për shqiptarët, siç ishte periudha e komunizmit. Ky vizion përbashkësie dhe lirie, identiteti dhe vlerash, do t’i udhëheqë shqiptarët edhe në fillimet e hershme të periudhës së demokracisë, duke mëkuar dhe afirmuar vazhdimisht këtë vizion të mëhershëm, që tashmë ishte kristalizuar në indin kombëtar shqiptar.
Në rënie-ngritjet shqiptare kjo matricë mbrothësie do t’i japë jetë gjallnisë shqiptare, duke e shndërruar kështu këtë paradigmë kombëtare në projeksionin më sublim përgjatë rrugës së historisë. Rilindja Kombëtare mbetet miniera e pashtershme e mbrothësisë, e koordinatave të mirëmenduara nga mendjet brilante të asaj kohe, që me kohë i kishin kuptuar realitetet e reja në skenën ndërkombëtare, por edhe që e kishin transkriptuar drejt aspiratën e shqiptarëve, fatin e tyre, në konstelacionet me shumë të panjohura të asaj periudhe. Një elitë e tërë emrash të shkolluar në universitetet më prestigjioze botërore, tashmë me ngulm po punonin për të konsoliduar identitetin shqiptar, për të ridimensionuar rrugëtimin shqiptar, që në fakt ishte rrugëtim i një kombi nëpër ferrin e matematikave gjeopolitike të kohës.
Ligjësitë historike i rikthejnë momentet e brishta, mbase jo të njësojshme, por ngatërrestare gjithsesi. Ka kohë që bota po dergjet nën tensionet, vlimet e rirreshtimeve gjeopolitike. Ardhja e presidentit Trump në SHBA dhe qasja e tij krejtësisht e ndryshme dhe e paparashikueshme, e ka trandur tashmë përfundimisht skenën ndërkombëtare mbase nga një gjumë letargjik ose nga një iluzion inercie që ka ruajtur kundërvëniet e dikurshme.
Skena ndërkombëtare, realitetet gjeopolitike, do të jenë gjithnjë dinamike dhe në kërkim të konfigurimeve të reja. Shqiptarët, si gjithnjë në rrugën e historisë, do të përballen me sfida të panumërta për ta ripohuar gjallninë e vetë, për të qenë vetvetja në matematikat gjeopolitike. Kjo përpjekje kërkon energji, vizion dhe urtësi të përhershme. Në sprovat e mëdha, ne gjithnjë e kthejmë kokën prapa për të shikuar trajektoren e ecjes si komb, për të kërkuar shpresën dhe ndihmën e paraardhësve. Dhe, saherë që e kthejmë kokën prapa, ne do të gjejmë një model për kohët dhe breznitë që vijnë. Rilindja Kombëtare është një model i pazëvendësueshëm, një vizion që kurdoherë mund ta ridimensionojmë me urtësi në të tashmen dhe të ardhmen tonë, sepse tashmë është dëshmuar si një model i qëndrueshëm me themele përhershmërie shqiptare. Ky model mbështetet në universin kulturor shqiptar, në identitetin shqiptar, në urtësinë e bashkëpunimit, në kapërcimin e ndasive, në gjithë atë që nënkupton dinjitet kombëtar në kontekste të ndryshme historike. Pikërisht në frymën e këtij modeli produktiv lirisjellës, tolerant dhe civilizues duhet të ridemensionohet edhe politika shqiptare në të gjitha hapësirat ku gjallnon kombi shqiptar. Mendësia e copëzimit na bën të vegjël, inferiorë, na tkurr në fatalitet, përkundrazi idealiteti i tanësisë kulturore dhe identitare na bën të dinjitetshëm dhe vital si komb. Kjo është provuar në rrugën e historisë, me momente të shuma në trajektoren e shqiptarëve.
Sigurisht, brenda këtij idealiteti politik, kulturor, ekonomik dhe gjeografik, shqiptarët duhet të kultivojnë pandërprerë vlerat demokratike, dialogun, tolerancën, gjithnjë në korrelacion të plotë me dinjitetin kombëtar në të gjitha hapësirat shqiptare. Kultivimi i aleancave tradicionale mbetet një imperativ i padiskutueshëm, gjithnjë duke kultivuar denësinë kombëtare, duke vlerësuar përhershmërinë historike shqiptare.
Në ekouacionet me shumë të panjohura gjeostrategjike, shqiptarët duhet të punojnë për veten e tyre, në sinkron me vlerat më të mira europiane, pra të kultivojnë identitetin e tyre në pentagramin e shumëllojshmërive identitare. Elitat politike tashmë e kanë modelin e mbrothësisë. Vetëm duhet pak vullnet për t’i dhënë jetë një paradigme të re identitare, që njeh tanësinë dhe jo përçarjen, që njeh realitetet ekzistuese, por që si gjallni kombëtare i projekton gjërat në një idealitet përhershmërie shqiptare.