loader image
December 3, 2024

Rekrutimi i një pjesë të inteligjencës shqiptare në rrjetin informativ të UDB-së pas rezolutës së Informbyrosë

Dokumentet e zbuluara kohëve të fundit bëjnë me dije se UDB-ja jugosllave, duke filluar nga pjesa e dytë e vitit 1948 e deri në mbledhjen e IV të KQ të LKJ-së, e cila u mbajt më 1 korrik 1966 në Brione të Kroacisë, arriti të përvetësojë, përkatësisht rekrutojë, qindra, për të thënë mijëra “intelektualë” shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, të cilët më vonë u shndërruan në vegla më të besuara të atij shërbimi famëkeq. Pjesa më e madhe e tyre mbanin emra të koduar, si p.sh.: “Kongresmen”, “Vllaznimi”, “Garip”, “Kljuç”, “Krashnjak”, “Tivoli”, “Trigllav”, “Askona”, “Sllavni”, “Karamboll”, “Kalif”, “Xhabej”, “Shok”, “Arton”, “Laborant”, “Riki”, “Adet”, “Hetam”, “Flaka”, “Besnik”, “Atilla”, “Sefo”, “Kuran”, “Lazo”, e kështu me radhë.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Rezoluta e Informbyrosë (korrik 1948), e cila siç është e njohur shkaktoi prishjen e marrëdhënieve, deri atëherë vëllazërore, midis regjimeve komuniste shqiptaro-jugosllave, e përkeqësoi edhe më shumë pozitën e shqiptarëve nën federatën jugosllave. Në emër të luftës kundër IB-së, përkatësisht të “përmbysjes së traditës balliste” në Kosovë e në trevat tjera etnike shqiptare, u krijua një aparat gjigant i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav, i njohur me shkurtesën UDB (Uprava Državne Bezbednosti – Drejtoria e Sigurimit Shtetëror), të cilit iu dha për detyrë ta terrorizojë popullsinë shqiptare si “element jolojal” ndaj Jugosllavisë. Për këtë qëllim, nga ana e këtij shërbimi u hapën disa pika në brezin kufitar me Shqipërinë, si në Dibër, Strugë, Resën, Tuz, Guci, Prizren, Gjakovë etj., të cilat pika përbënin qendra të vërteta për stërvitje dhe për shtabet operative të UDB-së kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi e të inteligjencies së saj në veçanti. Rrjedhimisht, një numër jashtëzakonisht i madh i mësuesve, gazetarëve, shkrimtarëve, letrarëve e publicistëve shqiptarë u futën nën vëzhgimin e rreptë të atij shërbimi. Nën kontroll të rreptë u futën edhe dy gazetat në gjuhën shqipe, “Rilindja”, që dilte në Prishtinë, dhe “Flaka e Vëllazërimit” nga Shkupi.

Ndërkohë, gjatë vitit 1949 në Shkup, u hap një dhomë e veçantë, me detyrë speciale ta ndiqte situatën politike botërore në përgjithësi e të shteteve fqinje në veçanti. Me këtë dhomë udhëhiqte anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Maqedonisë (më tej BP të KQ PKM-së), Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Haxhi Vasilev – Jasmin, Koço Bituljano, Ilija Topallovski, Pero Korobar, Mihajllo Keremedxhiev, Mitre Inadevski dhe Bllagoja Popovski. Dhoma ndahej në katër sektorë të veçantë: sektori për Shqipërinë, sektori për Bullgarinë, sektori për Greqinë dhe sektori për shtetet e Perëndimit dhe SHBA-në. Sektorin për Shqipërinë e udhëhiqte Ilija Topallovski.

Në kohën kur hartoheshin plane, programe dhe elaborate të ndryshme kundër shqiptarëve, regjimit të atëhershëm komunist jugosllavo-maqedonas i nevojitej funksionimi i mirë i servisit informativo-propagandistik edhe në mesin e popullsisë shqiptare. Këtë detyrë, përveç “Flakës së Vëllazërimit”, nuk mund ta kryente asnjë redaksi tjetër informative, aq më pak Radio Shkupi, kur dihej se brenda 24 orëve program vetëm 15 minuta ishin në gjuhën shqipe. Nisur nga kjo, sektori për Shqipërinë pranë dhomës së përmendur më sipër, në mbledhjen e mbajtur më 6 tetor 1949, në të cilën mori pjesë edhe Kërste Cërvenkovski, ndër të tjerave vendosi që “nga ana e dhomës të vendoset kontrolli i plotë në redaksinë e gazetës në gjuhën shqipe ‘Flaka e Vëllazërimit’…”.

Rrjedhimisht, duke filluar nga nëntori i atij viti, kjo gazetë që deri atëherë dilte 3 herë në muaj, tashti u shndërrua në gazetë javore, ndërsa që në numrat e parë aty vëreheshin shkrime dhe artikuj të ndryshëm me karakter ideologjiko-komunist, përmes të cilave tentohej të njollosej veprimtaria e organizatave nacionaliste shqiptare, në radhë të parë ajo e Ballit Kombëtar, Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, si pasardhëse e dy organizatave të para, por edhe e figurave kryesore udhëheqëse të tyre, siç ishin: Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Xhemë Gostivari, Shuaip Kamberi, Kadri Saliu, Sulë Hotla, Mefail Zajazi, Nazmi Tateshi, Aqif Reçani, Shemsi Hatibi, Ali Maliqi, Fiqiri Dine, Xhafer Deva, Miftar Kaloshi, Riza Drini, Azem Marana, Hysni Rudi, Mehmet Bushi e shumë e shumë të tjerë. Këtu duhet të vëmë në dukje se në të gjithë këto artikuj ose nuk figuronte emri i artikullshkruesit ose vendoseshin vetëm inicialet e kryeredaktorit të atëhershëm të gazetës, M.P. (Myrteza Peza).

Ndërkohë, nga janari i vitit 1951, me kërkesë të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Beograd, filluan bisedimet e para rreth mundësisë së shpërnguljes nga RFPJ-ja për në Turqi të disa shtetasve të Jugosllavisë, me qëllim që – siç thuhet në një dokument diplomatik jugosllav – “bashkimit me anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre të shpërngulur nga Jugosllavia për në Turqi”. Ky numër, sipas Ambasadës Turke arrinte shifrën e 745 familjeve, përkatësisht 4.407 personave. Ndërkohë, pala jugosllave shprehi gatishmërinë që nga Jugosllavia për në Turqi të shpërnguleshin 30.000 persona nga gjithsej 98.000 sa numëronte asaj kohe pakica turke në Jugosllavi sipas regjistrimit të vitit 1948. Qeveria komuniste jugosllave ishte plotësisht e bindur se me përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Turqinë, në njërën anë, si dhe zbatimin e një presioni të dhunshëm ndaj shqiptarëve, në disa drejtime, do të ndikojë “në rritjen e menjëhershme të tendencës për shpërngulje në Turqi”. Për zbatimin sa më parë të këtij projekti antishqiptar, BP të KQ të PKM-së formoi një Komision, me në krye Kërste Cërvenkovskin, ndërsa anëtarë të tjerë ishin: Mito Temenugov, Reiz Shaqiri, Boge Kuzmanovski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Komisioni hartoi konceptin e punës, i cili ndahej në katër pjesë kryesore. Pjesa e parë, “Situata politike në parti dhe te masat”, përfshinte këto pika:

“Lidhja e masave me pushtetin; a/ cilat shtresa dhe si po sillen ndaj pushtetit: punëtorët, fshatarët, zejtarët, tregtarët, nëpunësit dhe posaçërisht hoxhallarët dhe inteligjenca; Në çka përbëhet veprimtaria e armikut? – Mbeturinat dhe rrënjët e lëvizjes balliste /historiati / – në çfarë forme realizohet dhe manifestohet veprimtaria e këtyre mbeturinave si dhe në cilat shtresa po ndikon – si po ndihen masat shqiptare ndaj pastrimeve të mëhershme të bandave balliste dhe bashkëpunëtorëve të tyre. a/ Si po sillen masat ndaj IB-së? – Si është sjellja ndaj Shqipërisë së sotme /sipas shtresave/; Si po punohet për këto çështje nga ana e partisë dhe pushtetit: – posaçërisht si është sjellja ndaj inteligjencës; Çfarë roli luajnë hoxhallarët dhe sa është ndikimi i tyre në masë: -të kontrollohet politika e deritanishme e pastrimit me ta lidhur me çështjen e ferexhesë, KPF-ve, etj. a/ në mënyrë të veçantë të shihet besimi ndaj fesë, paragjykimet dhe fanatizmi fetar; Të bëhet një pasqyrë e inteligjencës nga Shqipëria, posaçërisht për ata që janë ngritur te ne /ndikimi i tyre politik/; Si qëndron çështja rreth paraqitjes së shovinizmit nga shqiptarët: Format e veprimtarisë politike të cilat zbatohen nga partia dhe pushteti ndaj të gjitha shtresave; Situata dhe veprimtaria e organizatave masive /FP, RP, GAF, lidhja e luftëtarëve etj./…”.

Si pika tjera më të rëndësishme të konceptit mund t’i veçojmë edhe këto: “Numri i popullsisë – numri i shqiptarëve: femra e meshkuj, punëtorë, bujq, zejtarë, të punësuar në tregti, nëpunës; numri i ish bajraktarëve, kulakëve e të personaliteteve me ndikim; pasqyrë për inteligjencën: gjatë kohës së okupacionit, të ardhur nga Shqipëria pas okupacionit – të ngritur veçmas në vendin tonë /gjendja sociale, përbërja gjinore, niveli arsimor, mosha dhe në cilat detyra gjenden tani/; sa është numri i popullsisë që shkon në kurbet; sa shtëpi të reja janë ndërtuar nga ana e shqiptarëve…etj..”.

Në bazë të informacioneve që mori, komisioni hartoi një draft dokument (Elaborat) prej 40 faqeve, të titulluar: “Analizë për pakicën shqiptare në RP të Maqedonisë”, ku në pjesën e parë të tij – “Historiati dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare”, përshkruhej gjerësisht bashkëpunimi i ngushtë të udhëheqjes komuniste jugosllavo-maqedonase me udhëheqjen komuniste shqiptare pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në, siç thuhej, “zbulimin e veprimtarisë armiqësore”, i cili është manifestuar “nëpërmjet çetave të armatosura” të Xhemë Gostivarit, Mefail Zajazit, Sulë Hotlës e të krerëve tjerë shqiptarë që vepronin në këtë pjesë të tokës shqiptare. Lidhur me këtë në dokument shprehimisht thuhet:

“…Një meritë të konsiderueshme për stabilizimin politik në këto territore pati edhe bashkëpunimi i ynë me Shqipërinë, aksioni i ynë i përbashkët për likuidimin e tërësishëm të okupatorit si dhe përforcimi i pozicionit të pushtetit popullor. Edhe përkundër arritjeve në stabilizim politik, menjëherë duhet veçuar faktin se te masat e përgjithshme shqiptare, në ato çaste nuk u arrit diferencimi politik dhe klasor. Pikërisht për këto arsye, edhe në ditët e sotme në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit, pjesa më e madhe e masës me dhimbje e pranojnë humbjen e bandave gjatë kohës së pastrimit dhe konsiderohet si një grusht kundër shqiptarëve si pakicë, për marrjen e të drejtave të tyre nacionale. Përkundrazi, në rrethin e Kërçovës ka një qëndrim pak si ndryshe, lidhur me pastrimet e atëhershme, ku në tërësi dënohet veprimtaria gjakpirëse e bandave. Madje, në fshatin Zajaz shprehet keqardhje, për ato ‘ditë të zeza’ që i kanë penguar që sot ata të bëjnë më shumë në ngritjen e tyre në kushtet e pushtetit socialist. Në Kumanovë ende mbretërojnë legjendat për Sulë Hotlën dhe nuk besohet se ai është i zhdukur, ende ai jeton në mendjen e tyre, dhe kjo vërehet në fshatrat Hotël, Sllupçan, Mateç, Orizare etj…”.

Theks të veçantë draft dokumenti i kushtonte inteligjencies shqiptare, veçmas mësuesve shqiptarë të ardhur nga Shqipëria politike gjatë dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore: “…Kjo inteligjencë, thuhet në dokument, në kohën e okupacionit kishte ardhur me detyrë që t’i shovinizojë masat e përgjithshme. Fillimisht, ata nuk mundeshin të bëjnë veprime aktive antishtetërore te ne për shkak të marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, ndërsa tërë veprimtarinë e tyre armiqësore e përqendruan në ‘ruajtjen e kompaktësisë së popullatës shqiptare’, duke zgjeruar aspirata nacional-shoviniste, duke punuar që këto vise t’i bashkohen një ditë Shqipërisë… Dhe nuk është e rastit që u lind nga mesi i asaj inteligjencie Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, e cila hasi në mbështetje te një pjesë e popullatës shqiptare… Si gjatë okupimit, ashtu edhe pas çlirimit, aty ku pati koncentrim më të madh të kësaj inteligjencie (në Tetovë, Dibër dhe Gostivar), ngelën edhe pasojat më të mëdha nga veprimtaria e tyre. Ata kryesisht e krijuan edhe inteligjencien e tashme, mësuesit, kështu që edhe këta, në të shumtën e rasteve, janë të edukuarit e tyre. Edhe në këto vise, bashkë me Strugën, po vërehen më së shumti pasojat. Kjo shfaq manifestime të jashtme te mësuesit, ndërsa fshehurazi mbështetet edhe te një pjesë e masave…”.

Ky draft dokument u zyrtarizua në mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të KQ PKM-së, e cila u mbajt më 29 shkurt 1952, në të cilën morën pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, si dhe sekretarët e komiteteve të qarkut, të besuarit (prokurrët) e UDB-së, nga rrethet ku jetonin shqiptarët, anëtarët e KQ-së që punonin në aparatet e saj dhe të vetë UDB-së etj.. Në mbledhje, si zakonisht, fjalën kryesore e patën Llazar Kolishevski dhe Kërste Cërvenkovski, por edhe të besuarit e UDB-së. Kështu, Arizan Nestorovski – Marçe, i cili në mbledhje merrte pjesë si përfaqësues i UDB-së për Tetovë me rrethinë, gjatë diskutimit të gjatë të tij, tërë strukturën udhëheqëse shqiptare të Komitetit të Partisë Komuniste të Tetovës e më gjerë, e etiketoi si shoviniste dhe armiqësore:“…nëse diskutohet për shovinizmin e shokëve nga Maqedonia Perëndimore, shprehet Marçe, mendimi im personal është se kjo është e saktë dhe se kjo është për shkak se nuk ka asnjë njeri nga ata i cili si përfaqësues të masave punon në komitet apo në pushtet, e i cili më herët apo më vonë janë bërë armiq të pushtetit tonë, të vendit dhe partisë tonë. Asnjëri nga ata shokë që punojnë në komitet apo pushtet nuk është element i shëndosh, nuk është besnik i partisë, i cili nuk do ta tradhtonte revolucionin tonë dhe ndërtimin e socializmit te ne… Linja armiqësore për bashkimin e atyre trevave kah Shqipëria e madhe, nën udhëheqjen e komiteteve perëndimore, bindje të tilla ekzistojnë edhe te shokët anëtarë të byrosë së komitetit…”.  Po në këtë frymë foli edhe përfaqësuesi tjetër i UDB-së, Elisije Popovski, i cili pasi u pajtua në tërësi me vlerësimin e Marçes, për “shovinizmin shqiptar” brenda komiteteve partiake në Maqedoninë Perëndimore propozoi që: “…së pari, të ketë një sërë masash dhe dispozitash ligjore të cilët mund t’i përdorim në lidhje me kundërvajtjet nga ana e hoxhallarëve, që absolutisht nuk zbatohet në terren, dhe së dyti, të hartohet një analizë në mesin e inteligjencës shqiptare në terren, e cila është bartëse e shovinizmit tek ne. Në shtypin tonë deri më tash nuk doli asgjë nga ai shovinizëm dhe te ne nuk shkruhet asgjë për ata. Ata irredentistë shqiptarë i durojmë nga viti 1943 dhe për të gjithë ato punë të tyre nuk ndërmarrim masa…”.

Rrjedhimisht, Drejtoria e Sigurimit Shtetëror të RP të Maqedonisë – UDB e filloi një fushatë të gjerë kundër inteligjencies shqiptare, një pjesë e së cilës u burgos, ndërsa një pjesë tjetër bukur e madhe, në pamundësi për t’iu bërë ballë dhunës dhe torturës policore, por edhe për shkaqe tjera më të ndryshme, pranoi të rekrutohet në rrjetin informativ, duke u bërë vegël e zgjatur e atij shërbimi famëkeq jugosllavo-maqedonas. Është e rëndësishme të theksohet se një dukuri e tillë kishte filluar që nga viti 1946, kur organet e UDB-së, përmes disa veglave të tyre, siç ishin “Shok”, “Belaja” “Krashnjak” etj., arritën të zbulojnë rrjetin e veprimtarisë së organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë dhe në trevat shqiptare në Maqedoni, por një përmasë më të zgjeruar mori gjatë pranverës së vitit 1952, me rastin e zbulimit dhe burgosjes së kreut të organizatës “Liria”, në ballë të së cilës qëndronte atdhetari dhe intelektuali i shquar shqiptar nga Shipkovica e Malësisë së Sharrit, Sadudin Gjura. Burimet e proveniencës policore njoftonin për arrestimin e 55 anëtarëve të kësaj organizate, prej të cilëve 26 ishin arsimtarë, 3 studentë, 15 bujq, 3 hoxhallarë, 4 këshilltarë komunal të Tetovës, 3 nxënës dhe 1 zejtar. Nga ky numër, ndaj 10 persona u zhvillua proces gjyqësor, ndërsa për 45 anëtarë të tjerë Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme i propozonte Shërbimit Informativ – UDB-së, për sa më poshtë vijon:

“…Për të lartpërmendurit mundësisht të pastrojmë në këtë mënyrë: të formohen ekipe me 2-3 nëpunës, me një oficer, deri te referati, të cilët me grupe me autorizim paraprak do të veprojnë në arrestimin dhe përpunimin e të zbuluarve, dhe duke shfrytëzuar afatin ligjor prej tre ditësh, do të pastrohen me secilin në mënyrë individuale. Si masë për veprimin e të arrestuarve do të ishte kjo: për ata të cilët brenda tri ditësh do ta pranojnë veprimtarinë e tyre armiqësore, të ndërmerren masat si vijon: ata të cilët lënë përshtypje se janë të sinqertë dhe japin garanci për bashkëpunim, të trajnohen (rekrutohen), të tjerët si të pafajshëm të lirohen, por vetë ata të qëndrojnë para fshatarëve dhe qytetarëve të vet të prezantohen, të zbulohen dhe të shpallen si armiq. Në lidhje me rekrutimin kriteri do të ishte se në rekrutim duhet shkuar në numër të konsiderueshëm, shumë të kufizuar, përkatësisht vetëm në ato raste ku do të keni garanci të sigurt dhe sinqeritet për bashkëpunim. Për të tjerët që në afat tre ditor nuk do të pranojnë, mbi ta duhet ngritur hetimi dhe padia, me të vetmin qëllim, që më vonë si individ ose në grupe t’i dorëzojmë në gjyq. Mendimi ynë është që shumica nga këta, të tillë do të ketë që duhet të demaskohen para masës, veçanërisht te ajo e painformuar, të cilët kryesisht kanë rënë nën ndikimin e propagandës së tyre …”.

Pikërisht kjo metodë e re e punës së UDB-së mundësoi zbulimin e disa organizatave grupimeve politike shqiptare, siç ishin: “Shpresa”, “Shkëndija”, grupimi politik “Taravari-Purde”, “NDSH-ja” e të tjera, me ç’rast gjatë viteve 1955-1956 u arrestuan mbi 150 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin mësues. Në elaboratin me titull “Disa çështje aktuale për veprimtarinë armiqësore në mesin e mësuesve nga pakica shqiptare”, që UDB-ja maqedonase e hartoi më 30 shtator 1955, thuhet në mënyrë të qartë e të prerë se “çështja e veprimtarisë armiqësore në mesin e pakicës shqiptare” ka qenë gjithmonë një detyrë “vetëm e organeve të sigurimit shtetëror”, përkatësisht “lëndë diskutimi” në të gjitha ato mbledhje të shërbimit, të cilat – siç theksohet – “kanë pasur rëndësi të veçantë atëherë kur është dashur të kihet parasysh për disa faktor të rinj të cilët kanë ndikuar në atë veprimtari…”.

Dokumentet e zbuluara kohëve të fundit bëjnë me dije se UDB-ja jugosllave, duke filluar nga pjesa e dytë e vitit 1948 e deri në mbledhjen e IV të KQ të LKJ-së, e cila u mbajt më 1 korrik 1966 në Brione të Kroacisë, arriti të përvetësojë, përkatësisht rekrutojë, qindra, për të thënë mijëra “intelektualë” shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, të cilët më vonë u shndërruan në vegla më të besuara të atij shërbimi famëkeq. Pjesa më e madhe e tyre mbanin emra të koduar, si p.sh.: “Kongresmen”, “Vllaznimi”, “Garip”, “Kljuç”, “Krashnjak”, “Tivoli”, “Trigllav”, “Askona”, “Sllavni”, “Karamboll”, “Kalif”, “Xhabej”, “Shok”, “Arton”, “Laborant”, “Riki”, “Adet”, “Hetam”, “Flaka”, “Besnik”, “Atilla”, “Sefo”, “Kuran”, “Lazo”, e kështu me radhë. Falë “kontributit” të këtyre bashkëpunëtorëve, numri i dosjeve në linjën e UDB-së deri në vitin 1966, vetëm në Kosovë, arriti shifrën prej 50.159. Po kështu u veprua edhe me shqiptarët në Maqedoni, ku për fat të keq, në shtator të vitit 1966, me propozim të nënsekretarit të atëhershëm të Sekretariatit për Punë të Brendshme të RS të Maqedonisë, Femi Muça, u vendos që: “një numër i dosjeve sekrete të UDB-së të asgjësohen”, me arsyetimin se, në depot e atij shërbimi ekzistonin “dosje të njerëzve që kishin vdekur që para dhjet viteve”.

Një pjesë e këtyre bashkëpunëtorëve, veçanërisht ata me përgatitje më të lartë arsimore, por nuk ishin të paktë edhe ata që vinin nga familjet me traditë nacionaliste, UDB-ja i dërgonte me mision nëpër shtetet e Europës Perendimore, SHBA dhe në Republikën e Turqisë, për ta përcjellë më për së afërmi veprimtarinë e organizatave të emigracionit politik shqiptar, si dhe të figurave të shquara dhe udhëheqëse të tyre. Një mision i tillë iu dha edhe bashkëpunëtorit me nofkën “Vllaznimi”, i cili në vitin 1962 udhëtoi për në Romë, me detyrë speciale nga UDB-ja, për t’u takuar me intelektualin, veprimtarin dhe atdhetarin e shquar shqiptar nga Ohri, Mentor Çoku, për të cilin UDB-ja jugosllave, dyshonte për “inkuadrimin” e tij në një organizim të mundshëm politik e ushtarak kundër Jugosllavisë. Lidhur me këtë, Sekretariati për PB të RS Maqedonisë, në shkurt të vitit 1962, e informonte Konferencën Republikane të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Maqedonisë (KR të LPPM-së), rreth konfliktit midis BRSS-së dhe RP të Shqipërisë dhe lëvizjet e fundit të emigracionit politik shqiptar, ku ndër të tjerave shkruante:

“…Konflikti BRSS-Shqipëri, në mënyrë të veçantë e ka aktivizuar veprimtarinë e elementeve ‘klasike’ armiqësore e nacionaliste, si në vetë Shqipërinë po ashtu edhe te ne. Te ta ekziston botëkuptimi, se tash është momenti në Shqipëri të rivendoset kapitalizmi dhe njëherë kjo do të përbënte garancinë më të mirë për realizimin e aspiratave territoriale ndaj Jugosllavisë. Në këtë linjë vërehen aktivitete më të gjalla të këtyre elementeve si dhe përpjekjet të lidhen me të tillët në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë me emigracionin shqiptar në Perëndim. Sipas disa të dhënave, përgjatë bregdetit Adriatik jo vetëm se janë aktivizuar qendrat ekzistuese të emigracionit shqiptar, porse kah ta dhe kah kufiri në përgjithësi, gjithnjë e më shumë po orientohen qarqet e qendrat e emigracionit, të cilat deri më tash kanë qëndruar në brendi të Italisë ose në vende tjera europiane /Turqi, Francë etj./. Në informatën e komitetit të LKM-së për rrethin e Shkupit, për shembull, vihet në dukje se ka përpjekje që këto elemente reaksionare të tubohen e të veprojnë në mënyrë më të organizuar – dhe me zgjerimin e literaturës nga periudha e okupacionit me përmbajtje – skajshmërisht shqiptaromadhe. Rreziku nga veprimi i këtyre elementeve është reale, aq më tepër se midis tyre dhe qarqeve të caktuara në Perëndim tash më ekziston zgjedha e përbashkët dhe interesi që ngjarjet në Shqipëri të zhvillohen në favorin e tyre…”.

Para se “Vllaznimi” të udhëtonte për në Romë, nga ana e UDB-së u hartua Projekt-plani, përmbajtja e të cilit ishte kjo:

Propozim për kombinimin ‘Drini i Zi’, lidhur me dërgimin e bashkëpunëtorit ‘Vllaznimi’ te Mentor Çoku në Itali.

‘Vllaznimi’ që në kohën kur ishte student në Shkollën e Lartë Pedagogjike ishte i orientuar në frymën nacionaliste dhe tregonte një dozë të caktuar të veprimtarisë armiqësore, për çka qe futur nën kontroll. Përndryshe, në rrethin e mësuesve ka një vlerësim bukur të mirë, sepse ka dhunti natyrore për të shkruar poezi – për çka është shumë i afirmuar në mesin e mësuesve. Në vitin 1957 me rastin e realizimit të një grupi të mësuesve nga Struga i njëjti qe arrestuar me qëllim të thyerjes dhe angazhimit për bashkëpunim. Mbi këtë bazë është angazhuar. Në fillim, tek ai u shpreh një dozë hezitimi dhe mendimi se a të bashkëpunoj apo të tërhiqet. Mirëpo, falë udhëheqjes së drejtë arritëm ta thyejmë dhe ta lidhim me ne. Gjatë bashkëpunimit ofron vëzhgime të ndryshme, çështjet i shtron në mënyrë të saktë, nga ne nuk fshihet, ofron materiale edhe për farefisin e tij më të afërt… Bashkëpunimin e ka kuptuar jo si një punë që i është imponuar, por mbi bazë miqësore si njeri i cili dëshiron ta ndihmojë të tashmen, përndryshe ndihet shqiptar – jugosllav, e jo shqiptar i Shqipërisë (në origjinal ‘šiptar- jugosloven, a ne šiptar-albanec’). Ky bashkëpunëtor qe shfrytëzuar edhe në përpunimin ‘Treska’ dhe ofroi material të mirë, nga biseda që e zhvilloi me Baftir Qazimin dhe Tefik Ramadanin, të cilët u burgosën në vitin 1960, kështu që bashkëpunimi i tij me ne mund të konsiderohet si i sinqertë dhe objektiv…

Mentor Çoku i kushton vëmendje të veçantë inteligjencës shqiptare, përpiqet që t’i udhëzojë miqtë e tij që fëmijët e tyre të ngrihen sa më shumë që është e mundur dhe t’i dërgojnë në shkollë, madje disave u premton ndihmë materiale. Kështu që, Mentori kujdes të veçantë i kushton ngritjes dhe lidhjes së inteligjencës së re shqiptare me të.

Mentor Çoku ka lindur në Ohër; rrjedh nga një familje e pasur. Ai gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ka shkuar në Shqipëri, ka të kryer fakultetin juridik në Itali. Gjatë kohës së pushtimit mbante pozita të larta dhe ishte njëri ndër figurat kryesore i cili u shqua në organizimin e pushtetit nga pushtetarët shqiptaromëdhenj në Strugë. Veçanërisht pas kapitullimit të Italisë – kur ai bëhet organizator për formimin e organizatës së ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’, kështu që gjatë tërë kohës nga viti 1943 e deri te tërheqja e gjermanëve mori pjesë aktive në zonën e Strugës, ku edhe sot mban lidhje me disa persona. Deri më tash, nuk kemi vërejtur se Mentori ndërmerr ndonjë masë në mesin e pakicës shqiptare për organizim apo ndonjë veprimtari tjetër në atë drejtim, përveç se në letrat që u shkruan flet për një të ardhme dhe shpreh pikëllim për vendlindjen e tij etj.. Nga kjo mund të konstatohet se Mentori, përmes korrespodencës, dëshiron që miqtë e tij t’i inkurajojë për një të ardhme më të mirë siç ai parasheh t’i shfrytëzoj.

Pasi nuk i dimë me saktësi qëllimet e Mentorit dhe veprimtarinë e tij ndaj pakicës shqiptare nga rrethi ynë, për këtë qëllim mund të shfrytëzohet bashkëpunëtori ‘Vllaznimi’ për ta dërguar në një ekskursion në Itali, nën motivacionin se e interesojnë veçoritë kulturore-historike, e meqenëse ai merret me letërsi, kështu që udhëtimi i tij nuk do të kishte ndonjë dyshim te Mentori… Megjithatë, duhet përkujtuar se ‘Vllaznimi-t’ do të duhet t’i mbajmë një seminar të shkurtë në linjën tonë se si t’i zhvillojë diskutimet dhe për vëzhgimin e tij në përgjithësi. Siç theksuam më lart, ‘Vllaznimi-t’ i mungon shkathtësia dhe gjatë bisedës është i kufizuar dhe frikohet që mos të zbulohet, ndërsa, nga ana tjetër, Mentori është një njeri demagog i cili e njeh mirë punën kundërzbuluese, kështu që gjatë një bisede të pamatur mirë nga ana e bashkëpunëtorit – mundet shumë lehtë t’i zbulojë dhe t’i shohë qëllimet tona. Prandaj propozojmë që në rast se ky propozim pranohet, atëherë ‘Vllaznimi’ të ftohet në Shkup dhe të dërgohet në përgatitje për kryerjen e këtij kombinimi”.

Është e njohur botërisht se gjatë viteve të pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, për shkaqe politike, mijëra shqiptarë vuanin dënimin nëpër burgjet jugosllave. Në mesin e burgjeve më të njohur konsiderohej edhe burgu i Idrizovës së Shkupit, ku përveç personaliteteve të shquara nacionaliste shqiptare nga Maqedonia, dënimin e vuanin edhe ata nga Kosova dhe Shqipëria Politike. Në vitin 1961, UDB-ja maqedonase, ngarkoi bashkëpunëtorin e tyre me emrin e koduar “Garip”, që t’u afrohet të burgosurve politikë shqiptar në burgun e Idrizovës, për të parë qëndrimin e tyre politik. Është me rëndësi të vihet në pah fakti se bashkëpunëtori “Garip”, gjatë vitit 1960-të, qe dënuar për disa shkaqe korruptive, që kishin ndodhur në sipërmarrjen ku ai punonte dhe dënimin e vuante pikërisht në Idrizovë. Kjo ishte hera e dytë që ai qëndronte në këtë burg, pasi gjatë vitit 1953 qe dënuar me tre vite vuajtje dënimi, për shkak të “veprimtarisë armiqësore kundër shtetit dhe popullit”, dhe si i tillë gëzonte autoritet tek shqiptarët në përgjithësi e te inteligjenca e saj në veçanti. Këtë e dinin shumë mirë edhe oficerët e UDB-së jugosllave-maqedonase, prandaj ata kërkuan nga ai që t’u ofrohet figurave më me zë, me disa prej të cilëve ai edhe kishte bashkëpunuar në fillim të viteve pesëdhjeta, siç ishin: Mehmetriza Murtezani – Gega, Eshref Hoxha, Burhan Pasholli, Abdyrrahman Taravari, Sherefedin Agai, Nevaip Purde etj. Ashtu siç edhe qe ngarkuar, bashkëpunëtori “Garip” së shpejti filloi t’i raportonte UDB-së për takimet dhe bisedat e tij të zhvilluara me të burgosurit politikë shqiptar. Në përmbyllje të këtij shkrimi po e botoj raportin e tij numër 3, të datës 13 janar 1961, përmbajtja e të cilit është si më poshtë vijon:

“Gjatë muajit të fundit arrita të takohem dhe të zhvilloj bisedë me këta të burgosur politikë:

– Eshref Hoxha: para se të lirohet nga SHNK – Idrizovë u takova dhe gjatë bisedës u ankua se vëllai i tij, Mehmedali Hoxha, nuk kishte ardhur fare ta vizitojë. Unë i thashë se kjo buron nga ajo se gjatë hetuesisë, por edhe në procesin gjyqësor, ti ke thënë se vëllai Mehmedali Hoxha mban qëndrim të njëjtë sikurse edhe ti. Më tej, Eshrefi më këshilloi të mos lëshohem në kontakt dhe debat me persona të ndryshëm, sepse ka të tillë të cilët janë të lidhur me drejtorinë e burgut.

– Nevaip Purde: edhe më tej ka ngelur si armik. Pret luftë, me disponim properëndimor, shpreson se amerikanët do të kryejnë invazion ndaj Kubës, e nëse në këtë përzihet BRSS-ja, është e mundur lufta midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai shprehu pakënaqësinë që në SHBA për kryetar është zgjedhur Kenedi, të cilin ai e konsideron si njeri liberal dhe se do të ishte shumë më mirë të ishte zgjedhur ndonjë figurë tjetër, i cili do ta vazhdonte politikën ndaj Lindjes sikurse Ajzenhauer-i. Lidhur me botëkuptimet e tij nacionaliste dhe realizimin e ideve të tilla si zgjidhje e sheh pushtimin eventual të Ballkanit nga ana e amerikanëve dhe në atë mënyrë do të mund të realizoheshin idetë e tij. Interesohej dhe shtronte pyetje se çfarë flasin komitetet shqiptaromëdha në Perëndim në lidhje me Shqipërinë Etnike. I thash se tanët nuk flasin diçka me rëndësi. Pastaj paralajmëroi se pas lirimit nga SHNK – Idrizovë do të shkojë për të jetuar në Zagreb, sepse atje e ka të fejuarën. Për qëndrimin e tij, kur do të dalë nga burgu, thekson se gjithçka do t’ia lë kohës dhe nga ajo do të varet se a do të shprehë veprimtari më të theksuar armiqësore.

– Sami Jakupi: Thuajse në secilën bisedë më flet se si kam lejuar që sërish të bie në burg dhe përse jam punësuar në një vend të tillë që organet e sigurimit të mund ta shfrytëzojnë dhe të gjejnë shkas që sërish të më burgosin. Më mirë do të ishte të mos punoja asgjë ose të mirëmbahesha nga ndonjë punë tjetër. Pushteti të dënoi si kriminel dhe hajdut vetëm për të të kompromentuar para popullit tonë. I thash se tërë kjo nuk do të ngel kështu. Ai është me disponim gjermanofil dhe shpëtimin e pret nga Bundestagu; flet për armatosjen e Gjermanisë.

– Raif Muleziu: Kam biseduar më shumë herë, është tepër i rezervuar dhe fare nuk lëshohet në kurrfarë diskutimi.

– Abdyrrahman Haxhihalili: Dhelpër e madhe. U shmanget kontakteve dhe nuk dëshiron të diskutojë. Në një bisedë foli për dënimin e tij. Tha se si “disa shpirtra të shitur në Dibër kanë dhënë dëshmi të rrejshme, për çka edhe është dënuar”. Gjatë kësaj bisede ia përkujtova se para se të lirohet vëllai i tij, Refik Haxhihalili, më tha se ka pasur për qëllim të kalojë në Shqipëri. Ndaj kësaj, Abdyrrahman Haxhihalili m’u përgjigj: “Nëse unë nuk do të isha në burg, ndoshta do të shkonte, por tash nuk do të shkoj”. Fliste se ka qenë i keqtrajtuar gjatë hetimeve dhe me muaj të tërë shpeshherë ka qëndruar në këmbë, ndërsa sa i përket dënimit të dhënë tha se ndoshta edhe kam bërë diçka, por për këtë që më kanë dënuar nuk kam asgjë. Me të do të përpiqem të afrohem edhe më shumë dhe të krijoj besim, që të mund të zhvillojmë biseda më të hapura.

– Burhan Pasholli: Isha në ambulancë, por nuk pata mundësi të zhvilloj ndonjë bisedë, sepse nuk pati kushte. I njëjti më ka takuar në dy raste kur vij në ndërtesën e drejtorisë dhe më ka pyetur se përse jam ftuar, ku gjithmonë i jam përgjigjur në mënyrën më bindëse të mundshme.

Emin Roshi: Të gjithë të burgosurit janë të shitur, nga 1000 të burgosur nëse mund të gjesh një të shëndoshë.

Abdyrrahman Taravari: I shmangen të burgosurit politikë të tjerë. Mua më thotë: “Me siguri se për ardhmen tënde të sërishme këtu në Idrizovë është përgatitur nga SPB – Tetovë, që të kanë burgosur”. Unë këtë e kam vlerësuar si provokim.

– Sherefedin Agai: Për pak kohë do të lirohet nga burgu. Më pyeste se si janë kushtet për jetesë jashtë burgut, a mund të jetoj në Gostivar, a mund t’i vazhdoj studimet, ndërsa paralajmëron se do të shkojë për të jetuar në Zagreb. I thashë se mund të studiosh edhe në Shkup, sepse nuk je kompromentuar dhe nuk do të kesh ndonjë karakteristikë të keqe. Ndaj kësaj m’u përgjigj: “Të të them të drejtën, jam ruajtur bukur shumë gjatë tërë kohës sa kam qëndruar në burg”.

– Gajur Deralla: Iu shmangej kontakteve dhe diskutimeve, fliste për djalin se e donte shumë, ndërsa për çështje të tjera nuk shprehu kurrfarë diskutimi.”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X