Për ta mikluar dhe afruar me PKSH-në, E. Hoxha e ftoi Nolin për të kandiduar si deputet në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1945. Por, ai nuk e pranoi këtë ftesë. Noli justifikohej me “udhëtimet e kufizuara”, “pengesat” dhe shumë arsye që nuk e lejonin të kandidonte në Shqipëri. Megjithatë, ai i shkruante E. Hoxhës se: “Ju gzoni ndihmën t’ime të plotë, unë për këtë Ju siguroj, dhe mund të shërbej në fushatën tuaj elektorale me emnin t’im, tue kërkue votat për partinë tuej. Njikohsisht Ju lutem të më drejtohi shka do të mujsha me ba në këtë pikpamje”.
Hasan BELLO, Tiranë
Në historiografinë shqiptare një nga çështjet më të koklavitura është raporti i Fan Nolit me Enver Hoxhën dhe regjimin komunist, kjo për shkak se një pjesë e studiuesve përpiqen që ta fshehin, ndërsa nostalgjikët dhe ekstremistët e komunizmit e amplifikojnë. Por, si kanë qenë në të vërtetë marrëdhëniet e tij me diktatorin dhe regjimin komunist? A kanë qenë ato konstante, të sinqerta apo të kushtëzuara nga momentet e vështira që po kalonte çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare? Po vetë regjimi komunist dhe ish Sigurimi i Shtetit çfarë vlerësimi kishin për Fan Nolin? Këtyre pyetjeve do të përpiqemi t`u japim përgjigje, duke u mbështetur në arkivat dhe dokumentet relevante.
* * *
Raportet e Fan Nolit me regjimin komunist u kushtëzuan nga rrethanat politike në të cilat u gjend shteti shqiptar në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Më 2 dhjetor 1944, Kisha Ortodokse Shqiptare në New York, së bashku me Federatën “Vatra” dhe organizata të tjera, i drejtuan Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Edward Stettinius, një telegram ku i bënin thirrje: së pari, t’i akordonte njohjen zyrtare qeverisë shqiptare të krijuar në Berat nën drejtimin e gjeneral kolonel Enver Hoxhës; së dyti, të lejohej që kjo qeveri të dërgonte përfaqësues në kryeqytetet e Kombeve të Bashkuara për të paraqitur dëshirat dhe nevojat e popullit shqiptar; së treti, kjo qeveri të ftohej për të dërguar përfaqësues në Konferencën e ardhshme të Paqes, si dhe në konferencat e tjera të Kombeve të Bashkuara; së katërti, të ndalohej copëtimi i Shqipërisë nga fqinjët më të fuqishëm dhe të garantohej pavarësia dhe integriteti territorial i saj; së fundmi, të lejohej dërgimi menjëherë i ushqimeve, rrobave dhe barnave në Shqipëri, e cila kishte vuajtur nga agresioni italian dhe gjerman. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, SHBA-ja i kishte vendosur qeverisë shqiptare disa kushte, një prej të cilave ishte njohja e traktateve që ishin nënshkruar para vitit 1939.
Në këtë periudhë F. Noli dhe Federata “Vatra” do të vijojnë përpjekjet që Shqipëria të anëtarësohej në organizatat ndërkombëtare. Kështu, në mars të vitit 1945, kishat shqiptare në SHBA, të cilat ishin nën drejtimin e Nolit, do t`i kërkojnë Roosevelt-it, Churchill-it dhe Stalinit që edhe Shqipëria të merrte pjesë në Konferencën e San Franciskos. Në telegramin e botuar në gazetën “Dielli”, Peshkopata Shqiptare shkruante se ishte e bindur që E. Hoxha përbënte një garanci për një qeveri demokratike, sipas parimeve të Kombeve të Bashkuara. Por, Departamenti i Shtetit iu përgjigj negativisht përpjekjeve për njohjen e qeverisë shqiptare dhe për ftesën e saj në Konferencën e San Franciskos. Megjithatë, si Federata “Vatra”, ashtu dhe Peshkopata Shqiptare, e vijuan fushatën. Në prill të vitit 1945, Peshkopata dhe dega e saj në Georgia i dërguan një telegram tjetër presidentit Roosevelt. Sipas tyre, mospranimi i Shqipërisë në këtë konferencë do të ishte një padrejtësi e madhe që i bëhej një kombi, i cili kishte luftuar dhe ishte çliruar pa asnjë ndihmë nga ndonjë shtet tjetër. Aq më tepër që në këtë konferencë merrnin pjesë shtete të cilat nuk kishin kontribuar fare në LDB.
Qëndrimin e ftohtë që mbante Departamenti i Shtetit ndaj E. Hoxhës dhe regjimit komunist, në meshat e tij, Noli përpiqej ta interpretonte si një fazë kalimtare. Ai shprehte bindjen se së shpejti SHBA-ja do të ndryshonin qëndrim.
Pas dështimit të qeverisë komuniste për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos, Noli i dërgoi një letër ngushëlluese E. Hoxhës, ku shprehte besnikërinë ndaj regjimit të ri, krenarinë që ai dhe vatranët ndienin për Shqipërinë dhe për përparimet e mëdha që ajo kishte arritur pa asnjë ndihmë. Noli vijoi të mbështeste pa kushte qeverinë komuniste në orientimin e saj të plotë drejt Jugosllavisë. Në këtë periudhë përpjekjet e Nolit u përqendruan në njohjen ndërkombëtare të qeverisë së E. Hoxhës. Ai do të nxisë kishat ortodokse që t’u dërgonin telegrame SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik. Përpjekjet e Nolit dhe kishave shqiptare kishin një arsye objektive. Ato u trembeshin pretendimeve greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, ku ishte përqendruar pjesa dërrmuese e shqiptarëve ortodoksë.
Për ta mikluar dhe afruar me PKSH-në, E. Hoxha e ftoi Nolin për të kandiduar si deputet në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1945. Por, ai nuk e pranoi këtë ftesë. Noli justifikohej me “udhëtimet e kufizuara”, “pengesat” dhe shumë arsye që nuk e lejonin të kandidonte në Shqipëri. Megjithatë, ai i shkruante E. Hoxhës se: “Ju gzoni ndihmën t’ime të plotë, unë për këtë Ju siguroj, dhe mund të shërbej në fushatën tuaj elektorale me emnin t’im, tue kërkue votat për partinë tuej. Njikohsisht Ju lutem të më drejtohi shka do të mujsha me ba në këtë pikpamje”. Në këtë periudhë Noli do t`i drejtojë E. Hoxhës dhe qeverisë shqiptare dy kërkesa, të cilat do të bëhen shkak që tek ai të lindnin dyshimet serioze për regjimin komunist: e para, ai kërkoi nga qeveria dhe kryepeshkopi Kristofor Kissi, që Kisha Ortodokse Shqiptare në SHBA të vihej nën juridiksionin e KOASh-it, e dyta, që trupi i mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, Faik Konicës, sipas amanetit që kishte marrë përsipër, të varrosej në Shqipëri. Por, as njëra dhe as tjetra kërkesë nuk do të realizohen.
Qeveria e E. Hoxhës u përpoq që koloninë shqiptare në SHBA ta përdorte në funksion të agjendës së vet politike. Këtu nuk bënte përjashtim as Noli. Kontradiktat që ai kishte me Kostandin Çekrezin dhe organizatën “Shqipëria e Lirë”, në vend që të sheshoheshin, pati përpjekje për t`i thelluar më tepër.
Megjithatë, Noli e shprehte hapur simpatinë ndaj regjimit komunist. Në emër të konventës vjetore të Kishave Ortodokse Shqiptare në Amerikë, të mbajtur më 24 shkurt në Boston, ai i dërgoi përshëndetje të përzemërta dhe shprehte admirim për qeverinë e E. Hoxhës. Por, nga ana tjetër, ai nuk do të hezitojë që këtij të fundit t’i kërkojë shpjegime lidhur me taksën e lartë doganore për ndihmat që emigrantët e SHBA-së u dërgonin familjarëve në Shqipëri.
Noli do të japë një kontribut të madh për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB. Ai do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme duke u drejtuar letra dhe kërkesa personaliteteve të njohura të kohës. Për këtë qëllim, Noli do të takohet me senatorë dhe drejtues të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit.
Në këtë periudhë do të nisin edhe çarjet e para mes tij dhe regjimit komunist. Në një telegram drejtuar Hysni Kapos, ai kërkonte që t’i transmetohej kryeministrit E. Hoxha se nga takimet dhe bisedat që kishte pasur në Departamentin e Shtetit kishte arritur në përfundimin se një nga kushtet e panegociueshme të qeverisë amerikane ishte njohja e traktateve, që ajo kishte nënshkruar me shtetin shqiptar para vitit 1944. Për shkak të pozitës delikate të qeverisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, shqyrtimit të kërkesës që ajo kishte bërë për t’u anëtarësuar në OKB dhe pretendimeve greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, Noli i sugjeronte E. Hoxhës të pranonte menjëherë kushtet e vendosura nga SHBA-ja. Kjo, sipas tij, do të sillte njohjen e qeverisë shqiptare, anëtarësimin e Shqipërisë në OKB dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë nga pretendimet greke. Por, orientimi i gabuar i politikës së jashtme që ndiqte E. Hoxha nën ndikimin e jugosllavëve bëri që zgjidhja e propozuar nga Noli të refuzohej dhe që anëtarësimi i Shqipërisë në OKB të zgjaste për gati dhjetë vjet.
Noli mbeti shumë i fyer edhe nga kryetari i delegacionit shqiptar Tuk Jakova, i cili për të vendosur kontakte me diasporën dhe zyrtarë të ndryshëm do të qëndrojë për disa ditë në SHBA. Gjatë takimeve që do të zhvillojë me këtë delegacion, Noli do të kuptojë inkompetencën e tyre për të zgjidhur çështje kaq delikate. Në një letër drejtuar E. Hoxhës, ai ankohej se në letrën e lamtumirës që Tuk Jakova kishte botuar më 18 shtator 1946 në gazetën “Dielli”, i kishte hapur luftë atij me disa akuza dhe insinuata të shëmtuara. Por, ai kishte vendosur që për të mos dëmtuar qeverinë shqiptare derisa të kalonte kriza e njohjes ndërkombëtare, të mos përgjigjej publikisht. Megjithatë, ai përshkruan disa nga të metat kryesore. “Për të nisur, koloneli nuk di shqip, as gegërisht dhe as toskërisht. Në çdo dialekt që i flisnja ai nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriti në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur çpërblim, as ndonjë memuriet (nënpunësi – H.B.). Po ai më shikonte shtrembër, me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për kolonelin, se kolonelët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij saqë ai nuk i përfillte fare”.
Dyshimet e Tuk Jakovës ndaj Nolit ishin pasqyruar edhe gjatë takimeve e bisedimeve që ata kishin zhvilluar me personalitete të njohura. Pavarësisht këtyre problemeve, Noli i shkruante E. Hoxhës se nuk do ta ndryshonte qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare. Por, nuk hezitoi t`i kërkonte se nëse dëshironte bashkëpunimin e tij, duhej të dërgonte një njeri që të kishte besim tek ai dhe të paktën të dinte gjuhën shqipe. Për të mirën e punës kryetari i delegacionit shqiptar ishte mirë të dinte edhe gjuhën angleze. Ndërsa për marrëdhëniet mes dy vendeve, i cili ishte edhe kyçi i problemeve me Uashingtonin, Noli shprehet se “U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo tani është vetëm një çështje pa rëndësi praktike”. Kjo, sipas tij, do të zgjidhte edhe raportet me Kryqin e Kuq Amerikan dhe çështjen e ndihmave që ai ofronte për vendet e popujt e sapodalë nga lufta. Në përfundim të kësaj letre, Noli i shkruan E. Hoxhës se Tuk Jakova, duke i shpallur luftë publikisht, kishte harruar se ishte përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe njerëzit kujtonin se deklaratat e tij përfaqësonin një qëndrim zyrtar. Prandaj, ai kërkonte nga E. Hoxha që ta këshillonte Tuk Jakovën që të tërhiqte të gjitha akuzat ose, në të kundërtën, ai do të detyrohej të arrinte në konkluzionin se të gjitha ato aprovoheshin edhe nga qeveria, duke bërë që bashkëpunimi i tij me të të merrte fund.
Në një letër që E. Hoxha i dërgoi Nolit dhe Jon Nasses-it lidhur me njohjen e qeverisë së tij nga SHBA-ja, ai shkruan për qëllimin që regjimi komunist kishte për të forcuar lidhjet e vjetra të miqësisë që kishin ekzistuar me popullin amerikan, kjo pavarësisht pengesave të vendosura nga funksionarët e saj në Shqipëri. Sipas tij, kushti i vendosur nga SHBA-ja për ta njohur qeverinë shqiptare e kishte befasuar. Ai e konsideronte atë të dhimbshëm dhe si një mohim të sovranitetit e së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar. E. Hoxha e argumentonte këtë me vendimet e Kongresit të Përmetit, të cilat i anulonin të gjitha traktatet e lidhura me qeveritë e huaja. Për sa u përket traktateve me SHBA-në, ai shprehej se “ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi gjithmonë të gatshëm t’i rishqyrtojmë dhe analizojmë ato dhe, në përputhje me frymën e miqësisë dhe barazisë, të lidhim traktate të reja në interes të të dy vendeve pas njohjes së qeverisë sonë”. Në një letër tjetër ai kritikon qëndrimin e disa organeve të shtypit amerikan dhe disa personaliteteve të këtij shteti ndaj pretendimeve greke për Shqipërinë e Jugut.
Një aspekt tjetër që do të kushtëzojë marrëdhëniet e Nolit me regjimin komunist është çështja e kishës. Noli, si kryetar i Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale në Amerikë, do t`i shkruajë tri herë me radhë Hirësisë së Tij, peshkop Kissit. Ai kërkonte që ajo të futej nën juridiksionin e Sinodit Ortodoks të Shqipërisë, për t`i shpëtuar kështu propagandës greke që nëpërmjet Patrikanës së Stambollit synonte ta merrte vetë nën administrim. Por, pavarësisht nga rezolucioni i posaçëm i Kongresit të Tretë të KOASH-it, që shprehej me entuziazëm për këtë vendim, ai do të marrë një përgjigje evazive nga kryepeshkop Kissi. Kjo sigurisht që nuk mund të bëhej pa diktatin e E. Hoxhës.
Regjimi komunist u përpoq ta shfrytëzonte ndikimin që Noli kishte te shqiptarët e Amerikës. Por, në të vërtetë ai nuk kishte besim tek ai. Kjo vihet re nga udhëzimi i MPJ-së drejtuar legatës shqiptare në Paris lidhur me qëndrimin që duhej të mbante ndaj kolonisë shqiptare në SHBA dhe Federatës “Vatra”. “Ne, – theksohet në këtë udhëzim, – e njohim punën e tij dhe prandaj nuk kemi ndonjë garanci të madhe tek ai por, me qëndrimin që ka mbajtur deri më sot, nuk duhet të shtyhet në prehrin e armiqve”.
Për shkak të kritikave që gazeta “Dielli” do të botojë herë pas here kundër regjimit komunist, E. Hoxha dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme do ta konsiderojnë Nolin si kundërshtar politik. Kjo vihet re nga vendimi i Drejtorisë së Zbulimit Politik të Sigurimit të Shtetit për riçeljen e dosjes formulare, ndjekjen dhe përpunimin e informacioneve lidhur me Nolin. Në biografinë e tij, të hartuar nga oficerët e Sigurimit, thuhet se ndërsa më parë ai fliste dhe shkruante mirë për pushtetin dhe udhëheqësit komunistë, kohët e fundit nuk ndihej fare. Sipas tyre, kjo shpjegohej nga ndërhyrjet që duhej të kishte bërë Departamenti i Shtetit, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, nga ndikimi i emigrantëve politikë të arratisur në Itali dhe disa shokëve të tij brenda Shqipërisë, si Kol Kuqali, Kostë Boshnjaku etj., të cilët i kishin dërguar letra informuese për situatën e vështirë. Për këto arsye, Noli nuk konsiderohej më mik i “pushtetit popullor” dhe se kishte kaluar në “prehërin e politikës reaksionare amerikane”.
Megjithatë, në aspektin formal, përfaqësuesit e Shqipërisë në OKB përpiqeshin t’i ruanin kontaktet me Nolin. Reis Malile i raportonte MPJ-së lidhur me një bisedë që kishte pasur me të për fatin e Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, kjo për shkak se pas vdekjes së tij kisha në fjalë mund të binte në duart e grekëve. Prandaj Noli kërkonte nga qeveria dhe kisha shqiptare që të dërgonte një ose dy priftërinj. Ai kishte ndërmend ta shkruante edhe historinë e kishës shqiptare të SHBA-së, për çfarë i kërkonte nga KOASH-i këto materiale:
- Fotografi dhe të dhëna biografike të Sinodit të Parë, të Dytë dhe të Tretë të Kishës Ortodokse Shqiptare;
- Dekretin e Patrikanës së Stambollit mbi themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare;
- Kanunoren e parë dhe të tanishmen të kishës shqiptare;
ç) Kanunoren historike dhe fotografi të kishës katolike dhe sekteve muhamedane.
Në qershor të vitit 1958, drejtori i Zbulimit Politik i Sigurimit të Shtetit, gjeneral Zoi Themeli, përpiloi një relacion lidhur me qëndrimin dhe veprimtarinë e Nolit në SHBA. Në këtë kuadër, duke marrë parasysh gjendjen dhe pleqërinë e tij, influencën që ai kishte në koloni, kërkesën për të dërguar priftërinj në Amerikë dhe, me qëllim që ta shkëpusnin nga organizata “Vatra” dhe ta shfrytëzonin për interesin e tyre, ai propozonte:
“Do të jetë mirë që ai të thirret në mënyrë zyrtare nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve të vendit tonë ose ndonji institucion tjetër e të vizitojë Shqipërinë;
Në rast se nuk do të bindet në këtë mënyrë, të ngarkohet një nga shokët tanë të bisedojë personalisht me të dhe, duke i folur nga ana patriotike, ta bindë të vijë në Atdhe për të kaluar ditët e pleqërisë;
Në çdo formë që të vijë në Shqipëri, do të jetë mirë që të bindet të qëndrojë këtu përgjithnjë;
Sipas mendimit tonë, në rast se do të arrijmë që Noli të qëndrojë në vendin tonë, ne do kemi përfitime politike.”
Por, pavarësisht këtij plani, Noli nuk do të pranojë asnjë ofertë të Enver Hoxhës dhe të regjimit komunist. Madje, në një fjalim të mbajtur në gjuhën angleze, me rastin e Pashkëve, në kishën e Bostonit, ai do të theksojë mjerimin e kishave në vendet përtej “perdes së hekurt” dhe, mungesën e lirisë së fesë.
Për shkak të interesit të Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, Noli do të përpiqet të mbajë një qëndrim modus vivendi me misionin shqiptar në OKB. Në bisedat me ta, ai hiqej sikur nuk kishte asnjë informacion mbi kritikat e botuara në gazetën “Dielli” dhe për anëtarësimin në organizatën “Vatra” të personaliteteve të emigracionit politik, që vinin nga radhët e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Ky raport i dyzuar do të përshkruajë të gjithë trajektoren e marrëdhënieve që Noli kishte me Enver Hoxhën dhe regjimin komunist.