loader image
December 11, 2024

Punërat e besëve

Përpara se të shkruante traktatin politik, në vitin 1874 u vu në skenë në Teatrin Osman në Stamboll drama e Samiut “Besa ose fjala e dhënë” (Besa yahut Ahde Vefa), ku shohim se, në turqishten e kohës, që në titull autori e ka lënë qëllimisht të papërkthyer termin “besa”, për të qenë më eksplicit në konceptin e “fjalës së dhënë”. Pra, “fjala e dhënë”, që te shqiptarët emërtohet “besa”, është e një karakteri të veçantë nga fjala e dhënë në një kontekst tjetër.

Shkruan: Elton HATIBI, Tiranë

Vepra që në sytë tanë përmbush Sami Frashërin si rilindas është pa dyshim traktati politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar për herë të parë në Bukuresht më 1899. Që në titull lexuesit i parashtrohen tre kohët: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, për të mësuar nga çfarë ka kaluar, për të pasur një panoramë të mirë të realitetit dhe të detyrave që lindin për të nesërmen. Pjesa më interesante e tekstit është pikërisht e ardhmja, koha në të cilën projektohet një atdhe ideal. Samiu merr në konsideratë gjeografinë, ekonominë, burimet natyrore, zakonet dhe sjelljet e shqiptarëve etj., të cilat do ta ngjizin konceptualisht Shqipërinë e ardhme. Një kapitull interesant, tejet i rëndësishëm për garancinë e suksesit të projektit, është dhe ai i feve, “Punërat e besëve”, që shqyrton se si do të duhej organizuar jeta fetare e shqiptarëve në shtetin e tyre. “Një nga ministret, i diturisë a i gjyqit, do të ket’ edhe punërat e besëvet”. Menjëherë vërejmë se feja përkufizohet thjeshtë me termin “besë”, ngjashëm me çka quajmë “besim fetar”, sepse vetëm  “besimi” ose “besa”, ka sot një semantikë më të gjerë nga çfarë e gjejmë këtu. Termi “besë”, që i korrespondon termit “fe”, vjen si rezultat i përpjekjes për të përdorur në tekst një gjuhë sa më larg turqizmave, por në rastin e “fe”, edhe të ndikimeve të tjera në shqipe. Por, siç do ta shohim më poshtë, Sami Frashëri e përdor në dy kuptime termin “besë”, që në fakt, edhe pse për të shprehur koncepte të ndryshme, përafrojnë sa mundin në drejtim të sferës fetare.

Më herët, përpara se të shkruante traktatin politik, në vitin 1874 u vu në skenë në Teatrin Osman në Stamboll drama e Samiut “Besa ose fjala e dhënë” (Besa yahut Ahde Vefa), ku shohim se, në turqishten e kohës, që në titull autori e ka lënë qëllimisht të papërkthyer termin “besa”, për të qenë më eksplicit në konceptin e “fjalës së dhënë”. Pra, “fjala e dhënë”, që te shqiptarët emërtohet “besa”, është e një karakteri të veçantë nga fjala e dhënë në një kontekst tjetër. “Besa” ka një shenjtëri deri diku në rang bindjeje fetare, përderisa në subjektin e veprës, për shkak të “besës”, fjalës së dhënë, Fetah aga vret djalin e tij, Selfon, prej dhe në kulturën shqiptare hyri fjala “shqiptari kur jep fjalën, ther djalën”. “Besa” ose “fjala e nderit” këtu ka të bëjë me një përmasë të së drejtës. Edhe pse Fetah aga nuk e di se do të vrasë të birin kur zotohet se do të marrë hak për burrin e vrarë të Vahidesë, kombinimi i këtyre situatave përmbush një vullnet hyjnor, që nuk mund të jetë veçse i drejtë. Është drejtësia si një nga shtyllat e besimit fetar që përmbushet nga “besa” e Fetah agës, i shndërruar kështu si përfytyrim simbolik i vashës së mirënjohur symbyllur, me shpatë në njërën dorë dhe në tjetrën peshoren. Por, këtu jemi në një dramë të shkruar përpara angazhimit nacionalist të Samiut, që i prezanton publikut të metropolit osman karakterin e shqiptarit, pra të njërës ndër etnitë shekullore të perandorisë. Ndërkaq te “Shqipëria….”, të qenit “i besës”, përveç në përmasën e një konstrukti ideor etniko-kulturor, Samiu e shpërfaq atë edhe në angazhimin politik kur i analizon marrëdhëniet e shqiptarëve dhe të turqve përgjatë kohëve. “Turqitë gjetnë në shqipëtarëtë një shok të luftësë të fortë e të besës”. Pra, këtë ideal të karakterit të tyre shqiptarët e përdorën edhe në përfshirjen në jetën ushtarake dhe institucionale të Perandorisë. Për të pasur suksesin e konstatuar historik, forca e tyre duhet të bashkëshoqërohet me “besën”, një virtyt që e dallon sipas tij shqiptarin nga etnitë e tjera më pak të integruara të Perandorisë. Por, në fakt, për këtë përfshirje qytetërimore duhet dhe një lloj tjetër “bese”, ajo që ne e pamë te kapitulli që prekte “Punërat e besëve”, përshtatjen me “besimin” e sunduesit.

Diku tjetër në “Shqipëria..” Samiu përmend termin “fe”, në kuptimin e strukturës së institucionalizuar të një besimi. Kësaj radhe termi “fe” është pranë termit “besë” në kuptimin e dytë që renditëm, atë të “fjalës së dhënë” ose, më saktë, “ nderit”. “A jemi shqipëtarë? Besa, feja, puna, kujdesa, dëshira jonë, mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për shqiptarinë”. Pra, Samiu sigurisht që e njeh termin “fe”, por konfondimi me termin “besë” mbase vjen si thjeshtëzim nga vetëdija njohëse e terminologjisë fetare islame, ku “fe” i korrespondon njësisë  “din”, pra një denominimi të veçantë, dhe “besë” (thjeshtësim i “besim”) termit “iman”. Këto janë terma më të qartë që do të ishin edhe më komunikues me lexuesit e kohës, por Samiu përqendrohet në termin “besë” pikërisht dhe për të përfshirë aty dhe “fenë”, strukturën e rregullave dhe të riteve, mbase për ta reduktuar të gjithën vetëm në të besuar. Këtë këmbim e shohim edhe në fillim të tekstit kur flitet për përhapjen e besimit islam mes shqiptarëve, ku sërish Samiu përdor termin “besë”. “Kështu shqiptarët kishin zënë të marrënë besën’ e tyrqet e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duart e tyrqet”. Në fjalinë më poshtë kemi sërish një koncept interesant të përdorimit të termit nga Samiu. “Po si u bënë këta zotërinjt’ e Shqipërisë, këthyerj’ e besës u shtua shumë më tepër edhe më të gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset, duke thënë tek është kordha, është besa”. Duhet ndalur tek këto dy fjali. Sipas Samiut “marrja e besës” së turqve kishte nisur përpara zotërimit të vendit nga osmanët në fillim të shekullit XV, dhe për këtë jep si të dhënë një episod nga përfshirja dhe kontributi në ushtrinë osmane të njëfarë Bajazit Pasha, një shqiptari që ndihmoi princin osman të largohej nga beteja katastrofike e Ankarasë (1402). Nuk na intereson këtu referenca e saktë ose legjendare e episodit të lartpërmendur, por përmes tij shohim pretendimin e Samiut që përhapjen e Islamit ndër shqiptar nuk ia atribuon ekskluzivisht kohës kur ata ishin subjekte të Perandorisë, por një periudhe më të hershme. Gjithashtu përmes termit tjetër “këthyerje të besës”, që i korrespondon termit të sotëm konvencional “konvertim”, Samiu tregon përthyerjen e brendshme shpirtërore të ndryshimit të artikujve të të besuarit, sesa atë që njohim si konvertim. Me konvertim, përveç ndryshimit të gjendjes shpirtërore, që është shumë intime dhe personale, njohim dhe një dimension social-kulturor, i cili në kohërat e përmendura nga Samiu përfshinte dhe atë politik. Pranimi i Islamit në qytetërimet tradicionale myslimane përveç “thyerjes” së brendshme,  përfshinte dhe deklarimin publik të besimit te autoritetet (kadiu) dhe regjistrimin burokratik si të tillë. Megjithatë, ndryshimin cilësor të gjendjes fetare Samiu e thjeshtëzon shumë kur thotë se shqiptarët “rëndonen” shpejt nga një fe (nënkupto “mërziten”): “Shqiptarët kanë këtë vetië që rëndonenë çpejt nga një besë e duan gjithënjë ta ndërojnë; si pan’ edhe që tyrqit s’u bëjnë nder atyre që s’janë në besët të tyre, s’përtuanë për të marr’ atë besë”. Por, në fjalinë e mësipërme ka dhe një të vërtetë gjithashtu të thjeshtuar kur thotë se “tyrqit s’u bëjnë nder atyre që s’janë në besët të tyre” atëherë ata morën fenë e turqve. Në këtë rast, me ndryshimin fetar, ndërtohet një marrëdhënie besimi e ndërsjellë mes autoriteteve perandorake dhe subjekteve të qeverisura. Ndryshimin fetar të shqiptarëve, me gjithë suksesin e tyre politik dhe ushtarak, Samiu nuk e sheh si epërsi të tyre ndaj të krishterëve. Qëndrimin në Krishterim të shqiptarëve në kontekstin osman ai e konsideron të barasvlefshëm në termat e nderit dhe të privilegjeve përderisa: “Po edhe ata që mbenë të krishterë, nuk’ u poshtuanë e të bëhen raje si kombet’ e tjerë, po mbajtënë armëtë e nder e tyre dhe vininë edhe këta në luftë e lëftonin bashkë me vëllezërit’ e tyre myslimanë kuntrë armiqëvet të Tyrqisë”. Sigurish këtu Samiu i referohet periudhës klasike osmane, ku popullsitë e krishtera të malësive shqiptare shpesh përfshiheshin në formacionet luftarake osmane. Megjithatë, ky konstatim i fundit sikur e tradhton disi thënien e tij që i jep hapësirë arsyes së ndryshimeve fetare: “tek është kordha, është besa”.

Këto reflektime të mendimtarit për një periudhë të hershme të gjendjes fetare të shqiptarëve në Perandorinë Osmane janë të një karakteri përshkrues, më tepër për të kaluar te e tashmja kur këto diferenca në sferën fetare kanë një potencial të fortë pengues për projektin e ardhshëm nacionalist. Ndryshimi fetar i shumicës së shqiptarëve përshkruhet si “marrje bese” (të turqve) që i përgjigjet ndryshimit të strukturës sociale dhe më tutje si “kthyerje bese” që përmban dhe kuptimin e një konvertimi shpirtëror. Megjithatë, Samiu pikërisht sepse nuk është duke shkruar një traktat për rrethanat e këtij ndryshimi fetar, nuk hyn dhe thellohet në shkaqet e tjera që prekin teologjinë, ndasitë mes kishave, pozicionin gjeografik të hapur ndaj ndikime të forta kulturore etj. Ndalimi i tij në një analizë objektive për ndryshimet fetare te shqiptarët dhe shkaqet e tyre do ta minonte në tërësi mesazhin nacionalist përbashkues të tekstit.

Për t’u kthyer te kapitulli “Punërat e besëve”, termi “besë” merr një karakter teknik. Jemi në një epokë ku idetë e iluminizmit të fundshekullit XVIII, ndikojnë gjithnjë e më shumë në filozofinë politike konceptin e një sfere publike të sekularizuar, aq më tepër kur këto autoritete tradicionale kanë ende një strukturë të fuqishme institucionale. Në “Shqipëria…”, Samiu administrimin e besimeve fetare e vendos nën autoritetin sekular të qeverisë. Sipas denominimit do të vendosen tri autoritete të larta fetare, një myfti i madh, një ekzark dhe një kryepeshkop që: “do të vështrojnë  gjithë punët e besëve”, por ministri gjithashtu “do të ketë edhe të qyrurit’ e këtyre punërave, do t’u ndihnjë edhe do t’u vështronj edhe hesapetë…”, por sigurish pa u përzier në punët thjeshtë të “besëve”. Për atë që njohim si “liri fetare” apo “liri të ndërgjegjjes” në tekst përmendet se “çdo njeri besën’ e ka për vetëhe të ti dhe kurrëkush s’ka të drejtë të shtrëngonjë tjatrinë për të besuarë një gjë a për të bërë një punë të besësë me pahir”.  Në këtë fjali kemi fërkimin kuptimor të termit kur përmenden “besë” për fe ose ritet e fesë si “punët e besësë” me termi “të besuarë”, si veprimin që kryen njeriu në ndërgjegjen e tij për të pranuar pa kushte një fenomen ose një entitet superior. Edhe në një përdorim tjetër të termit “besë” shohim që Samiu sërish i referohet fesë kur thotë “vëndet’ e besësë”, për ato tempuj ose objekte apo vende me një funksion fetar. Termi sigurisht e përcjell kuptimin e duhur, por fakti që nuk ka mbijetuar me këtë thjeshtëzim sigurish i detyrohet kuptimit më të gjerë të fjalës “besë”, që me sekularizimin e vazhdueshëm të shqiptarëve gjithnjë vjen duke u larguar nga sfera fetare. Përherë e më tepër do ta shoqërojmë si “besim fetar”, sepse ka dhe besime në gjëra të tjera, siç do të jetë ai që do të zëvendësojë fetarin gjatë viteve të komunizmit, “besimi në shkencë”.

Megjithatë do t’i kthehemi dhe një herë termit “besë” në kontekstin e “Shqipëria….”, ku Samiu na sjell një situatë tjetër referenciale. Në fund të tekstit si epilog po sjellim të plotë të tërë paragrafin që është më shumë një sintetizim i thukët i asaj që thuhet në pjesën e tretë të traktatit. “PERËNDIA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA! SHQIPËRIA, SHQIPËTARIA! Ja qëllimi ynë! Puna jon’ e shënjtuarë! Ja besa jonë! Gjith’ ata që kanë këtë qëllim, janë vëllezërit tanë! Në mest të shqipëtarëvet të vërtetë s’ka nonjë ndarje, nonjë çarje, nonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezrë, të gjithë një trup, një mëndje, një qëllim, një besë!” Në këtë proklamatë programorë që përmbyll traktatin përmendet dy herë fjala “besë”. Në vështrim të parë e shohim në kuptimin e “nderit”, por që lë të hapur dhe interpretimin infantil për “një besë” që në të ardhmen do të jetë “shqiptaria” (Puna jon’ e shënjtuarë!). Mbase kjo është ajo që mund ta konsiderojmë “fenë publike” në Shqipërinë e ardhme të Sami Frashërit, përderisa ai “punërat e besëve” në kuptimin fetar i ka rezervuar në “vëndet e besëve”: “Të parët’ e besëvet, ylemaja e priftërija vetëm me fjalë e me të mirë do të mundinë të sjellinë botënë n’udhët të besësë edhe këtë nëpër xhamit, medreset, teqet, kishat etj, e jo jashtë”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X