Përpara organizimit të Samitit në Tiranë me datë 6 dhjetor, u mendua se BE-ja e kishte kthyer Ballkanin Perëndimor në qendër të projekteve të veta zhvillimore për të parandaluar në këtë mënyrë një skenar të ngjashëm me atë të Ukrainës. Për më tepër, organizimi i këtij samiti në Tiranë ishte një demonstrim i pranisë së BE-së në një rajon të rrezikuar nga strategjitë destabilizuese të Rusisë.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Në filmin “Groundhog Day” (1993) protagonistit (Phil) i caktohet për vitin e katërt radhazi e njëjta detyrë si gazetar moti, pa arritur edhe kësaj here ta përmbushë me sukses. Si rrjedhojë e tensionit dhe pakënaqësisë së akumuluar, Phil-i zgjohet të nesërmen dhe kupton se për të nuk ka më një “të nesërme”, por një “të sotme të vazhdueshme”, Toka duket se ka ndaluar lëvizjen, koha tashmë ka ngrirë dhe atij i duhet të rijetojë të njëjtën ditë pambarimisht. Diçka e ngjashme duket se po ndodh në dialogun e Kosovës me Serbinë. Pas arritjes së marrëveshjes mbi targat dhe pasi ka zbatuar me përpikëri të gjitha propozimet e ndërkombëtarëve, pozita e shtetit të Kosovës në raport me Serbinë vijon të mbetet e njëjta. Para pak muajsh, Qeveria e Kosovës mori vendimin që banorët e komunave serbe të veriut të pajisen me targat e Republikës së Kosovës. Me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve vendimi u shty. Një muaj më parë, Presidentja Vjosa Osmani dekretoi datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për komunat serbe të veriut. Edhe kësaj here, BE vendosi ta shtyjë datën e zgjedhjeve si rezultat i përshkallëzimit të tensioneve në veri. Deri tani ajo çka mund të vihet re është se çfarëdolloj vendimi që mund të marrë shteti i Kosovës për të vendosur autoritetin e vet shtetëror në komunat serbe të veriut, nuk do të merret parasysh nga BE në mungesë të konsensusit me palën serbe. E gjithë kjo situatë ka risjellë edhe njëherë barrikadat e serbëve në komunat e veriut, sikurse ndodhi edhe në qershor të këtij viti. Pak ditë më parë, Vuçiqi deklaroi se “Barrikadat do të hiqen vetëm kur Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”. Siç duket qartë nga përshkallëzimi i situatave të fundit, pamundësia dhe mungesa e mbështetjes ndërkombëtare nga ana e shtetit të Kosovës për vendosjen e një zgjidhjeje unilaterale për mbrojtjen e sovranitetit territorial, jo vetëm që nuk po e zgjidh konfliktin, por përkundrazi është duke fuqizuar gjithnjë e më tej palën serbe. Qysh në krye të herës kur Kosova u shfaq si shtet i pavarur, e gjithë politika e jashtme e Serbisë në rajon është përqendruar në dobësimin e fuqisë institucionale të këtij shteti kundrejt pakicave serbe. Sot fuqia vepruese e shtetit të Kosovës përkundrejt pakicave serbe është shumë më e ulët nga sa pritej të ishte në vitin 2008.
Kapacitetet destabilizuese të Serbisë në rajon
Përpara organizimit të Samitit në Tiranë me datë 6 dhjetor, u mendua se BE-ja e kishte kthyer Ballkanin Perëndimor në qendër të projekteve të veta zhvillimore për të parandaluar në këtë mënyrë një skenar të ngjashëm me atë të Ukrainës. Për më tepër, organizimi i këtij samiti në Tiranë ishte një demonstrim i pranisë së BE-së në një rajon të rrezikuar nga strategjitë destabilizuese të Rusisë. Mirëpo, edhe kësaj here takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me ata të BE-së përfundoi në shtrëngim duarsh, marrëveshje formale dhe diskutime mbi reforma ekonomike dhe politike të mundshme, pa konkluduar në asgjë konkrete. Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor tundën kokat në shenjë miratimi e mandej të nesërmen të gjithë vazhduan punët e tyre si zakonisht. E, megjithatë, Samiti në Tiranë u organizua në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të luftës në Ukrainë. Ndikimi gjeostrategjik i luftës ishte aq i pranishëm, saqë deri në momentet e fundit mbeti e paqartë nëse Presidenti Vuçiq do të ishte pjesë e takimit në Tiranë. E nëse Vuçiqi nuk do të paraqitej, me shumë gjasë Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, do ta kishte bllokuar edhe pjesëmarrjen e Bosnjës në këtë samit. Në fund, BE-ja arriti ta marrë atë që synonte në organizimin e këtij samiti: praninë e të gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor, madje edhe të Serbisë dhe Bosnjës të cilët edhe njëherë rreshtohen publikisht krah perëndimit duke dënuar agresionin rus. Deklarata e vendeve të BE për denoncimin e aneksimit rus të Ukrainës u realizua “në dakordësi me liderët e Ballkanit”, çka do të thotë që Serbia dhe Bosnja iu bashkuan 4 vendeve të tjera të Ballkanit në rreshtimin e tyre kah Perëndimit. Nëse ky ishte qëllimi i vërtetë i Samitit, në pamundësi të përshpejtimit në anëtarësimin e rajonit, objektivi i BE-së mund të thuhet se u përmbush më së miri. Ndoshta mungesa e Presidentit Vuçiq do të kishte pasoja të tjera në qëndrimet e BE përkundrejt konfliktit të Serbisë me Kosovën. Megjithatë, ajo çka mund të thuhet me siguri është se vetëm pak ditë pas takimit në Tiranë, pakicat serbe në komunat e veriut të Kosovës, me mbështetjen e plotë të Serbisë, vendosën barrikadat në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së. Për rrjedhojë, vërtetë BE-ja ia doli të fitojë mbështetjen e një aleati të rëndësishëm në rajon si Serbia, por nga kjo situatë, Serbia del diplomatikisht edhe më e fuqishme, çka i sjell një avantazh të dukshëm në arritjen e objektivit për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Republikën e Kosovës. Sigurisht që ky sukses diplomatik i Serbisë nuk do të realizohej nëse qëndrimi i BE mbi konfliktin Serbi-Kosovë nuk do të ishte ai i ndërmjetësit neutral. Sepse neutraliteti i BE-së është saktësisht qasja që po e bën shtetin serb të fitojë terren nëpërmjet strategjisë së vet gjeopolitike “as tërësisht pro-Perëndimit dhe as pro-Rusisë” dhe po i lë pikat kufitare të shtetit të Kosovës të bllokuara nga barrikadat serbe.
Incidentet në veri të Kosovës dhe skenari ukrainas
Më 10 dhjetor në Rudarë sulmohet njësiti i EULEX dhe Presidenti Vuçiq ashtu sikurse lideri i Republikës së Kosovës Albin Kurti të dy denoncojnë sulmin duke e konsideruar respektivisht një veprim kriminal dhe të pamatur. Të nesërmen, duke cituar rezolutën 1244 të OKB, zyrtarët e Beogradit kërcënojnë për të dërguar në Kosovë 1000 trupa për të ruajtur stabilitetin në komunat veriore me shumicë serbe. Nga ana tjetër, Kryeministri Kurti u bëri thirrje trupave të KFOR për për të parandaluar veprimtarinë e bandave kriminale që kanë bllokuar ilegalisht lëvizjen e qytetarëve. Në një intervistë për “Al Jazeera”, Florian Bieber, studiues i konflikteve etnike dhe nacionalizmit në Ballkan, i quante deklaratat kërcënuese të Vuçiqit një “show që kinse mund ta përshkallëzojë situatën, porse në të vërtetë nuk paraqet asnjë rrezik të mirëfilltë” pasi – sipas tij – Kosova është një vend që gëzon mbrojtjen e nevojshme nga trupat ndërkombëtare dhe një sulm i Serbisë do të ishte një gabim i rëndë për Vuçiqin dhe aspiratat europiane të Serbisë.
Sidoqoftë, nëse e vëzhgojmë konfliktin e Serbisë me Kosovën brenda kontekstit të agresionit rus në Ukrainë, mund të evidentohet se konflikti në Kosovë ka përftuar një përmasë krejt tjetër qysh pas muajit shkurt të këtij viti. Lufta në Ukrainë i shfaqi haptazi vështirësitë në ndërtimin e një shteti demokratik mbi baza multietnike, sidomos në rastet kur shteti fqinj ka ambicie territoriale dhe një minoritet politikisht të manovrueshëm, i cili shtrihet në pikat më delikate të shtetit që rrezikon për t’u sulmuar. Analogjia bëhet edhe më e afërt nëse përmendim faktin se në ditët tona, veç Rusisë dhe Bjellorusisë, Serbia është një ndër vendet më antiperëndimore të Europës dhe njëherësh vendi ballkanik ku ëndrra e integrimit europian gëzon shkallën më të ulët të popullaritetit. Mirëpo, nga ana tjetër, ajo çka e bën edhe më ambivalent pozicionin gjeopolitik të Serbisë, është fakti se Serbia është financiarisht e varur nga ndihma e Perëndimit. Kësisoj, pavarësisht se është i vetmi vend në Europë (përveç Bjellorusisë) që ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, strategjia e Serbisë për t’i mbajtur si të mundshme të dy alternativat antitetike, është një lojë që mund të mbahet gjallë përmes spektaklit të shovinizmit dhe kërcënimeve për rimarrjen e “atdheut që na morën”. Një strategji e cila mund të amplifikohet vetëm nëpërmjet politikave të sojit “Groundhog Day” të BE-së kundrejt Republikës së Kosovës dhe pamundësisë së një integrimi të përshpejtuar për rajonin. Tekefundit, për sa kohë pakicat serbe në Kosovë do të jenë të vetëdijshëm se jetojnë në një shtet me status ndërkombëtar të diskutueshëm dhe një të ardhme të paqartë, Beogradi për ta do të shfaqet si një zgjidhje më e shpejtë dhe e drejtpërdrejtë sesa Brukseli.