loader image
December 12, 2024

2023 – Viti i Kosovës

Viti 2023 mund të jetë viti i Kosovës. Vetëm Kosova mund ta pamundësojë këtë nëse nuk arrin ta kuptojë si duhet momentin.

Xhelal NEZIRI, Tetovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kishte pritur se pikërisht nga Franca dhe Gjermania do të vijë një propozim, i cili e detyron ta njohë faktikisht Kosovën si shtet të pavarur, kjo pasi propozimi bazohet në principin e palëve të barabarta, në principin e sovranitetit dhe në atë të vetëvendosjes. Edhe pse ky propozim nuk parashikon një njohje të drejtpërdrejtë të Kosovës, megjithatë e detyron Serbinë të ulet në tavolinën e negociatave me një palë të barabartë, së cilës duhet t’ia respektojë plotësisht sovranitetin dhe të mos ia kontestojë të drejtën e vetëvendosjes.

BE-ja e unifikuar

Ky është propozimi i parë që e vë çështjen në binarë drejt zgjidhjes. Së pari u quajt “Propozimi Franko-Gjerman” kurse së fundmi u riemërua në “Propozim Europian”. Me këtë Bashkimi Europian (BE) për herë të parë flet me një zë. Pas këtij dokumenti qëndrojnë edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, si vende anëtare që ende nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet i pavarur.

Gjermania dhe Franca, si dy vende lokomotivë të BE-së, po tentojnë ta bëjnë unionin të flasë në një zë kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Sidomos për çështje që prekin gjeografinë e kontinentit europian. Tolerimi i presidentit të Rusisë që të diktojë politikat e jashtme të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, sidomos të atyre që janë pjesë e Europës, ka shfaqur një BE të zbehtë në arenën e politikës globale. Kërcënimet e vazhdueshme ndaj vendeve baltike, provokimet konstante ndaj vendeve skandinave dhe interferimi në zgjedhjet e gati të gjitha vendeve anëtare të BE-së ishin gëlltitur shkaku i interesit pragmatik të ekonomisë europiane. Gjatë gjithë kësaj periudhe vendet e BE-së më me prioritet kishin gazin e lirë të Rusisë sesa vlerat dhe parimet mbi të cilin qëndron “rendi botëror i bazuar në rregulla”, i vendosur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Me të gjitha të metat që mund t’i ketë, ky rend botëror ka arritur të ruajë paqen duke parandaluar një luftë të re botërore, e cila do të ishte larg më shkatërruese se dy të parat shkaku i rrezikut nga përdorimi i armëve bërthamore.

BE-ja e toleroi Putinin në vitin 2013, kur ai nuk lejoi ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç, të nënshkruajë Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me Brukselin, duke e ftuar atë të udhëtojë në Moskë për të nënshkruar marrëveshjen e partneritetit strategjik me Rusinë.

BE-ja nuk ishte aq e interesuar edhe për Ballkanin Perëndimor, edhe pse kishte mekanizma ndikimi që problemet këtu të zgjidhen shumë më shpejt. Një hapësirë sa Rumania, me 18 milionë banorë dhe me gjashtë shtete, ekonomia e Ballkanit Perëndimor është kryekëput e varur nga BE-ja. BE-ja ka pjesën më të madhe të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në rajon, është tregu më i madh i ekonomive të gjashtë shteteve, destinacion kryesor i emigrantëve dhe kështu angazhon pjesën më të madhe të popullatës së aftë për punë. Por, kjo nuk reflektohej si ndikim konstruktiv politik. Lënia e këtij vakumi gjeopolitik ishte një mundësi e mirë për Rusinë, Kinën dhe vendet tjera jodemokratike që të forcojnë ndikimin pa mos shpenzuar shumë.

Pra, përveç ndikimeve brenda anëtarëve të BE-së, Putini gradualisht rriste praninë në vendet aspirantë. Lufta në Ukrainë ishte kalim në një fazë tjetër të ndikimit. Kjo esëlloi qendrat europiane se “Bota Ruse” nuk është vetëm një projekt populist i Putinit, por edhe një rrezik real për Europën. Nëse “Bota Ruse” nënkupton se shteti rus duhet të shtrihet gjithandej ku ka rusë etnik, atëherë të rrezikuara u gjetën edhe Finlanda, Estonia, Lituania dhe Letonia. Mbi 30 milionë rusë etnik ngelën jashtë Federatës Ruse pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Kosova si rrezik

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, as SHBA-ja e aq më pak BE-ja, nuk e përkëdhel më Serbinë. Brukseli tashmë ka parë rrezikun nga pasojat që mund të sjellë në Europë projekti “Bota Serbe”, si kopje e “Botës Ruse”. Për këtë shkak BE-ja e di se Serbia dhe Republika Srpska nuk janë të gatshme të marrin pjesë asnjë proces pajtimi rajonal. Termi “Botë Serbe” përdoret gjithnjë e më shumë për të legjitimuar idetë e rrezikshme për ndryshimin e kufijve të BeH, Malit të Zi dhe Kosovës. Një film tashmë që po shihet në Ukrainë, e që u pa më herët në Gjeorgji, ku më 2008 Putini me intervenim ushtarak aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkazinë, dy rajone me shumicë etnike ruse.

Tërheqja e policëve dhe serbëve etnik nga institucionet e Kosovës dhe ngritja e barrikadave në veri është një aneksim i pashpallur i kësaj pjese të Kosovës nga ana e Serbisë. Putini e përdori të njëjtën strategji kur e aneksoi Ukrainën lindore në vitin 2014, duke i armatosur rusët etnikë për “vetëmbrojtje nga agresioni i Kievit”. I tërë ky operacion është për ta pamundësuar jetësimin e Propozimit Franko-Gjerman, i cili tashmë njihet si europian, kurse me mbështetjen e plotë nga SHBA-ja mund të quhet edhe Propozim Perëndimor. Serbia tashmë është e mbështetur për muri: ose të pranojë Propozimin Perëndimor, me të cilin e njeh Kosovën si shtet tash për tash vetëm faktikisht, ose ta zgjedhë Projektin e Rusisë, që qarkullon si “Bota Serbe”, i cili implikon aneksim të veriut të Kosovës dhe luftë në rajon e Europë. Pragma e mëson të zgjedhë propozimin e parë, ndërsa emocionet – të dytin. Megjithatë, në fund të ditës, çdo vendim shtetëror përcaktohet nga interesat. Interesat e lidhin Serbinë me Perëndimin, jo me Rusinë.

Viti 2023 mund të jetë viti i Kosovës. Vetëm Kosova mund ta pamundësojë këtë nëse nuk arrin ta kuptojë si duhet momentin.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X