Aty ku më së shumti kanë dalë në pah shkathtësitë intelektuale dhe njohuritë e larmishme të Nolit në shërbim të kauzës shqiptare, janë përpjekjet e tij në garantimin ndërkombëtar të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore më 1918, kur edhe ai territor i vogël që e kishte, vazhdoi të sfidohej nga apetitet e pangopura greke dhe serbe.
Rilind DAUTI, Shkup
Jeta e Theofan Stilian Nolit është një jetë marathonomaku me larmi të jashtëzakonshme eksperiencash. E para prej tyre është vetë vendlindja jashtë Shqipërisë, por në një vend tjetër të Perandorisë Osmane, fshatin Ibrik Tepe afër kryeqytetit të parë osman në Europë. Ky fshat afër Edrenesë ishte koloni e shqiptarëve ortodoksë me prejardhje nga një katund në Shqipëri me emër oksimoronik, fshat me emrin Qytezë! Por, prej fillimit të jetës në Vilajetin e Edrenesë, jeta e Fanit do të zhvillohet edhe në shumë vende të tjera ku nuk pritet të gjesh shqiptarë. Një pjesë tepër e rëndësishme e jetës profesionale të tij u zhvillua në Bostonin e irlandezëve të ikur nga uria e patates e mesit të shekullit XIX, ndërsa fundin e jetës e priti në Floridën e kubanëve të ikur nga regjimi i Fidel Kastros pas vitit 1959. Noli u pat bërë aktor i rëndësishëm shoqëror në një kohë kur shumica e njerëzve ende udhëtonin me kalë, ndërsa fundi i jetës e gjeti dëshmitar të garës hapësinore SHBA-BRSS. Veprën e parë letrare (“Israilitë e Filistinë”) e botoi më 1907 në Boston, ndërsa po në Boston, por në vitin 1963, i kushtoi vargje elegjiake presidentit të vrarë Kenedi. (https://alb-spirit.com/2017/01/04/elegjia-qe-fan-noli-ia-kushtoi-john-kennedy-t-dhe-lidhja-e-shqiptaro-amerikaneve-me-presidentin-gjnial/)
Përpos eksperiencave të larmishme nëpër kohë e hapësirë, edhe më të jashtëzakonshme janë përvojat e Nolit në sferën profesionale. Ai ishte prift, poet, dramaturg, orator, zotërues dhe përkthyes i disa gjuhëve, historian, muzicient, madje në kohën sa ishte student në universitetin prestigjioz Harvard, kishte qenë edhe lojtar i dalluar i futbollit amerikan! (New York Times, https://www.nytimes.com/1924/09/21/archives/albania-premier-bitter-bishop-noli-startles-league-assembly-with.html).
Njohuritë në njërën, shpesh i ka shfrytëzuar në sferën tjetër. Për shembull, duke qenë prift që i dinte mirë historitë nga Bibla, këto i ka shfrytëzuar si metaforë në poezitë e tij për çështje të tjera e të frymëzuara prej ngjarjesh nga koha e tij (“Shën Pjetri në mangall”).
Shkathtësitë dhe arritjet në aq shumë disiplina janë dëshmi e kapaciteteve të mëdha mendore të tij dhe këtë kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual e ka dëshmuar edhe në disa veprime politike ose me konotacion politik. Ende duke qenë prift në moshë të re në SHBA, Noli iu bashkëngjit rezistencës ndaj ndikimit helenizues të Kishës Greke, kurse relativisht pak pas njohjes më 1913 të shtetit të pavarur shqiptar, Noli i priu procesit të arritjes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, një arritje e jashtëzakonshme për ortodoksët shqiptarë dhe me rëndësi socio-politike edhe për Shqipërinë në përgjithësi. Një arritje që ia sheh vlerën vetëm kur e krahason se si maqedonasit dhe malazezët heqin të zitë e ullirit që ta arrijnë autoqefalinë nga Kisha Ortodokse Serbe, por edhe njohjen nga bota tjetër ortodokse.
Duke qenë një patriot dhe nacionalist i madh shqiptar, që atdhedashurinë e kombinoi me arsyen e shëndoshë, kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, që aleatët ortodoksë e filluan në emër të “çlirimit të të krishterëve nga zgjedha turke”, prifti ortodoks Fan Noli ishte prej atyre që pa përtej këtij mashtrimi në dëm të të krishterëve shqiptarë dhe tërë Shqipërisë, prandaj dhe ishte ithtar i thirrjes që shqiptarët të luftojnë në anën e osmanëve dhe kundër shteteve ortodokse. Por, ky qëndrim nuk është e domosdoshme t’i atribuohet mendjemprehtësisë së Nolit, sepse nuk kërkonte shumë gjenialitet që një shqiptar i fillimit të shekullit XX, që ia donte të mirën atdheut, të jetë i vetëdijshëm se rrezik për Shqipërinë nuk janë më turqit, që po përpiqeshin të shpëtojnë çfarë mund të shpëtohet, por shtetet fqinje të krishtera me orekse ekspansioniste në tokat shqiptare. Prandaj, qëndrimin e Nolit që në Luftën e Parë Ballkanike shqiptarët të luftojnë në anën e osmanëve dhe kundër aleatëve të krishterë, e kishte edhe prifti tjetër në Boston, Naum Care, dhe ky u bë qëndrim i tërë shoqatës patriotike “Vatra”. [Buxhovi, 2012. Kosova (Perandoria Osmane), 598.]
Aty ku më së shumti kanë dalë në pah shkathtësitë intelektuale dhe njohuritë e larmishme të Nolit në shërbim të kauzës shqiptare, janë përpjekjet e tij në garantimin ndërkombëtar të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore më 1918, kur edhe ai territor i vogël që e kishte, vazhdoi të sfidohej nga apetitet e pangopura greke dhe serbe.
Sado që në rrethana dallonin shumë, kur lexon për këto aktivitete ndërkombëtare të Nolit për shtetin shqiptar, mendja nga pak të shkon te përpjekjet e Ibrahim Rugovës për lirinë e Kosovës. Pa dyshim se ky i fundit e kishte më të vështirë, ngaqë kërkonte mbështetje për krijimin e shtetit të Kosovës që nuk ekzistonte, ndërsa Noli për mbrojtjen e shtetit shqiptar tashmë të krijuar. Por, në më shumë aspekte ata kishin ngjashmëri. Të dy ishin të dhënë pas letërsisë, të dy tek të huajt e evokonin të kaluarën e lavdishme të vendit të tyre, të dy ishin intelektualë që i mahnitnin të huajt me kulturën e gjerë, të dy lobonin tek disa fuqi perëndimore, por shpresat mbi të gjitha i kishin vendosur te Amerika, dhe të dy lobonin tek të huajt përmes apelit në ndjenjën e drejtësisë. Për shembull, në memorandumin e nëntorit 1918 për presidentin amerikan Wilson dhe sekretarin e shtetit Lansing, të dërguar në emër të shqiptarëve ortodoksë të Amerikës, nënshkruar nga gjithsej 6 priftërinj, por bartës liste (dhe sipas gjitha gjasave përpilues i tekstit) ishte Fan Noli. Në të i bëhej apel SHBA-së dhe aleatëve në parimet fisnike, përmendej lashtësia e shqiptarëve, rezistenca dhe mosnënshtrimin nëpër shekuj, vuajtjet nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët, copëtimet e deritanishme të Shqipërisë, kishte kundërpërgjigje ndaj tezave të propagandës greke dhe serbe, ndërsa në tekst dalin në pah edhe njohuritë e larmishme të Nolit përpos historisë, kur arsyeton se përse viset që iu dhanë Malit të Zi, Serbisë, dhe Greqisë, në fakt, edhe gjeografikisht, i takojnë Shqipërisë. Ndërkaq, në mbrojtje kundër pretendimeve serbo-greke të mëtejshme, memorandumi thirret edhe në traktatet me të cilat u njoh (1913) dhe u konfirmua (1916&1917) Shqipëria e pavarur. (1918 Fan Noli et al.: Memorandum on Albania, http://www.albanianhistory.net/1918_Noli/index.html)
Te memorandumi në fjalë, argumenti me marrëveshjet ndërkombëtare u përmend shumë pak, por më vonë, në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1920, çështja e traktateve u bë një nga sfidat kundër subjektivitetit ndërkombëtar që kërkohej nga delegacioni shqiptar, si rezultat i Marrëveshjes së Fshehtë të Londrës e vitit 1915, sipas së cilës Shqipëria e vogël e vitit 1913 do të zvogëlohej edhe më tej në favor të Serbisë, Greqisë, dhe Italisë. Mënyra se si kryetari i delegacionit shqiptar me mjekrën më të zezë se korbi i Edgar Allan Posë e me frëngjishten e Viktor Hygosë, që e fliste me diksion që do t’ia kishin zili aktorët e shfaqjeve të Shekspirit, e mbronte kauzën shqiptare me një mënyrë që është dëshmi jo vetëm e shkathtësive oratorike të Nolit kur fliste edhe në gjuhë të huaj, por edhe dëshmi e kapacitetit të tij për të zotëruar njohuri jashtëzakonisht të larmishme kur kauzën shqiptare e mbronte me shfrytëzim tepër bindës të argumenteve nga e drejta ndërkombëtare, të asaj që më vonë (Vjenë, 1969) do të njihet si e drejta ndërkombëtare e traktateve! (Kolaneci, 2024. ALBANIA’S DIPLOMATIC JOURNEY: FAN NOLI’S ROLE IN ALBANIA’S INTERNATIONAL RECOGNITION).
Anëtarësimi i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve ishte një arritje e madhe që gjithsesi se nuk mundet që merita e tërë t’i jepet Nolit, sepse ishin në pyetje edhe faktorë të tjerë, por aktiviteti diplomatik i tij dha kontribut të rëndësishëm. Njëjtë si liria e Kosovës që nuk mund t’u atribuohet vetëm aktiviteteve ndërkombëtare të Rugovës, por pa këto aktivitete vështirë se do të vinte intervenimi amerikan që ishte vendimtar për lirinë. Kur jemi te kjo, Noli ishte pararendës i një qasjeje që shumë shqiptarë e konsiderojnë paksa nënshtruese dhe që ndoshta i fut në siklet edhe ata të cilëve u kushtohet gjesti falënderues. Nëse sot për së gjalli Tirana ka emëruar Rrugë “George W. Bush”, ndërsa Prishtina e ka Bulevardin “Bill Klinton”, qysh para një shekulli Noli vendosi që Porto Romano të riemërohet në Porti Wilson!
Shpresa te Amerika na çon edhe te një tipar i Nolit që ishte në kundërshtim me mendjemprehtësinë, në mos dinakërinë e tij, sepse në politikë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare Noli ndonjëherë paraqitet idealist i tepërt, për të mos të thënë naiv. Për shembull, duke folur për të hequrat dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve, përmes argumenteve logjike, historike, gjeografike dhe vlerave që u thanë se do të vlejnë pas Luftës së Madhe, në memorandumin e nëntorit 1918, Nolin e mbante shpresa që SHBA-ja e Wilsonit do ta përmirësojë padrejtësinë e madhe ndaj Shqipërisë, duke ia kthyer Ulqinin, Prishtinën, Shkupin, Prevezën dhe viset e tjera. Pasi që nuk u realizua ky përmirësim i padrejtësisë, por shqiptarët e këtyre anëve mbetën nën pushtimin serb dhe grek me të gjitha të këqijat që kjo i përfshinte, Noli u përpoq ta shfrytëzojë arritjen e madhe të anëtarësisë së Shqipërisë së vogël në Lidhjen e Kombeve, duke besuar sinqerisht se gjendjen shqiptarëve nën pushtetin e Beogradit dhe Athinës do ta përmirësojë ngritja e çështjes së tyre tek Lidhja e Kombeve. (Austin, 2006. Greater Albania: The Albanian State and the Question of Kosovo, 1912–2001. https://books.openedition.org/ceup/2434) Por, këto mund të ketë qenë jo aq çështje naiviteti, sa rezultat i mungesës së fuqisë politiko-ushtarake të shqiptarëve për t’i qëruar vetë hesapet me fqinjët armiqësorë, kështu që kishte shpresë të dëshpëruar në zemërmirësinë e udhëheqësve të huaj dhe vlerave që promovoheshin pas Luftës së Parë Botërore.
Një dozë shfajësimi për Nolin mund të jepet edhe për naivitetin e tij në aspektin mbase më problematik të figurës së tij dhe që i merret si mëkati më i madh (ndoshta edhe më i madh se grusht shteti i qershorit 1924 kundër qeverisë legjitime në Tiranë): simpatitë për komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik. Por, për këtë duhet pasur parasysh se, në kohën kur jetonte ai, kishte edhe shumë mendje të tjera brilante që kishin qëndrime të tilla, madje edhe pasi u patën bërë botërisht të ditura tmerret e Stalinit. Për shembull, në SHBA ka pasur më shumë shkencëtarë bërthamorë që pa kurrfarë përfitimi, por thjesht nga bindja ideologjike, shpërndanin sekrete kyçe për zhvillimin e kapaciteteve nukleare tek sovjetikët. Edhe sot çuditesh kur në SHBA, Francë dhe vendet tjera perëndimore gjen studentë të dalluar, madje edhe profesorë të universiteteve më prestigjioze, ku inkurajohet mendimi kritik, e që janë ithtarë të socializmit, komunizmit, ose edhe romantikë të Bashkimit Sovjetik!
Dhe, për fund, po e përmendim dëshminë që në mënyrë më ilustrative tregon se si idealizmi i Nolit u ndesh me realitetin politik në terren. Poezia “Anës Lumenjve” është kryevepër e pakontestueshme e letërsisë, por shpresa e shprehur për ndryshim politik pozitiv nuk ndodhi asnjëherë. “Tirani” nuk u “lebetit”, por e konsolidoi mirë pushtetin, ndërsa ndryshimi nuk ndodhi pse “mileti po gatitet”, por si rezultat i zhvillimeve në Mbretninë Shqiptare, që si nxitës kishin një faktor të jashtëm – pushtimin italian më 1939. Pastaj, kur më 1944 e morën pushtetin disa të tjerë, të parët që u dridhën ishin “beu dhe zengjini”, por shpejt e kuptuan dëmin edhe “Katundar’ e punëtorë”.
Kështu, përkundër gabimeve të tij që burimin nuk e kishin te dashakeqësia, por te mospërshtatja me realitetin socio-politik, Fan Noli prapëseprapë duhet çmuar për shumë arsye. Ai ishte i zoti në disiplina jashtëzakonisht të larmishme, ishte autor origjinal i kryeveprave të fjalës së bukur shqipe dhe po ashtu për mrekulli ishte shqipërues i kryeveprave nga gjuhët e huaja. Ishte prift patriot, që karizmën e shfrytëzoi për të orientuar bashkëbesimtarët tek më e dobishmja për interesat kombëtare. Dhe, ishte poliglot me kulturë të gjerë, që e shfrytëzoi atë për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për Shqipërinë, jo vetëm pjesën “nga Shkodra gjer në Vlorë”, por edhe “nga Ulqini në Prevezë”!