loader image
November 21, 2024

Plumbat ndaj identitetit shqiptar

Kohëve të fundit, kësaj gjurulltie iu bashkuan edhe grupe antifetare me premisa antiislame, të cilët “shpikën” një “fe” të re të quajtur “Shqiptaria” (një keqpërdorim klasik i vargjeve emblematike të Vaso Pashë Shkodranit). Mbase jo edhe aq për shkak të bindjeve të tyre antifetare, sa për shkak të ndikimeve të huaja, lëvizja e fundit që u nis në Deçan të Kosovës, provoi të sulmojë kryesisht fenë islame, por pa e vlerësuar se me këtë sulmoi mbi 90 për qind të shqiptarëve etnikë, të cilët e ndjejnë veten si besimtarë të fesë islame. Me këtë veprim, ajo lëvizje antikombëtare tentoi të fuste përçarjen mes shqiptarëve, duke gjuajtur edhe një plumb të zi në plagën tonë identitare. 

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Rilindja Kombëtare na e la trashëgim dhuratën më të çmuar që kemi sot – ndjenjën e krenarisë kombëtare si shqiptarë! Ndonëse përpjekjet për gjuhë, kulturë e identitet shkonin në thellësinë e shekujve, rilindësit ishin ata që i dhanë trajtë kësaj ndjesie të bukur.

Por, pa dyshim, se rruga deri te formësimi i këtij identiteti ishte mjaft e gjatë dhe e vështirë, e shtrirë nëpër periudha të zymta të historisë. Duke qenë bashkëkohanikë dhe në fqinjësi me qytetërime të lashta e të fuqishme, madje me përmasa ndërkontinentale, siç ishin grekët e vjetër, romakët, bizantinët e osmanët, fara jonë ose do të duhej të ngrihej në një nivel me to në ndonjë nga periudhat e historisë ose do të duhej të zhdukej fare, siç u zhdukën edhe shumë fise e popuj tjerë të lashtë gjatë rrugëtimit nëpër histori! Por, nuk ndodhi as njëra e as tjetra. Raca shqiptare mbijetoi dhe e vazhdoi frymën e mbijetesës deri në periudhën e Rilindjes, kur e mori trajtën e duhur dhe vazhdoi në bashkëkohësi, deri në kohërat tona, bashkë me luhatjet dhe pengesat që sjellin ideologjitë e ndryshme të modernitetit.

Pikëpamje mbi kombin

Ideologu kryesor i konceptit të njohur filozofik dhe historik të quajtur “Neoshqiptarizma”, Branko Merxhani, gjatë shpalosjes së ideve të tij programore iluministe në gazetën “Demokratia”, në fillim të vitit 1929, jepte përkufizime interesante lidhur me kombin. “Një komb nuk është gjë tjetër përveç se një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një kuptim shoqëror. Që të jemi shqiptarë me të vërtetë, më parë na duhet doemos një gjë: Na duhen njerëz që të thonë JAM SHQIPTAR”. Pra, identifikimi me kombin duhej të bëhej përmes ndjesisë së brendshme të individit, përmes harmonisë së tij me një shtresë më të gjerë të njerëzve me të cilët ka mirëkuptim shoqëror, me njerëz me të cilët i lidhë gjuha me të cilën ai komunikon në përditshmëri.

Brezi i intelektualëve të llojit të Merxhanit, që jetuan në periudhën e vështirë mes dy luftërave botërore, duke trasuar rrugën e rilindësve, bënin përpjekje për ngritjen e vetëdijes kombëtare në një nivel tjetër, ndërkohë që shpata e ndarjes së trojeve shqiptare në disa copa kishte lënë varrë të pashërueshme në qenësinë tonë identitare. Ardhja e sistemit komunist në shumicën e shteteve europiane dhe në Ballkan i prishi balancat që kishin nisur të shtresohen brenda etnikumit të ndarë shqiptar. Mbyllja hermetike e shtetit kombëtar të shqiptarëve me gati gjithë botën në veçanti ndikoi në mënyrë negative në zhvillimin e njëtrajtshëm arsimor e kulturor të shqiptarëve. Asimilimi i pakicave serbe-malazeze, maqedonase-bullgare, vllahe-greke e të tjera përbrenda bërthamës identitare shqiptare, për afër pesë dekada, formoi një amalgamë të pazakontë të një popullsie e cila në masë të madhe u tregua inferiore ndaj shtetit-komb dhe në momentin që iu dha mundësia të dalë nga kornizat e aparatit represiv shtetëror, ajo shpërtheu me të gjithë spektrin e saj të errët! Me prishjen e komunizmit, elementet e tilla, që me dekada u injektuan brenda identitetit shqiptar, duke punuar drejtpërdrejt për interesat e shteteve fqinje, ndër të parat nisën kafshimin dhe shkatërrimin e shtetit shqiptar nga brenda. Të tillët ishin ndër kryesorët që e sollën luftën civile të vitit 1997, kur Shqipëria u dërmua tërësisht, në vend se të rimëkëmbej me shpejtësi, në rrethana të reja në frymën e lirisë dhe demokracisë europerëndimore, duke i shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme ekonomike dhe turistike që i kishte përbrenda.

Keqpërdorimi i lirisë fetare

Nëse komunizmi krijoi një identitet të sforcuar etnik shqiptar në vija strikte ideologjike, demokracia liberale nxori në pah mungesat e mëdha në drejtim të asaj që Merxhani i quante “ndjenja, ide dhe harmoni shpirtërore në një kuptim shoqëror”.

Demokracia e riktheu lirinë e besimeve fetare bashkë me mundësinë që shtete të mëdha dhe grupe të huaja të interesit të shohin brenda shtetit shqiptar një mundësi ideale të fushëveprimit. Në shumë fshatra e qytete shqiptare u derdhën shuma të majme, duke sjellë rituale fetare e kultura të ndryshme të popujve që s’kanë të bëjnë asgjë me identitetin kombëtar shqiptar dhe traditën e lashtë fetare.

Absolutisht pa asnjëfarë kontrolli shtetëror, grupe të ndryshme të interesit, që vinin nga sekte të ndryshme religjioze (myslimane, të krishtera e të tjera), rekrutuan kryesisht shqiptarë të rinj, të cilët zakonisht nuk kishin ndonjë bekgraund familjar fetar, si pasojë e antifetarizmit që ushqeu komunizmi, ashtu që shumë shpejt ranë nën ndikimet e huaja. Kështu, brenda komunitetit mysliman u krijuan disa grupe të cilët thirren në emër të Islamit, siç u krijuan grupe të tilla edhe brenda komunitetit të krishterë (ortodoksë, katolikë e protestantë). Disa filluan, madje, të ftojnë edhe në hinduizëm. Krerët e bashkësive më të mëdha fetare nuk patën asnjëfarë kontrolli të duhur ndaj tyre, andaj në raste të shumta u krijuan grupe me prirje radikale, të cilat i sollën imazh tejet negativ shqiptarëve si komb në përgjithësi, duke sprovuar seriozisht edhe vlerat tona identitare të kultivuara me shekuj.

Kohëve të fundit, kësaj gjurulltie iu bashkuan edhe grupe antifetare me premisa antiislame, të cilët “shpikën” një “fe” të re të quajtur “Shqiptaria” (një keqpërdorim klasik i vargjeve emblematike të Vaso Pashë Shkodranit). Mbase jo edhe aq për shkak të bindjeve të tyre antifetare, sa për shkak të ndikimeve të huaja, lëvizja e fundit që u nis në Deçan të Kosovës, provoi të sulmojë kryesisht fenë islame, por pa e vlerësuar se me këtë sulmoi mbi 90 për qind të shqiptarëve etnikë, të cilët e ndjejnë veten si besimtarë të fesë islame. Me këtë veprim, ajo lëvizje antikombëtare tentoi të fuste përçarjen mes shqiptarëve, duke gjuajtur edhe një plumb të zi në plagën tonë identitare.

Rrënjëve të identitetit kombëtar

Dihet botërisht se shqiptarët janë ndër popujt më të hapur në botë jo vetëm ndaj dallimeve fetare, por janë më se tolerantë edhe ndaj dallimeve kulturore, etnike, racore e të ngjashme. E kanë të kultivuar “zotësinë e përshtatjes” si rrallë ndonjë popull tjetër në botë. Prandaj, në këtë pikë ne duhet të jemi në paqe së pari me veten tonë, pastaj dhe me të tjerët.

Në realitet, rrënjët e identitetit kombëtar të shqiptarëve, në fazat e gjata të historisë, në vija të trasha, së pari janë ushqyer me paganizëm, pastaj me Krishterim e, në fund, me Islam. Të gjitha këto kultura religjioze kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në trungun identitar shqiptar gjatë gjithë rritjes së tij. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet sot inferior ndaj asnjërës prej këtyre shtresave kulturore identitare, të cilat kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e identitetit të veçantë kombëtar shqiptar, i cili dallohet nga të gjithë popujt e tjerë të botës.

Edhe sot, pra, nuk ka kurrfarë problemi që secili shqiptar në mënyrë të lirë dhe të pavarur ta ushtrojë dhe praktikojë lirinë e besimit të tij (ose edhe të mosbesimit), meqë përpos rëndom si vlerë e trashëguar familjare, kjo paraqet edhe bindje dhe emocion personal, të cilin duhet respektuar te tjetri, pa dallim.

Përndryshe, një çështje shumë esenciale rri pezull tani e një kohë të gjatë!? Duhet të ketë qenë një lloj “mrekullie hyjnore” fakti që shqiptarët nuk u asimiluan dhe nuk u tjetërsuan në bërthamën e tyre, edhe pse u mbisunduan nga kultura, religjione dhe fuqi të mëdha perandorake për shekuj të tërë. Shqiptarët nuk u tjetërsuan tërësisht as atëherë kur nuk kishin shkronja, shkolla, mediume dhe institucione, ndërsa tani kur i kanë të gjitha, kjo gjë bëhet edhe më e pamundur! “Plumbat” që marrin nga globalizmi në rritje dhe politikat e sotme neoliberale në asnjë mënyrë nuk mund ta vrasin bërthamën e hekurt identitare të shqiptarit të shekullit njëzetenjë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X