Nëse për Serbinë marrëveshja Bruksel-Ohër nuk ekziston, atëherë ajo marrëveshje paska vdekur qysh në ditën kur lindi. Por, kush mban përgjegjësi për vdekjen e planit franko-gjerman? Është vështirë të thuash se mban përgjegjësi vetëm Serbia, kur garancitë që marrëveshja është e gjallë i dhanë njerëz me pozita shumë të larta europiane, Josep Borrelli dhe Mirosllav Llajçaku.
Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë
Deklaratat e përsëritura të Aleksandar Vuçiqit dhe të zyrtarëve të tjerë të Serbisë tregojnë se, sipas tyre, nuk ekziston një marrëveshje bazë e arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër, produkt i propozimit franko-gjerman. E jo vetëm deklaratat, por edhe veprimet e Serbisë e konfirmojnë një gjë të tillë. Serbia jo vetëm që ka folur vazhdimisht, por edhe ka vepruar kundër marrëveshjes Bruksel-Ohër. Ajo e ka sjellë ushtrinë në kufi me Kosovën, pavarësisht nenit 3 të Marrëveshjes që thotë se “Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”. Përveç kësaj, Serbia në 24 prill votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës në mbledhjen e ministrave në Strasburg. Edhe ky veprim është shkelje flagrante e marrëveshjes Bruksel-Ohër, në mënyrë specifike e nenit 4, ku thuhet troç fare se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare”. Si të mos mjaftonin këto, Serbia ka shkelur rëndë edhe nenin 2, ku thuhet se “Të dyja palët do të udhëhiqen prej synimeve dhe parimeve të përshkruara në Kartën e OKB-së, veçanërisht atyre të barazisë sovrane mes vendeve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe sovranitetit territorial”. Me rrëmbimin e tre policëve thellë brenda territorit të Kosovës, Serbia ka cënuar sovranitetin territorial të Kosovës dhe ka shkelur mbi sovranitetin dhe barazinë e Republikës së Kosovës. Nëse vërtetohet se armët e kapura në një veturë me targa Beogradi, pronësi e hekurudhave të Serbisë, janë dërguar nga shërbime të Serbisë, atëherë shkelja e integritetit territorial bëhet edhe më e rëndë.
Gjithë këto shkelje të rënda të marrëveshjes Bruksel-Ohër në më pak se tre muaj. Të gjitha të kryera prej Serbisë. Si mund të ketë marrëveshje mes dy palëve nëse njëra palë shkel kësisoj? Nëse për Serbinë marrëveshja Bruksel-Ohër nuk ekziston, atëherë ajo marrëveshje paska vdekur qysh në ditën kur lindi. Por, kush mban përgjegjësi për vdekjen e planit franko-gjerman? Është vështirë të thuash se mban përgjegjësi vetëm Serbia, kur garancitë që marrëveshja është e gjallë i dhanë njerëz me pozita shumë të larta europiane, Josep Borrelli dhe Mirosllav Llajçaku. Si në Bruksel, ashtu edhe në Ohër, Komisionari i Lartë Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, bashkë me të dërguarin e tij special, Mirosllav Llajçak, ishin në rolin e mjekut ose të mamisë që duhet të siguronte lindjen e shëndetshme të marrëveshjes – foshnjë. Ata madje garantuan se marrëveshja lindi e shëndetshme dhe se do të jetonte gjatë. Fakti që Vuçiqi qysh në mbrëmjen e Brukselit, ashtu si edhe në mbrëmjen e Ohrit e deklaroi marrëveshjen të vdekur, tregon se këta mjekë shqetësim kryesor nuk paskan patur suksesin e marrëveshjes, por komunikimin me publikun. Ata paskan dashur thjesht “të duken mirë”. Kanë shitur si sukses një punë të pasuksesshme.
Momenti kyç i dështimit të Borrellit dhe Llajçakut është kur ata e pranojnë kërkesën e Vuçiqit për të mos e nënshkruar marrëveshjen dhe pretendojnë se marrëveshja funksionon edhe pa nënshkrim. Madje, kur e kanë parë gatishmërinë e Kurtit për të nënshkruar, ata i kanë paraqitur Kurtit një letër të bardhë ku kanë kërkuar vetëm nënshkrimin e tij, gjë që do të kishte krijuar edhe më shumë asimetri, pra edhe më shumë probleme. Natyrisht që Kurti nuk ka pranuar të nënshkruajë i vetëm, por gatishmëria e tij ka qenë për të nënshkruar një kontratë me palën tjetër për të zgjidhur mosmarrëveshjet, e jo për të nënshkruar një carta blanca, që do të mund të interpretohej si kapitullim. Kështu, pra, duke toleruar kapriçiot e Vuçiqit dhe duke e lejuar atë të dalë pa nënshkruar, si në Bruksel ashtu edhe në Ohër, Borrelli me Llajçakun e vranë planin franko-gjerman. Presidenti Macron e kancelari Scholz, bashkë me këshilltarët e tyre, Bonne dhe Plottner, mund të kenë menduar se fuqia e Gjermanisë dhe e Francës do të mjaftonte për ta zgjidhur këtë problem në Ballkanin Perëndimor. Por, ja që krejt punën e tyre duket se ua hodhi poshtë një spanjoll e një sllovak.
Borrelli e Llajçaku, të vetëdijshëm për fajin që e kanë, janë duke kërkuar tani një rrugëdalje. U duhet ta shkarkojnë diku fajin. Po të thonë se faj ka vetëm Serbia, e cila po e shkel marrëveshjen, atëherë do të ishin duke pranuar edhe fajin e tyre, sepse ata ia mundësuan Serbisë të mos e nënshkruajë marrëveshjen. Po të thonë se një autokrat i kacagjelosur, si Vuçiqi, dhe një shtet i vogël Ballkanik si Serbia i ka shtënë në qorrsokak, atëherë prapë e nxjerrin veten të paaftë. Prandaj e shohin të domosdoshme që të gjejnë fajtor edhe Kosovën e Albin Kurtin. E kanë më lehtë të justifikojnë dështimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër nëse thonë se faj kanë të dyja palët.
Halli i madh që ka zënë Borrellin e Llajçakun tash nuk është pse dështoi marrëveshja, por është se Kosova, përmes Albin Kurtit, nuk po u jep mundësi që ta shpallin bashkëfajtore. Të vetëdijshëm se Kosova nuk e ka shkelur asnjërën pikë të marrëveshjes, ata po pretendojnë se shkelja e Kosovës është moskrijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, në Marrëveshjen Bruksel-Ohër dhe në aneksin e saj askund nuk shkruhet se nenet fillojnë të jenë të vlefshme pas implementimit të ndonjë Asociacioni. Aty, për veprimet që rrjedhin nga marrëveshja, thuhet se do të ketë një sekuencim të dakorduar mes palëve, ndërsa Kosova e ka dërguar një të tillë, por ende nuk ka pajtim nga pala tjetër. Megjithatë, pavarësisht se ende nuk është përcaktuar se cili do të jetë sekuencimi i hapave, nenet e marrëveshjes vlejnë dhe fakt është se Kosova nuk ka vepruar duke shkelur ose duke kundërshtuar ndonjërin prej tyre.
Mirëpo, konstruktiviteti i Kosovës sa i përket planit franko-gjerman dhe marrëveshjes Bruksel-Ohër, në vend që të pritej mirë e të mbështetej, po ballafaqohet me masa dhe kërcënime nga Borrelli e Llajçaku. Ndonëse Kosova i ka vendosur politikat e saj të jashtme dhe ato të sigurisë plotësisht në një linjë me BE-në, ndërsa Serbia absolutisht që jo, masa po merren ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë. Ndonëse Kosova i ka pranuar të gjitha kërkesat që i kanë bërë diplomatët europianë, me përjashtim të kërkesës absurde që kryetarët e komunave të dalë prej procesit zgjedhor, për të cilën nuk pati asnjë ankesë apo vërejtje nga BE-ja, të mos shkojnë në zyrat e tyre. Ndërsa Serbia ka plot kërkesa të BE-së, të cilat as që i merr parasysh, përfshi këtu edhe ato për distancim nga Rusia. Është fort e çuditshme, pra, se si mund të merren masa ndaj një vendi kaq proeuropian dhe kaq korrekt e konstruktiv sa Kosova, ndërkohë që nuk merren masa ndaj një vendi prorus, shpesh problematik, si Serbia. Edhe pa qenë fort i informuar për detajet, është e dukshme se trysnia që po i bëhet Kosovës nuk bazohet në parimet dhe vlerat që BE-ja i pretendon, siç janë demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut etj. Kjo trysni i bëhet pikërisht vendit që ka përparimin më të madh në demokraci, në luftën ndaj korrupsionit, në sundim të ligjit etj. Ndërkohë që nga trysnia europiane po shpëton Serbia e Vuçiqit, e cila prin në përkeqësimin demokratik që po përjetojnë shumë vende të rajonit.
E, pra, nevoja e Borrellit dhe e Llajçakut për ta shkarkuar një pjesë të fajit te Kosova, në mënyrë që Kurti e Vuçiqi të jenë disi bashkëpërgjegjës, e ka prodhuar këtë situatë paradoksale. Fatmirësisht, zgjedhjet europiane janë afër dhe me siguri të dy këta diplomatë do të zëvendësohen nga të tjerë. Është fatkeqësi megjithatë që mungesa e guximit dhe e sinqeritetit prej këtyre dy burokratëve ka prodhuar zgjatjen e ngërçit dhe rritjen e tensionit, teksa plani franko-gjerman ishte një mundësi vërtet e mirë për të ecur përpara të gjithë si rajon e për të përfituar të gjithë qytetarët e shoqëritë tona. Natyrisht, shpresa mbetet e gjallë. Gjermania e Franca vazhdojnë të jenë vende shumë të fuqishme, që nëse ato vendosin të bëjnë trysni atje ku duhet, pra tek pala që i prish marrëveshjet e që ka pretendime të padrejta ndaj palës tjetër, atëherë do të mund të kemi përparim të vërtetë në rajon. Nuk nevojiten marrëveshje kozmetike, por nevojitet presion ndaj Serbisë që të heqë dorë prej sjelljeve pirateske e banditeske, e që të zbatojë detyrimet e veta për një fqinjësi të mirë. Serbia nuk e ka luksin t’i thotë jo Gjermanisë e Francës. Mjafton që mesazhi i tyre të jetë i qartë e jo i spërdredhur e i manipuluar prej diplomatëve që hallin e kanë te vetja e jo te suksesi i procesit.