loader image
November 21, 2024

PISA – çfarë të mësojmë nga Singapori, Estonia dhe vendet gjermanofone?

Me korrektësi, me arsimtarë profesionalë që vetë dikur si nxënës kanë qenë të shkëlqyeshëm, me nxënës që kryejnë në mënyrë të pavarur detyrat e shtëpisë, me prindër që monitorojnë fëmijët e tyre dhe mësimet e ligjëruara nga arsimtarët, do të arrihet suksesi i merituar. Pa (frikë)nderim ndaj mësuesit/prindit nuk ka arsim cilësor për nxënësit!

Shkruan: Fitim DIKA, Dibër

Testi PISA është metoda më reale për testimin e nxënësve dhe krahasimin e tyre. Aty nxënësit testohen në lexim, shkencë dhe matematikë, ndërsa të gjitha pyetjet janë nga jeta reale. Se pse nxënësit e vendeve tona nuk mund të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre gjetkë, secili mund ta drejtojë gishtin te të tjerët, duke krijuar një “trilemë” fajësimesh mes nxënësve, arsimtarëve dhe prindërve. Ky shkrim nuk dua të jetë objekt për të gjetur fajtorin, pasi ajo që vuajmë më së tepërmi është korrektësia, kurse duke qenë mes prindit dhe arsimtarit, do të mundohemi të shtjellojmë disa cilësi të Estonisë, Zvicrës e Singaporit, për t’ia lënë më pas vetë lexuesit për të bërë krahasimet.

Singapori

Kur Singapori shpalli e pavarësinë më 1965, kishte pak miq, shumë më pak resurse natyrore, pak histori e (as)pak arsim cilësor. Si u kthye ky shtet në një ndër qendrat më të vlefshme tregtare të botës? Strategjia e kryeministrit të parë Lee Kuan Yeu, ishte “ta zhvillonte resursin e vetëm natyral të Singaporit – popullin e tij”. Sot Singapori zë vendin e parë në testimin PISA.

Trajtimi për arsim: në Singapor nxënësit nuk detyrohen të përqendrohen në sende që NUK munden. Pas një mësimi të gjatë, nxënësit singaporianë shkojnë drejt shtëpisë me mendimin në kokë “sot e kam mësuar këtë dhe kaq larg kemi shkuar me mësime”.

Më shumë konkurrencë pozitive: në Singapor ka një lloj “ndarje sistemesh”. Mësuesit e suksesshëm marrin pjesë aktive në përpilimin e materialeve të reja shkollore, normalisht kundrejt shpërblimit. Pra, në Singapor nuk ndodh “dënimi” i arsimtarëve, por shpërblimi i më të suksesshmëve.

Shkëmbimi i përvojave: në vend të seminareve, një pjesë e madhe e arsimtarëve nga Singapori udhëtojnë në shtete tjera për t’u njohur me sistemin arsimor botëror.

Shtytje përpara: Singapori nuk investon vetëm në digjitalizim, por në procese: si do ia dalim që mësuesi vërtet ta zbatojë këtë planprogram? Nuk zgjidhet gjithçka me para, përkundër që ky vend një të pestën e buxhetit shtetëror e investon në edukim.

Estonia

Të parët në Europë dhe të katërtit në botë, Estonia, shquhet për këto cilësi:

Vëmendje për të gjithë: në Estoni është një parim universal që gjatë mësimit të matematikës të gjithë nxënësit trajtohen njëlloj. Kjo do të thotë se arsimtarët të gjithë nxënësve u kushtojnë vëmendje të barabartë, ngase suksesi botëror arrihet vetëm nëse të gjithë nxënësit arrijnë rezultate të mira. Arsimtarët profesionalë luajnë rol themeltar atje.

Ndarja e nxënësve: zakonisht nëpër shkolla nxënësit ndahen nëpër klasa që kanë tempo të ndryshme të kuptimit të matematikës dhe të lëndëve tjera. Në rast se një nxënës mëson më shpejt ose më pak, atij mund t’i ndryshohet grupi.

Jo gjimnaz për të gjithë: pas mbarimit të klasës së nëntë, jo të gjithë nxënësit estonez orientohen për në gjimnaz. Ky lloj sistematizimi ka filluar në Estoni prej vitit 1990 dhe ka korrë sukses të jashtëzakonshëm: nxënësit e dobët ngatërrojnë të mirët, kurse të mirët zhvillohen edhe më shumë.

Mësime praktike: shpesh nxënësit u japin edhe detyra praktike në shkollë, sesi ata të sillen me paratë ose me programimin e robotëve.

Më shumë liri pedagogjike: arsimtari në Estoni ka liri që mund të quhet edhe si një autonomi shpjegimi. Askush nuk guxon të raportojë se çfarë mësimi jep një mësimdhënës, pasi ai është i vëtëdijshëm se çfarë duhet të bëjë. Mësuesi nuk është fëmijë i vogël që duhet të vëzhgohet. Megjithatë, ka një komunikim të dendur mes kolegëve më të vjetër me ata më të rinj për metodat mësimore.

Pushime të gjata: në Estoni mësimdhënësit nuk duhet të paraqiten në punë gjatë verës. Ata kanë plot tre muaj pushim: qershor, korrik, gusht. Në këtë kohë arsimtarët nxiten të shëtisin rreth vendit, të luajnë basketboll ose të merren me sporte të tjera. Në dimër duhet të programojnë pishinat ose saunat hotelerike. Përkundër kësaj, estonezët nuk janë të kënaqur me vendin e katërt në botë. Ata duan më shumë të punojnë për të arritur vende më të larta.

Pikat ekstreme të racës së verdhë

Në Hong Kong, Japoni, por edhe në vendet tjera ku dalin të parët në PISA, mësojnë 5-6 orë në javë matematikë, kurse në Europë mësojnë vetëm tre orë në javë, me 10-15 minuta humben derisa bëhet ndërrimi i klasës ose i profesorëve.

Zvicra/Gjermania/Austria

Përkundër asaj se Gjermania ankohet për rezultatet jo të kënaqshme në testimin e fundit PISA, ajo që vlen të theksohet nga tre shtetet gjermanofone është se detyrat matematikore nuk janë të njëjta për çdo drejtim. Matematika përshtatet për mjekësinë te nxënësit që e studiojnë mjekësinë në shkollën e mesme ose matematika përshtatet me detyra ekonomike në rast se nxënësit mësojnë në drejtimin ekonomik.

Nuk mundet që një libër matematike të jetë i përshtatshëm për të gjitha ose dy drejtime të ndryshme nga njëra-tjetra. Më konkretisht, ata që studiojnë degët e mjekësisë, i mësojnë fuqitë përmes sasisë së qelizave të gjakut, ndërsa ata që studiojnë për floktari mësojnë për gjatësinë e rritjes së flokëve brenda një dite shprehur në milimetra.

Në vend të përfundimit

Në Finlandë, Japoni, Estoni dhe Singapor përzgjedhja e mësuesit është mundësi vetëm e studentëve më të mirë dhe konkursi vëzhgohet përimtësisht. Prandaj nxënësi më pas e ka të qartë se këtu punojnë elitat që mund të japin diçka. Kjo nuk përbën rrezik për mësuesit e këtyre vendeve që marrin 100 orë plotësuese, pasi ata jetojnë me lëndën e tyre. Kjo të kujton thënien e Konfucies, që thotë “Zgjidhëni profesionin që ju shkon më së miri dhe nuk do punoni asnjë ditë në jetë!”.

Shpresë për shkollën shqiptare

Përpara gjysmë shekulli, shumica e banorëve të Singaporit nuk dinin as të shkruanin dhe as të lexonin drejt: veçanërisht banorët nga Kina, Malajzia dhe India që jetonin atje. Sot ky shtet, dikur i “botës së tretë”, është ndër qendrat kryesore financiare të botës. Me korrektësi, me arsimtarë profesionalë që vetë dikur si nxënës kanë qenë të shkëlqyeshëm, me nxënës që kryejnë në mënyrë të pavarur detyrat e shtëpisë, me prindër që monitorojnë fëmijët e tyre dhe mësimet e ligjëruara nga arsimtarët do të arrihet suksesi i merituar. Pa (frikë)nderim ndaj mësuesit/prindit nuk ka arsim cilësor për nxënësit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X