Bashkëpunëtorët ideologjikë të komunistëve jugosllavë, gjatë gjithë periudhës së luftës dhe në veçanti në përfundim të saj, në kohën e largimit të gjermanëve, filluan t’i akuzonin shqiptarët me ideologji komuniste si bashkëpunëtorë të gjermanëve, duke ua mohuar të drejtën për vendimmarrje. Madje, në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, nga tetori i vitit 1944, duke e justifikuar si luftë kinse kundër “kundër revolucionit” dhe mbeturinave të tij.
Haxhi ADEMI, Skënderaj
Procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Kosova dhe trevave verilindore, përkatësisht Maqedonisë së Veriut, filloi me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, rënien e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, përkatësisht asaj serbo-malazezo-bullgaro-greke. Dokumentet e zbuluara viteve të fundit, si dhe rezultatet e historiografisë shqiptare, hedhin dritë se, brenda vitit 1912/13, ushtritë pushtuese të lartpërmendura, sidomos ajo serbe, dëbuan me dhunë mbi 120 000 shqiptarë, pjesa dërmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise tjera të Turqisë.
Krimi dhe gjenocidi serb mbi popullsinë shqiptare, si dhe shpërngulja masive nga trojet e tyre etnike, ishte njëra ndër politikat parësore të Beogradit zyrtar, i cili synonte përmbysjen e raporteve etnike në Kosovë dhe në viset e tjera të përfshira në kuadër të Mbretërisë së Jugosllavisë. Me qëllim të arritjes së këtyre synimeve dhe për të krijuar psikozën e shpërnguljes, politika jugosllave nuk ka lënë mjet legal dhe ilegal pa përdorur me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve. Qeveritë serbe-malazeze e më vonë edhe ajo jugosllave e paraqisnin shpërnguljen e shqiptarëve jo vetëm si çështje nacionale dhe politike, por si një ndër problemet më të rëndësishme sociale dhe politike, sepse – sipas tyre – me shpërnguljen e shqiptarëve do të mund të bënin kolonizimin e një pjese të konsiderueshme të territorit të Kosovës me popullsi sllave, krejt kjo për të ndryshuar strukturën etnike në Kosovë, në të mirë të elementit sllav.
Shpërngulja e shqiptarëve nga ana e Mbretërisë së Jugosllavisë është bërë në dy mënyra: të detyrueshme nëpërmjet dhunës dhe marrëveshjeve që janë lidhur midis qeverisë serbe dhe asaj turke. Marrëveshjet me Turqinë, që kishin si qëllim kryesor shpërnguljen e popullsisë shqiptare, vazhduan edhe gjatë viteve të 30-ta të shek. XX për të vazhduar më pas dhe pas luftës së Dytë Botërore. Si rezultat i politikës së Beogradit në harkun kohor 1918-1941 nga Kosova janë shpërngulur nga 100 mijë deri në 150 mijë shqiptarë, të cilët janë vendosur kryesisht në Turqi dhe në Shqipëri. Ndërsa në tërësi nga trojet shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë në periudhën e sipërshënuar janë shpërngulur 240 mijë shqiptarë, por ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi statistikat nuk janë reale në paraqitjen e numrit total të të shpërngulurve. Por, me gjithë kundërshtitë nga pala shqiptare dhe shifrat e sipërshënuara të të shpërngulurve, Akademia e Shkencave në Beograd, shprehej jo vetëm e pakënaqur, por edhe e indinjuar për, siç shpreheshin, dështimin e shpërnguljes së shqiptarëve dhe kolonizimin e trevave të tyre. Kështu, duke kritikuar politikën afatgjatë të dëbimit të shqiptarëve, akademiku serb, Vasa Çubrilloviq më 7 mars 1937, sugjeroi mënyrën për zgjidhjen e “problemit të shqiptarëve” me pastrimin etnik të tyre. Projekti si propozim nuk ishte i pari në llojin e vet.
Por, fillimi i Luftës së Dytë Botërore i pengoi pjesërisht përpjekjet e shteti serb për ta dëbuar popullsinë shqiptare nga Kosova dhe viset tjera në Jugosllavi. Por, në të njëjtën kohë, me përfundimin e luftës dhe me largimin e forcave gjermane nga Kosova (nëntor 1944), partizanët shpallën fitore dhe intensifikuan përpjekjet për marrjen e kontrollit të plotë të territorit. Udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave filloi keqtrajtimin e shqiptarëve, duke i akuzuar si “reaksionarë dhe shovinistë”. Prandaj, nëntori shënon kalimin e pushtetit nga ai gjerman në pushtetin jugosllav-komunist.
Bashkëpunëtorët ideologjikë të komunistëve jugosllavë, gjatë gjithë periudhës së luftës dhe në veçanti në përfundim të saj, në kohën e largimit të gjermanëve, filluan t’i akuzonin shqiptarët me ideologji komuniste si bashkëpunëtorë të gjermanëve, duke ua mohuar të drejtën për vendimmarrje. Madje, në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, nga tetori i vitit 1944, duke e justifikuar si luftë kinse kundër “kundër revolucionit” dhe mbeturinave të tij.
Format e dhunës që u përdorën për fundosjen e “pushtetit popullor në Kosovë”, mbështeteshin edhe më projektin e ri antishqiptar të Vaso Çubrilloviqit: “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, të 3 nëntorit të vitit 1944. Projekt i cili parashihte spastrimin etnik të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, Fushës së Pollogut e të trevave të tjera etnike shqiptare, nëpërmjet shfarosjes dhe shpërnguljes së shqiptarëve dhe serbizimit të këtyre trevave. Nëpërmjet kësaj metode, jugosllavët u munduan të ndryshonin demografinë etnike në trojet e shqiptarëve në Jugosllavi. Për këtë qëllim, Vaso Çubrilloviqi, para udhëheqjes më të lartë të LNÇJ-së, propozoi shpërnguljen masive, sepse, sipas tij: “Zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e këtyre pakicave”. Ky “akademik”, propozonte që së pari të shpërnguleshin gjermanët, hungarezët, shqiptarët, italianët, rumunët etj., ndonëse në shënjestër ishin shqiptarët. Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve duhet të bëhej me maturi dhe taktikë. Në këtë projekt famëkeq për shqiptarët parashihej koha dhe mënyrat e veprimit sesi do të duhej të realizohej ideja e shpërnguljes masive të shqiptarëve, brenda një periudhe tejet të shkurtër. Prandaj, sipas Çubriloviqit koha më e përshtatshme për të realizuar këtë projekt ishte periudha e luftës. Pra, shpërngulja me sukses konsiderohej shfarosja fizike, ndërsa mënyra më e përshtatshme për të realizuar këtë projekt, ishte ushtria. Kjo ishte arsyeja që Çubrilloviqi propozonte që në Shtabin Qendrorë të UNÇJ-së të formohej një seksion i posaçëm për këtë çështje.
Çubrilloviqi ishte i vetëdijshëm se mënyra sesi do të duhej të realizohej ky projekt kishte kosto dhe për këtë qëllim kishte propozuar formimin e një Ministrie të veçantë ose së paku një komisariat në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, për faktin se kjo ministri kishte përvojë që nga koha e Mbretërisë së Jugosllavisë. Megjithëse, zyrtarisht nuk u publikua nga udhëheqja më e lartë partiake e shtetërore, Shtabi Suprem (SHS) i UNÇJ-së, me në krye Jozif Broz Titon dhe Aleksandër Rankoviqin, këtë elaborat e jetësuan që nga 5 dhjetori i vitit 1944, nga divizionet serbe, malazeze, maqedonase dhe Dega e Mbrojtjes Popullore (Odelenjeza Zashtitu Naroda – OZN-a) Jugosllave. Është me rendësi të vihet theksi mbi amnistinë që ju është bërë çetnikëve serbo-malazes dhe te domobranëve hervato-slloven, të aprovuar nga Kryesia e Këshillit Anti Fashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë, më 21 nëntor 1944. Ndërsa, shqiptarët ishin përjashtuar nga ANVOJ-i, dhe për më tepër ata konsideroheshin të padëshiruar, ngase ishin të destinuar për asimilim, shpërngulje dhe shfarosje.
Për të realizuar qëllimin e shpërnguljes së shqiptarëve, më 20 dhjetor 1944, Shtabi Operativ i Aradhave Partizane të UNÇ-së së Kosovës, do të lejonte në bazë të imponimit që Divizioni i 46 i Serbisë (i përbërë nga brigada 25, 26 dhe 27) të pastroj Kosovën nga elementët kundërshtar, pra nga shqiptarët. Gjithashtu, me kërkesë të Shtabit Suprem të LNÇ-së dhe AP-së të Jugosllavisë, Shtabi Operativ i Kosovës, me Urdhër nr.11 formon pesë qarqe komandimi me gjithsej 20 komanda vendore, të cilat që të gjitha do të vepronin për të pastruar terenin. Duhet thënë se fushata e ndjekjes dhe terrorit ndaj shqiptarëve mori përmasa të gjera, sidomos pas vendosjes së Administratës Ushtarake në Kosovë, më 8 shkurt – korrik 1945.
Platforma e Çubrilloviqit për spastrimin etnik të Kosovës dhe më gjerë parashikonte në thelb po atë qëndrim të Drazha Mihajloviçit, të vitit 1941. Platforma e tij gjeti mbështetje tek udhëheqja jugosllave, andaj në dimrin e vitit 1944 dhe fillimin e vitit 1945, njësitë e “nacionalçlirimtares” serbo-malazeze, bënë çarmatimin e popullsisë shqiptare të Kosovës.
Shtabi Suprem i Armatës Jugosllave (SHSAJ) kishte dhënë urdhër për mobilizimin e 30 deri 50 mijë shqiptarëve për nevojat e Armatës Jugosllave (AJ) në Jugosllavi, me qëllimin se edhe Kosova po luftonte për liri.
Por, krahas largimit nga Kosova të brigadave kosovare do të vendosen aty 40 mijë ushtarë dhe oficerë elitë, të cilët kishin për detyrë ta ndihmonin vendosjen e “pushtetit popullor”, “okupimin jugosllav të Kosovës”. Në bazë të të dhënave të historiografisë shqiptare, numri i shqiptarëve të vrarë në Jugosllavi në periudhën në fund të Luftës së Dytë Botërore, varion nga 47.000 deri në 52.000 persona,
Megjithëse, shqiptarët ishin ndër kombet më të mëdha në kuadër të Jugosllavisë, nuk u trajtuan ashtu siç e meritonin, ngase Beogradi zyrtar bënte politika favorizuese për popujt si serbët, kroatët dhe sllovenët, në dëm të popujve të tjerë, e në veçanti në dëm të popullit shqiptar. Fokusi kryesor i njësuar i diplomacisë dhe politikes së Beogradit zyrtarë ishte spastrimi etnikë i viseve shqiptare autoktone si dhe krijimi i kushteve të favorshme për vendosjen e kolonëve sllavë, mbase të inspiruar nga përvoja e shpërnguljes me anë të forcë të shqiptarëve andaj shpërngulja e tretë e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi, u bë pas vitit 1948 sidomos duke filluar nga vitet 1951-1952. Shpërngulja njihej si shkombëtarizim i Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara prej shqiptarëve, që ishte një nga qëllimet kryesore të politikës jugosllave. Qeveria jugosllave po ushtronte një politikë shkombëtarizimi përmes shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia për në Turqi. Si rezultat i politikës e terrorit gjatë viteve 1953-54, janë larguar për në Turqi nga rrethet: Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, si dhe nga fshatrat e Zhapës së Sipërme e të Koxhaxhikut të Dibrës së Madhe rreth 5 000 veta, ndërsa nga një fshat i Dibrës i quajtur Elefc i cili përbëhet prej 170 shtëpish, kanë ikur 40 familje e 20 tjera janë përgatitur për të ikur e me mijëra persona kanë ikur nga Prilepi, Manastiri, Resnja etj. Sipas studiuesit Nole Malcolm, në vitin 1953 filloi shpërngulja e përmasave të mëdha sipas raporteve, 13 mijë “turq” braktisën Jugosllavinë dhe u shpërngulën për në Turqi. Madje, sipas tij, në harkun kohor 1945 deri në vinin 1966, përafërsisht janë shpërngulur 246,000 veta, të cilët emigruan në Turqi nga mbarë Jugosllavia. Mase më shumë së gjysma ishin nga Maqedonia e Veriut.
Terrori i vitit 1956 ka tronditur shumë shqiptarët e Kosovës, sigurisht aty ka synuar dhe politika e regjimit titist prej kohësh, këtë e kanë pohuar edhe vetë të jugosllavë si p.sh. Aleksandër Rankoviqi që në vitin 1954 në një miting në Prishtinë me rastin e 10 vjetorit të formimit të brigadave kosovare thotë “Neve në Kosovë duhet të bëjmë edhe një spastrim tjetër..”.
Procesi i shkombëtarizimit të Kosovës e ndante kohën e pas Luftës së Dytë Botërore në periudha, ku secila kishte historikun e vetë dallues. Kështu, periudha pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitin 1959, karakterizohej nga kapja e atyre personave që kishin bashkëpunuar me okupatorin, likuidimi fizik i shqiptarëve me maskën e mbledhjes së armëve dhe shpërnguljen e familjeve shqiptare në Turqi. Proceset e fundit të shkombëtarizimit, kishin arritur kulmin në vitet, 1955-1957. Të dy këto procese ishin të kombinuara njëra me tjetrën, pasi në regjistrimet e vitit 1953 u hodh baza për shpërngulje mbasi shumë njerëz u detyruan të regjistroheshin si të kombësisë turke. Në këtë aspekt, dy ishin shkaqet që i detyruan shqiptarët të shpërnguleshin: a) Duke u shpërngulur për në Turqi ata shpëtonin nga torturat; b) Duke qenë me kombësi turke ata konsideroheshin si njerëz më të privilegjuar se shqiptarët.
Pra, shpërnguljet bëheshin me presione të ndryshme direkte dhe indirekte, duke i keqtrajtuar shqiptarët që të detyroheshin të iknin e për këtë qëllim, organet jugosllave përdoren të gjitha mjetet. Qeveria komuniste jugosllave që nga viti 1956/57 ndërpreu emigrimet direkte nga viset shqiptare në Turqi, por krijuan Maqedoninë e sidomos qytetin e Shkupit si qendër transitore, ku pasi kalonin një kohë, regjistroheshin si maqedonas, me kombësi turke e pastaj plotësonin dokumentet e emigrimit për në Turqi. Pas tërmetit të Shkupit (1963), u nxor një urdhëresë se në qytetin e Shkupit nuk do të lejohet të regjistrohet asnjë i huaj duke krijuar opinionin se edhe qendra ndërmjetëse e emigrimeve u prish. Në esencë ishte për efekt propagandistik, pasi nuk u sillnin as një lloj pengese. Shqiptarët pasi shpërnguleshin nga Kosova regjistroheshin si qytetarë të Republikës së Maqedonisë. Mjaftonte që, me dy dëshmitarë t’ju pranohej ndryshimi i kombësisë nga shqiptarë në turq dhe përgatisin dokumentet për emigrim në Turqi.
Së fundi, mund të themi së si pasojë e diskriminimeve dhe persekutimeve nga qeveritë komuniste jugosllave dhe i gjithë aparati shtetëror komunist -jugosllav, shqiptarët nga Kosova dhe viseve tjera qenë të detyruar të emigronin për Turqi. Ndërsa, pas viteve të ’70-ta të shek. XX, është bërë shpërndarja e emigracionit shqiptar në vendet e tjera, si në Gjermani, Belgjikë, SHBA, Australi, Argjentinë, Francë, Austri, Zvicër, Suedi, Siri, Libi, etj.