loader image
December 4, 2024

Përpjekjet e pareshtura të Beogradit për ta rrëzuar Ahmet Zogun dhe qeverinë e tij

Për të parë më për së afërmi se si u përgatit e ashtuquajtura “Lëvizja e Dukagjinit”, kur dhe në cilin vend ishte marrë vendimi për përgatitjen e saj, cilët ishin nismëtarët dhe organizatorët e saj, kush qëndronte pasa saj, çfarë programi politik ofronte ajo farë lëvizjeje, në vazhdim në mënyrë ekskluzive po i shpalosim tre dokumente që ruhen në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi 334: letrën në gjuhën shqipe dhe serbe, dërguar më 16 shkurt 1926 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd. Dom Loro Caka dhe tre bashkëpunëtorët e tij e lusin, siç do të shprehen, “Krajlin e SKS”, që t’u ofrojë ndihmë materiale e morale, për ta “përmbysur” atë “regjim” dhe Shqipërinë ta orientojnë kah Jugosllavia ose, siç do të shprehen në letër: “Shqipnija mbas gjendjes gjeografike, politike, ekonomike e kulturale asht natyrisht e lidhun me Krajlnin S.H.S”.

Qerim LITA, Shkup

Nënshkrimi i “Paktit për Miqësi” (në Tiranë më 27 nëntor 1926) dhe menjëherë më pas edhe “Pakti Aleanca e Mbrojtjes” (më 22 mars 1927) midis Shqipërisë dhe Italisë, i acaroi marrëdhëniet politike midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Mbretërore Serbo-Kroate-Sllovene. Në fakt, përkeqësimi i tyre u duk shumë më herët, kur Ahmet Zogu, refuzoi që t’i dorëzojë refugjatët politikë, të cilët ishin strehuar në Shqipëri. Autoritetet e atëhershme qeveritare të Beogradit, të pakënaqur me sjelljen e Zogut, menjëherë ndërmorën veprime për rrëzimin e tij. Për këtë qëllim ata shfrytëzuan një numër të caktuar të emigracionit politik, përfshi këtu edhe klerin katolik, si Dom Lazër Shanton, Dom Loro Cakën, Ndok Gjeleshin, Vas Kirin etj., të cilët – pas rikthimit të Ahmet Zogut në krye të shtetit shqiptar – si kundërshtarë të tij kishin gjetur strehim në Mbretërinë e SKS-së, duke u trajtuar si emigrantë politikë. Burimet jugosllave, por edhe ato shqiptare, nxjerrin në pah se ata, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e SKS-së, e organizuan Kryengritjen e Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926. Menjëherë posa u shua kryengritja në fjalë, kryetari i Parlamentit, Koço Kota, së bashku me senatorët Ibrahim Xhindi, Halid Rroji, Isuf Gjinali dhe deputetët: Hiqmet Delvina, Fiqiri Rusi, Kasam Sejdija e Halid Myftiu, përmes një telegrami, iu drejtuan bashkive dhe parisë së Shqipërisë Veriore për sa më poshtë vijon:
“Ju njoftohet se nji kryengritje rrebelsh u ba në nji vend fare të vogël të Malsis Shkodrës prej disa t’aratisunve trathtar e të poshtëm me famë me qëllim qi të zhdukshin indipedencën e Shtetit dhe Bashkimin e komit. Kryengritsit në fjalë u shtypën me nji shpejtësi vetëtime nga ana e shpëtimtarit të kombit Shkelqësis së Tij Kryetarit të Republikës sonë dhe masat e rrepta për dënimin shembullorë të shkaktarve e të përkrahësve të tyne u murrën. Bashkitë dhe parsija e vendeve me shpejti të bajnë mitinge të jashtzakonshme tue shfaqun besimin, bindjen dhe besnikrin qi kan ndaj Shkelqësin e Tij Kryetarin e Republikës e ta urojnë për masat e shpejta qi morri për shpëtimin e indipedencës Shqiptare dhe ta lajmrojnë se janë gati të nisen me urdhnin e Tij ku ta lypin nevoja. Kjo vepër duhet të kryhet sa ma parë”.
Ndërkohë, nënprefektit të Dukagjinit, Zef Leka, përmes telegramit me nr. 1454/180, të datës 13 dhjetor 1926, njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, për sa më poshtë:
“Në bazë të hetimeve të bame pregatitja e lëvizjes tradhtare të Dukagjinit asht kanë kryesue prej Bajraktarit të Shalës Lulash Prelës e të Shoshit Lulash Gjeleshit e të Mark Sadikut e Ndok Mirashit nga Shoshi. Si merret vesht këto paskan pasë nji marrveshtje të mçeftë çme kohë me taratisunit Politik Dom Loro Cakën, Ndok Gjeloshin e Vas Kirin. Qëllimi i kësaj Lëvizje ka qenë për të ndërrue formën e rregjimit të sotçëm. Taratisunit në fjalë këtë propagandë e kan prue prej Jugosllavijet e nëpërmjet të personave të përmendun sypri e hapën në popull tuj thanë se kjo lëvizje asht pregatitun në të gjith viset e Shqipnis tuj u kryesue prej kryetarit të ish Qeveris Ilegale të cilët gjinden narati dhe se në nji moment do të plasin pushka në gjith viset e Shqipnis. Pregatitja u ba në popull me nji shpejti e mjeshtri të jashtëzakonshme aq sa për tre – katër dit kjenë alarmue të gjith populli i Dukagjinit të cilët shumica si merret vesht nuk dishrojshin këtë lëvizje po tuj mos pasë kohë me mejtue u rrejtën dhe nga friga murrën pjesë. Hetimet vazhdojnë”.
Tashmë faktet e dokumentuara dëshmojnë se pretendimet territoriale të qeverisë së Mbretërisë së SKS-së (Jugosllavisë) ndaj Shqipërisë nuk do të shuhen asnjëherë, derisa ajo ekzistoi si e tillë. Për këtë qëllim, përfaqësuesit e saj diplomatikë e ushtarakë ishin të porositur që të mos lejojnë një Shqipëri të qëndrueshme e të rregulluar. Madje, për mbajtjen e një situate të tillë, qeveria jugosllave shpenzonte rreth 130.000 fr. ari në muaj, mjete të cilat ua shpërndante personave të ndryshëm, kryesisht kundërshtarë të qeverisë së Ahmet Zogut. Mbajtja e një situate të tillë në Shqipëri, për Ivo Andriqin, ishte gabimi më i madh strategjik i qeverisë jugosllave, sepse, sipas tij, e gjithë kjo ishte e pamundur të mbahej një periudhë më të gjatë. “Një Shqipëri e dobët dhe e parregulluar”, nënvizonte Andriqi në Elaboratin e tij të vitit 1939 kushtuar Shqipërisë: “në vitin 1926 kërkoi mbrojtje dhe ndihmë nga Italia”, me çka “Ahmet Zogu e mori garancinë e parë, ndërsa më pas në vitin 1927 ai pranoi ta nënshkruajë Paktin e Aleancës mbrojtëse për 20 vjet, me çka pranoi qindra e qindra miliona lira për ndërtime të ndryshme publike”.
Për të parë më për së afërmi se si u përgatit e ashtuquajtura “Lëvizja e Dukagjinit”, kur dhe në cilin vend ishte marrë vendimi për përgatitjen e saj, cilët ishin nismëtarët dhe organizatorët e saj, kush qëndronte pasa saj, çfarë programi politik ofronte ajo farë lëvizjeje, në vazhdim në mënyrë ekskluzive po i shpalosim tre dokumente që ruhen në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi 334: letrën në gjuhën shqipe dhe serbe, dërguar më 16 shkurt 1926 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd nga i ashtuquajturi grupi nismëtar për organizimin e asaj lëvizjeje, së cilës i është bashkangjitur edhe programi i fshehtë dhe programi i hapur i saj; dy letra në gjuhën shqipe, nënshkruar nga Dom Loro Caka dhe tre bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë (për fat të keq emrat e tyre nuk patëm mundësi t’i deshifrojmë), dërguar më 16 qershor 1926 MPJ të SKS-së, në të cilat ata bëjnë një elaborim të gjerë për gjendjen në Shqipëri, e cila, sipas tyre, ishte “e papërballueshme”, e që vinte si rrjedhojë e “regjimit diktatorial” të Ahmet Zogut. Nisur nga kjo, ata e lusin, siç do të shprehen, “Krajlin e SKS”, që t’u ofrojë ndihmë materiale e morale, për ta “përmbysur” atë “regjim” dhe Shqipërinë ta orientojnë kah Jugosllavia ose, siç do të shprehen në letër, “Shqipnija mbas gjendjes gjeografike, politike, ekonomike e kulturale asht natyrisht e lidhun me Krajlnin S.H.S”.
Është me interes të vihet në dukje fakti se, pas shuarjes së Kryengritjes së Dukagjinit (Shalës dhe Shoshës), qarqet e atëhershme politike e diplomatike serbo-jugosllave vendosën lidhje të ngushta edhe me një pjesë të emigracionit politik shqiptar në shtetet perëndimore, të cilët në opinionin e gjerë shqiptar përveç se njiheshin si kundërshtarë të Ahmet Zogut, njëkohësisht veten e quanin edhe si “nacionalistë” dhe udhëheqës të organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Mirëpo, dokumentet e kohës, si ato jugosllave ashtu edhe ato shqiptare, hedhin dritë se organizata “Bashkimi Kombëtar” dhe udhëheqësi i saj, Ali Klysura, kishin mbështetje të parezervë politike dhe financiare nga qeveria jugosllave. Nisur nga kjo, e pashë të arsyeshme të shpaloset projekti që anëtari i “Bashkimit Kombëtar”, Qemal Beu (shqiptar me prejardhje nga Elbasani me banim në Ankara, përndryshe mik i ngushtë i Mustafa Qemalit), ia dorëzoi të ngarkuarit me punë pranë legatës jugosllave në Ankara, M. Marinkoviq, i cili ndër të tjerash parashihte rrënimin e qeverisë së Ahmet Zogut dhe vendosjen e një qeverie kukull, e cila do të ishte dora e zgjatur e Beogradit. Dokumenti, gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi 370.

* * *
1

“Ministries së PP. t’Jashtme të Kraljnies S.H.S., Beograd
Asht nji e vërtetë e njoftun se populli kristijan e sidomos katolik ka përfaqësue gjith herë në Shqipënie iden kombëtare. Pjesa kristijane tue ruejtë të pathyem besimin e të parvet, ruejti me kët edhe ndjesiën patrjotike. Me theroriet e kuturën e tyne kristijant kjenë ata qi mbajtën në kambë moralin shqiptar.
Me shpalljen e independencës së Shqipnies elementi kristjan mprrojti në të tana mënyret iden nacjonale pa marrë para syesh asnji herë interesat e veta të veçanta krahinare e fetare. Barti qi deri sot të sundohej nga elementi mysliman.
Fryti i këtij veprimi kaq idealist i popullit kristijan kje kjo: përmbrenda në shtet t’onë nji shkelje sistematike të visevet kristijane, të shpërndamët e forcavet të tyne, eliminimi me vdekje të personave ma influente, të futunit e anmiqsiës ndërmjet të parësisë e t’inteligjencës.
Përjashta popullin kristijan e drejtuen të tregohej gjithë herë kundërshtar i fqinjëve e sidomos i krajlniës S.H.S., Shtetin shqiptar elementi mysliman qi qeverisi deri sot në Shqipnië e ka pruemun në nji gjendje kritike: muer nji fëtyrë të mërzitshme ndër qarqe të diplomaties e së mramit tue e vuemun në nji rrugë drejtë kundra interesavet ma gjallnore të shtetit S.H.S. po bahet shkak të përpihet në nji mënyrë a në nji tjetër prej anmiqvet t’onë andej detit.
Qeverrija e Ahmet Zogut i dha kulmin kësaj taktike si përmbrenda ashtu përjashta.
Populli kristijan asht zgjue: nuk duron ma drejtimin e shtetit në dorë të myslimanvet; katolikë e ortodoks kan damun mbas sodit me ba nji front të vetëm kundra këtij elementi antipatrjotik e me marrë vetë në dorë frenët e shtetit shqiptar.
Populli katolik asht tashma plotësisht i bindun se pa nji marrveshtje të sinqertë, marrëveshtje faktesh e jo fjalësh me krajlniën S.H.S. as kurrnji rezhim në Shqipnië nuk mund të konsolidohet, as ka me mujt të fitojë të drejtat e shejta të vetat. Të tanë shpëtimin e vet, shpëtimin e kombit e shpëtimin e fes, populli katolik e pret sot prej shtetit jugosllav.
Të tanë parësija katolike bashkë me popull lypë të këputet mosmarrëveshtja e mosbesimi i deritashëm ndërmjet të tyne e të krajlniës S.H.S. e të bahet nji lidhje e natyrshme e definitive.
Na të nënshkruemët t’autorizuem prej katolikvet të Shqipniës me gjetun mënyrën konkrete të nji marrveshtjes së tillë, u mblodhmë në Cetine me 7/1/926 ku përpiluemë programin e shtetit, organizimin e krishtënimit e në e mram programin për mënyrën e zbatimit.
Këto programe u dërguenë edhe u pëlqyenë prej kryetarit të Klerit në Shkodër. Këtu bashkanjitun kemi nderin t’u parashtrojmë pikat kryesore të programit t’onë të msheftë e të haptë.

Programi i msheftë
1/ Forma e shtetit: monarkië parlamentare të bazueme në fuqijën kristijane.
II/ Monarku do tjetë kristijan ortodoks prej shpies mbretnore të dinastiës Karagjorgjeviç.
III/ Krahina katolike e Shkodrës me gëzue të tana të drejtat qi mund të gëzojë nji kirahinë nën formën kantonale.

Programi i hapët

I/ Rrëzimi i formës republikane të shtetit.
II/ Të pruemit në fuqië të formës të Këshillit të Naltë përkohësisht deri sa të realizohet qëllimi i msheftë i monarkiës.
III/ rrëzimi i Shtatutit e i të gjitha vendimevet e konçesjonevet të dhanuna nga ana e Parlamentit.
IV/ Hapja e nji parlamentit të përbamun prej deputetsh të zgjedhun në mënyrë indirekte.
V/ Pranimi i përkohshëm i shtatutit të Lushnjës.
VI/ Formimi i një shtatuti të rië qi do të përgatitet prej fuqiës operative.
Kemi të gatitun në detaje edhe mënyrën se si me e realizue ketë program e jemi gadi po kje nevoja me e ndryshue mbas direktivet tuej. Ket pjesë programi kemi me ja u parashtrue at herë kur të marrim vesht mbi pikat e naltpërmenduna të kemi sigurisht se Kralj. S.H.S. ka me na ndihmue sinqerisht me e çue në vend qëllimin t’onë.

Beograd, 16. II. 926”

2
“Në qershorin e vjetit 1924 për me shpëtue nga rreziqet qi i ishin pregatitë atdheut tonë Shqipniës prej Ahmet Zogut, populli shqiptar pa ndihmën e asnji thuajit rrzoj me nji revolucjon qeverin e athershme. Ahmed Zogu i shtrënguemun me ikë prej Shqipnije erdh në tokën e Krajliës S.H.S. dhe nga gjyqi kompetent në Tiranë kje dënue për vdekje mbas akuzavet trathtije, vrrasjevet e mizorinavet gjithnduersh.
Ahmed Zogu vetëm pse i ndihmuem prej Kraljniës S.H.S. me njerëz, armë, municjonë, t’holla gjithashtu edhe me fuqiën diplomatike të sajë, mujt në fund të dhetorit 1924 me rrzue qeveriën shqiptare e me marrë vetë në dorë drejtimin e shtetit kundra vullnedit të popullit.
Me mjetet e naltpërmenduna sundimi i Ahmed Zogut i imponuem popullit shqiptar nga Kraljnija S.H.S. mujt udobisht m’u ba në Shqipnië absolut tiranik, sundim hajnash, plaçkaxhiësh, gjakpirsash qi shkretnuen krahinat ma të mirat e Shqipniës tue djegë e grabitë shpija e fise e tue vrra burat ma në za e të ndershëm.
Miqt e vërtetë të popullit shqiptar e të Kraljniës S.H.S. u gjetën në nji situatë shum të vështirë pse u kujtuenë me nji herë se Ahmed Zogu shpërdoroj qëllimin e ndihmesës miqsore qi i ishin dhanë nga ana e Kraljniës S.H.S. Në vend qi këto ndihma materjale e morale, shënjue popullit e shtetit shqiptar t’u përdorshin për përparimin, organizimin e konsolidimin e tij, ashtu edhe për përforcimin e miqsiës aq të natyrshme sa të nevojshme mjes dy fqinjvet, këto u përdorën kundra interesavet vitale të popullit e të shtetit t’onë e kundra interesavet të përbashkëta të Shtetit S.H.S. me shtetin shqiptar.
Mbasi interesat e Krajlniës S.H.S. me Shqipnië u lanë në dorën e nji njeriut t’Ahmet Zogut, ki mujt me poshtërsiën e tij të pashembullt me shpërdorë besimin e ndihmën e pashoqë e me dhelpiën e tij azjatike a mundue e po mundohet për ditë me shue miqsiën qi natyrisht lidhë popullin t’onë me Krajlniën S.H.S. tue krijue nji anmiqsië të re e të gjatë ndërmjet dy popujvet.
Nji shpërdorim kaq i ndyet qi përnjiherë trathtonte Krajlniën S.H.S. e Shqipnën nuk mujt mos me i ra në syë popullit shqiptar. Shumica e tij e kuptoj, nuk u dëshprue, hodh krejt shpresën e tij në Krajlniën S.H.S. u la të drejtohet prej sajë e për mos me i u kundërshtue dëshirës së sajë u ndalue deri tash të merrte hapa ma serjoze se vetëm ata të obstrukcjonit kundra rezhimit të soçëm edhe pse të tanë populli i ndershëm, inteligjenca, shumica e oficeravet e e ushtriës janë kundra këtij rrezhimi e gadi me ba sakrificë për me shkund ketë zgjedhë.
I bindun se Shqipnija mbas gjendjes gjeografike, politike, ekonomike e kulturale asht natyrisht e lidhun me Krajlnin S.H.S., i bindun se kjo krajlnië për të vërtetë ka qëllime të mira ndaj te, populli shqiptar ka dëshirën e plotë të bahet nji marrveshtje e lidhje reale mjes dy shteteve. Ky dëshirë e ka ndalue deri sot mos të vepronte në krye të vet.
Po sot tue pa se Krajlnija S.H.S. po përmban gjithnji, Ahmed Begun në fuqi, populli shqiptar ka mrrijtë në kulmin e dëshprimit mbasi, mbas provave dokumentare mirë të njoftuna Ministris së P. tJashtme të Krajlnis S.H.S. e deri diku përgjithësisht të tanë popullit serb, po e sheh se ka mrrijtë para këtij fakti të panershëm.
Sundimi i Ahmed Zogut në Shqipnië u ba de fakto sundim i t’hujit, i Italiës. Krejt politika shqiptare, e mbrendshme e e jashtme, drejtohet sot mbas interesavet italjane e po nuk u muarnë me të shpejt, nuk ka me kalue shum kohë qi Shqipnija e rrenueme ekonomikisht, edhe politikisht ka me ra nën zgjedhën e huaj.
Krajlnia S.H.S. e cila e vetëm pruni sundimin e Ahmed Zogut në Shqipnië, e cila po e ndihmon edhe sot direkt apo indirekt po ndalon qëdo veprim kundra këtij sundimi tue përdorë besimin e shpresën qi i ngrati popull ka vue në të, a ësht e mendjes edhe sot mbas këtyne fakteve me e përdorë në këtë mënyrë besimin e popullit shqiptar?
Populli i ynë lypë me dijt ket punë pse populli shqiptar nuk mundet, nuk guxon e nuk ka më shka me pritë! Aj ka da m’u çue në kamb kundra këtij rrezhimin tiranik e trathtuer, dhe na n’emën të popullit, pa ndryshim feje e klase, n’emën të gjith miqvet t’ue, n’emën të shumicës s’emigrantavet të ndershëm qi gjinden të shpërndamun në botë, para se me lan në vendin ku tash sa kohë kemi gëzue nji pritje kaq miqsore, ia drejtojmë krajlnis S.H.S. kët apel:
Ndihmoni popullin shqiptar të pshtojë nga ky sundim tiranik e trathtuer e të forcojnë nji sundim të ri si i dikton natyrisht gjendja e tij gjeografike, politike, ekonomike e kulturale në Ballkan. Ndihmoni popullin shqiptar të pshtojë nga zgjedha italjane.
Populli shqiptar- jo nji heri sot lypë ndihmë prej popullit vlla serb Ju qi i keni ndihmue nji personit, nji fëmiës, nji Ahmed Zogut, ndihmoni e mos përbuzni zanin e nji popullit mbarë!
Populli serb ma mirë se kurkush e din shka asht zani i popullit, qëdo me thanë zgjedhja e huaj e se nji e mirë e bamun nji populli mbarë nuk del kurr e pa dobishme, e pa nderë e nuk harrohet kurr!

Belgrad 16.VI.926 Dom Loro Caka
nënshkrimi i pa lexueshëm
nënshkrimi i pa lexueshëm
nënshkrimi i pa lexueshëm”

3
“Me 16.II.926 i kemi dorzue Ministris së PP të Jashtme të Krajlniës S.H.S. nji shkresë me të cilën e kemi njoftue shkurtazi mbi situatën e Shqipniës e mbi programin t’onë.
Për realizimin e këtij programi në Ministrin e sipërpërmendun jo vetëm qi deri tash nuk kemi gjetë kurrnji kuptim, por ma fortë ndeshmë edhe me pengime.
Ne kemi shkelë si emigranta tokën e Krajlniës S.H.S. e jo shtete të tjera me ide e të bindun se na tue pa nevojën e nji marrveshtjes të sinqertë e definitive me Krajlniën S.H.S. të punoshim për kët:
Deri tashkemi punue krejt mbas direktivës së Ministriës së PP t’Jashtme, Tue u mbajtë kësaj direktive, kemi lajmue e drejtue popullin mos me ba kurrnji veprim kundra rrezhimit të sotëm e të gjith shpresën me e sjellun kah Belgradi.
Ne çë farë situate kemi mrrijtë tue veprue mbas kësajë direktive shihet prej shkresës së bashkanjitun. Në kjoftë se edhe mbas këtij të mramit apel Krajlnija S.H.S. nuk ka me na dhanë asnji provë konkrete se asht mendimit me na ndihmue qëllimevet e nevojavet të popullit t’onë, na, për mos me gënjye rishtas popullin i cili të tanë shpresat e veta i ka sjellun në Belgrad e mos me e shkretnue fare, për mos m’u diskreditue edhe na para tij, për me mujt me zhvillue mbas sodit nji aktivitet të lirë e të koncetruem mbasi prej ktej e në këtë mënyrë nuk kem si me punue, kemi me kanë të shtrënguem në ma të shkurtën kohë me e lanë tokën e Krajl. S.H.S. me të gjith emigrantat qi jetojmë n’Jugosllavi e qi vjen me ne.
Jemi të bindun se të drejtat qi ligje ndërkombëtare u apin gjithkund emigrantavet politikë, ligje mirë të njoftuna popullit serb i cili kje shtrëngue shum herë me e provue e me e hangër bukën e idhët të mërgimit, kan mu zbatue edhe në ne emigrantat shqiptar tue na u dhanë liriën e plotë me kalue kufinin.

Belgrad 16. VI.926 Dom Loro Caka
nënshkrimi i pa lexueshëm
nënshkrimi i pa lexueshëm
nënshkrimi i pa lexueshëm”

4
“Rezervat, Proc. Nr. 375 Stamboll, 5 nëntor 1927

Zoti Ministër,
Nga bisedat e shumta që pata rastin t’i zhvilloj me deputetët e popullit, qeveritar të rëndësishëm të Turqisë, fitova përshtypjen sikur njerëzit flasin sipas një programi të hartuar enkas, sepse nga të gjithë kam dëgjuar pikëpamjet e njëjta politike, frazat e njëjta: “Ne e respektojmë dhe krenohemi me kombin serb; ne madje ju adhurojmë; ne sinqerisht dëshirojmë që Jugosllavia të jetë e fortë, më e fuqishme, pasi ajo është e vetmja në gjendje ta pengojë invazionin italian ose cilindo tjetër në Ballkan, që njëkohësisht paraqet rrezik edhe për Turqinë.
Ata, njëkohësisht, shprehën keqardhje të sinqerta që nuk e kemi pranuar propozimin e Turqisë, përkatësisht rregullimin e raporteve midis Mbretërisë sonë dhe Shqipërisë, sikurse edhe avantazhet tjera politike, që Turqia i ka kryer për vendin tonë.
Në Ankara, gjatë pranimit te kryetari i Republikës së Turqisë, rastësisht u takova me kolonelin e Shtabit të Përgjithshëm në pension, Qemal beun, me të cilin jam njoftuar që në kohën kur isha me detyrë në Korçë, gjatë vitit 1921, të cilit asaj kohe i pata kryer disa shërbime personale. Qemal beu rrjedh nga një familje e njohur shqiptare prej Elbasani, prindërit e të cilit gjatë kohës së Perandorisë Osmane kanë qenë njëfarë serdari në Ballkan. Përveç kësaj, ai është dhëndër i të njohurit Shukri Pashës, mbrojtësin e Edrenesë gjatë kohës së Luftës Ballkanike. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ai ka qenë kryeshef i Shtabit, asaj kohe kolonelit Mustafa Qemal Pashës. Ai është mik i madh dhe i ngushtë i Gazi Mustafa Qemal Pashës. Ai është në dorëheqje, pasi është i plagosur dhe nuk ka marrë pjesë në luftën çlirimtare të Mustafa Qemal Pashës – që fare nuk ka qenë pengesë që marrëdhëniet e tyre të ngelin ende të mira.
Pas mbarimit të shkollës ushtarake turke, ai ka vazhduar shkollimin në Gjermani dhe Francë dhe paraqet njeri shumë të civilizuar dhe të kulturuar. Për momentin Qemal beu është këshilltari kryesor i ushtrisë turke.
Pas një bisede të gjatë, që pata me të në shtëpinë e tij në Ankara, në lidhje me situatën e përgjithshme politike, si dhe për marrëdhëniet midis Mbretërisë sonë dhe Turqisë, Qemal beu më propozoi si më poshtë, duke nënvizuar se ne këtë ta konsiderojmë sikur kjo buron nga vet Gazi Mustafa Qemal Pasha:
1. Marrëveshje midis Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene dhe Turqisë që të pengohet invazioni i Ballkanit nga cilado fuqi që të jetë.
2. T’u ndihmohet nacionalistëve shqiptarë mbi bazën e pikës 1;
3. Që Mbretëria jonë dhe Turqia të bëjnë hapa të përbashkët te Qeveria e Francës që nacionalistëve shqiptarë t’u mundësohet qëndrimi në Francë;
4. Që përmes rrugës diplomatike të ndihmohet Qeveria shqiptare, e cila do të formohej në botën e jashtme pa grupimet e Fan Nolit e të Hasan Prishtinës;
5. Nacionalistët shqiptarë mbi supet e veta marrin përsipër që vetë ata do të punojnë në Angli, Gjermani dhe në Lidhjen e Kombeve për të marrë ndihmë diplomatike;
6. Nacionalistët shqiptarë marrin përsipër se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që për këtë çështje Gjermania të veprojë së bashku me Francën;
7. Turqia merr përsipër që ta ndihmojë Mbretërinë tonë në Bullgari dhe kundër aksioneve komite në vendin tonë.
Qemal beu më luti që përmbajtjen e mësipërme t’ia dorëzoj ambasadorit të këtushëm të Francës, z. Deshner – që edhe e kam kryer. Zoti Deshner më njoftoi se të mësipërmen do e dërgoj aty ku duhet. Ai së shpejti udhëton për Francë.
Gjithashtu, Qemal beu, më njoftoi në besimin më të plotë se ministri i tanishëm i Turqisë, Nusret beu, edhe pse është boshnjak, nuk është miku ynë, prandaj në rast të marrëveshjes, i njëjti do të ndërrohet dhe do të vendoset një njeri, i cili së bashku me ne do të punojë në Bullgari. Njëkohësisht, në besimin më të plotë, më njoftoi se Mustafa Qemal pasha është me prejardhje shqiptar nga Dibra jonë dhe se pa pëlqimin e tij nuk mundet të ndërmerret asgjë kundër regjimit të Ahmet Zogut, e gjithashtu edhe kundër vet atij.
Zoti Ministër, Ju lutem pranoni konsideratën time më të sinqertë.

Ushtrues detyre”•

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X