Paqëndrueshmëria është pasojë e mungesës së bindjes, e ranies së “aftësisë” për me përqafu nji bindje për jetën dhe vdekjen. Sa ma shumë të harrohet Zoti, aq ma shumë e harrojmë veten, aq ma e pamundur bahet rruga drejt nji bindjeje apo sigurie. Ma e shumta do kemi opinione, që i veshim dhe i heqim si teshat, në varësi të motit dhe midesë ditore.
Edison ÇERAJ, Tiranë
Nji prej vetive kryesore të modernitetit – ndoshta ma kryesorja – është paqëndrueshmëria, sepse vetë njeriu është ba i tillë, e për rrjedhojë çdo gja që ai kryen e merr përsipër është e paqëndrueshme, jetëshkurtër, stinore.
Tashma mund të themi se po përjetojmë e po provojmë nji paqëndrueshmëri të qëndrueshme.
Aq tipike është paqëndrueshmëria, saqë Sontag thoshte para shumë vitesh: “Duket sikur çdo gja ekziston për me përfundu në nji fotografi” dhe fotografia është kaq efemere. Vetë shpikja e fotografisë është nji shenjë tipike e periudhës moderne në industrinë e kulturës pamore dhe atë të argëtimit.
“Shoqëria bashkëkohore jeton e zhytur dhe e mbingarkuar nga një likuiditet që e bën botën të ndryshueshme, kalimtare dhe pa asnjë qëndrueshmëri. Dhe në këtë shoqëri të lëngët asgjë nuk mund të konsolidohet, gjithçka është e destinuar të lëngëzohet në detin e madh të pasigurisë. E njëjta gjë ndodh edhe me dashurinë, e cila nga një strukturë e fortë e shoqërisë moderne, kthehet në të lëngët. Marrëdhëniet bëhen lidhje, dashuria zvogëlohet në dëshirë dhe, duke ndjekur me çdo kusht lirinë, përfundojmë të jemi të vetëm.” (Bauman)
Paqëndrueshmëria është pasojë e mungesës së bindjes, e ranies së “aftësisë” për me përqafu nji bindje për jetën dhe vdekjen. Sa ma shumë të harrohet Zoti, aq ma shumë e harrojmë veten, aq ma e pamundur bahet rruga drejt nji bindjeje apo sigurie. Ma e shumta do kemi opinione, që i veshim dhe i heqim si teshat, në varësi të motit dhe midesë ditore.
I kemi dhanë kuptim çdo elementi të jetesës, deri në detaje nga ma të çuditshmet, por na shpëton vetë jeta, tërësia ku rrinë varë këto elemente-dekor, si në nji shfaqje të zbrazur nga qëllimi.
Moderniteti është nji mohim me shkas zhgënjimin me thuajse krejt trashëgiminë greko-romake dhe judeo-të krishterë, shkëputja prej të cilave është shënuar përmes nji ceremonie të heshtur, duke e kthyer këtë trashëgimi në nji muze pa mure, që është kudo dhe askund. Krenohemi me këtë muze kaq të larmishëm, por pikërisht ngaqë është muze nuk mund të përdorim asgja prej tij për me zgjidhë krizën ontologjike, vërshimin e paqëndrueshmërisë. Vetë paqëndrueshmëria është prova e përligjjes së këtij muzeu.
Qëndrueshmëria nuk është e mundur pa durimin. Mirëpo për çfarë duhet me duru? Për ç’motiv ia vlen me duru? Nuk është ma as Zoti, as bota tjetër, lanë në nji harresë misterioze, sepse është e vetmja harresë e paharrueshme; e vetmja harresë që e dimë fort mirë se e kemi harru, duke shpresu marrëzisht për nji tjetër strehë, që nuk është gja tjetër veçse ngashënjimi i kopjeve të shumta të parajsës.
“Unë di që gjithçka thelbësore dhe madhështore ka ardhur prej faktit se qenia njerëzore ka patur një atdhe dhe ka qenë e rrënjosur në traditë.” (Hidegger, cit. Albdal Hakim Murad, 2023)
Pa zgjidhë problemin e kësaj harrese, e kësaj çrranjosjeje nga tradita, nuk mundet me u zgjidhë asgja; çdo gja ka me mbetë pezull, e paqëndrueshme, në nji largësi anonime; nji labirint pa të ardhme.
“Edhe një herë tjetër labirinti bëhet imazhi parësor i gjendjes njerëzore – dhe labirint do të thotë “vendi i errët, ku planimetria nuk i bindet asnjë ligji. Në labirint sundojnë rasti dhe befasia, gjë që sinjalizon disfatën e Arsyes së kulluar”.” (Bauman, 2017)
E nëse jemi në kushtet e “disfatës së Arsyes së kulluar”, atëherë kjo nënkupton qartë edhe disfatën e modernitetit.
Me refuzu Zbulesën hyjnore e me u mjaftu me arsyen është njësoj si me qenë i burgosur dhe me kërku me mbajtë nji busull.