loader image
November 21, 2024

Një “teori” e rrezikshme

Modeli demokratik e demokratizues i qeverisë kosovare ka mbështetës të fortë. Në senatin e në kongresin e SHBA-së i kemi dëgjuar përfaqësuesit e rëndësishëm nga të dyja partitë. Kryetari i senatit dhe kryetarja e parlamentit francez e pritën para pak javësh në Paris kryeparlamentarin kosovar, Konjufcën. E në diskutimet e mbajtura në Parlamentin Europian i kemi dëgjuar diskutimet kryesisht pro-kosovare të shumicës nga eurodeputetët.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

– Amerika ka vendosur t´ia lërë Ballkanin Perëndimor Beogradit, Zagrebit dhe Tiranës., – më tha një mik. Edhe ne – tha – na bie më mirë kështu, të bashkohemi me në qendër Tiranën.

Kjo “teori”, e cila po qarkullon së fundmi edhe nëpër shkrime autorësh seriozë, i ka disa probleme të mëdha.

Së pari: Ajo nuk mbështetet askund në ndonjë deklaratë zyrtare, as në ndonjë deklaratë jozyrtare të ndonjë zyrtari, madje as nuk lihet të nënkuptohet diku.

Së dyti: Kjo “zgjidhje” është larg të qenit e tillë. Mjaft të shtrojmë pyetjen se çfarë ndodh sidomos me boshnjakët, por edhe me maqedonët dhe malazezët, në rast të një teorie të tillë.

Së treti: Ka pasur dy lloje të ndryshimit të kufijve në Europë – e para është shkëputja e popujve të diskriminuar prej shteteve shtypëse, si Jugosllavia ose Bashkimi Sovjetik, e cila ka marrë edhe formën e luftës në disa raste, ndërsa e dyta është traktati demokratik dhe kushtetues, si në rastin e bashkimit të dy Gjermanive dhe “teoria” për trepjesëtimin e Ballkanit Perëndimor nuk e ndjek as njërin e as tjetrin model.

Së katërti: Ballkani Perëndimor është enklavë e rrethuar në të gjitha anët nga BE-ja, andaj përdorimi i këtij territori nga fuqitë e mëdha si “tryezë eksperimentesh” i ka kufizimet e veta. Çdo eksperiment, që mund të bëhet te ne, ka potencial që shumë shpejt të ndikojë në rajone tashmë të integruara në BE, sidomos në pjesën e Europës Qendrore e Lindore, ku prirjet autokratike kanë gjetur terren lulëzues dhe mezi ç´presin që të gjejnë arsye për të vënë në diskutim “vlerat europiane”, sidomos duke e rikthyer etninë në qendër të diskutimit politik.

Së pesti: Në vend që ta çonte Ballkanin Perëndimor drejt BE-së, një politikë e tillë rrezikon thithjen e Kroacisë në Ballkanin Perëndimor, e më vonë ndoshta edhe të Bullgarisë në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Nga vjen pra kjo “teori”, që po qarkullohet shpesh në mediat shqiptare? Me dijeninë time i ka së paku dy burime.

Burimi i parë rrjedh nga diskursi politik i krijuar në Beograd dhe i jehuar në Prishtinë e Tiranë, që kulmoi në vitin 2017 me propozimin për copëtim të Kosovës. Aktorët kryesorë të këtij propozimi ishin Vuçiqi, Thaçi e Rama. Në publik qarkulluan disa non-papers, që testonin opinionin, të shoqëruara me harta. Në median e gjuhës shqipe u fol se komunat veriore të Kosovës, që sot kanë shumicë serbe, do “t´i jepeshin” Serbisë dhe si shpërblim Kosova do të merrte njohjen; gjysmën e Komunës së Preshevës dhe një pjesë të vogël të Komunës së Bujanocit; e diku-diku flitej se do të fitohej dhe e drejta për t´u bashkuar me Shqipërinë.

Ndërkaq, në opinionin publik serb, madje edhe në mediat kritike ndaj Vuçiqit, askund nuk përmendej mundësia që Kosovës t´i lëshohej territor në Luginë, aq më pak e drejta që Kosova t´i bashkohej Shqipërisë. Madje, as njohja e Kosovës si shtet i pavarur nuk është pohuar ndonjëherë si mundësi.

Është e mundur që qarqet pranë Thaçit të kenë pasur dëshirën për “ta hequr qafe” një pjesë të territorit minoritar, që është përdorur vazhdimisht nga Serbia për ta minuar Kosovën, mirëpo rreziku ka qenë se po të ishte bërë kjo gjë realitet, do të ishte vërtetuar qëndrimi zyrtar i Serbisë se Kosova nuk e meriton pavarësinë, sepse as ka territor e kufij të stabilizuar, as nuk është në gjendje të ofrojë demokraci, drejtësi e rend për qytetarët e saj, e sidomos për minoritetet.

Rama, nga ana tjetër, mund të ketë pasur vërtet dëshirë të fitojë protagonizëm, gjë që reflektohet në shumë qasje të tij, por në pamundësi për ta fituar peshën ndërkombëtare me rritje të bazës ekonomike ose përmirësimit të pozicionimit moral/vleror të Shqipërisë në renditjet e vendeve demokratike, mund të ketë lakmuar një rrugë të shkurtër, duke u bërë bashkorganizues i një iniciative si “Ballkani i Hapur” në themel të së cilës qëndron ideja e krijimit të një hapësire që kontrollohet nga Beogradi e Tirana, për arsye të peshës së perceptuar etnike. Por, teksa pesha etnike e shqiptarëve dhe e serbëve në Ballkan mund të jetë numerikisht e përafërt, baza ekonomike dhe pozicionimi moral/vleror i tyre nuk është i balancuar. “Ballkani i Hapur”, i cili në muajin e shkuar u mbyll, do të dominohej ekonomikisht nga Serbia dhe do të funksiononte si një zonë ekonomike me kryeqendër Beogradin, ndërsa në aspektin vleror nëse shqiptarët do të qeveriseshin nga Rama, do të mbanin etiketën e një populli të paaftë për t´u shkëputur prej korrupsionit, vjedhjes së vendit të vet, shkatërrimit të publikes së vet e kështu me radhë, gjë që patjetër se do të shfrytëzohej nga ata që pretendojnë vazhdimisht që “shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet e prandaj duhet t´i sundojnë të tjerët”.

Burimi i dytë i kësaj “teorie” spekulative vjen nga interpretimet e disa studiuesve, të cilët janë zënë në befasi nga butësia me të cilën po trajtohet Serbia nga Perëndimi, sidomos pas pushtimit rus në Ukrainë. Në përpjekje për të dhënë shpjegim ata kanë ngritur një hipotezë të tillë.

Kështu, p.sh. Jasmin Mujanoviq, një studiues boshnjak që jeton në SHBA, në janar të vitit 2023 hipotezonte se, të lodhur nga hallet e pambarimta ballkanike, amerikanët mund të kenë marrë vendim të mbështesin ndarjen e sferave të influencës në Ballkanin Perëndimor sipas tre etnive dominuese, d.m.th. serbët, shqiptarët dhe kroatët. Për hipotezën e tij Mujanoviqi nisej nga ky vëzhgim: së pari toleranca befasuese ndaj provokimeve politike serbe në Bosnjë, Kosovë e Mal të Zi, e cila bëhet edhe më e pakuptimtë kur sheh se si Beogradi e Banja Lluka qëndrojnë shumë afër në shumë dimensione; së dyti shembulli i Vuçiqit, Dodikut e të tjerëve, u imitua edhe nga nacionalistët kroatë në Bosnjë; së treti qeveritë e korruptuara shqiptare, si ajo e Ramës në Tiranë ose ato të dikurshmet në Kosovë, kanë nevojë për një rrugëdalje për të mos u përballur me ndëshkimin e korrupsionit të tyre, dhe kjo rrugëdalje gjendet te instrumentalizimi i etnisë.

Megjithatë, siç e përmendëm në fillim të këtij teksti, janë disa arsyet se përse kjo “teori” apo kjo hipotezë, nuk është e qëndrueshme dhe as e besueshme.

Për më tepër, ajo nuk përfaqëson ndonjë zgjidhje të çështjes shqiptare. Po të realizohej ky plan, në Ballkan, do të fuqizoheshin tek shqiptarët politikanët më të korruptuar dhe tek serbët politikanët më nacionalistë e më shovinistë. Një skenar i tillë ngjan i përshtatshëm për realizimin e aspiratave të Çubrilloviqit, i cili qysh një shekull më parë parashtronte se nacionalistët në Beograd duhet t´i blejnë me para të korruptuarit në Tiranë. Por, aspak i përshtatshëm për realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare.

Sot në Ballkanin Perëndimor ballafaqohen tre modele.

I pari: modeli demokratik i Kosovës, një vend i cili sipas gjithë vëzhguesve të specializuar dhe prestigjiozë ka bërë hapa të mëdhenj përpara në vendosjen e shtetit ligjor, demokratizimit, respektimit dhe forcimit të lirive e të drejtave qytetare e politike, lirisë së medias, luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar

I dyti: kompleksi shovinist-mafioz që ka prodhuar autoritarizmin në Serbi, një vend që ka shënuar hapa pas në të gjithë indekset e përmendura më sipër dhe që haptazi e vazhdimisht investon në destabilizimin e fqinjëve teksa mirëmban ndikimin rus e kinez në rajon.

I treti: parajsa e pastrimit të parave dhe të korrupsionit që ka prodhuar autoritarizmin në Shqipëri, një tjetër vend që ka bërë hapa të mëdhenj pas në indekset që matin demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e liritë mediale e politike.

Në rajon, modeli i qeverisë së Kosovës ka jo pak mbështetës. Në radhë të parë shumë faktorë politikë në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut janë të interesuar që modeli i Kosovës të triumfojë, sepse dy modelet e tjera do të sillnin shkatërrim pikërisht në ato vende. Lufta kundër qeverisë së Kosovës mund të ketë krijuar përshtypjen sipërfaqësore se Kosova është e paqëndrueshme, por në rast se Kosovës i imponohen territorializime etnike, vendet që do të destabilizohen të parat rrezikojnë të jenë pikërisht këto të treja, e jo vetë Kosova.

Por, edhe ndërkombëtarisht, modeli demokratik e demokratizues i qeverisë kosovare ka mbështetës të fortë. Në senatin e në kongresin e SHBA-së i kemi dëgjuar përfaqësuesit e rëndësishëm nga të dyja partitë. Kryetari i senatit dhe kryetarja e parlamentit francez e pritën para pak javësh në Paris kryeparlamentarin kosovar, Konjufcën. E në diskutimet e mbajtura në Parlamentin Europian i kemi dëgjuar diskutimet kryesisht pro-kosovare të shumicës nga eurodeputetët. Teksa burokratët e atyre vendeve mund të jenë të joshur nga ndonjë zgjidhje momentale, që do të reflektonte pak edhe bindjen e tyre se “Ballkani nuk meriton demokraci”, parlamentarët në masë të madhe po mbështesin modelin demokratik. Por, jo vetëm parlamentarët. Edhe përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve ushtarake perëndimore, të cilët e dinë se koncesionet që do të mund t´i bëheshin Serbisë në rajonin tonë, nënkuptojnë në njërën anë avancim të atypëratyshëm të Rusisë në Ballkan, ndërsa në anën tjetër edhe afrimin e problemeve të ngjashme me ato të Lindjes së Mesme. Të mos harrojmë se dikur Ballkani për Europën qe Lindje e Afërme (prandaj quhet e Mesme ajo tjetra). Po t´ua hapësh derën autokracive e shovinizmave në Ballkan, atëherë të njëjtave ua ke hapur derën aty për aty edhe në BE. E kjo vorbull do të mund ta fundoste jo vetëm Ballkanin, por edhe Europën. Prandaj, është vështirë që të pranohen “teori” kaq mendjelehta, edhe kur thuhet se ato “po na i propozojnë aleatët” (që në fakt askund nuk na i kanë propozuar).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X