loader image
December 3, 2024

Një shtet sovran, mysliman dhe “shiit” (ndoshta) në zemër të Shqipërisë

Ka pak dhe shumë për t’u çuditur në vëmendjen që një gazetë izraelite me orientim të djathtë i dedikon idesë se krijimit të këtij shteti sovran mysliman brenda Shqipërisë. Kjo bëhet më shumë kurioze kur në publikimet e para në llogarinë e Shtetit Sovran Bektashi të sapokrijuar në Facebook, Baba Mondi i dedikon falënderimet e tij të para shtetit izraelit për të mirat që po bën (pikërisht në këto kohë kur lufta në Gaza është evidencë e krimeve te luftës të kryera nga qeveria izraelite).

Gerta ZAIMI, Tiranë

Artikulli i prestigjiozes amerikane New York Times (NYT), i datës 21 shtator të këtij viti, me titull “Shqipëria po planifikon të krijojë një shtet mysliman në Tiranë” la jo pak habi përballë një njoftimi jo të pritshëm. Në një prononcim për NYT, kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se dëshiron t’u japë bektashinjve enklavën e tyre, ngjashëm me shtetin e Vatikanit në kryeqytetin italian Romë, si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Qëllimi i shtetit të ri është të promovojë një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.

Monark absolut i këtij minishteti, Baba Mondi, për NYT  thotë se në shtetin e ri bektashi “të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi”. Nuk do të ketë ushtri, roje kufitare ose gjykata (edhe pse ai vetë lëviz i ndjekur nga truprojë, sipas artikullit në Jerusalem Post), por do të ketë një shërbim të vogël inteligjence “sepse edhe ne kemi armiq”.

Shteti i tij mysliman, i shpresuar në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, “do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës”, thotë NYT në artikull.

Nuk kaluan as 24 orë nga publikimi i këtij artikulli, kur kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, në fund të fjalës së tij, e përforcoi lajmin e dhënë ne lidhje me krijimin e shteti sovran te bektashinjve në Shqipëri. “E kemi treguar me hebrenjtë, me afganët, i kemi dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Terezën, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin, na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria, kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë, ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda Tiranës, si një qendër e re bashkimi e tolerance të paqtë”, tha Rama.

“Nuk do të jem një diktator”, thotë Baba Mondi, ndërsa në deklaratën e tij për NYT vazhdon “…e meritojmë një shtet. Ne jemi të vetmit në botë që e themi të vërtetën për Islamin dhe mos e ngatërroni atë me politikën”.

Nuk është e qartë pse bektashinjtë meritojnë një Shtet Sovran, ndryshe nga të tjerët, dhe është e kuptueshme, por joreale, pse kërkon të mos e ngatërrojmë me politikën. Politika është aty, që në fjalinë e parë.

Nuk kaloi shumë dhe britanikja The Economist i dedikohet pikërisht me një tjetër artikull idesë së krijimit të një Vaktikani të vogël mysliman ne zemër te kryeqytetit dhe izraelitja Jerusalem Post (JP) bën një intervistë me kryeklerikun bektashi, Baba Mondin.

Ka pak dhe shumë për t’u çuditur në vëmendjen që një gazetë izraelite me orientim të djathtë i dedikon idesë së krijimit të këtij shteti sovran mysliman brenda Shqipërisë. Kjo bëhet më shumë kurioze kur në publikimet e para në llogarinë e Shtetit Sovran Bektashi të sapokrijuar në Facebook, Baba Mondi i dedikon falënderimet e tij të para shtetit izraelit për të mirat që po i bën (pikërisht në këto kohë kur lufta në Gaza është evidencë e krimeve te luftës të kryera nga qeveria izraelite).

Ndoshta ky shkrim do të ishte dashur të kishte pasur formën e një artikulli më akademik, por komenti në formë përgjigjeje pikërisht kësaj interviste të dhënë për JP nga Baba Mondi m’u duk dhe mënyra më e përshtatshme për të hedhur opinion tim mbi këtë ide, e cila me shumë gjasë do të marrë formë në heshtje, por shumë shpejt.

Sipas JP, Baba Mondi, si udhëheqësi shpirtëror dhe fetar i bektashinjve, është personi që e ka promovuar idenë e krijimit të një “Vatikani” bektashi në Tiranë, një ide që konfirmohet edhe nga publikimi i zbardhjes së një letre të vitit 2017, që baba Mondi ia dërgon presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar status të njëjtë me Nuncin Apostolik në Tiranë. Është kjo një ide që me kalimin e viteve, për logjikë dhe arsye që publiku nuk i di, ka evoluar.

Për ta kuptuar se sa larg idesë së një shteti Vatikan është ai i krijimit të shtetit bektashi, pak rreshta do të duheshin për të shpjeguar specifiken e shtetit Vatikan dhe Nuncit Apostolik, i cili lind si përfaqësi, pasi Selia e Shenjtë dhe shteti italian vendosën marrëdhënie diplomatike më 24 qershor 1929, pas nënshkrimit të Pakteve Laterane, të cilat i dhanë fund çështjes romake dhe çuan në njohjen reciproke të të dy shteteve.

Shteti Vatikan nuk u krijua nga asgjëja. Ekziston prej 2 mijë vitesh, duke filluar nga Perandoria Romake me Kostandinin, si perandorin e parë të krishterë, dhe ka pasur territoret e tij, të cilat u gjymtuan si fillim pas Revolucionit Francez në 1799 e pastaj më 1861, me Rilindjen Italiane, që e krijon shtetin e bashkuar unitar italian, kështu që Paktet Laterane qenë të nevojshme për bashkëjetesën me shtetin Vatikan. Nunci është përfaqësi e një shteti, sot i njohur nga 180 vende.

Problemi i pozitës së Selisë së Shenjtë në bashkësinë ndërkombëtare u ngrit në thelb pas 20 shtatorit 1870, pra me zhdukjen e dimensionit temporal të fuqisë së papës, duke e mbajtur kështu vetëm dimensionin spiritual.

Papa, i cili, për shumë shekuj, kishte qenë – së bashku me perandorin – një nga burimet supreme të legjitimimit të sovranëve të ndryshëm evropianë dhe që, nga ana tjetër, ishte sovran i një shteti me shtrirje të konsiderueshme territoriale, u privua nga ky element i fortë.

Deri në marrjen e Romës, çështja e subjektivitetit ndërkombëtar nuk ishte shtruar asnjëherë. Shteti Papnor (ose Shteti i Kishës) kishte qenë historikisht, në të vërtetë, një ent shtetëror, i pajisur me elementet përbërëse të rëndësishme për qëllimet e subjektivitetit të organeve parësore në sistemin juridik ndërkombëtar.

Një shtet sovran ekziston si një subjekt autonom i së drejtës ndërkombëtare në prani të treshes territor-popull-qeveri dhe në prani të kërkesave të efektivitetit dhe pavarësisë. Nuk ka dyshim se Shteti Papnor i ka pasur këto karakteristika deri në fundin e tij më 1870. Edhe pse në atë moment ishte reduktuar brenda rajonit të Lazio-s (pasi kishte humbur Romagna-n, Marche-t dhe Umbria-n si rezultat i pushtimit nga Mbretëria e Sardenjës, në procesin e formimit me aneksimin e Mbretërisë së Italisë).

Gjendja e Kishës ishte ende një realitet shtetëror i padiskutueshëm, që i zotëronte të gjitha karakteristikat e sipërpërmendura të subjektivitetit të shteteve. Problemi u ngrit më pas në gjashtë dekadat e “çështjes romake” (1870-1929), por praktika e shteteve dhe doktrina ofrojnë një tregues mjaft të saktë. Selia e Shenjtë, e privuar nga sovraniteti territorial, vazhdoi të mbajë një pozicion subjektiv në komunitetin ndërkombëtar.

Në të vërtetë, ky ent e projektoi veprimtarinë e tij në një dimension të mirëfilltë ndërkombëtar, shumë përtej atij që është tipik për shumë shtete “sovrane”. Ky subjektivitet u njoh gjerësisht nga shumë shtete të cilat mbanin marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë, lidhën traktate me të dhe iu drejtuan papës për ndërmjetësim, pajtim dhe arbitrazh ndërkombëtar. Andaj nuk është aspak e pakuptimtë që vetë Mbretëria e Italisë – pra shteti që ia kishte hequr Selisë së Shenjtë sovranitetin territorial – e njohu Selinë e Shenjtë. Dëshmi për këtë u bë nënshkrimi i Pakteve Laterane: asnjë shtet nuk lidh marrëveshje ndërkombëtare me subjekte që nuk i njeh si subjekte ndërkombëtare.

Janë pak raste të veçanta kur krahas shteteve (që janë pothuajse të gjitha subjektet) vëmë re praninë e subjekteve të tjera, të cilat tregojnë se ato kanë kriteret efektivitetit dhe pavarësisë në kryerjen e jetës së tyre të marrëdhënieve ndërkombëtare përkrah Shteteve. I tillë është Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës, i cili në mënyrë aktive, efektive dhe të pavarur merr pjesë në jetën shoqërore, pavarësisht nga zotërimi i një kërkese territoriale.

Pra, subjektiviteti ndërkombëtar nuk buron vetëm nga njohja, e cila është një akt politik, i ligjshëm, thjesht duke konstatuar zotërimin e kritereve të përcaktuara nga norma e së drejtës ndërkombëtare, e cila ipso facto ia atribuon subjektivitetin subjekteve që paraqesin kërkesa të caktuara. Por, ai rrjedh edhe nga zbatimi rigoroz i parimit të efektivitetit, nën dritën e të cilit zbulohet sjellja e shteteve përballë subjektit të ri. Andaj dhe një krahasim i mundshëm i një Shteti Sovran Bektashi me urdhrin e Maltës sërish nuk qëndron.

Urdhri Sovran i Maltës lindi në Tokën e Shenjtë rreth vitit 1050 dhe lidhja e Urdhrit me komunitetin ndërkombëtar është fakti se ai qeverisi ishullin grek të Rodit për më shumë se dy shekuj (1309-1522) dhe më pas, nga 1530 deri në 1798, Ishujt Maltezë. Urdhri Sovran i Maltës është një subjekt i së drejtës ndërkombëtare që ushtron funksione sovraniteti, i njohur si i tillë nga 112 shtete dhe Bashkimi Evropian, si edhe organizata ndërkombëtare, me të cilin shkëmben ambasadorët. Marrëdhëniet e tij diplomatike, të lidhura ngushtë me misionin e tij humanitar, lejojnë Urdhrin e Maltës të ndërhyjë shpejt dhe në mënyrë efektive në rast fatkeqësish natyrore ose konfliktesh të armatosura, pasi Urdhri Sovran i Maltës është në gjendje të ndërhyjë ndërkombëtarisht si ndërmjetës në mosmarrëveshje.

Krahasimi i bërë nga kryekleriku bektashi me katolikët është i qëllimshëm (nuk bëhet me ortodoksët të cilët janë autoqefalë), kjo për t’i dhënë vetes përfaqësi unikale botërore. Kur dihet se bektashinjtë turq ose ata në vende të tjera, të cilët nuk janë shqiptarë, nuk e njohin atë dhe kryegjyshata është botërore në terma formalë, por në fakt është panshqiptare në përfaqësi. Theksimi i vazhdueshëm i natyrës ndërkombëtare përdoret kryesisht për të legjitimuar statusin e një komuniteti të katërt fetar në Shqipërinë zyrtare, që i njeh përgjithësisht si një “bashkësi tradicionale”, krahas islamit sunit, të përfaqësuar nga KMSH-ja, Kishës Ortodokse dhe Kishës Katolike.

“Bektashinjtë me të vërtetë përfaqësojnë një lloj tjetër Islami – mendjehapur dhe tolerantë”, vazhdon të thotë Baba Mondi për JP. “Gjëja kryesore dhe e rëndësishme për ne është njeriu, me të gjitha dallimet mes nesh”, thekson ai për të vënë në dukje tolerancën ndaj-tjetrit. Ky prononcim i shtohet asaj çka ai thotë në letrën e tij më 2017 ose të njëjtën ide në një intervistë të dhënë për transmetuesin ReportTv. “…Besimi bektashian…më së shumti i ka shërbyer paqes së gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve sikundër ka zbutur tonet e ashpra të radikalizmit mysliman dhe ka afruar rreth vetes besimtarë në vende të ndryshme të botës…”.

Nuk mund t’i lejoj vetes të bëj një shpalosje të detajuar teologjike dhe as historike. Por, disa shënime të shpejta në këto drejtime në lidhje me Urdhrin Bektashi janë të nevojshme për të kuptuar manipulimin e bërë në dekada në përvetësimin e këtij urdhri brenda familjes shiite. Sekti bektashian është një përzierje mes një urdhri dhe një vëllazërie dhe është sufizëm sunit, mistik dhe shpirtëror. Nuk është besim më vete. Që të jesh besim më vete, ke nevojë për një profet dhe një libër të shenjtë. Bektashinjtë e kanë Muhamedin, Kuranin dhe Hadithet.

Është e vërtetë që kryesisht ky sekt i ka shërbyer ndjenjës se atdhedashurisë dhe nacionalizmit të ri shqiptar në fundet e jetës së perandorisë osmane, një acionalizëm që do të ishte më shumë kundër atij të vendeve fqinje sesa kundër Perandorisë. Por, do të ishte johistorike dhe fyese për pjesën tjetër të shqiptarëve nëse thuhet që janë ata, bektashinjtë, që i kanë zbutur tonet e radikalizmit mysliman në Shqipëri. Shqiptarët e kanë ndjekur shkollën sunite hanafite të Islamit dhe kanë pasur të pranishëm një numër jo të vogël tarikatesh, kjo si influencë direkte e Perandorisë Osmane. Harmonia dhe toleranca e shqiptarëve, pa dyshim, që është një nga rastet më të studiuara nëse bëni një kërkim të thjeshtë në shkrimet akademike ndërkombëtare. Si në periudhën e shizmës së krishterë, por edhe gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

Duke vazhduar me intervistën në JP, Baba Mondi thekson se “Besimtarët bektashinj janë në mbarë botën. Bektashinjtë i përkasin pjesës shiite të Islamit. Ata e respektojnë Profetin Muhamed dhe familjen e tij, Kuranin dhe Dymbëdhjetë Imamët”. Është e vërtetë që bektashinjtë kanë pasur një shtrirje jo të paktë, kjo edhe për shkak të natyrës së sektit, riteve dhe doktrinës, por me kalimin e viteve pa dyshim numri i tyre i saktë nuk dihet. Nuk është tendencë vetëm e kryegjyshit të fundit, Baba Mondi, por një nga arsyet pas një lëvizjeje të kësaj natyre, pa dyshim, është edhe vullneti i kryeklerikut për ta centralizuar rolin e kryegjyshit në një sekt sufist, ku autoritetet janë më mirë të ndjekura e të njohura lokalisht në fakt.

Përsa i përket pjesës shiite, është një shtrembërim doktrinar i rëndësishëm. Urdhri bektash themelohet nga Haxhi Veli Bektashi në shek. XIII, i cili vinte nga Horasani në Iran. Ai është një nga tarikatet e para sunite që lind pas atij kaderi dhe rifai të shekullit të XII. Sufizmi shiit pothuaj nuk e njeh metodologjinë e tarikateve. Tek shiitët dy janë urdhrat sufi që njihen: ai Nimetullah – në shekullin e XIV, që merr emrin nga themeluesi i tij, një sirian i zonave të Alepos dhe aktualisht më i përhapuri, dhe ai i Dhahabiyya-s.

Sufizmi është dimensioni mistik, kërkimi i shpirtërores përmes një rruge shumë të vështirë. Tek Mekalati (vepra e Haxhi Bektash Veliut), rruga shpirtërore e myslimanit bektashi është sipas katër kategorive: sheriat (tërësia e rregullave të jetës dhe sjelljes të diktuara nga Zoti për sjelljen morale, fetare dhe ligjore të besimtarëve të tij myslimanë), tarikat (mësimi i praktikave shpirtërore sekrete të urdhrit fetar), marifet (njohja mistike e së vërtetës shpirtërore dhe ndërgjegjësimit e Zotit) dhe hakikat (eksperienca imediate e esencës së realitetit). Këto kategori janë tipike të urdhrave sufistë sunitë.

Bektashinjtë quhen alevitë, po ashtu si urdhra të tjerë sufi. Bektashinjtë janë alevitë, sepse e kanë kultin e Imam Aliut (kushëri dhe dhëndër i Profetit, dhe kalifi i katërt). Imam Aliu është figurë qendrore nga rrjedh dija ezoterike, qendra e spiritualizmit të bektashinjve, ashtu sikurse dhe shiitëve. Por, kjo është tipike e pjesës më të madhe të urdhrave sufi, pikërisht sepse e vendosin në qendër figurën e Imam Aliut. Bën përjashtim urdhri sufi nakshibendi, që është një tarikat bakri nga emri i kalifit të parë Abu Bakr.

Bektashinjtë kanë adhurimin e 12 imamëve, kurse shiitët ndryshe nga këta të parët i konsiderojnë të pagabueshëm, por nuk i adhurojnë ata. Bektashinjtë nuk i refuzojnë tre kalifët e parë dhe i shohin 12 imamët si përfaqësues të ekzoterizmit islamik. Pra, nuk i shohin sipas organizimit fetar tek shiitët, ku imami ka dimension politik dhe temporal, si një zgjatje e autoritetit profetik (me përjashtim të revelatës) dhe është interpretuesi zyrtar i Kuranit dhe Sunës.

Bektashinjtë marrin shkollën sunite të ritualeve dhe pikërisht të asaj hanafite. Baza e Islamit për ta janë Kurani, Suna dhe Hadithet. Ndryshe nga shiitët, që e kanë Kuranin e Ehli Bejtin (Kurani i vetëm atyre që janë pasardhësit në gjak me familjen e profetit Muhamet) dhe imamatin si organizim brenda besimit.

Atmosfera spirituale e bektashinjve afrohet më tepër me shiitët, duke përfshirë ringjalljen. Haxhi Bektashi kishte ndjekës turq e persianë në zonën e Anadollit, kryesisht në zonat rurale e nomade (jo ato urbane), ku dhe zakonet lokale përzihen mes atyre kurde, turke dhe iraniane. Më vonë urdhri bektashi do të shtrihet drejt zonave të Ballkanit. Do të merrte nga zakonet lokale të zonave ku shtrihet, duke i asimiluar. P.sh. në zonat e Anadollit do të thithë më tepër besimet lokale popullore, në zonat ballkanike ato të krishtera, në lindje të Anadollit ato iraniane dhe kurde.

Afrimi i sufizmit dhe i bektashinjve me ambientet ushtarake ndodh kryesisht në shekullin e XV. Bektashi do të bëhet urdhri që përvetësohet nga jeniçerët, pikërisht për shkak apo për meritë të elementëve të ndryshëm dhe fleksibël që për djemtë e ardhur nga zona të krishtera e bën më të lehtë për ta përthithur.

Në historinë e Perandorisë Osmane, ndërsa jeta fetare ortodokse ishte kryesisht nën influencën e gjuhës arabe, literatura klasike ishte nën ndikimin e asaj persiane, pjesa më e madhe e urdhrave mistikë, si mevlevi, bazoheshin në libra në gjuhën perse, bektashinjtë ishin të vetmit që e përdornin turqishten si në praktikat e tyre, ashtu dhe në besëtytnitë që i përkisnin më së tepërmi kulturës turke pre-islamike.

Duke u kthyer edhe një herë në intervistën e JP, Baba Mondi thotë: “Bektashinjtë u persekutuan në Turqi për shumë vite. Fillimisht, arsyeja e persekutimit ishte se kreu i  bektashinjve nuk e lejoi Sulltanin të kishte një harem me shumë gra, sepse ne besojmë se një grua krijon familjen”. “Vala e dytë e persekutimit dhe vrasja e më shumë se një milion bektashinjve në Turqi ishte në kohën e Sulltan Mahmud II [i cili mbretëroi nga 1808 deri në 1839]. Ai i quajti bektashinjtë fanatikë dhe heretikë dhe pretendonte se po e shkatërronin fenë islame në Turqi. Persekutori i fundit i bektashinjve në Turqi ishte Kemal Ataturku, i cili mbylli të gjitha teqet dhe institucionet tona”, vazhdon Baba Mondi

Ka një të vërtetë dhe një manipulim në këtë rrëfim sërish. Bektashinjtë, pa dyshim, kanë pasur një rol aktiv në politikë, shpeshherë antikonformist dhe disidentë jo vetëm në politikë, por edhe nga pikëpamja fetare. Pjesa më e madhe e urdhrave sufi kanë pasur dhe kanë akoma këtë rol në situata të ndryshme. P.sh. ndërsa nakshibenditë kanë qenë dhe janë më tepër të lidhur me elitat politike, sidomos në Indi, senussët janë ata që bëjnë rezistencën antikolonialiste në Libi, kadirinjtë dhe nakshibenditë luftuan kundër pushtimit carist, më parë, dhe sovjetik, më pas, në Azinë qendrore.

Gjatë asaj që Baba Mondi quan periudha e dytë, urdhri bektashi ishte ai i jeniçerëve. Këta të fundit kishin marrë një fuqi edhe më të madhe se vetë sulltanët, duke rrezikuar e bërë sulme jo vetëm kundër pushtetit të tyre në vazhdimësi, por edhe kundër vetë popullsisë aty ku ndodheshin. Pikërisht rrezikshmëria dhe dhuna e tyre bëri që Sulltan Mahmud II të organizohej për t’i shpartalluar dhe shpërndarë trupat e Jeniçerëve, gjë të cilën e arriti.

Pasoja imediate ishte edhe ajo e përndjekjes së urdhrit bektashi që ishte njësuar me jeniçerët. Në 1826 kishte rreth 7,3 milionë bektashinj, nga të cilët 7 milionë ishin në Anadoll, 100 mijë në Shqipëri, 120 mijë në Stamboll dhe pjesa tjetër ishin të shpërndarë në Irak, Kretë, Maqedoni.

Pjesa më e madhe u dërguan në azil dhe vetëm për një numër krerësh u dha urdhër që të ekzekutoheshin. Thuhet që sulltani kishte kërkuar 70 mijë ekzekutime në 1826, por duke mos gjetur një numër të tillë për të vrarë, kërkoi gurrë varri deri sa të arrihej ky numër. Pronat e tyre iu kaluan nakshibendinjve, ashtu që bektashinjtë për disa vite u zhdukën nga jeta shoqërore. Por, jo shumë më vonë e fillojnë sërish ringjalljen e tyre dhe rindërtimin e urdhrit, duke arritur në fuqizim të ndjeshëm dhe pjesëmarrje në qeverisje brenda 1869. Po këtë vit publikojnë libra dhe poezi të influencuara nga bektashizmi dhe thuhet se kaluan në mbrojtjen e veçantë të nënës së Sulltan Azizit, e cila mendohet të ishte vetë bektashi.

Me këto performanca arrihet ne periudhën e Kemal Ataturkut, i cili mbyll të gjithë urdhrat sufi, në ndërtimin e një republikë turke të re laike. Persekutimet nuk ndiqen nga vrasje, por nga azili i detyrueshëm. Duke qenë që kryekleriku ishte shqiptar, marrëveshja me Mbretin Zog për transferimin e Urdhrit në Shqipëri u duk zgjidhja më e përshtatshme për largimin tij.

Aktualisht bektashinjtë në Shqipëri janë 115 mijë, pra 5% e popullsisë, nga 20% që ishin në vitin 1933. Duke iu kthyer çështjes nëse në Tiranë do të lindë ky shtet i ri sovran, pa dyshim duhet parë cilën formë do t’i japin dhe cilat shtete do e njihnin. Por, një gjë është e sigurt. Ai nuk lind as nga nevoja e një principi të luftës së një populli për vetëvendosje ose një pajtimi a ekuilibri shoqëror intra palësh, as nga nevoja e shpëtimit nga një persekutim i mundshëm apo një historiku qeverisës lidhur me atë që është sekti bektashi. Perceptimi që krijohet është ai i ndasisë politike mes rrymave fetare, në shërbim të një ideje politike, që sheh një islam më të denjë për sallonin evropian, “Islami që duam”, paçka se ndikimi fetar i këtij Islami në popullsi është minimal.

Vullneti politik për të krijuar një ent fetar sovran nga hiçi gjen përgjigje vetëm nga dëshira politike për një synim të sajin, deri më tani i panjohur për ne të gjithë. Çfarëdo hipoteze në këtë moment do të ishte një spekulim. E sigurt është që kemi të bëjmë më një vendim që nuk e respekton historinë, inxhinierinë sociale ose teologjinë në këtë vend dhe, mbi të gjitha, në emër të tolerancës fetare po kërkon të krijojë një Shtet Sovran shiit (nëse i qëndrojmë doktrinës së Baba Mondit) dhe bashkë me të ndoshta një fe të re, brenda një shoqërie shekullare dhe shteti laik, ku shumica e popullsisë, gjithsesi, i përket besimit islam sunit.

Politika e përdor si kartëvizitë, që supozon tolerancë, por nga momenti që Baba Mondi thotë se përfaqëson Islamin e vërtetë, në fakt aty mbaron toleranca dhe krijohet përçarja.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X