loader image
March 19, 2026

Nga tradita e rezistencës te kthesa e Prekazit: “Vrasja e frikës” dhe etika e lirisë

Në histori, ka momente kur një shoqëri nuk e ndryshon vetëm drejtimin, por edhe fjalorin. Marsi i vitit 1998 e bëri pikërisht këtë për Kosovën. Ai e shndërroi rezistencën e armatosur nga një realitet periferik në një element qendror të imagjinatës politike dhe morale. Në këtë kuptim, “Epopeja e UÇK-së” mund të shihet si pararojë e epopesë së lirisë: jo sepse përmban vetëm heroizëm, por sepse vendos një standard të ri të përgjegjësisë publike, një matës të ri për atë që quhet detyrë, dinjitet dhe sakrificë.

Besim NEBIU, Shkup

Datat 5, 6 dhe 7 mars 1998 nuk janë thjesht shenja kalendarike në historinë më të re shqiptare; ato janë nyje ku u kryqëzuan frika dhe guximi, mbijetesa dhe sakrifica, heshtja dhe fjala publike.

Ka ngjarje që nuk ndryshojnë vetëm rrjedhën e historisë, por edhe mënyrën se si një shoqëri flet për veten, si e mendon të mundshmen dhe si e mat çmimin e lirisë.  “Epopeja e UÇK-së”, e lidhur me familjen Jashari në Prekaz të Epërm, i përket pikërisht këtij rendi ngjarjesh: atyre që e zhvendosin boshtin moral të një shoqërie.

Megjithatë, Prekazi nuk lindi në zbrazëti historike. Ai nuk është fillim absolut, por nyje kulmore e një tradite të gjatë rezistence që përshkon historinë moderne shqiptare në Kosovë: nga kryengritjet kundër Perandorisë Osmane, te qëndresat ndaj ripushtimeve, te rezistenca pas Luftës së Dytë Botërore, e deri te lëvizjet ilegale, demonstratat dhe përpjekjet politike e shoqërore të dekadave të fundit të shekullit XX. Në këtë vijë të gjatë, rezistenca shpesh ka qenë e fragmentuar, lokale, e shtypur ose e shtyrë në margjinë. Prekazi është momenti kur këto fije të shpërndara lidhen në një nyje që e ndryshon formën e gjithë rrëfimit historik.

Vitet ’80-të dhe ’90-të krijuan një terren të mbyllur politikisht, ku hapësira publike ngushtohej, institucionet përjashtonin dhe jeta shoqërore jetonte nën hijen e përhershme të ndëshkimit. Rezistenca, në forma të ndryshme, u mbajt gjallë përmes organizimit ilegal, kundërshtimit civil, rezistencës kulturore dhe rrjeteve politike që vepronin nën presion të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, ideja e rezistencës së armatosur nuk ishte një shpërthim i papritur romantik, por evolucion i një logjike të hidhur: kur politika mbyllet, shoqëria kërkon rrugë të tjera për ta artikuluar vullnetin e saj për liri.

Familja Jashari dhe Adem Jashari, në këtë kuptim, nuk paraqiten si shkëputje nga historia, por si përqendrim i saj. Ata mishërojnë një vijë rezistence që kalon nga brezi në brez, por që në fund të viteve të ’90-të merr një formë të re: më të organizuar, më të dukshme dhe me ambicie të qartë politike. Ajo që e dallon Marsin 1998 nga episodet e mëparshme te rezistencës nuk është vetëm shkalla e dhunës ose pesha e jashtëzakonshme simbolike, por fakti se këtu rezistenca del përfundimisht nga margjina dhe bëhet bosht rreth të cilit riorganizohet vetë shoqëria.

Në histori, ka momente kur një shoqëri nuk e ndryshon vetëm drejtimin, por edhe fjalorin. Marsi i vitit 1998 e bëri pikërisht këtë për Kosovën. Ai e shndërroi rezistencën e armatosur nga një realitet periferik në një element qendror të imagjinatës politike dhe morale. Në këtë kuptim, “Epopeja e UÇK-së” mund të shihet si pararojë e epopesë së lirisë: jo sepse përmban vetëm heroizëm, por sepse vendos një standard të ri të përgjegjësisë publike, një matës të ri për atë që quhet detyrë, dinjitet dhe sakrificë.

Këtu merr kuptim të plotë edhe nocioni i “vrasjes së frikës”. Frika, në shoqëritë e shtypura, nuk është thjesht ndjenjë individuale; ajo është mekanizëm sundimi. Ajo prodhon vetëcensurë, e fragmenton solidaritetin dhe e ngushton horizontin e së mundshmes. Siç do të thoshte Mishel Fuko, pushteti më i qëndrueshëm nuk është ai që na godet drejtpërdrejt, por ai që na mëson ta ruajmë vetveten nën mbikëqyrje, duke e shndërruar frikën në zakon dhe nënshtrimin në normalitet. “Vrasja e frikës”, në Mars 1998, ishte çasti kur kjo renditje e brendshme u thye, kur mbijetesa pushoi së qenuri virtyti më i lartë dhe u zëvendësua nga dinjiteti si kriter i veprimit politik.

Duhet theksuar se frika nuk zhduket si emocion njerëzor. Ajo ndryshon funksion. Ajo pushon së qenuri busull që tregon vetëm drejt mbijetesës dhe kthehet në sfond mbi të cilin njerëzit fillojnë ta masin jo vetëm rrezikun, por edhe kuptimin. Historia njeh edhe më parë momente sfidimi të frikës, por Marsi 1998 e ndryshon cilësisht këtë raport: frika nuk sfidohet më vetëm në nivel individual ose lokal, por zhvendoset pragu i saj në shkallë shoqërore. Pas Prekazit, shoqëria fillon të mendojë ndryshe për veten, për kufijtë e veprimit dhe për çmimin e lirisë. Ajo që deri dje dukej e paimagjinueshme, fillon të perceptohet si e domosdoshme; ajo që dukej e pamundur, hyn në horizontin e së mundshmes politike.

Një rrezik i përhershëm i kujtesës publike është reduktimi i ngjarjeve në simbole të shkurtra, të lehta për t’u konsumuar dhe të padëmshme për të tashmen. Prekazi, megjithatë, i reziston këtij reduktimi nëse lexohet në thellësi. Pas tij qëndron një infrastrukturë e padukshme rezistence: jeta ilegale, rrjetet e furnizimit, lidhjet mes grupeve, përpjekjet për koordinim politik dhe përkthimi i zemërimit shoqëror në veprim të organizuar. Pa këtë dimension, epopeja rrezikon të mbetet thjesht rrëfim heroik; me të, ajo shfaqet si produkt i një procesi të gjatë, të rrezikshëm dhe të fragmentuar emancipimi politik.

Jehona e Marsit 1998 në lirinë e Kosovës nuk qëndron vetëm te mobilizimi i menjëhershëm, por te krijimi i një horizonti të ri. Pas Prekazit, ideja e shtetit nuk është më vetëm projekt abstrakt diplomatik; ajo bëhet detyrim moral ndaj sakrificës. Kjo e bën thelbësor reflektimin mbi raportin mes familjes Jashari dhe shtetit të ri të Kosovës: jo për ta shenjtëruar shtetin, por për ta mbajtur atë nën standardin e lartë që e ka lindur. Një shtet që e harron këtë burim moral rrezikon të mbetet vetëm administratë; një shoqëri që e harron, rrezikon ta kthejë sakrificën në ritual bosh.

Edhe ushtria e sotme e Kosovës, si institucion, qëndron në këtë vijë trashëgimie. Pyetja nuk është vetëm çfarë kujton, por si e përkthen kujtesën në etikë profesionale, në kulturë shërbimi publik dhe në raport me qytetarin. Kujtesa pa përgjegjësi rrezikon të bëhet dekor; përgjegjësia pa kujtesë rrezikon të humbasë busullën morale. Midis këtyre dy skajeve qëndron sfida e përditshme e shtetndërtimit.

Paraqitja mediale e ngjarjes, ndërtimi i kompleksit memorial në Prekaz, këngët, botimet dhe dokumentarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e kujtesës kolektive. Por, edhe këtu lind një pyetje e vështirë: si të ruhet dinjiteti i ngjarjes pa e kthyer atë në klishe? Si të balancohet nderimi me analizën kritike? Një kulturë e shëndetshme e kujtesës nuk u frikësohet pyetjeve të vështira; përkundrazi, ajo i përdor ato për ta thelluar kuptimin e sakrificës dhe për ta lidhur atë me përgjegjësitë e së tashmes.

Në fund, simbolika e familjes Jashari nuk qëndron vetëm te ajo që ndodhi në Mars 1998, por te detyrimi që ajo na lë sot. “Vrasja e frikës” nuk është akt i përfunduar njëherë e përgjithmonë; por ajo është proces i përhershëm që kërkon institucione të ndershme, shoqëri aktive dhe politikë që e merr seriozisht dinjitetin njerëzor. Vetëm kështu, Epopeja mbetet burim frymëzimi dhe jo relike muzeale.

Prekazi, në këtë kuptim, nuk është vetëm vend kujtese. Është provë morale për të tashmen — dhe një pyetje e hapur për të ardhmen.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X