OZNA njëherë, OZNA përherë! Këtë postulat shqiptarët e shohin kudo. Sa herë duhen trazira aty ku ka shqiptarë, u dalin madje fqinjët dhe familjarët e tyre të rebeluar pa kuptim kundër pushtetit në Tiranë, Prishtinë dhe jo vetëm! Por, jo gjithçka është pakuptim kur kuptohet se aty është OZNA!
Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë
Në fundgushtin e vitit të kaluar, OZNA ngatërroi historianët serbë, pasi disa prej tyre deklaruan se në Arkivin e Shtetit të Serbisë jetojnë pasardhësit e xhelatëve komunistë! Gjithçka filloi me tekstin e historianit Sërgjan Cvetkoviq më 27 gusht 2022 me titull “Në emër të popullit! Ndalimi për shkak të librit për OZNA-n!”, i cili për një kohë shumë të shkurtër u mbush me mesazhe kërcënuese për ata që punojnë në Arkivin e Shtetit të Serbisë! “Me siguri aty punojnë pasardhësit e xhelatëve, duhet dhe emrat të publikohen… Gjaku i të pafajshmëve nuk do të qetësohet, do t’i zë në brezin e ardhshëm, nëse nuk pendohen keqbërësit”, “Pasardhësit e kriminelëve komunist me OZNA-n ruajnë sekretet e përgjakshme të paraardhësve të tyre. Kam frikë se sërish do të fillojnë t’i mbushin përrenjtë e tyre, puset, gropat septike… me ata që nuk i konsiderojnë bashkëmendimtarë”, “Do ta shkatërrojmë këtë fortesë të plaçkitësve dhe horrave…”
Gjithë rrëmuja nisi me ndalimin e librit mbi OZNA-n, pasi dy historianëve serbë, Dr. Sërgjan Cvetkoviq dhe Dr. Nemanja Deviq, iu ndalua hyrja në Arkivin e Shtetit të Serbisë, pasi që sipas tyre, kishin publikuar pa leje dokumente nga fondi historik i Shërbimit Sekret BIA dhe Arkivi i Shtetit të Serbisë!
Ky absurditet, që u konsiderua i tillë nga historianët serbë, ishte absurditeti që për vite të tëra rrëfehej nga historianët shqiptarë që “studionin” në Arkivin e Shtetit të Serbisë, por nuk u besonte njeri në metropolin serb; Dhe, nuk e kuptonin faktin që ndër historianët shqiptarë ka kohë që ishte konstatuar se i pasur është ai që i ka në duar dosjet e Sigurimit të Shtetit! Pra UDB-së, d.m.th. OZNA-s!
Dhe, derisa në Shqipëri është e qartë se Sigurimi i Shtetit nuk është rastësisht në pushtet dhe, pse nuk ka qetësi në Kosovë, historianët në Serbi, sot, kur e vërteta serbe filloi t’iu ndalohet edhe për t’u studiuar, kanë filluar ta zbërthejnë lëmshin në kokat e tyre se çfarë ishte ajo që ndodhi nga viti 1990-të!
OZNA një herë, OZNA përherë!
“Nuk mund të ikni nga përgjegjësia e së nesërmes, duke iu shmangur sot!” – e thoshte qartë presidenti i 16-të i SHBA, Abraham Lincoln, i cili udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së përgjakshme Civile, si dhe në krizën e saj më të madhe politike ku ruajti bashkimin, hoqi skllavërinë, forcoi qeverinë federale dhe modernizoi ekonominë.
Po cila është përgjegjësia e shqiptarëve që lejuan krijimin e pushtetit të dosjeve të OZNA-s, dhe pse sot dosjet që janë në arkivin e Shërbimit Informativ Shqiptar, SHISH, dhe Autoritetin e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, ndjellin frikë dhe vazhdojnë të trajtohen me dyshim ndonëse zbulojnë shumë të vërteta! Sot Sigurimi i Shtetit arriti të mbushë institucionet shtetërore me bashkëpunëtorë dhe trashëgimtarë të tyre ndryshe nga vitet e para të tranzicionit kur u larguan të trembur nga hakmarrja!
Kjo situatë e krijuar ka dhe përgjigje pavarësisht se askush me mendje në kokë nuk mund t’i besoj mosprekjes së dosjeve kur edhe Ramoz Ruçit i ra për hise të bëhet ministër i Brendshëm!
Idiotizmi më i madh që u ngjiz ndër të përndjekurit politikë nga Sigurimi i Shtetit, se ata nuk janë për hakmarrje ndërkohë që familjet e tyre ishin shpërbërë pikërisht nga terrori i këtij Sigurimi, krijoi një shoqëri shqiptare anemike, hemoragjia e së cilës kishte filluar që nga gushti i vitit 1944, kur në Tiranë shkelë këmba e Velimir Stojiniqit, si instruktor i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, KQ PKJ, pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, KQ PKSH!
Ky njeri i besuar i kriminelit Aleksandar Rankoviq merrte pjesë në Byronë e KQ PKSH, në nëntor të vitit 1944 edhe në Plenumin e Beratit, vendimet e të cilit dihet se si e ndryshuan edhe rrotën e historisë shqiptare. Ai merrte pjesë edhe në mbledhjet e qeverisë së sapokrijuar shqiptare, ndërsa u emërua në krye të misionit ushtarak në janar të vitit 1945!
Sipas një dokumenti të sigluar si SEKRET, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, pesë oficerë serbë arrijnë në janarin e vitit 1945 në Tiranë, për – siç theksohet – forcimin e këtij misioni. Mision i cili ka meritat më të mëdha për shpërbërjen e ushtrisë së Shaban Polluzhës dhe vrasjen e mbi 3.800 të shqiptarëve në Masakrën e Tivarit dhe po aq të vrarëve në tokën shqiptare, rrugës për në Portin e Tivarit!
Zbërthimi i rolit të këtij njeriu në Shqipëri, ashtu si dhe Blazho Jovanoviqit, Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviqit, nuk do të zbardhte vetëm vrasjet e 7.600 shqiptarëve nga Prizreni në Tivar, por dhe misionin e Safet Filipoviqit për periudhën 1946-1948, i cili kishte një titull të çuditshëm: Ambasador i UDB-së në Tiranë!
Këtu dhe jetësohet postulati “OZNA një herë, OZNA përherë” dhe forca që kishte edhe UDB-ja me përfundimin e misionit të OZNA-s si Drejtori për Mbrojtjen e Popullit që doli nga Ushtria Nacionalçirimtare si shërbim i kundërzbulimit, më 13 maj 1944, me urdhër të Josip Broz Titos, dhe rioganizimit në marsin e vitit 1946 në Drejtorinë e Sigurimit Shtetit, UDB, dhe Shërbimin e Kundërzbulimit të Ushtrisë Jugosllave, KOS!
Heqja dorë nga vendimet e Konferencës së Bujanit me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe e drejta për vetëvendosje, mungesa e guximit për të vërtetën e Masakrës së Tivarit dhe lejimi i një Ambasadori të UDB-së në Tiranë do të krijojë një realitet të ri shqiptar, të cilin e pranon edhe vetë UDB-ja si pjesë e një analize të Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë në vitin 1952: vetëm Muharrem Bajraktarin nuk e korruptuam dot!
Në shtrat me OZNA-n!
Sa herë politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë ka problemet e saj, në tregun mediatik shfaqen dosje të shumta mbi veprimtarinë e dyshimtë të protagonistëve politikë që ngadalë zunë vend në këtë skenë të shëmtuar sa edhe kanë filluar të krenohen me titullin “Zotni Spiun”!
Drejtues të emisioneve televizive në Tiranë, përgjithësisht, janë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe janë trampolinë për të gjithë ata që duhet të lancohen nga Prishtina, Shkupi, Presheva dhe Ulqini. Qafa e tyre më nuk tund dosjet për të kërcënuar, sepse prokuroria, gjykata dhe administrata tashmë është stërmbushur me spiunë të Sigurimit dhe pasardhës të tyre, por vetëm lëviz syrin e kamerës kur nuk duhet të thuhet e vërteta e Masakrës së Tivarit, burgjeve komuniste dhe kampeve të përqendrimit, demonstratave të vitit 1981, trazirave të vitit 1997, luftës së UÇK-së, FARK-ut, UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni etj.
Ndërtuesit, përgjithësisht, janë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ashtu si edhe bankierët, të cilët, sa herë figurojnë në dosje, kanë lidhje me paranë! Kontrabandën e cigareve, kafesë drogës dhe gjithë mallit tjetër të akcizës sot në Ballkanin Perëndimor e drejtojnë ish-punonjësit e UDB-së dhe Sigurimit në këto dikastere, ndërkohë që lëvizja e të gjithë atyre shqiptarëve jashtë Shqipërisë së Enver Hoxhës kamuflohej me patriotizëm.
Sot në mediat e Shqipërisë hapësirë e jashtëzakonshme mund të kenë serbët për promovimin e ekonomisë dhe kulturës së tyre, por në asnjë rast shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, sepse që të gjitha kontrollohen nga Sigurimi i Shtetit!
Sot u krijua si normalitet kur një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit është pronar i një medie ose një qendre tregtare, ashtu siç është shndërruar në normalitet edhe në Prishtinë fakti se je biznesmeni më i fuqishëm shqiptar dhe regjistron biznesin me dokumente të Serbisë!
Ose, rasti i fundit në Shkup, me emërtimin e rrugës Adem Demaçi! Kur u emërtua para ca muajve njëra ndër rrugët kryesore në Tiranë me emrin e gjeneralit shqiptar që i nisi 7.600 kosovarë drejt varrit më të madh masiv në histori, Tivarit, Gjeneral Rrahman Parllaku, nuk reagoi njeri! Por, kur iu u vu emri i Adem Demaçit në Shkup, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u irritua shumë, duke e cilësuar njeriun që mbi supe mban çmimin Saharov, se ishte një njeri që urrente serbët, ndonëse kaloi një kohë të gjatë në burgjet serbe të një sistemi shumë liberal! Pra, Presidenti i Serbisë irritohet ashtu si Kryebashkiakja e Shkupit, duke promovuar një ushtri kriminale komuniste dhe sistem i cili me njerëz të tipit të Rankoviqit prodhoi Goli Otok ose Pozharevac me mbi 500 mijë shqiptarë të dëbuar dhe është e qartë se është nën kontroll kur nuk guxon ta përdor as si argument emërtimin e një rruge me emrin e Gjeneral Rahman Parllakut, i cili mos harroni firmosi kur Kosova ishte nën administrim ushtarak me në krye të besuarin e Titos, Savo Dërleviq! Dhe, nga ana tjetër, për emrin dhe figurën e Adem Demaçit, si meritor për emërtimin e kësaj rruge, nuk tha asnjë fjalë, asnjëri prej shqiptarëve në pushtet, që dikur ishin bashkëmendimtar me Bacën Adem, sikur kjo nismë të kishte dhe qëllime tjera!
Në fund, përgjimet dhe ndryshimet e pushteteve!
Një përgjim me Zëvendëskryeministrin Ilir Meta i ra në kokë pushtetit të Sali Berishës dhe në pushtet erdhi Edi Rama! Që e gjithë situata mbante erë UDB-je dëshmoi kumbaria serbe e pushtetit të ri, i cili për habinë e të gjithëve u arrit me koalicion, i cili u krijua po me hajdutin Meta, të cilin shqiptarët e panë në video duke numëruar paratë! Dhe, shqiptarët nuk fituan asgjë nga i gjithë ky “skandal” që plasi mbi kokën e Sali Berishës!
Edhe në Maqedoni të Veriut ndodhi e njëjta gjë – me përgjime iku Nikolla Gruevski, u zëvendësua me një proserb të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe nga ndërrimi i pushteteve vetëm shqiptarët nuk fituan asgjë, ndërsa fituese doli vetëm Serbia!
Pse në të dyja rastet mbanë erë UDB?! Me forcimin e fronit të Ramës dhe Zaevit, Beogradi vazhdoi aty ku e kishte lënë në vitin 1946, duke krijuar “Ballkanin e Hapur”!
Largimi i Hashim Thaçit është për skenar filmash, por nuk duhet injoruar fakti se Beogradi u ndihmua shumë nga ata që vazhdojnë të jenë në shtrat me OZNA-n. Trafiku i organeve u cilësua absurd dhe i pamundur edhe nga mjekët e njohur të fushës, por UDB-ja me ndihmën e shqiptarëve rezidentë dhe një media në shërbim të pushtetit serb, që kishte në Beograd, arritën ta shpikin “Shtëpinë e Verdhë”, ta hetojnë me ndihmën e prokurorëve shqiptarë, edhe pse nuk kishin kompetencë, dhe ta ndërkombëtarizojnë deri në krijimin e Gjykatës Speciale dhe arrestimin e Presidentit të Kosovës!
Kështu, forcimi i pozicioneve të Beogradit në rajon dhe garancitë e Edi Ramës për mikun e tij Albin Kurti ishin bindëse si për Sigurimin e Shtetit, ashtu dhe bossët e tyre në UDB se pengesa nuk do të ketë!
Kosova me një lider ndryshe nuk shqetësoi ata që hapën Ballkanin, por në momentin që shqetësimi u bë i bezdisshëm për këtë kastë kriminale, e cila për 80 vjet po sundon në këtë rajon, hodhën në tregun e opinionit publik një përgjim! Askush nuk pyeti pse një përgjim ku protagonistë ishin një politikan serb dhe një shqiptar, ndërsa përgjimi bëhej publik për ta dëmtuar shqiptarin. Dhe, asgjë nuk u transmetua nga ato që kishte thënë politikani serb, ndonëse ai që e kishte realizuar përgjimin ishte shërbëtor i një kriminel serb të klasit të parë dhe nënkryetar i Listës Srpska! Prokuroria kosovare nuk mori mundimin as ta marrë në pyetje këtë politikan serb, sepse qëllimi ishte të dëmtohej qeveria e Albin Kurtit, e për të treguar se sa i keq është ky Albini, në skenë doli edhe njeriu i cili gjithçka që ka në jetë i ka nga serbët, ashtu si dhe një televizion! Dhe, Albini përveç se “bashkëpunues” me Listën Srpska, na del dhe mohues i fjalës së lirë, ndonëse fjala ishte për një media promovuese të devotshme të politikës serbe në Kosovë!
Për t’iu kthyer në fund edhe një herë thënies së Presidentit Lincoln: Po, sot nuk duhet t’i shmangemi përgjegjësisë për shumë arsye dhe mund t’ia nisim me të gjithë ata që adhurojnë të jenë në shtrat me OZNA-n, të paktën duke ua zhvendosur shtratin në Beograd, aty ku vetëm tani është filluar të kuptohet se OZNA mund të preket, por jo pa lejen e atyre që e krijuan dhe po e drejtojnë këtë organizatë kriminale!
A mjafton kjo?! Natyrisht se jo, por vetëm kështu mund të fillojmë të mos ikim nga përgjegjësia e së nesërmes, e cila në mos me të gjithë keqëbërësit e dënuar në shërbim të OZNA-s, do jetë një e nesërme që nuk josh shërbimin e shqiptarëve për serbë dhe Serbisë.