Musineja lindi në Adana të Turqisë më 10 shkurt 1917. Babai i saj, Reshat Kokalari, i cili shërbente si jurist në Perandorinë Osmane dhe mamaja e saj, Anushe Kokalari, u munduan të edukonin me virtyte intelektuale Musinenë dhe tre vëllezërit e saj, Mymtaz, Vejsimi dhe Hamit. Në vitin 1921, ata vendosën të kthehen në Shqipëri për t’u vendosur në qytetin e Gjirokastrës. Musineja kreu shkollën fillore në Gjirokastër, për t’u larguar për në kryeqytet vetëm 9 vite pas kthimit në atdhe.
Shkruan: Brisejda LALA, Tiranë
Shqipëria e pasluftës u kthye në një terren të vështirë për veprimtarinë dhe jetën e intelektualëve. Ideologjia komuniste, e imponuar nga regjimi i ri komunist, binte ndesh me traditat dhe kulturën e popullit shqiptar dhe mënyrën e jetesës së njeriut të lirë. Shumë personalitete të elitës politike, kulturore etj., u ekzekutuan, u burgosën dhe u persekutuan në forma të tjera për gati gjysmë shekulli. Pjesë e kësaj elite fatkeqe ndodhi të ishte dhe intelektualja Musine Kokalari.
Musineja lindi në Adana të Turqisë më 10 shkurt 1917. Babai i saj, Reshat Kokalari, i cili shërbente si jurist në Perandorinë Osmane dhe mamaja e saj, Anushe Kokalari, u munduan të edukonin me virtyte intelektuale Musinenë dhe tre vëllezërit e saj, Mymtaz, Vejsimi dhe Hamit. Në vitin 1921, ata vendosën të kthehen në Shqipëri për t’u vendosur në qytetin e Gjirokastrës. Musineja kreu shkollën fillore në Gjirokastër, për t’u larguar për në kryeqytet vetëm 9 vite pas kthimit në atdhe. Në vitet 1930-të një nga vëllezërit e Musinesë hapi një librari në Tiranë.
Më 1937, ajo përfundoi studimet për letërsi në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” dhe nisi studimet universitare në Romë, Itali. Universitetin e përfundoi më 1941, diplomën e mbrojti me një temë të shkëlqyer për poetin e madh shqiptar, Naim Frashërin. Gjatë këtyre viteve u njoh me figura të shquara të vendit dhe ra në kontakt me lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste duke u bërë pjesë e tyre.
Më 1943, Musineja, së bashku me intelektualë të tjerë të njohur, si juristi Skënder Muço, mësuesi i letërsisë Isuf Luzaj, gjuhëtari Selam Riza etj., formuan një grupim që njihet si Partia Social-Demokrate. Mirëpo kjo përpjekje nuk pati sukses, sepse sikundër përmend edhe vetë Kokalari në veprën e saj “Si lindi Partia Social-Demokrate” të shkruar në vitin 1972, kjo alternativë e re demokratike ndodhej në një moment tragjik dhe përballej me komunistët nga njëra anë dhe interesat personale të liderëve të Ballit Kombëtar nga ana tjetër. Duke pasur një pasion të madh për të shkruar, si edhe për të lënë hapësirë për shprehjen e fjalës së lirë, ajo u angazhua dhe ishte ndër themeluesit e gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944 ajo publikoi programin e partisë në gazetë, duke specifikuar që kjo parti kërkonte liri politike, duke i siguruar çdo qytetari të drejtën e shprehjes, votës, lirinë e shtypit dhe pronës private.
Më 12 nëntor të vitit 1944, kur hynë në Tiranë, komunistët ekzekutuan, mes shumë të tjerëve, edhe dy vëllezërit e saj, Muntaz dhe Vesim Kokalari. Musineja u arrestua një ditë më pas, më 13 nëntor, por pas dy javësh u lirua. Pas kësaj ajo u distancua nga skena politike dhe punoi në librarinë e familjes në Tiranë.
Më 1945, para zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Musineja mori përsipër t’u dërgonte një notë misioneve aleate në Shqipëri, me anë të së cilës kërkonte mbështetje nga ana e tyre për të shtyrë zgjedhjet. Zgjedhjet duheshin shtyrë, argumentonte ajo, në mënyrë që t’u jepej mundësi partive të tjera, veç Frontit Komunist, të organizoheshin dhe të hynin në zgjedhje. Nota e saj ra në vesh të shurdhër, komunistët i bënë të vetëm zgjedhjet dhe grupimet e tjera politike ose individët që mendonin ndryshe i ndëshkuan. Një muaj pas zgjedhjeve, në janar 1946, Musineja u arrestua për së dyti nga të ashtuquajturat forca të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit.
Gjyqi i Musinesë dhe politikanëve të tjerë opozitarë nisi më 17 qershor 1946 dhe zgjati 15 ditë. Ajo ishte 28 vjeçe. U akuzua se, me letrën që u kishte dërguar aleatëve, kishte kryer një veprim që synonte të rrëzonte qeverinë. Në mbrojtje të saj, Musineja deklaroi se ishte përgjegjëse vetëm për ato që ajo thoshte dhe jo për veprime të njerëzve të tjerë dhe se synimi i vetëm i saj ishte mbajtja e zgjedhjeve të lira në vend. Ajo deklaroi se nuk kish bashkëpunuar kurrë me pushtuesin dhe se nuk ishte fashiste, por nuk ishte as komuniste, pasi nuk e kuptonte këtë gjë. Ajo e përgatiti vetë mbrojtjen e saj dhe kur u pyet nëse i pranonte akuzat ajo tha: “Bazuar në logjikën tuaj politike, po. Por, sipas meje, jo”. Musineja qëndroi krenare para organeve të regjimit, e sigurt që ata në çdo formë do ta burgosnin ose ekzekutonin. Fjalët e saj në gjyq akoma sot tregojnë më së miri krenarinë e një figure intelektuale, e cila nuk fliste dot me gjuhën e dhunës që flisnin përfaqësuesit e regjimit që morën vendimin për dënimin e saj.
Musineja u dënua me 23 vjet burg, ndërsa i vuajti 16 vjet në burgun e Burrelit. Pas burgut u internua në Rrëshen, një qytezë periferike, kur punoi 11 vjet si fshesare e rrugëve dhe disa vjet në ndërmarrjen e ndërtimit. Ajo u mbajt vazhdimisht nën vëzhgim nga Sigurimi i Shtetit, policia politike. Në vitet e fundit të jetës u sëmur prej kancerit të gjirit dhe autoritet refuzuan kurimin e saj në spitalin lokal. Musine Kokalari ndërroi jetë në mjerim dhe vetmi të plotë, më 13 gusht 1983. Më 1991, familjarët i varrosën eshtrat e saj në Tiranë. Më 1993, Presidenti i Republikës e shpalli “Martire e Demokracisë” dhe “Nder i Kombit.”
Musineja ishte një shkrimtare prodhimtare, por aktiviteti letrar i saj u ndërpre nga regjimi komunist. Prej saj kemi tashmë vëllimin me tregime “Siç më thotë nënua plakë”, të cilat u botuan në të përjavshmen politike letrare “Bota e re”, në korrik 1940. Në vitin 1944 ajo botoi veprën në prozë “Rreth vatrës” dhe në vitin 1945 libri i tretë “… sa u tunt jeta”. Në vitin 1972 Musine Kokalari përfundoi dorëshkrimin “Si lindi Partia Social-Demokrate”, ku përshkruante edhe angazhimin e saj personal dhe njerëzve të përfshirë në këtë parti.
Në qytetin e saj të fëmijërisë, në Gjirokastër, shtëpia e familjes së saj, një familje me 14 vetë të persekutuar, është ende e shkatërruar. Vëmendja e autoriteteve lokale, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, është tjetërkund. Shtëpia e Enver Hoxhës, në të njëjtën lagje, vazhdon të jetë muze, i administruar nga bashkia, e cili vazhdoi ta glorifikojë diktatorin, drejtuesin e partisë komuniste dhe regjimit komunist, personin kryesor përgjegjës për fatkeqësinë komuniste që përjetoi Shqipëria. Në shtëpinë e Musinesë nuk gjen gjurmë të historisë së pasur të familjes së saj, përfshi dhe persekutimin. Me përpjekjen e një organizate private u arrit që te rrënojat të vendosej një pllakë përkujtimore para disa vitesh, por brenda një kohe të shkurtës, për më pak se dy muaj, kjo pllakë u prish nga persona të panjohur.