loader image
November 21, 2024

Në kërkim të demokracisë shqiptare që nuk e patëm: nga të fillojmë?

Për dekada, besohej se mbrojtja e vetme e demokracisë së vobektë shqiptare ishte presioni ndërkombëtar, i SHBA-së dhe Bashkimit Europian, ndaj palëve politike. Konkurrenca dhe rotacioni i pushtetit jepte përshtypjen se edhe pse me mangësi, jeta politike shqiptare kishte cilësitë e një demokracie në zhvillim, me premtimin se diku në të ardhmen demokratizimi do të arrihej. Në vitet e fundit, ndërkombëtarët kanë treguar se gjendja politike në Shqipëri është tërësisht e pranueshme për ta. Monizmi politik shqiptar është pranuar si fat i përmbushur nga publiku shqiptar dhe si realitet i pranueshëm nga protektorët e huaj.

Besnik SINANI, Tiranë

Një dyqan librash në Amsterdam këto ditë kishte të shkruar në vitrinë këto fjalë: “Demokracia mund të mos ekzistojë, por ne do na marrë malli kur ta kemi humbur”. Në Europë, si kudo nëpër botë, duket të shtohet frika gjithnjë e më e madhe jo vetëm për humbjen e demokracisë, por edhe e zëvendësimit të saj me rende autoritare. Vetëm pak dekada pasi dukej se i gjithë globi po shkonte detyrimisht drejt demokratizimit, tashmë frika për humbjen e demokracisë gjendet edhe në vendet ku besohej se institucionet dhe kultura e saj ishin në themele solide.

Kam kaluar një pjesë të mirë të dhjetëvjeçarit të dytë të këtij shekulli në Lindjen e Mesme, rajonin ku sfidat e demokracisë më së shumti debatoheshin në nivel ndërkombëtar. Demokratizimi i rajonit shihej si një nevojë e natyrshme jo vetëm për rajonin, por për paqen dhe stabilitetin në botë. “Nuk ka luftë mes dy demokracish” dhe parulla të tjera të ngjashme kërkonin të shpjegonin forcën magjike stabilizuese të kësaj forme politike. E ardhmja e planetit dukej të varej nga përqasja midis “Islamit” dhe “Demokracisë”. Mbretëri arabe pa naftë – si Maroku dhe Jordania – ishin ato që përballeshin më shumë me presionin për t’u demokratizuar, por edhe nga të tjerat, si Saudia, performoheshin aktivitete politike simbolike që jepnin shëmbëlltyrën apo premtimin se po bëheshin hapa – edhe pse modestë – drejt demokratizimit: zgjedhje për këshillat e administratës lokale që në fakt nuk kishin asnjë pushtet të vërtetë. Një dekadë më tutje, udhëtimi i natyrshëm i kombeve drejt demokracisë duket të jetë harruar. Edhe pse – pasi u bë e qartë se nuk kishte armë të shfarosjes në masë në Irak – demokratizimi i vendit e prej andej i rajonit u deklarua si motivi i pushtimit amerikan, ky synim nuk dëgjohet më në asnjë debat politik apo strategjik për vendin.

Pjesë e arsyes së humbjes së atraksionit të demokracisë duket të jetë edhe kriza e saj në SHBA, vendit që kishte deklaruar promovimin e saj kudo në botë. Fitorja e Donald Trump-it më 2016 u pa si krizë e demokracisë, por shenjat e saj i kishin paraprirë vetë Trump-it. Në një leksion që dha në ato kohë, me titull “Disa kriza të demokracisë”, filozofi dhe politologu i njohur kanadez, Charles Taylor, vuri në dukje se qytetarët në perëndim më parë gjenin përmbushje personale tek përfshirja politike, ndërsa tani gjithnjë e më tepër u dukej se procesi demokratik nuk ishte gjë tjetër se shumë zhurmë për asgjë. Politikanët e sistemeve demokratike gjithnjë e më tepër përfytyrohen si hileqarë, ndërkohë që humbja e shpresës dhe cinizmi i qytetarëve ka potencial të kthehet në një “profeci të vetëpërmbushur”.

Humbja e zgjedhjeve nga Trump-i më 2020 nuk solli ndonjë përforcim të mirëbesimit ndaj demokracisë. Në një numër dedikuar kësaj teme, revista e mirënjohur liberale në SHBA, The New Yorker, teksa përsëriste alarmin e krizës së demokracisë, theksonte se: “Shumë nga institucionet e qeverisë tonë janë jofunksionale dhe po përkeqësohen… Transformimi i hapësirës mediatike, falë kontributit të aktorëve dashakeqës dhe hileqarë, dobësoi kuptimin tonë ndaj realitetit. Politika jonë është bërë në mënyrë alarmante armiqësore; një nga potencialet shkatërruese të zgjedhjeve të 2020 është fakti se rezultati konsiderohet prej shumë votuesve si ilegjitim… Edhe pse presidenti Donald Trump, me mungesën e respektit ndaj vlerave të drejtësisë dhe sundimit të ligjit është pa dyshim një aktor thelbësor i kësaj krize, kjo krizë i paraprin atij dhe qartazi duket se do të vazhdojë edhe pas tij…”

Në librin e tyre Si vdesin demokracitë dhe si të shpëtojmë tonën (How Democracies Die and How to Save Ours), politologët e Universitetit të Harvard, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblat, identifikojnë dhjetë shenja të rrezikimit të demokracisë. Ndër to, shenja e parë është mosnjohja e rezultateve të zgjedhjeve, e treta është ekzistenca e aferave të biznesit me elementë kriminalë, ndërsa e fundit është vullneti për të reduktuar të drejtat civile dhe lirinë mediatike.

Në rastin e Shqipërisë post-komuniste, nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje të pakontestueshme, kriminalizimi i ekonomisë është përmbushur, mediat janë në pronësi shpesh të bizneseve, por edhe në aspektin më formal vendi sundohet nga një sistem politik njëpartiak. Jo më pak se 35 vjet pas rënies së komunizmit, kemi parë rikthimin e monizmit politik. Prezenca në media të pak zërave opozitarë, fjalimet e dëshpëruara të ndonjë deputeti, mbledhjet përpara dritares së ish presidentit Berisha, nuk janë në fakt vetëm se efekte skenike për të krijuar iluzionin e një jete politike, gjethe mitike që përdoren për të mbuluar lakuriqësinë e politikës shqiptare.

Për dekada, besohej se mbrojtja e vetme e demokracisë së vobektë shqiptare ishte presioni ndërkombëtar, i SHBA-së dhe Bashkimit Europian, ndaj palëve politike. Konkurrenca dhe rotacioni i pushtetit jepte përshtypjen se edhe pse me mangësi, jeta politike shqiptare kishte cilësitë e një demokracie në zhvillim, me premtimin se diku në të ardhmen demokratizimi do të arrihej. Në vitet e fundit, ndërkombëtarët kanë treguar se gjendja politike në Shqipëri është tërësisht e pranueshme për ta. Monizmi politik shqiptar është pranuar si fat i përmbushur nga publiku shqiptar dhe si realitet i pranueshëm nga protektorët e huaj.

Nëse, pavarësisht vendimeve strategjike të ndërkombëtarëve, kërkojmë gjithsesi të afirmojmë vullnetin tonë politik, afirmim i cili qëndron në thelb të premtimit të demokracisë, atëherë do duhet menduar seriozisht se nga ku do duhet filluar. Që t’i kthehemi edhe një herë artikullit të Charles Taylor-it, sugjerimi i tij është të fillohet në nivele lokale, në organizime që kanë në vëmendje krijimin e angazhimit demokratik që vjen paralele me ndërtimin e bashkësisë dhe komuniteteve të qytetarëve, në ambiente universitare, në lagje, në bashkësitë tona fetare, në rrjetet tona profesionale. Teksa të tilla përpjekje duken minimale përpara politikës së ditës dhe aparatit shtetëror, si edhe përballë ndjenjës së urgjencës që të jep rrënimi i resurseve të vendit dhe humbja e shpresës, përpjekja demokratike do duhet të fillojë tek ngritja e këtyre themeleve, pa të cilat nuk do mundet të realizohet.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X