Duket se, Shqipërinë e zbrazur prej popullit të saj, Rama dëshiron ta kthejë në një parajsë fiskale, ku amnistohen paratë e fituara ilegalisht nëpër botë. Një lloj vendi ku mundësohet spekulimi i pakufishëm me ndërtimet, ku betonohet qyteti, mali e deti, me projekte të shëmtuara për të cilat paguhen shtrenjtë arkitektë të famshëm botërorë, e të cilat pastaj u shiten edhe më shtrenjtë “çunave” që s’dinë ku ta çojnë cash-in e fituar nga narkotrafiku.
Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë
Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Situata është e përçudnuar. Nga njëra anë, Shqipëria po zbrazet. Shqiptarët, e sidomos të rinjtë, po largohen. Largimi ka një intensitet të pakrahasueshëm me vendet fqinjë, madje edhe më të lartë se vendet e luftës. Nga ana tjetër, përditë ndodhin atentate të tipit mafioz, diku me qitës të maskuar, diku me tritol. Pavarësisht këtyre, kryeministri Edi Rama e ka mbushur vendin me fytyrën e vet nëpër posterë e banderola, duke thirrur “Përpara!”. Por, kah po e çon Shqipërinë kjo rrugë ku po e nget me shpejtësi Ed Rama veturën e tij mavi?
Dy fenomenet që unë i shoh si probleme madhore, pra largimi masiv i shqiptarëve dhe shndërrimi i Shqipërisë në fushëbetejë kriminelësh, janë të ndërlidhura. Por, jo në atë mënyrën direkte që shqiptarët po ikin të trembur nga krimi. Kjo nuk është e vërtetë, sepse frikë nga krimi mund të ketë një individ, por jo një popull. Një popull, edhe sikur të jetë më i buti e më i squllëti në botë (por, s’janë ashtu shqiptarët), nëse e sheh që i shkon thika në palcë, është në gjendje të heqë qafe kriminelët e diktatorët, sado të organizuar e të armatosur të jenë ata.
Atëherë cila është ndërlidhja? Sipas meje, ajo është ekonomike. Megjithatë, jo në atë versionin thjeshtëzues “it’s the economy stupid”, sipas të cilit njerëzit do të shkojnë me vrap atje ku ka më shumë para dhe mbrapa do të mbetet vetëm shkretëtira e populluar nga kaubojsët. Kjo nuk është e vërtetë. E para, sepse Shqipëria nuk është vendi më i varfër i botës e as i Europës, e megjithatë prej saj po ikin më shumë sesa prej vendeve më të varfra e më të shkatërruara dhe, e dyta, sepse çka po mbeten pas nuk janë shkretëtira klasike e as kaubojsët.
Ekonomia i ndërlidh dy kryeproblematikat shqiptare në një mënyrë disi më politike. Është lloji i ekonomisë së krijuar në Shqipëri ai që e dikton formatin politik e shoqëror mbretërues, e që ka nevojë për të dy këto fenomene.
Cili është lloji i ekonomisë dhe ç’format politiko-shoqëror dikton ai? Ekonomia në Shqipëri karakterizohet nga tre vese: e para ajo është e përqendruar në fare pak duar dhe sektorët e saj kontrollohen nga monopole ose oligopole shpesh të kartelizuara; e dyta ajo është ekzocentrike, pra nuk prodhon në mënyrë substanciale as të mira e as shërbime, por varet nga paratë që vijnë nga jashtë; dhe, e treta, ajo është tepër e pabarabartë, pa instrumentë të rishpërndarjes, me siguri ndër më të pabarabartat në kontinent.
Ç’format i jep shoqërisë kjo? Në radhë të parë, aty ku kapitalin e mbajnë fare pak duar, konkurrenca është e pamundur. Konkurrencën e dëmton edhe hyrja e pakontrolluar e kapitalit nga jashtë, shpesh me origjinë ilegale. Ai kapital ka për synim pastrimin e vetvetes dhe jo sipërmarrjen në të cilën investohet, gjë që shformon shumë sektorë. Imagjinoni sa e vështirë është për një sipërmarrës të hotelerisë ose gastronomisë, që ka investuar aty kursimet e tij jetësore e që përpiqet me nikoqirllëk të nxjerrë fitimin, të konkurrojë me një azgan që fut në të njëjtin sektor para me thasë, për të prodhuar luks e kitsch, pa pasur synim fitimin e as përmbushjen e nevojave të ndonjë klientele ose cakun e kërkesës nga oferta, por thjesht pastrimin e parave? E, së fundmi, konkurrenca nënkupton një lloj barazie në start. Edhe ekonomistët klasikë e neoklasikë të kapitalizmit e pranojnë përgjithësisht këtë. Prandaj kanë propozuar edhe modele të rënda taksimi mbi trashëgiminë. Pasuria duhet të jetë rezultat i punës, guximit dhe kreativitetit individual, por në momentin kur persona që s’janë as punëtorë, as guximtarë e as kreativë, zotërojnë kapitalin mjaft sa për t’i shtypur të tjerët qysh në start, atëherë ekonomia (dhe shoqëria) nisin të bien në dekadencë.
Përveç kësaj, ka dhe një problem me vlerën e njeriut. Edhe në qoftë se hyn te ata që paguhen mirë, po themi me një rrogë europiane mbi 2000 euro në muaj, kur je kaq pranë me cash-in që qarkullon me shifra më të mëdha se rroga që mund të marrësh në 50 vitet e ardhshëm ose kur sheh produkte e mjete superluksoze që dhurohen apo aksidentohen mendjelehtësisht prej disa njerëzve të pashquar, nuk mund të mos tronditesh. Dikush tundohet. Dikush hyn në depresion. Cila është vlera e vërtetë e punës? E nëse puna s’na paska aq vlerë, cila është vlera e kuptimi i vërtetë i jetës? Shumë të rinj e të reja – me mospërfilljen karakteristike të moshës, por edhe me shkujdesjen e prodhuar nga cedimi i sistemit arsimor përballë teknologjisë së re të komunikimit e të marketingut, që po përmbyt jetët e njerëzve – janë përfshirë në këtë vorbull konsumi të përzier me cash e me mallra luksi, duke ofruar trupat e tyre, diku si eskorta, diku si truproja, diku si prostituta, diku si vrasës me pagesë, diku si masazhatorë, diku si influencerë. Qysh prej lashtësive prehistorike dihet nga arkeologjia se haremi dhe oborrtarët e mbretërve shumë të pasur llastoheshin e paguheshin më mirë se punëtorët që e prodhonin atë pasuri. “Prandaj, oburra të bëhemi kurtizanë!”, ky është formati që ofron ekonomia shqiptare.
Efekti politik i kësaj ekonomie është i vrazhdë. Shqiptarët tre dekada më parë hynë me entuziazëm eksperimental në një sistem që e kishin ëndërruar aq shumë, që e quanin pluralizëm dhe demokraci. Por, nuk është se e analizuan shumë se ç’do të thotë ajo. Për shembull, nuk u shtrua kurrë pyetja se a është e mundur të ketë pluralizëm politik pa pluralizëm ekonomik? Dihet rëndom se në pluralizëm partitë politike përfaqësojnë interesa të ndryshëm ekonomikë. Por, në një vend ku ekonomia është tashmë e monopolizuar, cilat janë interesat ekonomike që mundësojnë pluralizmin? A mund të ketë pluralizëm politik aty ku nuk ka pluralizëm kapitalist, pra aty ku nuk ka konkurrencë? Nuk mund të ketë. Ai grusht biznesesh të mëdha që kontrollojnë ekonominë dhe median ka kosto më të madhe nëse duhet të shpërndajë para herë te njëra parti e herë te tjetra sesa po të çojë para vetëm te njëra e ta kryejë punën më shpejt e në mënyrë më efikase. Natyrisht, herë pas here kërkohet ndryshim dhe bizneset këtë gjë e dinë mirë, sepse janë ato që e kanë shpikur ndryshimin e ambalazhit. Pra, njëfarë ndryshimi i fasadës, i fytyrës, një ndryshim “gjeneracional”, që ruan të pandryshuar interesin ekonomik, një ndryshim që nuk krijon pluralizëm.
Ky fenomen ka ndodhur edhe nëpër botë. Të lodhur nga ekonomia dhe politika “pa alternativë” (Margaret Thatcher thoshte “there is no alternative” për neoliberalizmin), shumë popuj filluan të lëvizin drejt poleve më konservatore ose më të majta të politikës. Pra, qytetarët filluan ta rishpikin pluralizmin. Meqenëse interesat biznesore të korporatave të mëdha e të monopoleve nuk ishin plurale, atëherë partitë politike që e sfidonin pushtetin u afruan me interesat ekonomike të shtresave popullore. Rezultati është pak a shumë evident në shumë vende të perëndimit e të lindjes. Pikërisht këtu Edi Rama duket se ka pasur një largpamësi perverse. Ai jo vetëm që ua ka hapur derën shtresave popullore, por i ka ftuar, i ka nxitur ato të largohen prej vendit. Kështu, shpreson ai, do të zhduket çdo lloj potenciali për pluralizëm në Shqipëri.
Mirëpo, largimi i njerëzve është largim i punëtorëve dhe i konsumatorëve, përveçse largim i interesave që pluralizojnë politikën. Si mund të mbijetojë një ekonomi pa punëtorë, pa konsumatorë? Pa konkurrencë, siç e përmendëm edhe më lart? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet dot përgjigje në katedrat e ekonomisë. Por, mbase mund t’i jepet në korridoret e errëta ku mafia takohet me politikën. Duket se, Shqipërinë e zbrazur prej popullit të saj, Rama dëshiron ta kthejë në një parajsë fiskale, ku amnistohen paratë e fituara ilegalisht nëpër botë. Një lloj vendi ku mundësohet spekulimi i pakufishëm me ndërtimet, ku betonohet qyteti, mali e deti, me projekte të shëmtuara për të cilat paguhen shtrenjtë arkitektë të famshëm botërorë, e të cilat pastaj u shiten edhe më shtrenjtë “çunave” që s’dinë ku ta çojnë cash-in e fituar nga narkotrafiku.
Kjo është Shqipëria e Ramës, ku ai brohoret “Përpara!” dhe “Kurrë më mbrapa!”. Por, sa e hidhur ngjan kjo brohoritje kur e dëgjon i riu shqiptar i hipur në kamion a në gomone, duke u përpjekur për të disatën herë të shkojë në Angli?