loader image
June 24, 2025

Modernizmi dhe rendi juridik: një analizë në kontekstin shqiptar

Modernizmi solli risi me racionalizimin e rendit juridik. Konceptet teokratike të pushtetit/sovranitetit u mënjanuan në favor të koncepteve demokratike (sovraniteti popullor/kombëtar). Udhëheqësi i shtetit/popullit nuk konsiderohej më “i zgjedhuri i Perëndisë”, i cili bartte përgjegjësi vetëm ndaj Zotit, por do të konsiderohej “i zgjedhuri i popullit” dhe ai kishte përgjegjësi karshi popullit për veprimet e veta. Kjo qasje e re mori trajta të ndryshme, varësisht nga sistemi i qeverisjes, por që si emërues të përbashkët kishte llogaridhënien e autoritetit politik përballë popullit.

Ditar KABASHI, Prizren     

Shekujt XVIII-XIX janë shoqëruar me përhapjen e modernizmit në truallin europian. Kjo valë e re mendimi dhe veprimi i ka përmbysur qasjet e deriatëhershme për organizimin shoqëror, politik dhe juridik. Duke qendërzuar arsyen në mendim, shkencën në njohje të botës dhe liritë individuale në drejtësi, modernizmi filloi ta mbizotërojë jetën publike në të gjitha vendet e botës, ku më herët e ku më vonë. Ky artikull do të analizojë ndikimin e modernizmit në drejtësi dhe në rendin juridik.

Universalizimi i së drejtës

Secili shtet përfshin legjislacion, me anë të të cilit rregullohet raporti i shtetit me qytetarin dhe i qytetarëve ndërmjet vete. Ky është tipar konkret i sovranitetit të një shteti. Megjithatë, modernizmi e ka potencuar nevojën që të ekzistojnë normat universale, të cilat duhet të respektohen nga secili shtet dhe subjekt ndërkombëtar. Kësisoj janë përcaktuar normat e quajtura jus cogens, të cilat janë të detyrueshme absolutisht për të gjithë, janë të pakontestueshme, universale dhe me epërsi ndaj secilës normë tjetër ndërkombëtare a vendore. Ndalesa e gjenocidit, ndalesa e torturës dhe skllavërisë, ndalesa e agresionit janë shembuj tipikë të normave të tilla. Përpos që si efekt ka prodhuar kodifikimin e së drejtës ndërkombëtare, kjo pikëpamje ka nxitur përpjekjen kundër arbitraritetit në udhëheqjen e shtetit dhe barazinë para ligjit.

Shteti i së drejtës

Ideja për shtet të së drejtës, e shndërruar në parim pas Revolucionit Borgjez Francez, paraqet një nga risitë thelbësore të modernizmit në drejtësi. Pas kësaj kohe, të drejtat dhe liritë e njeriut janë ngritur në rang kushtetues të shteteve. Supremacia e së drejtës dhe jo e pushtetarit (Luigji XIV: Shteti jam unë!), kufizimi i pushtetit shtetëror, barazia e qytetarëve para ligjit, gjyqësia e paanshme dhe e pavarur, qasja e qytetarëve në drejtësi, transparenca në qeverisje, llogaridhënia institucionale, dhe – përgjithësisht – siguria juridike, janë ndër cilësitë reflektuese të një shteti të së drejtës. Jetësimi i këtij parimi kardinal mundëson që e drejta të jetë transparente, e parashikueshme dhe e kuptueshme.

Një shembull i modernizmit në drejtësi paraqet Deklarata Franceze e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit e vitit 1789, e cila u kthye në frymëzim për shumë kushtetuta dhe akte ndërkombëtare të mëvonshme. Deklarata e afirmon barazinë mes njerëzve (neni 1); teksa lirinë, pronën, sigurinë dhe rezistencën kundër shtypjes i konsideron të drejta natyrore të njeriut (neni 2); garanton se askush nuk mund të ndëshkohet për veprime që nuk ndalohen shprehimisht nga ligji (neni 5); lirinë e përkufizon si e drejtë për të bërë veprime që nuk dëmton të tjerët (neni 4); proklamon barazinë para ligjit, duke përfshirë pjesëmarrjen në përgatitjen e ligjit (neni 6). Lidhur me çështjen e sovranitetit, Deklarata potencon se ai i përket kombit dhe buron nga vullneti i përgjithshëm (neni 3), duke përmbysur mishërimin e sovranitetit në unin e mbretit. Kjo Deklaratë parasheh edhe garancitë juridike për qytetarët, si – fjala vjen – ndalimin e arrestimit, përveçse në rastet dhe format e përcaktuara me legjislacion (neni 7) dhe prezumimin e pafajësisë derisa të provohet fajësia e individit (neni 9). Liria e shprehjes dhe komunikimit të mendimeve (neni 11) dhe besimi fetar mbrohen përderisa nuk e cenojnë rendin publik (neni 10). Shoqëria ka të drejtë të kërkojë llogari për çdo zyrtar publik (neni 15) dhe, sigurisht, një ndër pikat më esenciale të Deklaratës është që ngjiz ndarjen zyrtare të pushteteve, duke afirmuar moton “Shoqëria në të cilën nuk garantohet ndarja e pushteteve dhe të drejtat nuk ka një kushtetutë të vërtetë” (neni 16). Po të përbëhej Deklarata 1789 vetëm nga kjo dispozitë, mbase do të ishte kuptimplotë dhe do të shërbente si precedent i mjaftueshëm në botë për të ndërtuar kulturën konstitucionaliste. Andaj, paracaktimi i ndarjes së pushteteve, që pamundëson arbitraritetin e pushtetit, mund të vlerësohet si një ndër kontributet më të vlefshme që ka sjellë modernizmi. Gjithsesi, historinë juridike dhe atë politike nuk duhet lexuar me thjerrëza romantike. Sado që parimet e tilla janë përqafuar nga një mori aktesh formale, praktikat e mëvonshme të modernizmit dhe sidomos regjimet fashiste dhe komuniste, kanë provuar se modernizmi ia ka dalë hera-herës t’i zhvlerësojë të arriturat pozitive të vetvetes.

Demokratizimi dhe racionalizimi i së drejtës

Modernizmi shtriu ndikimin edhe në etablimin e një pikëpamjeje juridike që avancon të drejtat dhe liritë themelore. Kjo u shoqërua me pikëpamjen se e drejta duhet të pasqyrojë vullnetin e përgjithshëm (Rousseau: Volonté générale), qoftë drejtpërdrejt me instrumente si referendumi, qoftë përmes normimit nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Një frymë e tillë e kuptimëson konceptin e kontratës shoqërore.

Po kështu, modernizmi solli risi me racionalizimin e rendit juridik. Konceptet teokratike të pushtetit/sovranitetit u mënjanuan në favor të koncepteve demokratike (sovraniteti popullor/kombëtar). Udhëheqësi i shtetit/popullit nuk konsiderohej më “i zgjedhuri i Perëndisë”, i cili bartte përgjegjësi vetëm ndaj Zotit, por do të konsiderohej “i zgjedhuri i popullit” dhe ai kishte përgjegjësi karshi popullit për veprimet e veta. Kjo qasje e re mori trajta të ndryshme, varësisht nga sistemi i qeverisjes, por që si emërues të përbashkët kishte llogaridhënien e autoritetit politik përballë popullit.

Në këtë mënyrë, si në aspektin e udhëheqjes, por edhe në atë të interpretimit juridik, u zvetënuan nuancat tradicionale dhe fetare dhe të drejtës iu dha ngjyrim bazuar në arsye/logjikë dhe të dhëna shkencore. Pra, dogmatizmi juridik u takua me racionalizmin. Për rrjedhim, normat nisën të përcaktohen objektivisht dhe sipas domosdosë së kohës meqenëse evoluimi social duhen normuar vijimisht për të funksionuar.

Modernizmi përmes së drejtës si transformues shoqëror te shqiptarët

E drejta e kodifikuar në dy shekujt e fundit është fryt i dinamikave kolektive dhe intelektuale. Sistemet juridike moderne krijojnë mjedisin në të cilin subjektet juridike kanë hapësirë të kërkojnë të drejtat e tyre përmes rrugëve procedurale të qarta dhe me pritmëri për drejtësi efektive dhe të paanshme. Kjo situatë ka nxitur shoqërinë që të funksionojë në mënyrë transparente brenda kuadrit juridik.

Modernizimi i mendimit dhe sistemit juridik në trojet shqiptare ka zënë fill që në kohën e administrimit osman. Mirëpo, si çdo risi me përmasa të mëdha, as kjo nismë nuk kaloi pa probleme. Lëvizjet reformatore moderniste në shtetin osman nuk u mirëpritën nga të gjithë komponentët e Perandorisë. Edikti i Gülhane-së, i vitit 1839, i cili parashihte mbrojtjen e jetës dhe pronës, rikonstruktimin e sistemit tatimor dhe ushtarak, me qëllim të fuqizimit të pushtetit shtetëror qendror dhe dobësimin e pushtetarëve regjionalë të krahinave perandorake, hasi në rezistencë të konservatorëve myslimanë të Ballkanit – shqiptarë dhe boshnjakë. Veçanërisht shqiptarët kishin arritur të mos integroheshin plotësisht në sistemin juridik të Perandorisë dhe raportet i rregullonin me të drejtën zakonore. Kjo dukuri ishte aq e përhapur, sa jo vetëm në vise malore, por edhe në ultësira shek. XX provoi se qeverisja osmane nuk kishte ndonjë efekt të theksuar, pa monopol pushteti dhe pa sovranitet të plotë ndaj rekrutimit të ushtarëve dhe mbledhjes së taksave. Të gjitha këto zhvillime kulmuan me rënien e administrimit osman në Ballkan më 1912.[1]

Periudha pasosmane, deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, veçan deri në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, nuk u shqua për zhvillim të mëtejmë të modernizmit në habitatin shqiptar. Përkundrazi, përpjekjet e vazhdueshme për të themeluar qeveri ishin pa fryte afatgjata. Konflikti i Esad Pashë Toptanit, përkatësisht i Haxhi Qamil Fejzos, me Princ Vidin, bënë që të mos ketë asnjë ndryshim modern në Shqipërinë e kohës. Si rrjedhojë, gjatë intervalit 1914-1918, në territorin shqiptar nuk ekzistonte asnjë qeveri shqiptare, përjashtimisht një qeveri me emigrim në Selanik, e themeluar nga Esat Pasha, por e cila nuk pati jetëgjatësi.[2] Mungesa e një autoriteti stabil shtetëror prodhonte mungesën e reformave shtetërore.

Rrugëtimi serioz drejt modernizmit u trasua me reformat që bëri Ahmet Zogu, kryesisht pas shpalljes Mbret i Shqiptarëve më 1928. Ai inicioi hartimin e një kodi penal dhe kodi civil, duke u bazuar në legjislacionin modern të kohës. E unifikoi sistemin e gjykatave në mbarë vendin. E legalizoi të drejtën e divorcit dhe të drejtën e votës për gratë, në kohën kur shumë vende perëndimore nuk e garantonin këtë. Po ashtu, solli laicitetin në çështjet shtetërore.[3] Thënë shkurt, Zogu dëshmoi besnikëri ndaj frymës së asaj etape moderniste perëndimore.

Tutje, ngritja e sistemit komunist nën diktatin e Enver Hoxhës i dha ton të hidhur demokracisë dhe të drejtave e lirive themelore në Shqipëri. Pushteti pothuaj absolut dhe me dorë të hekurt, për gati gjysmë shekulli, dëshmoi një prapakthim të dhimbshëm nga kahu i realizimit të parimeve liberale konstitucionale, duke uniformizuar vendin në një sfond ideologjik dhe praktik.

Shikuar nga prizmi i Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, mund të thuhet se ajo kaloi në procese sfiduese. Veç pas Plenumit të Brioneve më 1966 u ndezën shkëndijat e para të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Jugosllavi. Gradualisht, u zhvillua decentralizimi, u hoq nga përdorimi termi me konotacion përbuzës “šiptar” dhe u zëvendësua me termin “albanac”, u avancua statusi federativ i Kosovës, u themelua Universiteti i Prishtinës etj. Prapëseprapë, mbeti në fuqi dallimi i kombeve (narodi) dhe i kombësive (narodnosti). Të dytës i takonin krahinat autonome, Kosova dhe Vojvodina, të cilave iu mohua statusi republikan në kuadër të Jugosllavisë, madje edhe me Kushtetutën e vitit 1974.[4] Schmitt-i e konsideron statusin autonom të Kosovës në Jugosllavi me Kushtetutën e vitit 1974 si nxitje modernizimi të Kosovës, e cila ishte e pamjaftueshme sipas shumicës së shqiptarëve kosovarë dhe, për pasojë, ngjan trazirat e vitit 1981.[5] Rrënimi i autonomisë së Kosovës më 1989 e thelloi edhe më tej krizën jo vetëm politike, por edhe atë të rendit demokratik dhe e largoi vendin nga standardet moderne të qeverisjes. Shumica shqiptare nuk ishte hisedare në pushtet dhe kjo s’kishte si të justifikohet me parimet e mësipërme.

Për më tepër, vetë koncepti i sovranitetit ka evoluar gjatë kohës. Nga një formulim i ngurtë sovranist, posaçërisht Perëndimi, ka përqafuar një perceptim më relativ, duke arsyetuar ndërhyrjet ndërkombëtare në rastet e shkeljeve flagrante johumane të shteteve ndaj popullatës së vet. Në këtë mënyrë, debatet përkitazi me sovranitetin u larguan nga abstraksioni i shtetit në dobi të fuqizimit dhe mbrojtjes së popullatave. Rast konkret për këtë paraqet miratimi i doktrinës së përgjegjësisë për të mbrojtur, e dalë nga Komisioni hetues i themeluar pas ndërhyrjes në Kosovë, më 1999.[6]

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 ka ndodhur nën ndikimin e Pakos së Ahtisaar-it. Kjo pako fillimisht ka pasur epërsi ndaj ligjeve të Kosovës, por edhe ndaj vetë Kushtetutës (!), për shkak se Kushtetuta e Kosovës përcaktonte se në qoftë se ka papajtueshmëri midis dispozitave kushtetuese, ligjore e nënligjore dhe dispozitave të Pakos, kjo e fundit do të mbizotërojë (neni 143/3). Por, më 2012, me amendament kushtetues, është fshirë kjo dispozitë dhe kështu i ka mbaruar efekti juridik. Ndërkaq, e rëndësishme është të theksohet se Pakoja ka lënë gjurmë në tekstin e Kushtetutës, sidomos në Kapitullin III, në të cilin parashihen të drejtat e veçanta të komuniteteve joshumicë. Domeni i gjerë i këtyre të drejtave është komentuar në njërën anë si kosto për Pavarësinë, e – në anën tjetër – si etalon për modernizimin demokratik të shoqërisë kosovare.

Krahas kësaj, një këndvështrim modern në drejtësi dhe në korpusin juridik është shmangia e stilit kazuistik në kushtetutë. Domethënë, nëse një kushtetutë përmban norma sa më të përgjithshme, konkretizimin e tyre ia lë legjislacionit. Kushtetutat kazuistike janë të ngarkuara me hollësi dhe janë më të ngurta. Kjo formë e tekstit kushtetues, me ca përjashtime në ditët e sotme, konsiderohet e tejkaluar. Kushtetuta e Kosovës ka veçori kazuistike, porse në disa raste është tejet elastike. Për shembull, ajo kritikohet se ka lënë ca hapësira ambiguiteti përkitazi me të drejtën për mandatarin e formimit të Qeverisë, pastaj të drejtën për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, etj., për të cilat ka dhënë interpretime Gjykata Kushtetuese. Por, as interpretimet e Gjykatës nuk i kanë zgjidhur të gjitha dilemat. Në të vërtetë, këto janë raste që nuk duhet të merren si probleme, pasi nuk janë probleme per se. Madje, hartuesit e dispozitave të tilla mbase mund të jenë cytur nga qëllimi i mirë për të lënë terrene manovruese për subjektet politike që të merren vesh për tejkalimin e mospajtimeve dhe shih për këtë mund të kenë përzgjedhur një gjuhë që lejon fleksibilitet në modus operandi-n brenda kornizës institucionale. Ja që mungesa e një kulture konstitucionale dhe një qasjeje moderne politike e shndërron këtë avantazh në zonë të minuar, e cila e kërcënon mbarëvajtjen normale institucionale duke pjellë kriza politike, të cilat i shërbejnë prirjes së paramenduar për t’i prezantuar artificialisht ato si “kriza kushtetuese”.

Përfundim

Me modernizmin ka lindur mendimi revolucionar se populli nuk ekziston për shtetin, por shteti krijohet dhe fuqizohet për t’i shërbyer popullit. Kjo pikëpamje i ka gdhendur risitë në fushën e së drejtës, me synimin e flakjes së arbitraritetit të pushtetit dhe përftimin e një sistemi të bazuar te qytetari, transparenca dhe llogaridhënia. Këto vlera universale janë trashëgimia më e pasur e modernizmit.

Shembujt e lartcekur nga areali shqiptar dëftojnë se fati i modernizmit lidhet ngushtë me gatishmërinë e një shoqërie për ta përvetësuar atë. Gjersa shumë vende europiane kanë arritur ta bëjnë një kapërcim të madh në mendësi dhe zbatim të së drejtës, shqiptarët në Ballkan tregojnë akoma vonesë për të qenë në hap nevojat e kohës.

Megjithëse u shtjellua roli pozitiv i modernizmit në sferën e së drejtës, kjo nuk duhet të nënkuptojë që vlerat sociale të një populli të mos ruhen përderisa nuk e cenojnë dinjitetin e njeriut. Deklarata e vitit 1789 dhe aktet e sotme ndërkombëtare, si: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventa për të Drejtat e Fëmijës, Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese, etj. shëmbëllejnë atribute gjithëpërfshirëse. Megjithëkëtë, secili popull/komb mund të përpiqet ta ruajë ekuilibrin mes modernizmit dhe tradicionalizmit. Kjo përshtatje dikton dialog të gjerë shoqëror, pasi zbatimi i reformave me karakter juridik kërkon ndërgjegjësim të shoqërisë dhe zbatim progresiv. Për këtë arsye, adaptimi i normave të reja duhet të përcillet me fleksibilitet normativ dhe jo me imponim të dhunshëm të pushtetit nga lart. Harmonizimi me normat shoqërore tradicionale, për sa kohë ato nuk përplasen me standardet universale të drejtësisë dhe të drejtat e njeriut, mund të shihet si një strategji produktive për kohezionin e sistemeve.

[1] Më hollësisht, shih: Oliver Jens Schmitt, Kosova – Histori e Shkurtër e Një Treve Qendrore Ballkanike, KOHA, Prishtinë, 2012, f. 60-67.

[2] Më hollësisht, shih: Sreten Drashkiq, Evropa dhe Çështja Shqiptare, Altera, Prizren, 2025, f. 239-242 dhe f. 294-296.

[3] Blendi Fevziu, Ahmet Zogu – Presidenti që u bë Mbret, UET Press, Tiranë, 2014, f. 107-108.

[4] Noel Malcolm, Kosova – Një Histori e Shkurtër, KOHA, Prishtinë, 2011, f. 409-413.

[5] Schmitt, op. cit., f. 233.

[6] Marc Weller, Shtetësia e kontestuar, KOHA, Prishtinë, 2011, f. 423-424.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X