loader image
January 7, 2026

Miti që nuk u rrëzua: politika shqiptare mes komunizmit dhe antikomunizmit

Përplasja mes mitit dhe kundërmitit nuk prodhoi një zëvendësim të qartë simbolik, por një polarizim të qëndrueshëm, ku secila palë mobilizon të shkuarën për të justifikuar pozicionet e së tashmes. Ky konfigurim e ka mbajtur sistemin politik shqiptar të bllokuar në një logjikë binare, ku historia shërben më shumë si instrument legjitimiteti sesa si objekt reflektimi kolektiv.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë  

Vitet 1989-1991 shënojnë një moment kthese në historinë politike të Europës Lindore dhe në mënyrën se si shoqëritë e kësaj hapësire u vendosën përballë të shkuarës dhe të ardhmes. Shpërbërja e regjimeve komuniste dhe ndryshimi i rendit ndërkombëtar u përjetuan si fundi i një epoke dhe si fillimi i një tjetre, të perceptuar si më e lirë, më pluraliste dhe më demokratike. Optimizmi ishte aq i madh, saqë Francis Fukuyama e interpretoi këtë moment si “fundin e historisë” në kuptimin ideologjik, duke sugjeruar se përplasjet e mëdha mes sistemeve politike kishin përfunduar.

Ky optimizëm rezultoi jetëshkurtër. Me kalimin e viteve, u bë e qartë se fundi i komunizmit nuk nënkuptonte fundin e ideologjive, konflikteve politike ose betejave për legjitimitet. Historia nuk u mbyll; ajo ndryshoi formë. Në shumë vende të Europës Lindore, e shkuara vijoi të peshojë mbi të tashmen përmes narrativave konkurruese mbi atë se çfarë kishte ndodhur dhe kush kishte të drejtë morale të qeveriste pas rënies së regjimit.

Në hapësirën shqiptare, ky moment u ngarkua me një pritshmëri të veçantë historike. Lëvizja e Dhjetorit 1990 në Tiranë u përjetua si momenti i çlirimit përfundimtar nga komunizmi dhe diktatura, në Shqipëri dhe në raport me përvojat e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky perceptim krijoi bindjen se tranzicioni politik do të sillte automatikisht edhe një tranzicion ideologjik, kulturor dhe moral të shpejtë.

Parë nga distanca e më shumë se tre dekadave, viti 1990-të shfaqet si moment ndryshimi institucional dhe si moment mitologjik njëkohësisht. Ai u konceptua si pikë zero simbolike, ku e shkuara komuniste supozohej të mbyllej dhe demokracia të niste si rend i ri normativ. Ky lexim linear i ndryshimit mbivlerësoi kapacitetin e reformave institucionale dhe nënvlerësoi peshën e trashëgimisë ideologjike dhe simbolike.

Në këtë kuptim, viti 1990-të nuk e shënoi fundin e mitit komunist, por riformulimin e tij në një kontekst të ri politik. Ndërsa sistemi i qeverisjes ndryshoi, strukturat simbolike që kishin legjitimuar pushtetin mbetën funksionale. Miti i Luftës Nacional-Çlirimtare vijoi të veprojë si kornizë kuptimore për interpretimin e historisë dhe të shtetit.

Ky dualizëm simbolik, i mishëruar në përballjen midis mitit komunist të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe kundërmitit antikomunist, ka strukturuar diskursin politik shqiptar në dekadat pas komunizmit. Debati politik është rikthyer vazhdimisht te çështjet e legjitimitetit historik, të fajit dhe meritës, të viktimës dhe çlirimit, shpesh më shumë sesa te programet, politikat apo institucionet. Në këtë kuadër, tranzicioni shqiptar shfaqet si përplasje e vazhdueshme mes dy interpretimeve konkurruese të historisë dhe jo thjesht si kalim nga një sistem në tjetrin.

Miti dhe politika

Në analizën e politikës moderne, miti nuk trajtohet si e kundërta e racionales, por si një mënyrë e organizimit të kuptimit kolektiv që lidh historinë, identitetin dhe pushtetin. Ai funksionon si narrativë simbolike që strukturon përvojën politike përtej verifikimit empirik të fakteve, duke prodhuar legjitimitet dhe orientim normativ. Në këtë kuptim, miti nuk e zëvendëson historinë, por e riformulon atë brenda një regjimi kuptimi politikisht funksional.

Mitet politike shfaqen me intensitet të veçantë në momente krize dhe tranzicioni, kur rendet ekzistuese humbasin aftësinë për të justifikuar veten. Në këto rrethana, miti krijon vazhdimësi simbolike aty ku ka ndërprerje strukturore, duke seleksionuar episode të caktuara të së kaluarës dhe duke i ngarkuar ato me kuptime normative. Këto episode shndërrohen në pika referimi për veprimin politik në të tashmen.

Nga një perspektivë analitike, miti kryen disa funksione themelore në politikë. Së pari, ai vepron si burim legjitimiteti, duke e paraqitur pushtetin si rezultat të një historie të drejtë, sakrifice ose misioni kolektiv. Së dyti, ai ka funksion integrues, pasi prodhon kohezion përmes një narrative të përbashkët identitare. Së treti, miti ka funksion normativ dhe përjashtues, duke përcaktuar kufijtë moralë të përkatësisë politike dhe duke identifikuar “tjetrin” si devijim ose kërcënim.

Në shoqëritë post-autoritariste, mitet politike priren të mbijetojnë edhe pas rënies së regjimeve që i kanë prodhuar. Tranzicioni institucional nuk shoqërohet domosdoshmërisht me një tranzicion simbolik; përkundrazi, narrativat legjitimuese shpesh përshtaten me kontekste të reja politike, duke ruajtur strukturën e tyre thelbësore. Në këtë mënyrë, miti nuk zhduket me pluralizmin, por riformulohet brenda tij, duke konkurruar me narrativa alternative.

Në këtë kuadër, rasti shqiptar paraqet një interes të veçantë analitik. Miti komunist nuk u formua si narrativë dytësore e pushtetit, por si themel i rendit politik të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Për të kuptuar përballjen e mëvonshme midis mitit komunist dhe kundërmitit antikomunist, është e nevojshme të shqyrtohet fillimisht procesi përmes të cilit miti komunist u krijua dhe u institucionalizua si burim legjitimiteti politik.

Krijimi i mitit komunist

Në Shqipëri, miti politik konstituoi themelin e rendit politik të ndërtuar pas vitit 1944. Lufta Nacional-Çlirimtare u vendos në qendër të këtij rendi si momenti origjinar i shtetit të ri, nga i cili buronte legjitimiteti politik, moral dhe institucional i pushtetit komunist. Në këtë konfigurim, miti ishte mekanizëm prodhues i pushtetit politik.

Një tipar përcaktues i rastit shqiptar ishte përqendrimi i plotë i narrativës së rezistencës antifashiste në duart e një aktori të vetëm politik. Partia Komuniste e përthithi rezistencën dhe e organizoi atë si narrativë të vetme legjitime. Ky përqendrim krijoi kushtet për shndërrimin e Luftës nga përvojë historike në mit themelues me status të pacenueshëm.

Mitizimi u shoqërua me institucionalizim të qëndrueshëm. Arsimi, historiografia zyrtare, ritualet shtetërore, simbolet publike dhe gjuha politike u ndërtuan mbi ndarje binare që strukturonin botëkuptimin politik. Këto ndarje përcaktuan kufijtë moralë të përkatësisë dhe e përjashtuan kundërshtimin nga sfera e legjitimitetit politik.

Ky rend simbolik prodhoi një model qeverisjeje të qëndrueshëm. Pushteti u konceptua si vazhdimësi e një lufte të hapur, ndërsa opozita u trajtua si kërcënim historik. Në këtë mënyrë, miti funksionoi si mekanizëm legjitimiteti, integrimi dhe disiplinimi politik.

Riprodhimi i këtij rendi ndodhi përmes socializimit politik afatgjatë. Breza të tërë u formuan në një kontekst ku Lufta ishte prani aktive në të tashmen politike. Ky proces e inkorporoi mitin në psikikën kolektive dhe e bëri atë rezistent ndaj ndryshimeve institucionale.

Pas vitit 1990-të, ndryshimi i sistemit politik nuk çoi në shpërbërjen e këtij rendi simbolik. Miti mbeti funksional dhe u riformulua në kushte pluraliste. Transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste u shoqërua me ruajtjen e boshtit mitik dhe me riorientimin e tij drejt narrativave të stabilitetit dhe të shtetformimit.

Kjo vazhdimësi shpjegon qëndrueshmërinë e mitit komunist të Luftës Nacional-Çlirimtare pas rënies së komunizmit. Miti funksionoi si rend simbolik i konsoliduar, i aftë të prodhojë legjitimitet politik edhe në mungesë të sistemit që e kishte krijuar. Tranzicioni shqiptar e la këtë rend të paprekur në thelb, duke i mundësuar atij të veprojë në një kontekst të ri politik.

Rrënjosja dhe dominanca e mitit komunist

Rënia e komunizmit si regjim politik në Shqipëri nuk krijoi një ndërprerje simbolike. Ndryshimet institucionale të viteve 1990–1992 i dhanë fund monopolit formal të Partisë së Punës, ndërsa rendi kuptimor që kishte legjitimuar pushtetin mbeti funksional. Miti i Luftës Nacional-Çlirimtare vazhdoi të ofrojë kuptime të qëndrueshme mbi autoritetin, identitetin dhe rendin politik.

Kjo vazhdimësi lidhet me funksionin që miti kishte marrë gjatë komunizmit. Ai përcaktoi origjinën e shtetit dhe justifikimin moral të pushtetit. Ky funksion legjitimues mbeti i përdorshëm edhe pas ndryshimit të sistemit politik, pasi ofronte një narrativë të qartë mbi burimin e autoritetit. Në kushtet e pluralizmit, miti u shndërrua në kapital simbolik të transferueshëm.

Miti u përshtat në regjistra të rinj të artikulimit. Nga ideologji shtetërore, kaloi në formën e kujtesës publike dhe të trashëgimisë historike. Kjo zhvendosje e vendosi mitin në një hapësirë ku historia, moraliteti dhe identiteti kombëtar ndërthuren. Në këtë regjistër, miti funksionon si pjesë e rendit publik dhe jo vetëm si instrument argumentimi politik.

Dominanca e këtij miti lidhet edhe me strukturën e tij afirmuese. Narrativa e tij ndërtohet rreth fitores, sakrificës, çlirimit dhe shtetformimit. Këto elemente lehtësojnë identifikimin kolektiv dhe prodhojnë kohezion simbolik. Si formë kuptimi politik, miti komunist shqiptar shfaq kapacitet të lartë mobilizues.

Vazhdimësia e tij në politikën post-1990 shfaqet në mënyrë të përsëritur përmes gjuhës politike, simboleve publike, ritualeve përkujtimore dhe përkufizimeve morale të shtetit. Në disa raste, artikulimi është i drejtpërdrejtë; në raste të tjera, miti vepron si kornizë e nënkuptuar interpretimi. Ky elasticitet ia ka rritur aftësinë për të funksionuar në kushte pluraliste.

Pas vitit 1990 u zhvilluan përpjekje për çmitizim përmes diskursit publik antikomunist, debateve mbi represionin, tentativave për rishikim të historisë dhe përpjekeve për drejtësi tranzicionale. Gjithsesi, ato mbetën të fragmentuara dhe të paqëndrueshme pa u konsoliduar në një proces afatgjatë të përbashkët të kujtesës kolektive.

Kundërmiti antikomunist

Kundërmiti antikomunist u artikulua në kushtet e një tranzicioni të shpejtë institucional dhe të një ristrukturimi të thellë shoqëror. Ai mori formë si narrativë politike që shprehte refuzimin moral të regjimit të mëparshëm dhe orientimin drejt një rendi demokratik të bazuar në pluralizëm politik, ekonomi tregu dhe integrim euro-atlantik. Në fazën fillestare, kjo narrativë kishte kapacitet real mobilizues, pasi lidhej me përvoja te tmerrshme dhune, shtypje, përjashtimi dhe varfërie të përjetuara gjatë sundimit komunist.

Kundërmiti antikomunist nuk u konsolidua si narrativë themeluese e rendit të ri politik. Ai u përdor nga pushteti i ri si mjet legjitimiteti afatshkurtër, kryesisht për delegjitimimin e së kaluarës. Ky përdorim instrumental e pengoi konsolidimin e kundërmitit si rend simbolik autonom dhe të qëndrueshëm.

Një tjetër kufizim strukturor lidhet me fragmentarizimin e përvojës antikomuniste. Përvojat e persekutimit kishin forma, intensitete dhe pasoja sociale të ndryshme. Ky heterogjenitet e vështirësoi përkthimin e tyre në një narrativë të unifikuar dhe integruese. Ndryshe nga miti i Luftës Nacional-Çlirimtare, i cili ishte homogjenizuar dhe institucionalizuar për dekada, përvoja e viktimave të komunizmit mbeti e shpërndarë dhe e paankoruar në një strukturë të përbashkët kuptimore.

Kundërmiti u artikulua kryesisht përmes një diskursi moralizues, të përqendruar në fajësi, dënim dhe ndarje të qarta midis viktimave dhe përgjegjësve. Ky diskurs kishte legjitimitet etik. Ai nuk u shndërrua në narrativë politike gjithëpërfshirëse. Në mungesë të një procesi të institucionalizuar dhe gjithëpërfshirës të drejtësisë tranzicionale, ky artikulim u perceptua nga segmente të shoqërisë si përjashtues.

Politizimi i drejtpërdrejtë e kufizoi më tej kapacitetin e kundërmitit. Narrativa antikomuniste u lidh ngushtë me konkurrencën partiake. Kjo lidhje e shndërroi atë në instrument polemik të aktivizuar në momente të caktuara. Autonomia simbolike e kundërmitit mbeti e kufizuar. Procesi i institucionalizimit të kujtesës antikomuniste nuk u zhvillua përtej logjikës së konfliktit të përditshëm politik.

Në një perspektivë krahasuese, kundërmitet antikomuniste në disa vende të tjera të ish-bllokut komunist u mbështetën në ngjarje simbolike të forta të rezistencës së brendshme dhe në një shoqëri civile më të artikuluar. Këto elemente shërbyen si pika referimi për ndërtimin e rendit të ri simbolik. Në Shqipëri, izolimi ekstrem i shoqërisë gjatë komunizmit dhe mungesa e një rezistence të qëndrueshme e orientuan kundërmitin drejt momentit të kolapsit të sistemit.

Si pasojë, kundërmiti antikomunist nuk arriti të prodhojë hegjemoni simbolike. Ai funksionoi si narrativë e rëndësishme për aktorë të caktuar politikë dhe segmente shoqërore pa u shndërruar në kornizë gjithëpërfshirëse të rendit postkomunist. Përballë një miti komunist të konsoliduar si fakt social, kundërmiti veproi në një terren strukturalisht të pabarabartë.

Në këto kushte, përplasja midis mitit dhe kundërmitit nuk prodhoi zëvendësim simbolik, por polarizim të qëndrueshëm. Historia u shndërrua në burim legjitimiteti për pozicionet e së tashmes. Ky konfigurim e mbajti sistemin politik shqiptar të ankoruar në një logjikë binare, ku e shkuara funksionon si kapital politik dhe jo si objekt reflektimi kolektiv.

Specifika shqiptare e rënies së komunizmit

Qëndrueshmëria e mitit komunist në Shqipëri dhe vështirësia e kundërmitit antikomunist për të fituar hegjemoni simbolike lidhen ngushtë me mënyrën se si komunizmi u vendos dhe u perceptua historikisht, në krahasim me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Ky dallim ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e narrativave të çlirimit, rezistencës dhe sovranitetit.

Në shumicën e vendeve të Europës Lindore, komunizmi u instalua pas Luftës së Dytë Botërore nën praninë ose imponimin ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Ushtritë sovjetike hynë si forca çlirimtare kundër nazizmit dhe u shndërruan më pas në mbështetëse të një rendi të ri autoritar. Si pasojë, fundi i fashizmit u përjetua si çlirim i paplotë dhe si fillim i një forme tjetër sundimi të huaj.

Kjo përvojë krijoi një ndarje simbolike midis luftës antifashiste dhe regjimit komunist që pasoi. Në këto shoqëri u ruajt legjitimiteti moral i rezistencës ndaj nazizmit, ndërsa komunizmi u kritikua si sistem i imponuar nga jashtë. Kjo ndarje u mbështet nga episode të artikuluara të rezistencës së brendshme, të cilat krijuan një traditë të qëndrueshme të qëndresës.

Rënia e komunizmit u përjetua si realizim i një aspirate të akumuluar dhe si rikthim i sovranitetit kombëtar. Kundërmiti antikomunist u ndërtua mbi këtë përvojë historike dhe mori formë si narrativë konstitutive e rendit të ri politik.

Rasti shqiptar paraqet një konfigurim të ndryshëm. Çlirimi nga pushtimi fashist dhe nazist nuk u shoqërua me prani të ushtrive sovjetike në territorin e vendit. Ky moment u perceptua si çlirim i realizuar nga forca vendase. Partia Komuniste u paraqit si aktor politik indigjen dhe u perceptua si i tillë. Roli i Jugosllavisë komuniste në krijimin e saj dhe në organizimin e rezistencës mbeti i margjinalizuar në narrativën zyrtare pas luftës mbas prishjes se marrëdhënieve me të.

Si pasojë, komunizmi në Shqipëri nuk u kuptua gjerësisht si sistem i importuar, por si produkt i brendshëm i historisë kombëtare i lidhur drejtpërdrejt me aktin e çlirimit dhe me shtetformimin. Kjo e bëri të pamundur ndarjen simbolike midis antifashizmit dhe diktaturës komuniste. Të dyja u shkrinë në një narrativë të vetme legjitimuese.

Për shkak të kësaj veçorie, antikomunizmi shqiptar u artikulua si rezistencë ndaj një regjimi vendas dhe jo një pushtimi të huaj. Kjo i kufizoi aftësinë për t’u shndërruar në një narrativë kombëtare integruese.

Ndryshimi i viteve 1990–1992 erdhi kryesisht si pasojë e transformimeve sistemike ndërkombëtare dhe e kolapsit të rendit bipolar. Presioni i brendshëm ekzistoi dhe pati rol real në momentin e ndryshimit, por mungesa e një tradite të artikuluar rezistence e kufizoi aftësinë për ta shndërruar këtë moment në një themel simbolik alternativ.

Si rrjedhojë, tranzicioni shqiptar mbeti simbolikisht i papërfunduar. Ndërsa institucionet politike u transformuan, rendi i vjetër i kuptimit ruajti një pjesë të madhe të funksionalitetit të tij. Miti komunist i Luftës Nacional-Çlirimtare mbeti narrativë dominuese e sovranitetit dhe shtetformimit. Kundërmiti antikomunist u zhvillua në një terren të pabarabartë simbolik.

Kjo u thellua me zhvillimet e vitit 1997, kur antimiti pësoi goditje të pariparueshme, duke e margjinalizuar antikomunizmin në një kauzë të disa grupeve sociale dhe jo si një lëvizje mbarëshoqërore.

Tranzicioni i papërfunduar

Siç kuptohet nga analiza e mësipërme, sistemi politik shqiptar pas vitit 1990 është strukturuar nga përballja e qëndrueshme midis dy rendesh simbolike konkurruese: mitit themeltar komunist dhe kundërmitit antikomunist. Kjo përballje nuk ka marrë formën e një rivaliteti programor, por të një konflikti mbi legjitimitetin historik dhe kuptimin e autoritetit politik në të tashmen.

Miti i Luftës Nacional-Çlirimtare ka funksionuar si burim afirmues legjitimiteti, duke ofruar një narrativë të vazhdimësisë shtetformuese dhe të sovranitetit. Kundërmiti antikomunist ka operuar kryesisht si narrativë kritike, e orientuar drejt delegjitimimit moral të regjimit të mëparshëm. Kjo pabarazi funksionale ka krijuar një terren simbolik të pabarabartë, ku historia përdoret ose për të afirmuar rendin ose për ta kundërshtuar atë.

Si pasojë, konflikti politik është zhvendosur nga debati mbi politikat publike drejt garës për kontrollin e kuptimit të së kaluarës. Antifashizmi, komunizmi, persekutimi politik dhe tranzicioni janë shndërruar në instrumente të legjitimitetit dhe delegjitimimit, duke e kthyer historinë në kapital politik të riciklueshëm.

Kjo dinamikë ka prodhuar një efekt bllokues mbi sistemin politik. Çdo përpjekje për reformë ose ristrukturim institucional lexohet përmes filtrit të së kaluarës. Historia nuk funksionon si objekt distance kritike, por si prani aktive që strukturon ndarjet politike dhe kufizon kompromisin. Në mungesë të një konsensusi minimal mbi kuptimin e tranzicionit, kujtesa publike mbetet e paqëndrueshme dhe konflikti riprodhohet.

Në këtë kuptim, tranzicioni shqiptar shfaqet si simbolikisht i papërfunduar. Ndryshimet institucionale dhe rotacioni i pushtetit kanë ndodhur, ndërsa rendi i kuptimit mbi të cilin mbështetet konkurrenca politike ka mbetur relativisht i pandryshuar. Miti dhe kundërmiti nuk funksionojnë si etapa të një procesi tejkalimi, por si pole të qëndrueshme të një strukture konfliktuale.

Dilema e sotme nuk lidhet me ekzistencën formale të demokracisë, por me cilësinë e saj simbolike dhe kulturore. Problemi qendror nuk është mbijetesa e komunizmit si ideologji eksplicite, por mbijetesa e tij si matricë simbolike e legjitimitetit dhe e qeverisjes. Kundërmiti antikomunist, pavarësisht rolit të tij kritik, nuk ka arritur të prodhojë një rend alternativ të krahasueshëm në densitet dhe integrim.

Për sa kohë që e shkuara mbetet terreni kryesor i legjitimitetit politik, e ardhmja mbetet e nënshtruar ndaj saj, ndërsa përballja midis mitit dhe kundërmitit vazhdon të strukturojë konfliktin politik dhe të kufizojë potencialin e një demokratizimi të thelluar në Shqipëri.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X