loader image
July 14, 2025

Mes politikës post-sekulare dhe instrumentalizimit të fesë

“Feja është vertikale e rëndësishme e jetës dhe kompas i brendshëm etik imi.” (K. Grabar-Kitarović, ish-presidente e Kroacisë) 

Ali PAJAZITI, Shkup 

Feja dhe fetaria ndër mijëvjeçarë kanë qenë faktorë të rëndësishëm në shoqëri. Besimet fetare, në një masë të madhe, i formësojnë vlerat, sjelljen, kulturën dhe moralin e njerëzve dhe “udhëheqësve politikë” (Hage, 2013); ato mund të krijojnë një mënyrë të të menduari dhe një “gjendje shpirtërore” që e formëson sjelljen individuale dhe shoqërore të liderëve. Feja e ka potencialin për ta legjitimuar ose delegjitimuar autoritetin qeverisës të institucioneve dhe të shtetit. Herë pas here, liderët dhe partitë politike përpiqen të krijojnë një lidhje mes shpirtërores dhe kombëtares, sepse pretendimet fetare janë një bazë e fortë e autoritetit (McGuire, 1981). Feja është një shpatë me dy tehe, që mund të shkaktojë si dobi të jashtëzakonshme, ashtu edhe lëkundje shoqërore kur kalon në sferën e politikës pragmatiste, gjegjësisht kur intsrumentalizohet. Lidershipi politik paraqet vullnetin dhe aftësinë e një individi ose grupi për të formësuar në mënyrë të qëndrueshme proceset shoqërore, duke respektuar të drejtat e njeriut, duke vënë të mirën e përbashkët përpara interesit vetjak dhe duke përfshirë të gjithë pjesëmarrësit.

Post-sekularizmi dhe feja e politizuar

Post-sekularizmi nuk nënkupton një rikthim në teokraci, por një mënyrë të re të bashkëjetesës, ku racionalitetet fetare dhe sekulare ndërveprojnë në politikë dhe në shoqërinë civile. Politika post-sekulare përshkruan një mjedis politik ku feja rishfaqet si një aktor i rëndësishëm në jetën publike dhe politike dhe ku shtetet, shoqëritë dhe institucionet detyrohen ta rinegociojnë rolin e fesë në kuadër të demokracisë dhe pluralizmit shoqëror. Atributet kyçe të post-sekularizmit janë këto: 1. Feja rikthehet në debatet publike (p.sh., për moralin, identitetin, të drejtat); 2. Shtetet i njohin aktorët fetarë si zëra legjitimë në politikë; 3. Pluralizmi rritet – botëkuptimet sekulare dhe fetare bashkëjetojnë ose përplasen; 4. Sekularizmi nuk shihet më si neutral, por si një botëkuptim ndër të tjerët; 5. Simbolet fetare, institucionet dhe ligjërimi fetar politizohen dhe mobilizohen në sferën publike. Shembuj të politikës post-sekulare në Europa janë debatet rreth mbulesës së grave myslimane, kryqeve të krishtera në hapësirat publike ose rolit të kishave në çështjet e migracionit. Këto debate në Turqi shprehen në tema si: përzierja e vlerave islame me institucionet demokratike nga ana e AKP-së pushtetare. Në SHBA kjo shfaqet si ndikim i vazhdueshëm i politikës evangjelikale, pavarësisht një kushtetute sekulare. Dhe, në Ballkan kjo lexohet si përdorim politik i fesë për të formësuar identitetin kombëtar (p.sh., VMRO-DPMNE me Ortodoksinë, SDA boshnjake me Islamin, etj.).

Në këtë artikull do të përpiqemi ta shqyrtojmë në mënyrë kritike korrelacionin midis udhëheqjes/politikës dhe fesë/fetarisë, përkatësisht (keq)përdorimin e fesë për qëllime politike në kontekstin e Maqedonisë së Veriut. Sipas Win/Gallup International (2017) Maqedonia është vendi i dytë më religjioz në Europë dhe një nga njëzet vendet më fetare në botë (88 % fetarë, 10 % afetarë dhe 1% ateistë). Ky trend i fuqishëm i revitalizimi fetar apo i religjonizimit e ka përfshirë, mes tjerash, edhe skenën politike, ku shfaqet një sensibilitetit fetar real ose fiktiv, thënë më mirë, i shpërdorimit të fesë për të arritur pikë ose autoritet politik. Sociologu Cane Mojanovski pohon se në kulturën politike të Maqedonisë mekanizmat e institucioneve fetare nuk shfrytëzohen për misionin e mirëfilltë, por vihen në shërbim të politikës ditore (Europa e Lirë, 2012). Zakonisht më të prira që ta përdorin zhargonin fetar janë partitë djathtiste ose konservatore, por në rastin konkret vërejmë se edhe ato majtiste ose social-demokrate – ndonëse më zbehtë – ta ndjekin këtë kurs. Sipas një hulumtimi të realizuar në nëntor 2017 nga IPIS, Konrad Adenauer dhe Religija.mk, me temë “Feja në fushatat politike” me një kampion prej 1100 vetave, 54.4 % e përgjigjësve janë shprehur se partitë pak a shumë e shfrytëzojnë fenë për ndikim te votuesit. Ndërkohë, të njëjtat i shfrytëzojnë edhe bashkësitë fetare zyrtare të RM-së. 59.5% të qytetarëve janë të mendimit se politika synon t’i bëjë vegël komunitetet fetare për qëllime vetjake. Faktori më i rëndësishëm i jetës politike, populli ose zgjedhësit, janë kundër shfrytëzimit të fesë nga lidershipi politik për qëllime politike ose për maksimizim të profitit në garën politike. Sipas hulumtimit të KAS-it, 70.5 % e qytetarëve mendojnë se përdorimi i fesë dhe i simboleve fetare në fushata politike është abuzim me ndjenjat fetare të besimtarëve, ndërsa 43.9 % të respondentëve kanë thënë se partitë politike, duke e keqpërdorur fenë, ndikojnë në përçarjen në baza fetare (vetëm 7.9 % e kanë thënë të kundërtën).

Partitë dhe feja në bllokun etnik maqedonas

VMRO-DPMNE, partia politike e krahut të djathtë maqedonas, është përdoruesi më i shpeshtë i fesë në menaxhimin politik. Sipas ish-kryetarit të saj, Nikolla Gruevski, baza e udhëheqjes së përgjegjshme është feja (2007). Në bllokun maqedonas, lidhur me këtë çështje, vlerësimi për raportin lidershipi-feja është i përafërt: VMRO-DPMNE 2.69, kurse LSDM 2.40. (Божиновски, 2017) VMRO-DPMNE-ja e ka fenë frymë esenciale të veten, gjë që vërehet edhe në dokumentit themeltar të saj, ku mes tjerash shkruan: “Duke u nisur nga e vërteta historike se Maqedonia është vend i shenjtë, i bekuar dhe biblik, djep i krishterimit, nënë e orthodoksisë… Kongresi Botëror Maqedonas (2013) e verifikon këtë Program Nacional Maqedonas” (Вечер, 2017) Gruevski, në një rast, ka pohuar se jetën e jep Zoti e jo LSDM-ja, ndërsa për rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën e krijuar pas votimeve të fundit i fajësoi hoxhallarët, të cilët – sipas tij – kishin udhëhequr fushatë kundër tij dhe partisë së tij. Në FB-në zyrtare të kësaj partie gjejmë fjalinë propaganduese: “Feja në mendime, Maqedonia në shpirt, VMRO-DPMNE në zemër (ВЕРАТА во мислите, МАКЕДОНИЈА во душата, ВМРО-ДПМНЕ во срцето)”. Një nga pjesëtarët e lidershipit të VMRO-së, Vllatko Gjorçev, në një kolumnë të tij, të titulluar “Për fenë dhe kishën”, shkruan: “Jezu Krishti nuk ka qenë akademik e as nobelist, as shkencëtar; ai është mësues të cilin e lexojnë dhe ndjekin miliarda njerëz. Fjalët e tij janë mësim dhe porosi. Nxënësit e tij janë ithtarë të tij. Fjala e tij është orientim se si duhet të jetohet dhe si duhet të besohet.” (Ѓорчев, 2015) Një nga themelueset e kësaj partie, D. Trantalloska, në një panel diskutim të vitit 2016 ka pohuar se: “VRMO-DPMNE është më tepër se parti, është religjion”. Krerët e kësaj partie përdorin edhe fjali si “Zoti e bekoftë Maqedoninë, “Jini të bekuar!” etj. VMRO-ja është nxitëse e ndërtimit të kishës “Shën Elena dhe Konstantin” në qendër të Shkupit, e ndërtimit të kryqeve grandioze (i Mileniumit, i Aerodromit e shumë të tjerë), është shtytëse e fushatës “Thuaj jo abortit”, nismëtare e hapjes së vitit akademik në universitet me ritual fetar etj. Partia VMRO‑DPMNE, në vitin 2007, e ndryshoi ligjin për festat dhe shpalli një sërë festash fetare (ortodokse, islame, katolike dhe hebraike) si ditë pushimi zyrtar (jo pune) në nivel shtetëror. Nga ana tjetër, LSDM-ja është parti me lidershipin që më së paku e përdor elementin fetar. Ajo ka qenë nxitëse e abrogimit të mësim-besimit klasik nëpër shkolla (2009). Kryetari i komunës së Prilepit, nga radhët e LSDM-së, e reflekton frymën e kësaj partie: “Тraditat fetare duhet lënë KOM-it (Kishës Ortodokse Maqedonase) si institucion dhe qytetarëve në shtëpitë e tyre”. (Antropol, 2018)

Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, e cilëson kishën si “kështjellë shpirtërore”, si “një nga shtyllat thelbësore për mbijetesën e kombit”. МААК (Aksioni Maqedonas) ka qenë një parti e proveniencës konseravtore, që përderisa ekzistonte (deri më 2002) në logon e saj e ka pasur kryqin. Kjo parti në rrjetet sociale ka defiluar edhe përmes sentencës: “Бог се јави рисјани!” (Zoti u shfaq, të krishterë!) Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë ka si objektiv realizimin e të drejtave për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor, fetar dhe tradicional të serbëve në Maqedoni të Veriut. Ky subjekt ka arritur që 27 janarin, ditën e Shën Savës, ta bëjë festë kombëtare të serbëve të RMV-së. Në platformën politike të partisë “Levica”, pos drejtësisë sociale, antietnoshovenizmit, partiotizmit të majtë dhe antiimperializmit, e gjejmë edhe këtë pikë: “Sekularizmi dhe antikonservatorizmi! I mbështesim të gjitha forcat progresive dhe nisim demaskimin e moralit klerikalist, konservator dhe patriarkal. Jemi rreptësisht kundër përzierjes së bashkësive fetare në punët e shtetit dhe angazhohemi për ushtrimin e lirë të feve.”

Partitë politike shqiptare të RMV-së dhe Islami

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 dhe ato lokale të vitit 2017 ishte udhëheqësia e “Lëvizjes Besa” ajo që u akuzua për përdorimin e fesë në fushatën politike. Në shkallën 1 deri më 5, ky subjekt ka marrë vlerësimin 3.71. Kjo lëvizje, që e vetmja nga partitë shqiptare që e ka elementin religjioz edhe në letër (Statuti, 2014: 6), gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016 përdori edhe fjalitëNëse beson në drejtësi, nëse beson në Zot, nëse beson se është koha e ndryshimeve të mëdha, eja!“, që shkaktoi shumë reagime te konkurrentët dhe në opinionin publik, në mediat dhe opinionistët laikë dhe islamofobë në vend, por në veçanti në Kosovë dhe Shqipëri. Njëri nga liderët atëhershëm e kësaj partie (sot në “Alternativa”), në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale, në një tubim nate në Çair të Shkupit, pati deklaruar: “Nuk na duan, sepse ne e falëm jacinë para se të vijmë në këtë tubim”. “Alternativa”, që u formua pas përçarjes brenda “Lëvizjes Besa”, ka arritur që ta afirmojë një simbol islamik, duke futur në parlament të RMV-së për herë të parë një grua me shami (gjë që në Kosovën “laike” ka ndodhur shumë më herët). Në këtë kontekst mund të interpretohet edhe hyrja në parlament në kuadër të koalicionit “VLEN” e dy parlamentarëve me bagazh teologjik (hoxhallëku), madje njëri edhe ish-myfti.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjithashtu, ka bërë lojë me fenë. Njëherë (më 2014) ka shpallur: “E pyes Aliun ka Allahai thotë Marksi është Allah!”. Njëherë tjetër ka klithur: “Ky nuk është vendi i kryqave dhe kishave, po është vendi ku thuhet Allahu Ekber”. Ndërkohë, ai hapur e ka pranuar ndërhyrjen e vet në çështjen e fesë, duke pohuar se ka bërë mëkate, ndër to, prurja e kryetarit aktual të BFI-së (“Ju kërkoj falje që në krye të BFI-së e vendosa kriminelin Sulejman Rexhepi” – TV Dukagjini, 2016).

Kryetari i parë i “Aleancës për Shqiptarët”, parti kjo produkt i PDSH-së, Sela, në vitin 2016 është paraqitur në xhami (Likovë), një radhë tjetër duke marrë abdest, ndonëse më herët ishin shfaqur fotografi të tij me shishen e birrës përpara. Sidoqoftë, “Aleanca për Shqiptarët”, e të dy krahëve (Sela, Taravari), si parti qendër-djathtiste, është aktor laik, që fokusohet në çështje si barazia gjuhësore, sundimi i së drejtës, antikorrupsioni dhe integrimet europiane. “Lëvizja Demokratike” shpërfaqet gjithashtu sekulare dhe nuk shfrytëzon hapur simbolikë fetare për mobilizim elektoral.

Nuk qëndron larg fesë as partia më e madhe shqiptare në RM, e proviniencës majtiste, BDI, ndonëse në statutin e saj të vitit 2009 dhe 2014 askund nuk përmendet feja. Krerët e kësaj partie, në vigjilje të zgjedhjeve, janë fotografuar në restorantin privat të ish-kryetarit të BFI-së Rexhepi, ndonëse ky i fundit në ciklet zgjedhore dikur dërgonte letra qarkore deri te teologët që të mos përfshihen në fushata zgjedhore, në aktivitete politike, ndërsa nga ana tjetër açëk flirtonte me partinë pushtetare (djali i tij, i punësuar në medrese, sot në “VLEN”, ka qenë shef i shtabit zgjedhor të BDI-së në Komunën e Sarajit). Kryetari i kësaj partie, në një tubim të vitit 2016 në Strugë, ka thënë se ai e ka institucionalizuar fenë islame në Strugë, në Maqedoni, madje edhe atë hebreje dhe evangjelike. Në të njëjtën periudhë, në Dibër, ai madje e ka marrë edhe rolin e hoxhës, duke ligjëruar se “po të donte Zoti, do t’i bënte të gjithë njerëzit muslimanë. Ai i ka krijuar të krishterë, muslimanë, hebrenj, hindusë, budistë…”, se “nuk mund të ketë parajsë vetëm për muslimanët”, se “ka parajsë vetëm për njerëzit e mirë”. (Krasniqi, 2016) Në programin e zgjedhjeve të vitit 2016 kjo parti është paraqitur si “kultivuese dhe ruajtëse e trashëgimisë së patundshme kulturore”, ka paraparë restaurimin e xhamisë në Radnjë (Shtip), të Hajdar Kadiut (Manastir), të Sulltan Muratit dhe Allaxhës (Shkup) dhe të Hysejin Shahut (Saraj), ndonëse s’ka kurrfarë aksesi në këto veprime, sepse aktor në këto ndërmarrje është TIKA në bashkëpunim me BFI-në. BDI-ja ishte/është aktuale edhe me (mos)legalizimin e Medresesë së Isa Beut (në Shkup), me organizimin dhe sponsorizimin e iftareve masive të natës (syfyreve) gjatë Ramazanit 2024, ku morën pjesë mijëra besimtarë etj. Sipas një hulumtimi të realizuar më 2023 nga Religija.mk, IPIS, mbështetur nga “Konrad Adenauer”, plot 53,8% (e të anketuarve) mendojnë se BDI-ja ka ndikimin më të madh mbi BFI-në, ndërsa ndikimi i partive të tjera politike është pothuajse i papërfillshëm. Do shënuar se kjo parti e përdor islamin për kohezion komunitar, jo si ideologji. Një pjesë e mirë e lidershipit të saj nuk janë besimtarë praktikë, madje s’kanë shkelur në xhami.

Lidership i ndrojtur nga vetja

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut gjithmonë i marrin parasysh bindjet fetare të votuesve dhe në përputhje me to e krijojnë kursin dhe diskursin e tyre politik, duke e luajtur lojën në teatrin politik në akord me frymën e popullit që është dukshëm fetar. Qasja laike ose antifetare në RMV nënkupton humbjen e betejës politike që para mbajtjes së zgjedhjeve. Partitë politike e instrumentalizojnë fenë për përfitime pushtetare. Ato nuk kanë një kauzë jashtësisht të ndërthurur me fenë, por e shfrytëzojnë fenë për legjitimitet kulturor, pa synime të jetësimit të një qeverisje në bazë të ligjit fetar. Në përgjithësi, partitë politike shqiptare, duke e pasur para sysh faktin se islami është në shënjestër globale, shpesh i ndërlidhur – padrejtësisht – edhe me radikalizmat dhe terrorizmin, janë të kujdesshme në shfrytëzimin e elementit islam. Në këtë drejtim ka ndikim edhe kursi i partive simotra në Kosovë dhe Shqipëri, që mbahen europiane dhe perëndimore në aspekt të ruajtjes së distancës me fenë, në veçanti me islamin, që në këto dy shtete lidershipi politik kyç – dhe një pjesë e inteligjencies komuniste – e konsideron si tetivë akiliane të shqiptarëve, qasje kjo vetëpërbuzëse dhe sociologjikisht absurde kur merret parasysh struktura religjioze e shqiptarëve. Një fenomen tjetër që duhet fokusuar është edhe fakti se në dallim prej Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka parti politike me atribute fetare (Partia Demokristiane, “Lëvizja Islame…”), popullata shqiptare e Maqedonisë – ndonëse me kulturë fetare shumë më të theksuar sesa dy vendet e tjera – nuk ka në regjistrin e vet një profil të tillë politik. Dhe, në fund, të themi se është shumë rëndë të bëhet një shkëputje ekzakte se çka është ndjesi fetare autentike dhe çka është aktrim fetar në skenën politike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X