loader image
October 13, 2025

Mes hyjnores dhe tokësores

Shqiptarët dallohen për harmoninë dhe bashkëjetesën mes myslimanëve, katolikëve e ortodoksëve. Shumica myslimane ndër shqiptarë nuk ka ushtruar trysni ndaj besimeve të tjera, por ka qenë faktor stabiliteti. Harmonia ndërfetare është theksuar nga mendimtarët shqiptarë si jetike për unitetin kombëtar. Veçanërisht gjatë shekullit XIX, kur për qëllime ekspansioniste, shtetet fqinje shumëfishonin mashtrimin se shqiptarët “ishin fise të përçara”, “pa unitet kombëtar”, prandaj “nuk duhej të kishin shtet kombëtar”.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Religjioni gjithmonë ka ndikuar në jetën njerëzore dhe shoqërore. Mircea Eliade shkroi se njeriu është “homo religiosus”, për të cilin realiteti nuk është vetëm material, por edhe metafizik dhe simbolik. Madje, edhe njeriu modern, sipas tij, “përherë është rob i intuitës së tij arketipale”.

Edhe arti lidhet me përvojën sakrale. Një lidhje që ekziston nga zanafilla e qytetërimit, nga vizatimet në shpella dhe në vazhdimësi. Lindja e teatrit gjithashtu lidhet me sakralen, me adhurimin për Dionisin, me mitet, ritet dhe festat.

Filozofi ekzistencialist Nikolai Berdyaevi, që e konsideroi religjionin si “burim të thellë të jetës njerëzore”, shkroi se instrumentalizimi i fesë për qëllime joreligjioze bëhet burim ndarjesh e konfliktesh.

Duke u nisur nga përvoja e hidhur mesjetare, shoqëritë moderne europiane u ndërtuan më vonë mbi parimin e shekullarizimit dhe të laicizmit. Një model që e kufizon fenë në jetën private, kurse shteti garanton lirinë e besimit dhe ndërhyn vetëm kur shkelet ligji.

Bota shqiptare dhe religjioni

Shqiptarët dallohen për harmoninë dhe bashkëjetesën mes myslimanëve, katolikëve e ortodoksëve. Shumica myslimane ndër shqiptarë nuk ka ushtruar trysni ndaj besimeve të tjera, por ka qenë faktor stabiliteti.

Harmonia ndërfetare është theksuar nga mendimtarët shqiptarë si jetike për unitetin kombëtar. Veçanërisht gjatë shekullit XIX, kur për qëllime ekspansioniste, shtetet fqinje shumëfishonin mashtrimin se shqiptarët “ishin fise të përçara”, “pa unitet kombëtar”, prandaj “nuk duhej të kishin shtet kombëtar”.

Rilindja Kombëtare punoi për forcimin dhe afirmimin e harmonisë fetare duke e theksuar si tipar dallues të shoqërisë shqiptare.

Mendimtarët pasardhës, që krijuan paradigmë të re kulturore duke u bazuar në paradigmën e Rilindjes Kombëtare, shpesh e theksuan kryefjalën: “Zot, Komb, Atdhe dhe Familje”.

Diktatura komuniste ishte ndër shfaqjet më të errëta të historisë moderne shqiptare. Ajo u pozicionua jo vetëm kundër çdo religjioni, por edhe kundër prurjeve kulturore që vinin nga jashtë. Si e tillë, ishte ksenofobe.

Këto tendenca u kritikuan që në vitet 30-të nga Branko Merxhani, i cili marksistët i quajti “vagabondë të historisë”, kurse ata që do të tentonin të krijonin një shoqëri ateiste i barazoi me kriminelët.

Teza se religjioni paraqet rrezik për kombin është e paqëndrueshme. Mendimtarë shqiptarë, pavarësisht nga besimet fetare, punuan për mbrothësinë kombëtare. Kjo dëshmohet nga librat e tyre dhe periodikët e shumtë në gjuhën shqipe, duke përfshirë periodikët fetarë, që jo vetëm nuk nxitën përçarje në baza fetare, por afirmuan si pasuri harmoninë dhe shumëllojshmërinë brenda botës shqiptare.

Diversitet në unitet: modeli shqiptar

Eqrem Çabej e përshkroi botën shqiptare si “unitet në diversitet”. Shqiptarët janë të ndryshëm për nga feja, krahinat apo dialektet, por janë të bashkuar rreth identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës. Ndonëse me përkatësi të ndryshme fetare, ata i bashkon ndjenja e fortë e përkatësisë kombëtare, një tipar që është theksuar edhe nga autorët e huaj.

Shumëllojshmëria brenda botës shqiptare është pasuri identitare. Falë shumëllojshmërisë brenda vetes, shqiptarët janë më të hapur ndaj prurjeve që vijnë nga sisteme të tjera kulturore, të cilat e kanë pasuruar sistemin kulturor shqiptar.

Ky model është i konsoliduar, përkundër debateve shpesh të dëmshme mbi kufijtë e laicizmit në jetën publike.

Përvoja shqiptare e “unitetit në diversitet” mund të shërbejë si model frymëzues edhe për të tjerët, sepse dëshmon se dallimet nuk janë pengesë për bashkëjetesë ndërmjet pjesëtarëve të religjioneve të ndryshme. Në botën e sotme, ku kemi edhe konflikte fetare, shqiptarët dëshmojnë se mund të ndërtohet një shoqëri ku respektohet alteriteti.

Ky model duhet të kultivohet në vazhdimësi. Duke e vlerësuar shumëllojshmërinë, mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët nëpërmjet respektit dhe mirëkuptimit.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X