Qëndrimi i shqiptarëve, sado që nuk ka ndonjë peshë të madhe faktike në impaktin e luftës në Lindjen e Mesme, ai ka shënuar disa herë oscilime të pakuptimta dhe pozicionime të panevojshme koniunkturale. Ata që e dënuan sulmin e Hamasit palestinez ndaj Izraelit (që rezultoi me afër 1.200 izraelitë të vrarë), nuk e dënuan kundërsulmin e ashpër hakmarrës të Izraelit ndaj Rripit të Gazës. ku humbën jetën dhjetëfish më tepër njerëz (mbi 13.000 palestinezë). Sikurse në rastin e parë, edhe në të dytin, shumica absolute e viktimave ishin popullsi e pafajshme civile (gra, pleq dhe fëmijë). Pozicionimi çdoherë me të fortin e jo me të drejtin është një nga ligësitë më mizore të racës njerëzore, e cila në fakt i bën njerëzit të jenë ushqyes të së keqes dhe, në njëfarë forme, edhe bashkëpjesëmarrës në të.
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Përmasat apokaliptike të luftës së fundit izraelite-palestineze, kanë ngritur alarmin mbi përmasat shkatërrimtare të dhunës që po zhvillohet me muaj të tërë ndaj popullatës civile palestineze në emër të luftës kundër organizatës Hamas, e cila e zhvilloi sulmin e parë të befasishëm ushtarak më 7 tetor 2023 kundër Izraelit. Përgjigjja joproporcionale e shtetit izraelit me bombardimet masive ndaj objekteve civile mbi territorin e stërpopulluar të Rripin e Gazës dhe vrasja e mijëra palestinezëve, në shenjë hakmarrjeje, pjesa më e madhe të cilëve janë gra dhe fëmijë të pafajshëm, bie ndesh me të gjitha normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Një zgjidhje me dy shtete
Egërsia e zhvillimeve të tanishme luftarake në Lindjen e Mesme është vazhdimësi e një padrejtësie historike, e cila vazhdimisht ka prodhuar konflikte dhe dhunë ndërmjet popullsisë vendase palestineze arabe dhe popullsisë kryesisht ardhacake izraelite me pretendimin e rikthimit në atdheun e të parëve.
Që nga viti 1948, kur Izraeli u njoh si shtet nga OKB-ja dhe vendet më të fuqishme të botës perëndimore, dhe pas epërsisë luftarake të Izraelit ndaj vendeve arabe, popullsia e atjeshme asnjëherë nuk ka bërë jetë të qetë. Mospajtimi i palestinezëve për të lëshuar pe për Jerusalemin, dhe, veçanërisht, mospranimi i faktit të kryer për ekzistencën e shtetit izraelit, vazhdimisht derivoi dhunë dhe përplasje ndërmjet këtyre dy kulturave divergjente. Me kalimin e viteve, problemet u shtuan me kolonizimin e paligjshëm të tokave palestineze nga hebrenjtë. Kjo politikë e padrejtë gjithnjë e më tepër e vështirësoi arritjen e zgjidhjes paqësore përmes krijimit dhe njohjes së ndërsjellë të dy realiteteve objektive shtetërore, Izraelit dhe Palestinës.
Modeli me dy shtete, i ofruar që në fillim të konfliktit, u riaktualizua edhe tani kur lufta eskaloi si asnjëherë më parë. Presidenti aktual amerikan, Xho Bajden, në një rast të fundit u ripërsërit duke thënë se: “Një zgjidhje me dy shtete është e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë afatgjatë të popullit izraelit dhe palestinez!”. Megjithëkëtë, diplomacia amerikane ka qenë shumë e ngathët në kuptim të presionit më vendimtar ndaj shtetit të Izraelit, i cili në fakt më tepër është përkëdhelur seç është qortuar për shkeljet flagrante të ligjeve ndërkombëtare të luftës dhe ato humanitare.
Por, duket se është shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje e tillë paqësore. Armëpushimi i parë ndërmjet palëve, i arritur në fund të nëntorit me marrëveshje për shkëmbimin e dhjetëra e qindra pengjeve, paraqet një shkëndijë shprese se përmes një involvimi më të hekurt të SHBA-së, në njërën anë, dhe botës arabe e Turqisë, në anën tjetër, zgjidhja mund të bëhet realitet.
Vazhdimi i një lufte të pakrye, ku asnjëra palë nuk do të mund të korrë fitore absolute ndaj palës tjetër, është një iluzion i panevojshëm që më nuk duhet të ushqehet. Izraeli kurrë nuk do të mund ta zhdukë Hamasin dhe aspiratën rezistuese të dhjetëra gjeneratave të palestinezëve të lindur e të rritur nëpër luftëra të pandërprera. Dhe, as Hamasi kurrë nuk do të mund ta zhdukë shtetin e Izraelit, i cili sot është realitet i pakontestueshëm, në partneritet stabil më gjithë botën perëndimore dhe me mbështetje të vazhdueshme logjistike në të gjitha sferat ekonomike dhe të sigurisë.
Prandaj, zgjidhja paqësore e problemit, përmes krijimit të dy shteteve të pavarura, do të ishte mënyra më e mirë për ndalimin e kaosit dhe gjakderdhjes shumëdekadëshe. Por, në këtë pikë patjetër do të duhej një investim edhe më ngulmues dhe serioz i lidershipit amerikan, pra jo vetëm deklarativ, për ta luajtur rolin determinues që i takon në këtë konflikt.
Në të vërtetë, vazhdimi i luftës dhe i dhunës së përgjakshme, nuk i shkon në favor askujt, përveç politikanëve të papërgjegjshëm që e drejtojnë luftën nga kolltukët e tyre, me fjalime patetike, të sigurt se në këtë mënyrë vetëm se e ngritin rejtingun e tyre dhe jetëgjatësinë e pushtetit. Vazhdimi i luftës nuk i duhet as popullsisë civile izraelite, e cila ka shtegtuar nga vende të ndryshme të botës për të gjetur paqe dhe siguri në atdheun e tyre të pretenduar, i cili në fakt nuk po ua ofron atë siguri të premtuar, derisa nuk siguron paqe afatgjate. Po ashtu, vazhdimi i luftës nuk i duhet as popullsisë civile palestineze, e cila për çdo ditë ndeshet me vuajtje, dhunë e vrasje dhe nuk e ka përkrahjen e duhur as të shteteve të botës arabe.
Pozicionimi i botës dhe i shqiptarëve rreth konfliktit
T’u kthehemi edhe pak zhvillimeve aktuale, ku imazhet tmerruese që vijnë për çdo ditë nga frontet e luftës në Gaza, nuk duhej të linin pa ngacmuar çdo neuron të qenies njerëzore. Vrasjet e civilëve të pafajshëm, sidomos e fëmijëve, nga bombardimet e pandërprera izraelite, do të duhej të preknin pak ndërgjegjen edhe të kokave vendimmarrëse të shteteve kryesore me ndikim në botë, nëse kanë pak ndërgjegje.
Siç dihet, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 28 tetor, miratoi një rezolutë që bëri thirrje për një “armëpushim humanitar të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Gaza. Tre shtete nga rajoni ynë, Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi votuan pro rezolutës, Kroacia ishte kundër, ndërsa pesë shtete, ku bënin pjesë Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia, abstenuan! Natyrisht që çdo shtet në politikën e jashtme ndiqet nga interesat e veta strategjike në raport me politikën vendore dhe atë ndërkombëtare, por kundërshtimi ose abstenimi i një akti formal ndërkombëtar, që i dënon të gjitha llojet e dhunës në Lindjen e Mesme dhe bën thirrje për ndërhyrje urgjente humanitare për shpëtimin e civilëve, paraqet një hipokrizi të llojit të vetë dhe papjekuri politike. Kjo nuk ka lidhje me alternimet fetare të shteteve të lartpërmendura, meqë, ta zëmë, Sllovenia nuk identifikohet fare me myslimanët, por në njëfarë forme e mbështeti të drejtën e palestinezëve myslimanë, siç e mbështetën gjithsej 120 shtetet e tjera, nga të cilat ndoshta gjysma nuk kishin lidhje me Islamin.
Oportunizmi i Maqedonisë së Veriut, i Shqipërisë dhe i 12 shteteve tjera që abstenuan, më tepër tregon për pozitën e tyre inferiore për të ndërtuar politikë autonome ndërkombëtare sesa “rreshtim me të fortin”. Dhe, në rastin më të keq, paraqet indikacion të dakordimit mes shteteve problematike ballkanike me histori të karakterit antimysliman, siç janë Serbia, Bullgaria dhe Greqia.
Ndërkaq, qëndrimi i shqiptarëve, sado që nuk ka ndonjë peshë të madhe faktike në impaktin e luftës në Lindjen e Mesme, ai ka shënuar disa herë oscilime të pakuptimta dhe pozicionime të panevojshme koniunkturale. Ata që e dënuan sulmin e Hamasit palestinez ndaj Izraelit (që rezultoi me afër 1.200 izraelitë të vrarë), nuk e dënuan kundërsulmin e ashpër hakmarrës të Izraelit ndaj Rripit të Gazës. ku humbën jetën dhjetëfish më tepër njerëz (mbi 13.000 palestinezë). Sikurse në rastin e parë, edhe në të dytin, shumica absolute e viktimave ishin popullsi e pafajshme civile (gra, pleq dhe fëmijë). Pozicionimi çdoherë me të fortin e jo me të drejtin është një nga ligësitë më mizore të racës njerëzore, e cila në fakt i bën njerëzit të jenë ushqyes të së keqes dhe, në njëfarë forme, edhe bashkëpjesëmarrës në të.
Ne, shqiptarët, e dimë fortë mirë se si është ndjesia e padrejtësisë. E kemi bartur mbi supe me dekada e shekuj të tërë zullumin që ndaj jesh bënin popujt fqinj, andaj ne duhet kuptuar më së miri peshën e drejtësisë dhe të së vërtetës, duke qenë në krah me të drejtin e jo me çdo kusht me të fortin! Aleatët politikë ndryshojnë në bazë të interesave, ndërsa e drejta dhe vërteta janë absolute dhe të pandryshueshme deri në pafundësi.