loader image
November 20, 2024

Manipulimi me letërsinë në dëm të fesë e në dëm të kombit

Poezia e Naimit e aktualizon besimin fetar autorial në rend të parë, jo si një trajtim të jashtëm të fesë, por si botëvështrim që e prodhon edhe vetë poe­zinë e tij. Të shpjeguarit e dukurive jetësore e na­ty­rore në të shumtën e rasteve është i lidhur me një shpjegim fetar ose, së paku, me një asociacion fetar. 

Milazim KRASNIQI, Prishtinë 

Naim Frashëri dhe Pashko Vasa janë dy personalitete të mëdha të kombit e letërsisë sonë, por të dy keqinterpretohen e keqpërdoren nga qarqe të ndryshme, qoftë  okulte, qoftë islamofobike. Në njërën anë përdoret ideja e Vasës për shqiptarinë si ftesë për konvertim, në anën tjetër përdoret Naimi si pretekst deri edhe për formimin e një shteti bektashi brenda shtetit shqiptar. Prandaj interpretimi i ideve të tyre në veprat e tyre bëhet i rëndësishëm, e pakta për të mos manipuluar me veprat e tyre dhe me qëllimet fisnike të këtyre burrave të nderuar të kombit tonë.

Botëvështrimi islam i Naim Frashërit

Poezia e Naim Frashërit është gjerësisht e përs­hkuar nga botëvështrimi teist. Shumë nga ndjesitë e veta poeti i ndërlidh me qëndrimin ndaj Zotit e ndaj besimit fetar. Është një ndërlidhje organike e letërsisë dhe e fesë, që i jep gjerësi idesh dhe vizi­onesh poe­zisë naimiane. Poezia e Naimit e aktualizon besimin fetar autorial në rend të parë, jo si një trajtim të jash­tëm të fesë, por si botëvështrim që e prodhon edhe vetë poe­zinë e tij. Të shpjeguarit e dukurive jetësore e na­ty­rore, në të shumtën e rasteve është i lidhur me një shpjegim fetar ose, së paku, me një asociacion fetar. Kështu, në poezinë “Jeta” poeti numëron planetë, gjendje të ko­hës, gjendje klimaterike, veprime gjalle­sash, të gjitha këto në një tablo të impresionimit me jetën. Dhe, në fund të poezisë, poeti e sjellë shpjegimin për kuptimin tërësor të jetës, me burim të pastër fetar:

Se ngado që të këthenj sytë

Shoh atje Zotn’ e vërtetë

Q’është një e s’ka të dytë. (Frashëri: 76)

Në poezinë “Koh’ e shkuarë”, e cila shfaqet si një vazhduese e një stadi tjetër të jetës, nga ai te poezia “Jeta”, Naimi e shpërfaq kalimin e kohës me ard­hjen e pleqërisë dhe të vdekjes. Por, edhe këtë poezi e mbyll me një konkludim fetar:

Le të bëhet urdhëri yt,/Zot’ i math e i vërtetë!/Po pse të na mbetet në syt/Kjo kohë e shkuarë e shkretë?

Te poezia “Besojmë” sërish kemi një ekzaltim me motivim fetar, që nga vargjet e para:

Besojmë Zotnë q’është i vërtetë,/Se gjithë ç’shohëm është ay vetë,/Dhe falëtore kemi njerinë,/Atje e gjejmë dhe Perëndinë.

Në vazhdim të poezisë, shpaloset udha morale që du­het të përshkojë njeriu, duke vepruar mirë e duke u shm­angur nga e keqja, për të zbatuar ashtu vullnetin e Zotit.

Por, në poezinë e Naimit gjejmë oscilime sa i për­ket qëndrimit fetar, në ndonjë rast, si në poezinë “Përpara Krishtitë”, ku më shumë operon me kon­ceptin kristian lidhur me Krishtin. Ndërsa, në poe­z­inë “Ujët e bekuarë” ai e aktivizon një koncept të habit­s­hëm lidhur me pijen, të përkundërt me konceptin is­lam, duke e afirmuar atë si një “ujë të bekuar”, të dër­guar gjoja nga Perëndia. Megjithatë, kjo është brenda një konceptimi bektashi.

Fryma fetare e kësaj shkolle të njohur filozofike myslimane shihet fort te poezia “Abaz-Aliu”, në të cilën i bëhet jehonë luftës tragjike ndërmjet vetë myslimanëve dhe krimit të rëndë të vrasjes së imam Hysejnit në Qerbela. Është një poezi ku ndjenjat fetare shpërthejnë si stërkala të forta dhe përfshijnë gjithçka. Poema “Qerbelaja” është kryevepra e kësaj fryme të poezisë së Naim Frashërit.

Në poezinë “Zoti”, Naimi ka derdhur talentin e tij në punë të adhurimit ndaj Krijuesit, duke e fomësuar një besim të qartë monoteist:

Gjithësia me të fshehtat kupëtime,/Që të gjitha i falen Zotit të krijimit

Pa lexo këtë fletore të besimit!/Në çdo vend që hedh njeriu të zbehtin sy!

Dritn’ e Zotit të vërtetë sheh aty./Plotfuqi pa shëmbëllim e pa kufi.

Mençuri që s’e rrok mendja: Perëndi!

Naim Frashëri është poet romantik në ndjesh­më­rinë ndaj natyrës, ndaj të kaluarës, por nuk është aventurier në punë të subjektivizmit, që te disa poetë romantikë shfaqej me fuqi revolucionare ndaj vlerave tradicionale, duke përfshirë në ndonjë rast edhe be­si­met fetare. Naimi shpërfaq ndjesitë fetare me një natyrshmëri të madhe, pa asnjë kompleks, që më vonë te shumë poetë shqiptarë, të proveniencës islame do të bëhet ngulfatës e shfytyrues, në procesin e vest­ernizimit kulturor e kombëtar. Por, Naimi ishte para se të vinte ajo periudhë dhe nuk ka asnjë kompleks sa i përket identitetit fetar islam. Përkundrazi, ideja e Naimit është që feja të jetë pjesë e identitetit kombëtar dhe njerëzor, të jetë në shërbim të mirësisë e të zhvillimit. Por, një bashkëkohanik i tij do të inicojë një dis­kontinuitet nga kjo përvojë.

Dilemat fetare të Pashko Vasës

Poezia e Pashko Vasës, “Mori Shqypni, e mjera Shqypni”, e shpreh më së qarti këtë prirje, ku edhe qëndrimi ndaj feve gërshetohet me ideologjinë e një nacionalizmi të ri, që po lindte. Kjo poezi mbart të ndërthurur në vete për më shumë se një shekull një figurë poetike mbresëlënëse dhe një koncept ideologjik për identitetin kombëtar, të emërtuar si Shqyptaria. Figura poetike dhe koncepti ideologjik shqyptaria krijohen në poezinë “Mori Shqypni, e mjera Shqypni”, në finalizimin e një an­gazhimi poetik, për ringritje kombëtare, për rimarrje të vetes, për zgjim nga gjendja e mjerë:

çonju, o shqyptarë, prej gjumit çoniu,,

të gjithë si vllazen në nji besë shtrëngoniu

edhe mos shikoni kisha e xhamia,

fe e shqyptarit asht Shqyptaria. (Vasa)

Urdhri autorial në dy vargjet e para është se zgji­mi nga gjumi dhe lidhja në një besë vëllazërore janë kër­kesat paraprake, pa të cilat nuk është i mund­shëm asnjë veprim i mëtejshëm. Ndërsa, si finalizim të rik­thimit të identitet, të rimarrjes së vetes, Pashko Vasa e sheh lënien mënjanë të feve dhe krijimin e një feje të re, të emërtuar po prej tij si shqyptaria. Ky është një apel poetik dhe atdhetar, i cili buron nga një vetëdije për gjendjen katastrofike të kombit dhe si një alt­e­rna­ti­vë për të dalë nga humnera. Ndjenjat e fu­qishme at­dh­etare në këto vargje kanë fituar përparësi të plotë ndaj ndjenjave të thella morale, edhe të vetë Pashko Va­sës, të mishëruara me besimin në Zot. Është një sa­kr­ificë autoriale dhe morale e njeriut që është i an­ga­zhuar me tërë qenien për ringjalljen e kombit të vet.

Nga shënimet e shumta të Pashko Vasës dhe nga vepra e plotë e tij nuk mund të nxirret ndonjë hipo­tezë për të qenit e tij si ateist. Pashko Vasa është një njeri me bindje të thella humaniste, por edhe fetare. Mirëpo, angazhimi në frymën e zgjimit kombëtar e bën që së paku në një çast të krijojë një rend të ri të vlerave shpirtërore, duke e nxjerrë kauzën e kombit, me shqyptarinë si emërtim të saj, si një ndjenjë me përparësi mbi të gjitha të tjerat. Figura e krijuar prej tij në vargjet e sipërcituara e ka gjithë fuqinë emocio­n­ale dhe gjuhësore, për të qenë vepruese në ndërgjeg­jen e recepientit. Por, në nivelin e tyre si krijuese të një koncepti vargjet bartin në vete një kundërthënie me moralin dhe me një arsenal potencial të ndjenjave të njeriut shqiptar. Duke u nisur nga një gjendje aktu­ale politike shqiptare, Pashko Vasa nxjerr përfundi­min se kombit i duhet një ideologji revolucionare e rrë­nimit të lidhjeve të njeriut shqiptar me fe. Kemi të bëjmë me një bartje të fajit për gjendjen dëshpëruese, nga fusha objektive në atë subjektive. Ngushtimi i kuadrit të shkaqeve për gjendjen e mjerë të shqip­ta­rëve në nivelin e besimeve fetare është një ideolo­gemë agresive poetike dhe politike, e cila do të bëhet më vonë njëra nga shtyllat e nacionalizmit shqiptar.

Në të vërtetë, poeti në tërë poezinë e vet bën ekspliki­min e gjendjes së të kaluarës së madhërishme në niv­elin e moralit dhe të frymës luftarake, që është në kuadrin e një frymëzimi romantik:

Kur kriste pushka, si shkrepet moti,

Zogu i Shqyptarit gjithmon i zoti

Nga ana tjetër, shpalosja e gjendjes aktuale të kombit e të atdheut bëhet me një përshkrim emotiv, por shumë ra­cio­nal, sa mund të shikohet si një lloj ligjërimi me shkallë të lartë të frymëzimit. Përkundër këtyre al­ternimeve harmonike vjen konkluzioni pothuajse revolucionar, sipas të cilit zgjidhja është te heqja dorë nga “kisha e xha­mia” dhe te përqafimi i një feje të re, që në këtë rast është e pagëzuar shqyptaria. E thamë më herët se në rastin e Pashko Vasës nuk mund të bëhet fjalë për një shfryrje ateiste, sepse ai nuk ishte i atillë. Por, ky kon­cept nuk është as roma­ntik, sepse dihet se poetët rom­antikë ishin mjaft të fry­mëzuar edhe nga vlerat fetare.

“Gjetja” e Pashko Vasës ka të bëjë me dilemat shqiptare të identifikimit, që nga koha e formimit të kombit e deri në ditët tona. Në rastin e shqiptarëve, për faktin se në një proces tepër të vështirë të mbi­jete­sës dhe të formimit kombëtar janë përqafuar tri fe të ndryshme, nuk ka qenë e mundur që feja të luajë rolin integrues në nivel kombëtar, sikundër ka ndod­hur te kombë të tjerë, të cilat në procesin e for­mimit kombëtar kanë arritur një unifikim edhe në planin fetar. Pra, më shumë se te roli përçarës i klerit dhe te dobësimi i kombit për shkak të konvertimeve në kombe të tjerë, në rastin shqiptar duhet të shi­kohet pasoja e mungesës së rolit integrues të fesë në for­mi­min kombëtar dhe në luftën e tij të vështirë për pava­rësi dhe jetë të lirë. Duke mos e inkuadruar këtë forcë shpirtërore mobilizuese në projektin e çlirimit kom­bëtar dhe të krijimit të shtetit kombëtar, shqip­ta­rët kanë luftuar pa mundur ta shfrytëzojnë njërën nga armët më të fuqishme. Rastet më markante në his­to­rinë shq­iptare flasin edhe për shembuj jo të paktë të mob­ilizimit të personaliteteve fetare në pro­jektin na­cional shqiptar nga të tria fetë ekzistuese. Por, është fjala për angazhimin e njerëzve konkretë, të bartëse të fun­­ksio­neve fetare, e jo të fesë ose të feve ekzistuese si tërësi.

Poezia e Pashko Vasës „Mori Shqypni, e mjera Shqypni“ e ka fokusuar gjendjen faktike dhe dësh­pë­rimin autorial për shkak të asaj gjendjeje dhe ka dhënë një alternativë të shpejtë, revolucionare. Por, ajo që i ka munguar sensit të Pashko Vasës ka qenë mungesa e vetëdijes për rolin e madh, të jashtëzakon­shëm, që do të mund ta luante feja dhe fetë në projek­tin e çlirimit kombëtar. Natyrisht, me kusht që ato të viheshin edhe në një funksion të gjithanshëm mobili­zues, emancipues dhe ndërgjegjësues kombëtar. Konkretizimi i kësaj teze do të thoshte se do të duhej të promovohej ideja dhe koncepti se kishat dhe xha­mitë e shqiptarëve ishin dhe duhej të ishin objekte të fry­mës së shqyptarisë. Pra, integrimi i tyre në projek­tin kombëtar dhe jo përjashtimi ose zëvendësimi i tyre.

(*Ky fragment për poezinë e Pashko Vasës është bartur nga një punim me titull “Poezia e dilemave të mëdha.”) 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X