Në Maqedoninë e Veriut fjala progres tashmë tingëllon vetëm si një cinizëm politik i tipologjisë ballkanike, një maskë, që vendoset ciklikisht nga elitat politike, që për më tepër mbeten lukuni biznesi dhe oligarkish që tjetërsojnë dhe përvetësojnë qeverisjet dhe që realisht me njëmijë fije ndërlidhen me zezonën e dikurshme të njerëzve të privilegjuar, të cilët fatkeqësisht morën në kontroll edhe “proceset demokratike”.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Maqedonia e Veriut, që nga pavarësimi e këndej, mbetet një “Makondo” ku vegjetojnë “saga” politikanësh që me miliona fije ndërlidhen me ish sistemin. Gjithë tranzcioni politik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka kaluar përmes këtyre ”protagonistëve” të përjetshëm të kotësisë shqiptare pavarësisht nga vullnetet elektorale dhe pavarësisht gjakimeve politike për të etabluar një standard tjetër të lirisë politike dhe demokratike. Asnjë qeveri, asnjë institucion, nuk ka mundur të funksionojë pa brutalitetin e ftohtë të pranisë së tyre, pa “profesonalizmin” e tyre të zhveshur nga çdo substancë kombtariste, politike, të zhveshur nga ndjeshmëritë e pafundme njerëzore.
Ata kanë vendosur për fatin e gjithsecilit, sepse kanë pasur në dorë çelësin e “inkubatorit” të përzgjedhjes, duart e zgjatura të mesjetës ideologjike, që përvijohen dhe nënshkruajnë përshtatshmëritë ideologjike, faktin nëse një person duhet apo nuk duhet të gjallnojë në perandorinë hibride të administrimit të tyre. Ata kanë pasur në dorë gjithçka, kanë pasur vulën e ftohtësisë së inkubatorit për të vendosur mbi fate njerëzish.
Protagonistët e tranzicionit, të vlerësuar si kriminal, rishfaqen gjithnjë me të njëjtën logjikë të mbrapshtë, të ngujimit, ashtu siç e “promovuan” që në fillimet e demokracisë në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç e drejtuan “privatisht” shtetin në “transponimin e madh” të rehatisë personale nëpërmjet oligarkive që mbeten të pranishme sot e kësaj dite.
Mbi 30 vite Maqedonia e Veriut improvizon me idenë e të qenit shtet. Tashmë gjatë kohë injoranca dhe krimi politik është etabluar në institucionet vendimmarrëse nëpërmjet rekrutimeve partiake dhe në bashkëveprim me oligarkitë kriminale. Një shtet i kapur që nga fillimi me metastaza fatale në të gjitha institucionet.
Dhe, gjithë kjo mendësi, për tridhjetë vite, e ka krijuar kënetën e madhe institucionale, kalbjen e sistemit dhe ngritjen mbi këtë kalbje të një tipologjie politikanësh, që kanë abuzuar me politikën si art i qeverisjes së mirë, duke metastazuar si mendësi në gjithë poret e shoqërisë.
Elitat e vetëshpallura politike, të lidhura me njëmijë fije me krimin dhe korrupsionin, kanë rrënuar çdo normalitet të funksionimit të institucioneve. Gjatë tërë kohës ka mbretëruar logjika e njerëzve të “sukseshëm”, që mund të definohen me vargun e Shekspirit “i zoti për nga shumica e poshtërësive”. Çdo vullnet i qytetarëve për ndryshim është skematizuar fatalisht vetëm me ndërrim pushteti të partive, pa arritur të prek në esencën e gjërave, në atë që nënkupton sistem, në atë që nënkupton logjikë tjetër qeverisjeje.
Fatkeqësisht, gjatë tërë kohës kemi pasur një farsë të madhe ndryshimi demokratik, ndërkohë që aktorë të njëjtë, grupime me po të njëjtën logjikë, që janë përvijuar si elemente nga ish sistemi, janë instaluar në emër të ndryshimit dhe progresit. Kjo ka prodhuar kulturën e përgjithshme të relativizimit, kulturën e harresës dhe të përshtatjes fatale me mendësinë të instaluar si “elitë” politike dhe ekonomike në Maqedoninë e Veriut.
Në korridoret e ftohta “kafkiane”
Politika gjithnjë ka mbetur një korridor i pështjelluar dhe i pashpresë, njëjtë si te “Procesi” i Kafkës. Me vite në Maqedoninë e Veriut, politika ka funksionuar korridoreve me “pëshpëritje” të lehta, duke ia zënë frymën jetës institucionale, gjegjësisht funksionimit normal të institucioneve. Nga majat e “Olimpit politik” është dirigjuar çdo gjë në jetën publike dhe në të shumtën e rasteve janë servuar zgjidhje për qytetarët pa ndonjë debat të qenësishëm dhe pa dijen e nevojshme mbi situatat, të cilat vazhdimisht kanë prodhuar ngërçe institucionale dhe substandarde.
Gjatë kohë në Maqedoni e Veriut ka një perceptim grotesk mbi politikën si një “lojë” që luhet diku prapa perdeve të opinionit. Në librin “Fundi i pasionit politik” eseisti nga Barcelona, Josep Ramoneda, paralajmëron fundin fatal të politikës, duke iu bërë autopsinë gjithë keqkuptimeve që shfaqen mbi nocionin “politikë”, por edhe duke rikthyer në vëmendjen e opinionit kuptimin autentik të politikës si një hapësirë jetike të lirisë dhe vetërealizimit qytetar. Mes tjerash, ky autor vë në dukje se është krijuar një perceptim që prapa perdeve të politikës ndodhen do super-njerëz, të vetmit të denjë që të merren me fatet e njerëzve të tjerë. Pikërisht, ky perceptim autoritar krijon nga politika një zonë të errët të paprekshme, ku realisht ndodhin të gjitha fatalitetet që ndërlidhen me jetën e qytetarëve. Për fat të keq, në kalimin nga sistemi monist në demokraci, gjithnjë në parapaskenë kanë “vegjetuar” njerëz që janë përngjitur në jetën demokratike dhe politike, si hije të së kaluarës, që kanë shtrirë praninë dhe kontrollin e tyre edhe gjatë periudhës së stërzgjatur të tranzicionit.
Shqiptarët, të diskriminuar deri në palcë përgjatë kohës së kolerës së kuqe, edhe në periudhën e të ashtuquajturës demokraci janë sakatuar nga të gjitha anët, kjo përkundër faktit që elitat politike shqiptare e kanë tundur flamurin e fitoreve të pakta, flamurin e copëzave të fitoreve nën konceptin e imponuar të pakicave kombëtare. Gjithë trajektorja politike shqiptare është manipuluar nga iluzioni i betejave dhe “arritjeve” në kuadër të Shtratit të Prokrustit, të cungimit, të torzos politike, që është shitur si fitore. Vazhdimisht është krijuar një suazë diskursive dhe psikologjike lypësari për të drejtat që u takojnë shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë së Veriut, një lloj tëhuajësimi që i ka tkurrur në aspiratën e tyre për barabarësi të plotë si një entitet politik dhe kulturor homogjen, me gjeografi të trashëguar dhe numerikisht si shumicë e dytë në shtet. Kjo situatë ka imponuar, fatkeqësisht, konceptin e sovranit dhe robit, konceptin etatist të mirëushqyer të dominimit, të idesë morbide parapolitike që shteti nuk mund të jetë edhe i shqiptarëve.
Elitat politike shqiptare, fatkeqësisht, janë zbythur në vogëlsinë e tyre, herë duke u blerë me pushtet të përkohshëm e herë duke treguar paaftësi politike për të etabluar në institucionet e shtetit me cilësi dinjitetin e aspiratës së shqiptarëve. Atrofimi politik shqiptar ka krijuar raportin morbid, thellësisht të pajusifikueshëm, të pronarit të vetëm në shtet që jep me “zemërgjërësi” të drejta për shqiptarët.
Në këtë ambient të atrofizuar politik shqiptar ka shkëlqyer “pluralizmi politik” si një përligjje për “demokracinë” të ngujuar në konceptin e dominimit etnik maqedonas dhe si një “alibi madhështore” për të mbrojtur vogëlsinë politike reale. Fatkeqësisht, shqiptarët për më shumë se tri dekada do të vazhdojnë të merren ndërmjet veti me vogëlsirat e përhershme, pa arritur që të afirmojnë dhe ta etablojnë deri në fund barabarësinë e plotë në një shtet që duhet t’i përgjigjet tërësisht realietit multikulturor, realitetit historik, gjeografik dhe demokgrafik.
Duket se kjo suazë diskurzive dhe institucionale, që shqiptarët i sheh si të huaj në shtet, më shumë për fajin e tyre se të tjerëve, mbetet e pranishme gjatë tërë kohës dhe projektohet në forma të ndryshme dhe me aktorë të ndryshëm.
Cirku i dogmave cinike
Në kohën kur politika është reduktuar në shfaqje groteske besimesh dhe euforish, që ngjizen në “vatrat e ngrohta” të militantizmit partiak, mbetet shumë e vështirë të trajtohen dimensione të tjera, përmes të cilave hapet një horizont tjetër i të kuptuarit të politikës si një hapësirë lirie, ashtu siç e përcakton Hanna Arendt-i. Në kohën kur nuk teoritizohet, nuk debatohet, mbetet vetëm të administrohet një gjendje pafundësisht e përsëritshme.
Maqedonia e Veriut, tashmë për më tepër se tridhjetë vjet, mbetet në këtë vakum të mungesës së definimeve moderne, në boshin e madh të koncepteve dhe zgjatimeve të dikurshme, që ciklikisht prodhojnë gjendje të pashpresë dhe administrim dogmatik të kësaj gjendjeje. Përtej cirkut dogmatik, që ndërthuret me folklorizma shterpe, ndodhet një realitet i vrazhdë i një stagnimi fatal, që e bën të ardhmen tepër të pasigurt. Përtej cirkut politik, në sfondin e këtij dëshpërimi nëpërduket një mungesë energjie, një paaftësi për shndërrim, për tejkalim të mendësive të vjetra, që vijnë si instrumentalizime politike për të administruar me ngërçet e pafundme të një shoqërie, që tashmë e ka pranuar me kohë statusin e metaforës së “Makondos”, një toposi letrar, ku gjërat fatalisht ripërsëriten.
Në Maqedoninë e Veriut fjala progres tashmë tingëllon vetëm si një cinizëm politik i tipologjisë ballkanike, një maskë, që vendoset ciklikisht nga elitat politike, që për më tepër mbeten lukuni biznesi dhe oligarkish që tjetërsojnë dhe përvetësojnë qeverisjet dhe që realisht me njëmijë fije ndërlidhen me zezonën e dikurshme të njerëzve të privilegjuar, të cilët fatkeqësisht morën në kontroll edhe “proceset demokratike”.
Këto deformime politike pamundësojnë që Maqedonia e Veriut të ecë drejt BE-së, si një orientim i shpallur strategjik, që mbetet vetëm si një parullë kotësie që tundet vetëm para të huajve, të cilët keqas mbeten peng i intrigave të stërzgjatura, që përsëriten nga një “elitë” në “elitën” tjetër politike, si zgjatim i njëjtë, që impenjohet dhe rimerr vëmendje.
Në gjithë këtë peizazh, që vazhdimisht turbullohet nga aktorë prapaskenash, Maqedonia e Veriut mbetet peng i grykësive të një grusht njerëzish, që enden sa andaj e këndej për të siguruar përsëri e përsëri privilegje pushteti.
Maqedonia e Veriut, në esencë, është shtet multietnik, që përgjatë tridhjetë vitesh brutalisht është përpjekur që ta mohojë këtë realitetit, duke stimuluar narrativa dhe praktika institucionale, që njëanshmërisht e kanë perceptuar shtetin. Sigurisht, në këtë koncept dhe tendencë të vazhdueshme “elitat” politike shqiptare nuk kanë arritur të krijojnë një kundërvënie moderne të mirëmenduar politike për të siguruar denjësi identitare për shqiptarët në tërësinë shtetërore dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut. Me pak fragmente kthjelltësie, ky pozicion ka përfunduar në përkoshmëri politike, por jo edhe në përhershmëri konstitucionale, që garantojnë kultivim autentik të identitetit të tyre politik dhe kulturor.
Për tridhjetë vite shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në dimensionin konstitucional, janë reduktuar, janë zvogëluar dhe kanë lëvizur në korridoret e ftohta dhe arrogante kafkiane të një shteti që ka refuzuar t’i pranojë si realitet të vetin, si një prani e padiskutueshme historike, kulturore dhe identitare.
Rifitimi i hapësirës së lirisë
Pyetja nuk duhet të bëhet më në formën e përkohshme se kush është në pushtet, por si të tejakalohen dogmat politike dhe gjithë instrumentumi i një grushti njerëzish që shfaqen dhe nuk shfaqen në skenën politike. Progresi në radhë të parë është koncept, botëhapje ndaj praktikave më të mira të funksionimit të shtetit, pa patalogji politike dhe pa intriga korridoresh kafkiane, që krijojnë padurime, polarizime dhe frustrime. Maqedonia e Veriut është një vend i vogël multietnik, multikulturor dhe multikonfesional. Se sa funksional do të jetë shteti kjo varet nga pranimi i këtij realiteti, nga pranimi i ndryshmërive dhe sfidave të tjera që dalin përpara në rrugën e integrimeve europiane. Modelet mund të gjenden kudo, por nevojitet gatishmëri dhe vullnet për t’i afirmuar dhe përbrendësuar.
Metamorfozat e shumta, që po i sjell periudha e gjatë e tranzicionit, siç duket, edhe gjatë kohë do të prehen në “ngujime mendore”, të cilat as për së afërmi nuk i përgjigjen kontekstit kohor dhe shndërrimeve të njëpasnjëshme, të cilat nga pamundësia që të gjejnë suazën e nevojshme konceptuale, pluskojnë trishtueshëm në margjinat kokëkrisura të provincializmit. Sipërmarrja e deritanishme, për të sjellë kualitete te reja në hapësirën publike, gjithnjë e më tepër po zvetënohet, duke humbur pandërprerë rezonancën me pikat e referencës dhe me konstantat sublime demokratike.
Loja e përjetshme me sentimentet e palatuara ka rrënuar pretendimin për ta humanizuar jetën shoqërore në të gjitha fushat e saj. Yryshet e herëhershme vetëm e kanë stërkequr pretendimin për të sjellë në hapësirën publike idealet e fisme të demokracisë dhe kanë mërguar përmbajtjen e saj në mishmashe ideologjike, në teke personale dhe frustracione egocentrike.
Simplifikimi profan i përmasave të demokracisë ka krijuar sensin e gabuar që çdonjëri mund të merret me këtë hapësirë të ndjeshme të jetës së përditshme qytetare, ndërsa kompleksi i inferioritetit ka puqur, në një pikë fatale, tërë gjakimin për të animuar një vizion kuptimplotë mbi ndërvarësitë e shumta, të cilat përplasen në interesa, iniciativa, rënie etj.
Edhe pse ky vulgarizim i proceseve demokratike ndërlidhet me krejt mendësinë ballkanike, në Maqedoninë e Veriut merr tone të thella trishtuese, ngase mungesa e institucioneve për të ekploruar me këto probleme të shumta krijon mundësi të mëdha për të manipuluar me esencën e këtyre proceseve.
Duke vëzhguar me kujdes rropullitë e tranzicionit, ne mund ta pohojmë mendimin e Adam Mihnikut se demokracia nuk kthehet vetëm si hapësirë e lirisë dhe e tolerancës, por edhe si hapësirë e urrejtjes dhe intolerancës etnike dhe religjioze. Që të mos e keqkuptojmë lirinë në format e saj të parme, edhe njëherë i referohemi Adam Mihnikut, i cili thotë se: “Liria në vetvete, pa kufizimin e ligjeve dhe të traditës, është udhë që të shpie kah anarkia dhe kaosi, të cilat udhëhiqen nga ligji i më të fortit”.
Aktualisht ndodhemi përpara fundit melankolik të bëmave të mëdha. Një premisë fundekrye dinamike na grish që të kuptojmë se liria në vetvete nuk është kurrë fundi i rrugës, por vetëm një fillim. Në veçanësi, në çdo shoqëri të veçantë, detyrë më urgjente dhe parësore është vetëpërmirësimi. Paraqitet nevoja që ngultas të procedojmë me idenë e hapësirës publike, ngase çdo gjë që mërgohet nga kjo hapësirë mbetet thellësisht individuale dhe rrëshqet nga principet e interesit të përbashkët. Veprimtaritë politike autentike, veprimi dhe të folurit, thotë Hanna Arendt, nuk mund të realizohen pa praninë e të tjerëve, pa publikun, pa një hapësirë të përbërë prej shumicës. Gjykimi për të qenë i vlefshëm, thotë ajo, varet nga prania e të tjerëve. Arendt-i thotë se “fusha ku liria është e njohur dhe e mbajtur kurdoherë parasysh, si një fakt i jetës së përditshme, është fusha politike”. Sipas saj, arsyeja e ekzistencës së politikës është liria dhe fusha e akumulimit të saj është veprimi.
Përkundër kësaj, logjika apolitike që në sfond ka pushtetin si gjendje e përhershme stimulon kënetën burokratike, atë gjendje të përhershme të pashpresë politike që me gjakftohtësi pushteti uzurpon hapësirën e lirisë, hapësirën politike dhe demokratike.
Zakonisht pas këtij koncepti burokratik dhe tërësisht apolitik qëndrojnë “syze krimbash burokratë” që me qetësi “olimpike” etablohen në gërmadhën e madhe të pushtetit të kuptuar thjesht si para dhe si akomodim i përjetshëm i prodhuar në inkubatorët e politikave “hibride”. Këta janë funksionarët e përjetshëm, ata të pranueshmit për çdo kombinatorikë pushteti, ata që nuk janë as mish e as peshk, që janë krijesa apolitike laboratorësh politikë.
Beteja politike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të jetë pikërisht dalja nga kjo situatë “apolitike” që po administrohet tash e sa vite nga inkubatorët e funksionarëve të përjetshëm, që me një milionë fije mbeten të lidhur me të gjitha pushtetet.
Domosdoshmërisht duhet të kalohet në një koncept tjetër politik që e shmangë këtë ketman “apolitik” të instaluar në çdo pushtet dhe që vjen si logjikë e ish sistemit. Ne duhet ta rifitojmë hapësirën e lirisë politike si substancë e domosdoshme për të evoluar drejt hapësirës europiane. Funksionarët e përjetshëm të inkubatorëve të dikurshëm janë varrëmihësit e kësaj ëndrre!









