Sa më shumë që zgjat kjo luftë, izraelitët dhe bota do ta kuptojnë se përdorimi i dhunës nuk është përgjigje. Fakti që ushtria izraelite tashti është prezente në pjesën e Gazës veriore, të cilën tani më e ka rrafshuar përtokë, dhe që ende nuk është në gjendje ta realizojë atë që e ka proklamuar, është problematike. Qeveria izraelite tani më e ka pranuar propozimin për ndërrim të të burgosurve, përkundër faktit se kishte deklaruar se këtë nuk do ta bëjë pa e mposhtur Hamasin.
Daut DAUTI, Londër
Lufta izraelito-palestineze ka nisur para 75 viteve. Gjatë kësaj periudhe ka pasur luftëra ku janë përfshirë edhe shtetet fqinje të Izraelit (Siria, Jordania dhe Egjipti) dhe luftëra me intensitet më të ulët me palestinezët, që mund të cilësohen si të brendshme ose dypalëshe, e që kanë qenë pothuaj të përhershme. Por, kjo që filloi me 7 tetor me sulmin e Hamasit, e ka tronditur botën e, aq më tepër, Izraelin, më shumë se ato të mëparshmet. Luftërat izraelito-palestineze gjithmonë kanë krijuar efekt global. Shtrirja e pasojave është aq e gjerë, saqë, për krahasim, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, që deri me 7 tetor merrej si kërcënim për një luftë të re botërore, tashti gati është harruar.
Pa marrë parasysh që ky konflikt është i gjatë tre çerekë shekuj, Izraeli dhe bota perëndimore, në krye me SHBA-në, u munduan ta imponojnë një diskurs që tentonte ta shpjegojë këtë problem sikur që filloi me 7 tetor. Këtë rrugë e ndoqën edhe shumica e mediave të këtyre vendeve. “Do you condemn Hamas?” (A e dënoni Hamasin?) ishte pyetja e parë dhe standarde që u parashtrohej të gjithë atyre që dilnin në mediat perëndimore në përkrahje të çështjes së Palestinës. Nga përgjigjja varej nëse vazhdonte ose ndërpritej intervista apo diskutimi. Natyrisht, që sulmet e Hamasit (vrasja e civilëve, kryesisht grave dhe fëmijëve), ishin të karakterit terrorist, por Hamasi nuk bëri diçka që më parë nuk e kishte bërë Izraeli. Qëllimi ishte që të injorohet e kaluara 75-vjeçare e konfliktit dhe gjithçka të fillonte me këtë datë dhe me këtë pamje terroriste, që kërkonte pasimin e domosdoshëm të dënimit kolektiv të palestinezëve, e cila është duke vazhduar.
Izraeli dhe përkrahësit e tij perëndimorë nuk kanë qenë të gatshëm të ofrojnë zgjidhje përfundimtare. Gjendja e krijuar ka ofruar pamje të rrejshme të qetësisë mes Izraelit dhe Palestinës. Në mënyrën më të vrazhdë Hamasi tregoi se gjërat janë shumë keq. Habia e krijuar nuk ka të bëjë vetëm me vrasjen e civilëve. Në realitet, Hamasi i ka ngritur dy pyetje fundamentale në lidhje me Izraelin. Pyetja e parë që u ngrit në Izrael ishte: si është e mundur që ushtria izraelite e përqendruar në disa vendvështrime rreth Gazës dhe me tërë atë teknologji, të shkatërrohej aq shpejt nga Hamasi? E dyta: Ku ishte Mosadi që nuk e kishte hetuar këtë përgatitje dhe sulmin?
Pra, Hamasi, duke i vrarë më shumë se 300 ushtarë izraelitë brenda pak orëve dhe duke e shkatërruar sistemin elektronik të kontrollit të Gazës dhe lidhjeve, e ka dëmtuar rëndë mitin e ushtrisë izraelite dhe të sigurimit sekret (Mosadit). Kjo ishte një brengë edhe për SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat menjëherë i dërguan flotat e tyre detare në pjesën e Mesdheut dhe afër Izraelit. Kjo gjë u bë me qëllim që kjo lëvizje të shihej si shenjë e gatishmërisë së këtyre vendeve nëse konflikti zgjerohet. Në realitet, ushtria izraelite është e fuqishme për shumicën e vendeve të rajonit, por çka do të ndodhte nëse kjo ushtri njëkohësisht do të ballafaqohej edhe me atë të Egjiptit dhe Arabisë Sauditë, që janë pajisur me të madhe gjatë tri dekadave të fundit? Izraeli me siguri do t’i frikësohej shumë përgjigjes së kësaj pyetjeje.
Në realitet, Egjipti dhe Arabia Saudite, sikur edhe disa vende tjera arabe përreth Izraelit, nuk mund të bëjnë asgjë. Qeveritë e këtyre vendeve janë të lidhura aq shumë me SHBA-në, saqë qëndrimi i tyre në pushtet varet nga disponimi në Uashington. Si do ta nisnin këto vende luftën me Izraelin edhe kur dihet se armatimi i tyre është pothuaj tërësisht i prodhimit amerikan, britanik e francez? Shto këtu që këto tri shtete perëndimore kanë deklaruar se Izraeli do ta ketë ndihmën e parezervë politike, sidomos ushtarake, nga këto tri vende. Pra, nuk ka gjasa për zgjerim të konfliktit, andaj palestinezët mbeten në gjendjen që kanë qenë. Nga kjo është krijuar një status quo që e ka trimëruar Izraelin dhe rehatuar Amerikën. Por, gjendjet, çfarëdo qofshin ato, nuk janë të përhershme.
Edhe në këtë luftë, që është duke vazhduar, e para që vritet është e vërteta. Vendet në konflikt dhe aleatët e tyre dëshirojnë ta krijojnë narracioni që u siguron moral përbrenda dhe përkrahje në botë. Sado që është bërë mund i madh në këtë drejtim, në kushtet e sotshme është bërë e zorshme të disajnohet dhe të kontrollohet informata. Por, Perëndimi, që trumpeton se e mban flamurin e shprehjes së lirë, nuk është treguar i tillë në rastin e kësaj lufte. Ç’është e vërteta, më të lira dhe më reale janë duke u treguar disa media brenda vetë Izraelit. Përkundër vështirësive që kanë ata në plasimin e pikëpamjes palestineze, kjo gjë nuk ka mundur të bllokohet. Edhe në këtë aspekt kanë ndryshuar gjërat, sidomos në Britani të Madhe. Tashti, gjithnjë e më shumë ka njerëz që me elokuencë e elaborojnë pozitën palestineze para publikut britanik. Nuk është fjala vetëm për ata që janë palestinezë, arabë ose myslimanë, por edhe nga radhët e anglezëve dhe hebrenjve që nuk mund ta durojnë këtë gjendje të rëndë në të cilën janë futur të dyja palët. Sipas mediave, kryesisht britanike, shohim se është shtuar numri i intelektualëve dhe personaliteteve me ndikim brenda hebrenjve, gjë që kërkon zgjidhje përfundimtare. Sipas disa sondazheve, rreth 30% e hebrenjve amerikanë nuk e përkrahin politikën e tashme izraelite, kurse përqindja te moshat e reja është edhe më e lartë. Demonstratat masive për ndaljen e luftës dhe për të gjetur zgjidhje të këtij konflikti do të shtohen.
Megjithatë, ky aktivitet nuk e ndryshon shpejt gjendjen e rëndë aktuale. Ky është parashikimi se çka mund të ndodhë në të ardhmen. Problemi kryesor i ndryshimit të marrëdhënieve armiqësore izraelito-palestineze ende varet nga opinioni publik në SHBA. Është e vërtetë që në këtë vend hebrenjtë dhe lobi i tyre ka ndikim të madh, por fakti që shpesh nuk merret parasysh është se pas politikës proizraelite në SHBA qëndrojnë grupet e evagjelistëve të krishterë, që janë kryesorët dhe ndikimi i tyre politik dhe fuqia financiare janë tejet të mëdha. Evangjelistët bazohen në profecitë biblike se amerikanët duhet t’i ndihmojnë Izraelit që atje të kthehen të gjithë hebrenjtë, në mënyrë që të vriten në ditën e ardhjes së Mesihut të Premtuar, i cili do ta sigurojë fitoren e Krishterimit. Kjo është “ndihmë” që pas ka një arsye jonjerëzore, pasi që përmban planin për shfarosjen e hebrenjve. Megjithatë, jo moti, mu këto organizata evangjeliste i ka falënderuar Netenjahu për ndihmën e madhe që janë duke e dhënë për shtetin e Izraelit. Pra, në SHBA presioni bëhet për ta vazhduar luftën e jo për ta ndalur.
Përkundër kësaj përkrahjeje, Izraeli do ta ndjejë presionin për paqe. Sa më shumë që zgjat kjo luftë, izraelitët dhe bota do ta kuptojnë se përdorimi i dhunës nuk është përgjigje. Fakti që ushtria izraelite tashti është prezente në pjesën e Gazës veriore, të cilën tani më e ka rrafshuar përtokë dhe që ende nuk është në gjendje ta realizojë atë që e ka proklamuar, është problematike. Qeveria izraelite tani më e ka pranuar propozimin për ndërrim të të burgosurve, përkundër faktit se kishte deklaruar se këtë nuk do ta bëjë pa e mposhtur Hamasin.
Ndoshta pyetja më serioze për ushtrinë dhe shërbimin sekret izraelit është: pse nuk po i gjeni të kidnapuarit në Gazë kur tani jeni aty dhe gati në kontroll të plotë të territorit? Kjo duket një punë e vështirë, edhe pse dihet se Gaza nuk është vend më i madh se territori nga Shkupi në Tetovë me fshatrat përreth. Ka një varg pyetjesh të tjera që do të dalin me kohë. Por, si do që përfundojë kjo luftë, kërkohet zgjidhje e përhershme e këtij konflikti. Ndoshta, tashti përfundimisht ka ardhur rasti i shprehjes që thotë se nuk bëhet mirë pa u bërë shumë keq. Zgjidhja e këtij problemi gjithmonë varet nga roli amerikan dhe, pjesërisht, nga ai britanik. Në Amerikë momentalisht nuk duket ndonjë disponim pozitiv, por duhet shpresuar se presidenti amerikan dhe qeveria britanike do të ndërmarrin masa në mënyrë që të tregohen të suksesshëm për shkak të zgjedhjeve që mbahen në vitin e ardhshëm.