loader image
November 21, 2024

Liria e shprehjes në peshoren e së drejtës

Në vitin 2015, gjatë një ligjërate të mbajtur, një shtetase austriake e kishte akuzuar për pedofili profetin Muhamed. Ndaj saj ishin iniciuar procedura juridike dhe gjyqësori austriak e kishte gjobitur me 480 euro.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Globalizmi ka nxitur dyndje të konsiderueshme njerëzish. Perëndimi, pra Europa dhe SHBA-ja, për shkak të zhvillimit të gjithmbarshëm, janë epiqendër e pranimit të shtetasve të vendeve më të largëta. Shtimi i refugjatëve, i të strehuarve dhe, përgjithësisht, i joeuropianëve në truallin europian, i ka ndezur shkëndijat e lëvizjeve raciste e nacionaliste. Kjo hetohet edhe në proceset zgjedhore të viteve të fundit, ku bie në sy fuqizimi i partive të djathta.

Të gjitha të drejtat e garantuara me akte ndërkombëtare dhe kushtetuta nuk kanë karakter absolut. Disa syresh janë të ndërvarura me garantimin e disa të drejtave të tjera. Si kritere kryesore për këtë janë ndalimi i cenimit të të drejtave dhe lirive të personave të tjerë dhe ndalimi i cenimit të rendit publik. Në këtë prizëm duhet parë edhe lirinë e shprehjes.

Liria e shprehjes si kategori kushtetuese

Të gjitha kushtetutat moderne e marrin në mbrojtje lirinë e shprehjes së lirë të mendimit.

Kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e shprehjes, duke përkufizuar se liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush. Kjo liri mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare (neni 40).

Ngjashëm parasheh edhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, e cila afirmon se garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit (neni 16).

Po ashtu Kushtetuta e Shqipërisë përvijon që liria e shprehjes është e garantuar (neni 22).

Shikuar në aspektin krahasues të kushtetutave botërore, vërehet se liria e shprehjes mund të kufizohet për arsye të tjera, si p.sh.: mbrojtja e sigurisë kombëtare, ruajtja e autoritetit të organeve shtetërore, mbrojtja e shëndetit dhe e moralit publik; ruajtja e dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, etj.

Baza juridike ndërkombëtare

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDCP), i miratuar më 1966 në OKB, parasheh që çdokush duhet të ketë të drejtën e opinionit pa ndonjë ndërhyrje. Po kështu, çdokush duhet të ketë të drejtën e lirisë së shprehjes, e cila përfshin lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacioneve dhe ideve të të gjitha llojeve, pavarësisht nga kufijtë, qoftë me gojë, me shkrim, në formë të shtypur ose artistike, ose me çdo mjet tjetër të zgjedhur prej tij (neni 19). Krahas kësaj, çdo propagandë në favor të luftës dhe çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare, që përbën nxitjen për diskriminim, armiqësi dhe dhunë, ndalohet me ligj (neni 20).

Një akt tjetër ndërkombëtar, që rregullon juridikisht edhe çështjen e lirisë së shprehjes, është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Sipas Konventës, çdokush gëzon lirinë e shprehjes, e cila përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë.  Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për ta garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor (KEDNJ, neni 10).

Përkitazi me ndalimin e nxitjes së urrejtjes midis njerëzve mund të përmendet edhe Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, e cila është miratuar në OKB në vitin 1965 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 1969.   Në këtë kontekst, Komisioni i Venedikut gjithashtu vë në dukje se aktet që nxisin urrejtje/diskriminim duhet të ndëshkohen dhe se ndëshkimet përbëjnë një sinjal të fortë ndaj kryerësve të këtyre akteve që shkelin vlerat, si: demokracia, toleranca, respektimi i të drejtave të njeriut, pluralizmi dhe parimi i mosdiskriminimit.

Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës i Këshillit të Europës, në Rekomandimin nr. 7 për Politikën mbi Legjislacionin Kombëtar për Luftën Kundër Racizmit dhe Diskriminimit Racial, e cilëson ”racizëm” besimin se elementet si raca, ngjyra, gjuha, besimi fetar, shtetësia, ose origjina etnike ose kombëtare justifikon përbuzjen për një person ose një grup personash, ose nocionin e superioritetit të një personi ose një grupi personash (paragrafi 1). Së këndejmi, ky rekomandim nënvizon që legjislacioni i shteteve duhet të sanksionojë aktet që bëhen: a) me qëllim të nxitjes publike të dhunës, urrejtjes ose diskriminimit, b) me qëllim të fyerjes publike dhe shpifjes, c) me qëllim të kërcënimit kundër një personi ose një grupi personash për shkak të racës, ngjyrës, gjuhës, besimit fetar, shtetësisë ose origjinës kombëtare ose etnike; d) si deklarata publike me qëllim racist, të një ideologjie e cila deklaron superioritetin e saj ose që përçmon ose degradon një grup personash mbi bazë të racës së tyre, ngjyrës, gjuhës, besimit fetar, shtetësisë ose origjinës kombëtare ose etnike (paragrafi 18).

Qëndrimi i GJEDNJ-së

Liria e shprehjes është një fushë e paanë diskutimesh dhe është bërë objekt trajtimi edhe në vendimet gjyqësore. Në vijim do të jepet një rast ilustrues për të kuptuar gjithësisht qasjen e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJENDJ), e cila paraqet instancën më të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe është burim prej të cilit furnizohen me precedentë dhe jurisprudencë gjykatat vendore të shteteve europiane, përfshirë ato ballkanike.

Në vitin 2015, gjatë një ligjërate të mbajtur, një shtetase austriake e kishte akuzuar profetin Muhamed për pedofili. Ndaj saj ishin iniciuar procedura juridike dhe gjyqësori austriak e kishte gjobitur me 480 euro. Më pas, ajo ishte ankuar në GJEDNJ. Në rastin E.S vs. Austria,  GJEDNJ-ja kishte theksuar se gjykatat vendore austriake e kishin vlerësuar rastin gjerësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke vendosur një ekuilibër të kujdesshëm midis lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së ndjenjave fetare të të tjerëve, si dhe mbrojtjen e harmonisë fetare në Austri. Po kështu, GJEDNJ-ja ka konstatuar se deklaratat e tilla i tejkalonin kufijtë e lejuar në një diskutim objektiv dhe klasifikohen si sulm fyes ndaj profetit, gjë që rrit paragjykimet dhe rrezikon harmoninë fetare. Kështu, GJEDNJ-ja ka konstatuar se gjykatat austriake kishin dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vendimet dhe se dënimi ndaj saj nuk nënkuptonte shkeljen e lirisë së shprehjes.

Përfundim analitik

Liria e shprehjes është një kusht sine qua non i demokracive bashkëkohore liberale. Megjithatë, kjo liri nuk guxon ta rrezikojë pluralizmin. Bashkëjetesa në diversitet është natyrshmëri e demokracisë së sotme. Për këtë edhe aktet e sipërpërmendura juridike kanë paraparë mundësi të kufizimit të lirisë së shprehjes. Andaj, fyerjet, sulmet a aludimet që drejtohen kundër një komuniteti etnik a fetar e minojnë mirëkuptimin brenda shoqërisë dhe kështu zë e ligështohet shëndeti i shoqërisë pluraliste, që në instancë të fundit paraqet tronditje të demokracisë. Sikundërqë mund të kuptohet, fjalët e pamatura dhe tendencioze ndaj komuniteteve, që kanë një sistem vlerash brenda vetes, mund ta rrezikojnë regjimin demokratik në një vend, prandaj edhe nuk duhet injoruar efekti negativ që ato mund ta prodhojnë.

Sipas kuptimit modern të nocionit të demokracisë, liria e shprehjes gjen kuptim vetëm në mjedise ku frymon harmonia mes bashkësive me elemente identitare të ndryshme.

Vatrat e luftës gjithandej dhe posaçërisht ato që afektojnë kontinentin europian (si në rastin e Ukrainës, Sirisë, etj.) i kanë shpeshtuar migrimet. Rritja e numrit të refugjatëve dhe e personave që kërkojnë azil për shkak të pasigurisë në vendet amë, po e shpërfaq si dukuri ksenofobinë. Si rezultat i kësaj kemi çarje në strukturën shoqërore dhe shprehja e lirë e cilitdo mendim ndodh që t’i shërbejë përhapjes së urrejtjes ndaj të huajve. Fjala bie, nëse analizohet në rrafshin e identitetit fetar, vihet re se djegia e Kuranit, portretizimet me karikatura të profetit Muhamed, etj., janë disa nga aktet që ngjajnë hera-herës në disa vende europiane dhe kjo gjë aktualizon debatin për lirinë e shprehjes. Me një anë avokohet se satirizimi me të tilla çështje është formë e lirisë së shprehjes së mendimit, ndërsa në anën tjetër kjo cilësohet si provokim dhe fyerje ndaj vlerave të myslimanëve. Është e qartë se në vendet perëndimore përqafohet një koncept liberal më i gjerë sa i përket lirive, përfshirë edhe lirinë e shprehjes. Gjithsesi duhet mbrojtur lirinë e shprehjes së mendimit, qëndrimeve e opinioneve. Por, bashkë me këtë, duhet respektuar zotimet e shteteve për zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, pra jetësimin e normave juridike të detyrueshme. Fundja, e drejta përcaktohet me normë dhe normat lidhur me çështjen në fjalë u paraqitën pak më lart.

Çfarëdo veprimi që saboton pluralizmin kulturor dhe harmoninë ndërmjet bashkësive dhe qytetarëve nënkupton akt diskriminues, që e vë në shënjestër vetë shoqërinë demokratike. Prandaj nuk mund të konsiderohet liri lëndimi fizik a shpirtëror i tjetrit vetëm se nuk ka bindje a identitet të njëjtë me dikë, qoftë edhe me shumicën në një shoqëri.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X