loader image
May 21, 2024

Libri që sjellë dritë në një pjesë të historisë

Monografia ”Shqipëria dhe Turqia 1912-1939: Nga ndarja drejt miqësisë”, të autores Dr. Ilirjana Kaceli Demirlika

Shkruan: Alban DOBRUNA, Prishtinë

Studiuesja Ilrijana Kaceli Demirlika, autorja  e artikujve të shumtë me karakter studimor në revista shkencore, pjesëmarrëse dhe kontribuuese në veprimtari të shumta dhe të larmishme shkencore, arsimore, politike dhe social-kulturore, në tubime, tryeza dhe konferenca shkencore, tani ka publikuar monografinë e titulluar: “Shqipëria dhe Turqia 1912-1939: Nga ndarja drejt miqësisë”  në të cilin ka bërë përpjekje maksimale për ta realizuar një vepër të veçantë historike, për një periudhë të rëndësishme siç ishte ajo e midis dy luftërave botërore. Në fokus të librit janë marrëdhëniet historike të shqiptarëve me Turqinë, të cilat janë zhvilluar pandërprerë, kanë qenë komplekse dhe i kanë pasur dritëhijet e veta. Për autoren, ka qenë sfiduese të shkruajë mbi raportet midis Shqipërisë dhe Turqisë në rrafshin diplomatik, social, kulturor dhe dimensionet e tjera. Pasi ky raport dualist është zhvilluar në sfondin e interesave strategjike te të dyjave shteteve, sipas problematikave dhe interesave të caktuara që të dyja vendet kishin, si në fushën ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore.

Tematika që ka përzgjedhur autorja është tejet me interes, pasi kontribuon me risi në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, që shfaq politikën e qeverive shqiptare të ndikuar nga faktorët kohorë në lidhje me qëndrimet dhe situatat e ndryshme politike në këndvështrime më të gjëra dhe më të plota. Nga ana tjetër, studiuesja Kaceli Demirlika ka studiuar edhe lëvizjet e diplomacisë së re turke, e cila përpiqej me të gjitha format dhe mënyrat ta ruante ndikimin në Ballkan, veçanërisht në Shqipërinë e atyre viteve, e cila kishte një pozicion të favorshëm gjeopolitik, daljen në detin Adriatik, që njihej si ura e saj lidhëse me shtetet perëndimore.

Vepra është përpiluar në atë formë, duke e shtjelluar lëndën në mënyrë sistematike, mbështetur në metodologji shkencore-bashkëkohore, të përmbledhura në 390 faqe, që ndahen në pesë kapituj, sipas një renditjeje kronologjike me sqarime dhe plotësime përcjellëse, me dokumente, bibliografi, indeksin e emrave, etj. Ka një varg arsyesh të forta që këtë monografi e bëjnë joshëse, jo vetëm për studiuesit e historisë dhe gjurmuesit, por edhe për ata që ushqejnë simpati dhe dashuri për studimin e së kaluarës.

Në kapitullin e parë ajo paraqet të dhëna prezantuese në përgjithësi për shekullin e fundit osman tek shqiptaret, për të cilin është përshkruar një seri ngjarjesh dramatike që ndodhën gjatë një periudhe specifike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilin dhuna ishte  dimension i pashmangshëm i sistemi botëror që funksiononte në një lak padrejtësie në atë kohë. Ajo bën fjalë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Shqipërinë në fund të shekullit XIX, fillimin e shekullit XX, Kuvendin e Ferizajt, Kryengritjet e viteve 1910-1911, Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, Aleancën Ballkanike.

Në kapitullin e dytë autorja e vë theksin mbi trashëgiminë osmane në vitet 1912-1918, ku vihen në pah: Lufta e Parë Ballkanike dhe Shqipëria, Shpallja pavarësisë dhe qëndrimi i Qeverisë osmane, Çështja e Statusit të Shqipërisë dhe Luftës Ballkanike, Aleanca turko-bullgare dhe komploti i Beqir Grebenesë, Kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe roli i Turqve të rinj, Shqipëria në Luftë e Parë Botërore.

Kapitulli i tretë hedh më shumë dritë mbi “Marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë viteve 1918-1923”. Aty nxirret në pah krijimi i Kolonisë Shqiptare të Turqisë, delegacioni i Kolonisë shqiptare të Turqisë në Konferencën e Paqes së Parisit, Lëvizja Kombëtare e Mustafa Qemalit, Jehona e Luftës Kombëtare Turke në shtypin shqiptar, Qeveria e Sulejman Delvinës dhe hapat e parë drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Në kapitullin e katërt ilustrohen ”Marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë viteve 1923-1928”. Kapitulli në fjalë i ka tre pjesë: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Traktati i Lozanës dhe marrëdhëniet shqiptaro-turke, në kuadër të së cilës shqyrtohen edhe nënçështjet: Konventa greko-turke: Shpërnguljet dhe shkëmbimi i popullsisë dhe ndikimi i Traktatit në marrëdhëniet shqiptaro-turke, duke përfunduar me “Marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë kohës së Republikës”.

Kapitulli i pestë është ”Monarkia dhe Republika Turke 1928-1939”. Aty autorja i rajton këto tema: Qëndrimi i Republikës Turke ndaj shpalljes së Monarkisë, Rivendosja e marrëdhënieve shqiptaro-turke, Konferencat ballkanike dhe marrëdhëniet shqiptaro-turke, Uljë-ngritjet në marrëdhëniet midis Monarkisë Shqiptare dhe Republikës Turke.

Nga këndvështrimi im, mund të them se nga libri me titull “Shqipëria dhe Turqia 1912-1939: Nga ndarja drejt miqësisë”, i autores Ilrijana Kaceli Demirlika, fitohen mjaft informacione historike, të trajtuara me një gjuhë profesionale dhe lehtësisht të kuptueshme nga lexuesi, shkruar me një kulturë dhe pedanteri, që duket qartë se është produkt i një pune të gjatë, e cila ka kulmuar me këtë monografi mjaft autentike.

Pavarësisht se tematika e librit ka në fokus marrëdhëniet shqiptaro-turke, duket qartazi se në qendër të vëmendjes është Shqipëria. Ajo  është dashuria e madhe e autores e, megjithatë, studiuesja Kaceli Demirlika është treguar realiste dhe nuk është rrëmbyer nga pasionet, duke u treguar e kujdesshme kur i përshkruan raportet e shqiptarëve dhe turqve në vitet 1912-1939, të cilat janë zhvilluar pandërprerë, kanë qenë komplekse dhe me dritëhijet e veta, me synimin që trajtimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke të kryhet në disa këndvështrime, duke mos përdorur vetëm qasje faktologjike, por edhe duke iu referuar analizës me fokus shkencor, metodave krahasuese dhe parimeve themelore të shkrimit të historisë bashkëkohore, gjithë kjo për të arritur në përfundime sa më afër së vërtetës historike, e cila do të mund t’i qëndrojnë kohës.

Ky libër ka vlerë dhe rëndësi të madhe shkencore e profesionale, shoqërore dhe politike, pasi për ta nxjerrë më në dritë një raport të tillë ndërmjet dy shteteve, nuk është fare e lehtë, aq më tepër kur përfshihet një periudhë e gjatë historike, me burime të shkapërderdhura në arkiva të ndryshme të rajonit. Nga ana tjetër, as literatura  nuk është e mjaftueshme, sepse me çështjet e marrëdhënieve shqiptaro-turke nuk janë marrë shumë studiues në trevat shqiptare. Është e udhës të theksoj se vepra “Shqipëria dhe Turqia 1912-1939: Nga ndarja drejt miqësisë”, e studiueses Ilrijana Kaceli Demirlika, e punuar me përkushtim e, madje, delikatesë, me dëshirën për të përgatitur një punim serioz që do ta justifikonte edhe besimin e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre ballkanike, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të rëndomtë për të shkruar, por me një vepër serioze që e plotëson dhe pasuron këtë fushë të dijes.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X