loader image
July 26, 2025

Laiciteti si paradigmë e lirive dhe funksionimit shtetëror

Sipas kritereve të laicitetit, të gjithë individët duhet ta gëzojnë lirinë për të zgjedhur pa imponim besimin/fenë e tyre, ta manifestojnë dhe ta praktikojnë atë ose edhe fare të mos ndjekin asnjë besim/fe. Njëherësh, individët duhet të kenë të drejtën për ta ndryshuar besimin/fenë dhe të mos ndihen të rrezikuar kur e bëjnë një gjë të tillë. Ky standard gjen vend në akte ndërkombëtare dhe në kushtetutat e vendeve demokratike.

Ditar KABASHI, Prizren   

Laiciteti i shtetit është një koncept i shfaqur me lindjen dhe konsolidimin e shtetit modern. Ai karakterizohet me ndarjen e çështjeve fetare dhe çështjeve shtetërore në rrafshin institucional. Kësisoj, këto dy fusha modelohen si të pavarura nga njëra-tjetra.

Forma më e qartë e të kuptuarit nëse një shtet ka adoptuar laicitetin si parim është ai i parashikimit expressis verbis në kushtetutën e vet. Megjithëkëtë, ky është konfirmim formal. Përfshirja e laicitetit në një rend juridik mund të demonstrohet nga pranimi i disa elementeve, si: garantimi i lirisë së besimit, fesë dhe ndërgjegjes, sigurimi i ndarjes së veprimtarisë shtetërore dhe asaj fetare, dhe – përgjithësisht – konstituimi i rendit juridik, duke mos u kushtëzuar nga normat fetare.

Shteti dhe çështjet fetare

Laiciteti niset nga premisa se shteti nuk duhet të favorizojë asnjë fe dhe duhet të jetë neutral karshi tyre. Po kështu, shteti nuk i administron çështjet që ndërlidhen me fenë dhe nuk e merr asnjërën fe si veçori identifikuese të tij (shtetit). Në këtë pikë duhet sqaruar diçka me rëndësi, që rëndom edhe ngatërrohet: Karakteri laik nuk e bën shtetin kundërshtar të feve. Thjesht, laiciteti ia shton shtetit atributin e të paanshmit në çështje fetare. Për analogji, mund të paramendohet paanshmëria e Presidentit të Republikës në një vend të qeverisur me sistem parlamentar, ku Presidenti nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie dhe nuk mund të ushtrojë funksione në asnjë parti.[i]

Kushtetuta e Kosovës e afirmon laicitetin e shtetit: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.”[ii] Ndërsa, Ligji për Lirinë Fetare përcakton se nuk do të ketë asnjë fe zyrtare, se bashkësitë fetare janë të ndara nga autoritetet publike dhe të gjitha autoritetet publike duhet ta kenë parasysh tolerancën dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet feve. Krahas kësaj, ligji saktëson se të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë, duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebre dhe Kishën Evangjeliste, do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësie për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar me legjislacion.[iii]

Kushtetuta e Shqipërisë ka një përkufizim më gjithëpërfshirës për këtë çështje dhe pohon se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare, shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Po ashtu, shteti shqiptar njeh barazinë e bashkësive fetare dhe shteti dhe bashkësitë fetare e respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.[iv]

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut i përmend komunitetet fetare dhe e përcakton se Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.[v]

Çfarë nënkupton kjo ndarje e tagrit shtetëror dhe atij fetar?

Në një vendim të sajin, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke vënë theksin në laicitetin e shtetit, ka përvijuar këtë opinion: “Parimi i laicitetit parashikon që shteti dhe organizatat fetare veprojnë në mënyrë të pavarur brenda sferës së tyre dhe nuk ushtrojnë autoritet mbi punët e njëri-tjetrit. Prandaj, laiciteti lejon që organizatat fetare t’i kryejnë punët e tyre pa ndërhyrje të pavend nga shteti, ndërsa organizatat fetare nuk mund të urdhërojnë se çfarë shteti mund apo nuk mund të dekretojë me ligje. Kjo nuk do të thotë se organizatat fetare përjashtohen nga debati mbi çështje të sferës publike apo se shtetit i ndalohet të rregullojë çështjet brenda sferës së tij kushtetuese. Secili duhet ta respektojë tjetrin dhe të pranojë se kanë përgjegjësi të ndryshme.”[vi] 

Garancia për lirinë e besimit, fesë dhe ndërgjegjes

Sipas kritereve të laicitetit, të gjithë individët duhet ta gëzojnë lirinë për të zgjedhur pa imponim besimin/fenë e tyre, ta manifestojnë dhe ta praktikojnë atë ose edhe fare të mos ndjekin asnjë besim/fe. Njëherësh, individët duhet të kenë të drejtën për ta ndryshuar besimin/fenë dhe të mos ndihen të rrezikuar kur e bëjnë një gjë të tillë. Ky standard gjen vend në akte ndërkombëtare dhe në kushtetutat e vendeve demokratike.[vii]

Përzgjedhja e besimit/fesë dhe/ose konvertimi në një fe tjetër janë e drejtë fondamentale e secilit individ. Kjo liri realizohet në saje të respektimit të dinjitetit të njeriut, i cili prezumohet të jetë i pacenueshëm. Për këtë arsye, detyrë e shtetit është mbrojtja e secilit qytetar nga kërcënimet e mundshme të stisura nga grupe ekstremiste të cilitdo besim që parasheh sanksione për konvertimet.

Përgjegjësia për besimin është individuale, mes njeriut dhe fuqisë së mbinatyrshme (në fetë monoteiste: Zotit) dhe jo kolektive. Meqenëse shteti, si krijesë juridike dhe jofrymore, është organizëm kolektiv shekullar (profan/i përbotshëm), nuk duhet dhe nuk mund ta luajë rolin e Zotit për t’i gjykuar njerëzit për besimin e tyre. Kjo është, në thelb, domethënia reale për laicitetin e shtetit.

Paanshmëria në arsim

Shtetet me karakter laik janë të paanshme sa u takon mësimeve fetare, gjë që parakupton se shteti nuk bën propagandë dhe as nuk imponon doktrina praktike fetare. Ky parim nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së lëndës së mësim-besimit në kurrikulat e shkollave laike, se në shkolla fetare edhe ashtu ofrohet mësimi i dogmës dhe disiplinave fetare. Tjetër gjë është mosshfrytëzimi i institucioneve shtetërore për propagandim të një besimi dhe tjetër është e drejta e qytetarëve për të kërkuar që fëmijëve të tyre t’u ofrohen njohuri kulturore për besimet dhe fetë në shkollat që operojnë me taksat e tyre.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka paraqitur disa kritere lidhur me të drejtën për edukim të lëndës fetare. Përmbledhtazi, këto janë: barazia dhe ndalimi i diskriminimit, parimi i proporcionalitetit, diskrecioni i shteteve për të vendosur kurrikulat mësimore dhe ruajtja e parimit të integritetit, që nënkupton se arsimimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe me strukturë të përbashkët për të gjithë nxënësit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.

Ndikimi në legjislacion 

Në një shtet laik, rendi juridik nuk bazohet në normat fetare, por në të drejtat universale të njeriut dhe në nevojat sociale. Barazia para ligjit parandalon diskriminimin fetar ose sektar.

Nuk paraqet problem nëse një normë fetare është në përputhje me kërkesat dhe pritshmëritë e shoqërisë. Bie fjala, nëse dispozita fetare (e cilësdo fe) thotë se ndalohet vrasja mes njerëzve, kjo nuk domethënë që shteti të veprojë të kundërtën: të lejojë vrasjen vetëm se feja e ndalon. Në këtë kontekst duhet nënvizuar se shteti laik nuk ka qëndrim antifetar dhe nuk vepron sa për t’iu kundërvënë fesë.

Shteti laik nuk ndikohet nga normativi fetar dhe këtë e lë përbrenda lirisë individuale të secilit qytetar. Shteti laik nuk u përzihet qytetarëve për mënyrën se si ata besojnë dhe duan t’i kryejnë ritet e tyre, përderisa aktet e tyre nuk rrezikojnë rendin publik, nuk cenojnë të drejtat e tjetrit dhe nuk duan t’ua imponojnë dispozitat e besimit të tyre personave të tjerë. Pra, shteti ndërhyn kur përfaqësuesit e një bashkësie fetare duan të vënë rregulla të përgjithshme detyruese për mbarë popullatën. Me një fjalë, kur duan të marrin rolin e shtetit. Kjo përbën veçorinë dalluese midis qasjes teokratike (sundim në emër të Zotit) dhe qasjes demokratike (sundim i popullit dhe në emër të popullit).

Laiciteti dhe laicizmi 

Në literaturën studimore, por edhe në akte legjislative e gjyqësore, vihet re se termet laicitet dhe laicizëm ngjan të përdoren si sinonime. Megjithatë, ka dallim esencial dhe filozofik mes tyre.

Laiciteti mbështetet në neutralitetin/paanësinë e shtetit përballë feve. Në anën tjetër, laicizmi reflekton një prirje reaksionare të shtetit kundrejt feve. Së këtejmi, laicizmi është një ideologji që synon “laicizimin” (afetarizimin) e individëve dhe shoqërisë përmes dorës së shtetit.[viii] Prej kësaj rrjedh se shteti laik orientohet nga pluralizmi, kurse shteti laicist lidhet me monopolizëm/uniformizëm. Në kuptim të demokracisë bashkëkohore, secila përpjekje që pengon pluralizmin konsiderohet arbitrare.

Në margjinat analitike për laicitetin 

Si një parim i rangut kushtetues, laiciteti jetëson neutralitetin e shtetit ndaj besimeve/feve, duke përcaktuar domenin e shtetit karshi tyre, si dhe përgjegjësitë dhe kompetencat e ndikimit të ndërsjellë. Duke mos pasur një fe zyrtare, shteti ruan pozicionin me distancë të barabartë ndaj besimeve dhe feve pa dallim dhe nuk e favorizon me privilegje asnjërën nga to.

Në të vërtetë, pavarësisht nga retorika fetariste (dhe jo: fetare) për “shfaqjen e vullnetit të Zotit”, “shtetin e së drejtës hyjnore”, “plotësimin e urdhrave të Zotit” e frazave të ngjashme me pikëpamje teokratike, praktikisht është i pamundur organizimi shtetëror publik me dispozita fetare. Fillimisht, asnjë fe nuk është konstruktuar si tërësi e normave juridike. Fetë mund të përmbajnë norma të caktuara, që ndërlidhen me mbarëvajtjen e raportit social dhe raportit me Zotin, por ato nuk janë kode per se juridike. Asnjë fe nuk e ka të zhvilluar sa duhet të drejtën publike. Çfarë do të thotë kjo? E drejta publike është degë e së drejtës që i rregullon marrëdhëniet juridike ndërmjet shtetit dhe individëve, si dhe rregullimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Struktura e shtetit, pushteti, fushëveprimi i organeve shtetërore, ndarja e pushteteve, të drejtat e qytetarëve etj., janë ndër temat kryesore të së drejtës publike. Në kuadër të së drejtës publike hyjnë disa fusha të mëdha të së drejtës, si: e drejta kushtetuese, e drejta administrative, e drejta penale, e drejta financiare dhe tatimore, e drejta ndërkombëtare publike, e drejta e mjedisit etj. Secila nga këto disiplina e ka objektin e studimit, metodat dhe gamën. Një sistematizim i tillë është domosdoshmëri e shtetit të sotëm dhe dinamikës shoqërore. Fetë, ndërkaq, janë shfaqur dhe trashëguar prej periudhës së mëhershme, para themelimit të shteteve moderne dhe për këtë nuk i përmbajnë normat përkatëse të kodifikuara sipas këtyre disiplinave. Ky fakt nuk e zbeh rolin e besimeve/feve në avancimin e njerëzimit, por e zbulon kapacitetin e tyre lidhur me kërkesat e organizimit publik të bashkëkohësisë. Atributi që i akordohet feve nga grupe të caktuara të fetarëve, se feja ka përgjigje për secilën çështje të mundshme, është një idil utopik. Përqafimi i moralit, etika publike, besimi me respekt etj., si komponentë që mund të burojnë nga fetë, e fisnikërojnë individin dhe kështu ndërtohet një shoqëri e shëndoshë. Teksa pretendimi se feja e ka të njëjtën fuqi si në moral ashtu edhe në çështje juridike nuk pajtohet me realitetin. Meqenëse fetë nuk mund të ndryshohen tashmë, duke u mbështetur vetëm në normat e shkruara fetare, për shembull si do të ndëshkohej një person për thyerjen e fjalëkalimit të një llogarie private të rrjeteve sociale a për një krim tjetër kibernetik? Po rregullimi i sinjalistikës në trafik? Duhen vënë rregulla të reja, apo? Pikërisht ky është shëmbëllim i laicitetit. Sidoqoftë, për një çast le të supozohet se pohimi i fetarëve të tillë qëndron objektivisht: atëherë, në bazë të cilës fe do të duhej ndërtuar rendi juridik, kur dihet se shtetet e sotme nuk janë homogjene? Edhe po të vendoset për njërën fe, cili do të ishte interpretimi zyrtar që do të pranohej si legjitim? Cila shkollë fetare a cili sekt? Opinioni i cilit jurist fetar të cilit shekull të kaluar do të konsiderohej si më kredibil dhe më autentik? Siç mund të merret me mend, bota do të hynte në një qark të pambarim argumentimesh e polemikash (me probabilitet: anakronike) dhe krejt kjo do të afektonte në jounifikimin e rendit juridik dhe në pasigurinë juridike të qytetarëve, të cilët do të shoqëroheshin me mëdyshjet nëse veprimet e tyre shkelin dispozitat juridike dhe duhet pritur komentimet dhe vendimet e klerikëve, si kompetentë në çështje të fesë.

Shteti krijon mundësitë që qytetarët të mund të mësojnë dhe t’i manifestojnë lirshëm besimet e tyre pa u penguar nga ndokush, meqë ky është themeli i lirisë së besimit, fesë dhe ndërgjegjes. Njëkohësisht, shteti duhet t’i marrë në mbrojtje të gjithë qytetarët që refuzojnë të përcaktohen për një besim/fe të caktuar, duke i siguruar ata nga trysnitë potenciale të ndonjë komuniteti fetar.

Një pikë e rëndësishme, që duhet shquar veçmas, është vështrimi në dy kahet e laicitetit: jo vetëm mosndërhyrja e besimeve/feve në punët e shtetit, por edhe anasjelltas – mosndërhyrja e shtetit në punët e fesë. Domethënë, kruciale është ruajtja e pavarësisë së feve sa i përket organizimit, veprimtarisë dhe riteve të veta.[ix]

Gjithashtu, nuk duhet anashkaluar mbrojtjen e feve nga ndërhyrjet politike. Politizimi i fesë sjell dëme kolaterale në një shoqëri. Përpos që dobësohet karakteri laik i shtetit, që i bie lëkundje e paanshmërisë së shtetit ndaj besimeve, po ashtu lindin polarizimet sociale që shoqërohen me tensione e konflikte ndërmjet qytetarëve që mund t’u përkasin besimeve të ndryshme ose edhe doktrinave/sekteve të ndryshme të së njëjtës fe. Përdorimi i feve në shërbim të politikave koniunkturale krijon versione zyrtare shtetërore të fesë dhe kështu trasohet rruga e censurës së interpretimeve alternative, qofshin ato edhe studimore. Kjo afekton lirinë e shprehjes, lirinë akademike, lirinë artistike etj. Në këtë mënyrë fuqizohen dogmat dhe kanosen liritë e qytetarit. Një trajtim i tillë autoritar i shtetit nxit lindjen e mendimeve ekstreme dhe veprimeve radikale të grupeve fetare. Tjetra është se fetë fare lehtë mund të shndërrohen në mjet të manipulimit elektoral, ku politikanë populistë përdorin diskurs fetar për të ngjallur ndjenja te votuesi fetar. Të gjitha këto u sjellin dëm feve, por edhe vetë shtetit, si superstrukturë e përbashkët e një shoqërie, e cila mund të jetë heterogjene (në globalizmin e sotëm pothuaj nuk ka shoqëri homogjene).

Po të merret një rast hipotetik, ku bashkohen trojet etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, laiciteti i shtetit do të ishte rruga e vetme e administrimit. Nuk mund të paramendohet që një shqiptar t’i vendosë shqiptarit tjetër detyrime shtesë (juridike, politike, financiare, ushtarake, etj.) për shkak të përkatësisë së ndryshme fetare. Fjala vjen, t’i kërkohet tjetrit taksë shtesë me arsyetimin se i përket një komuniteti të caktuar fetar (sikurse taksa “xhizje” për meshkujt jomyslimanë, e zbatuar deri në periudhën e Tanzimatit në Shtetin Osman)[x] ose të detyrohet të konvertohet nga njëra fe në tjetrën që të mund të jetë titullar i një funksioni qeverisës a përfaqësues. Këto kushte ekzistojnë në doktrinat fetare. Praktikat e tilla, ku shoqëritë janë formësuar mbi veti të identitetit fetar brenda një shteti (p.sh. shteti osman – sistemi i miletit), janë të pazbatueshme sot, kur bota tash e disa shekuj (me fillesat nga Traktati i Vestfalisë – 1648) organizohet me sistem ndërkombëtar që ka në fokus identitetin kombëtar dhe jo atë fetar.

Summa summarum, laiciteti është administrimi i shtetit mbi themele racionale gjersa besimet/fetë kanë tipare emocionale dhe prekin shpirtin e njeriut. Ndërkaq, koncepti filozofik-politik “Arsyeja e shtetit” (Raison d’État) nuk formohet dot përveçse me racio.

[i] Për shembull, Kushtetuta e Kosovës thotë: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike” (neni 88/2).

[ii] Kushtetuta e Kosovës, neni 8.

[iii] Ligji Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, neni 5.

[iv] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 10.

[v] Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, amendamenti VII.

[vi] Gjykata Kushtetuese, Aktgjykim në Rastet K045/12 dhe K046/12, Kërkesa e Liburn Aliut dhe 11 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, më 25 qershor 2012, Nr.Ref.:AGJ 255/12, paragrafi 65.

[vii] Shih p.sh.: Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (neni 9), Kushtetuta e Kosovës (neni 38), Kushtetuta e Shqipërisë (neni 24), Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut (neni 19), etj.

[viii] Ömer Anayurt, Anayasa Hukuku: Genel Kısım, Seçkin Yayıncılık, Ankara, 2021, f. 352.

[ix] P.sh. Kushtetuta e Kosovës thotë: “Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare“ (neni 39/2).

[x] Xhizje është quajtur një lloj i posaçëm i taksës që duhej paguar nga meshkujt jomyslimanë të aftë fizikisht, gjersa të varfrit, gratë, fëmijët, priftërinjtë, murgjit, eremitët dhe të moshuarit nuk bartnin një detyrim të tillë. Aplikimi i xhizjes pretendohej të kishte bazë në Kur’an (Kaptina Tevbe, ajeti 29) dhe në praktikën profetike. Për njohuri shtesë, shih: Mehmet Maksudoğlu, Historia Osmane dhe Institucionet, Alsar, Tiranë, 2013, f. 632-633.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X