loader image
November 21, 2024

Kush (nuk) është intelektual?

Autori i termit, filozofi polak Bronisłav Trentovski, duke përdor termin “inteligencja” (intelektualë) dëshironte ta përshkruajë atë shtresë të shoqërisë polake e cila është e arsimuar lartë dhe e cila është profesionalisht aktive.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Pyetja se kush është, sikur edhe ajo se kush nuk është intelektual, është një nga ato temat që asnjëherë nuk konsumohen. Popullorçe, intelektuali barazohet me një njeri të arsimuar, pra dikë që ka fituar diplomë universitare. Por, a është çdo person i arsimuar dhe me fakultet ose magjistraturë e doktoratë të kompletuar, automatikisht intelektual?

A janë intelektualë ata persona që nuk kanë arsimim formal – ata pa doktoratura e magjistratura, ose edhe pa diploma – por kanë mendime kritik, fond diturie dhe korrektësi morale dhe shoqërore, krijimtari dhe kontribute të tjera për shoqërinë intelektualë? Dhe nëse po, cili është më intelektual?

A janë intelektualë analistët, që dalin në TV për çdo temë, çdo ditë e çdo natë, dhe (s’)pajtohen gjithmonë me të njëjtën parti? Nëse këta kanë diploma Masteri dhe PhD, a mund t’i quajmë intelektualë, pa çka se edhe pa e hapur gojën të gjithë e kemi të qartë se çfarë duan të thonë?

A janë intelektualë profesorët dhe akademikët ordinarë, inordinarë dhe ata “visiting”, që as i ka parë as i ka dëgjuar kush të jenë shprehur për ndonjë temë të rëndësishme shoqërore?

A është intelektualë shahiri popullor, poeti i frytshëm, por i pashkolluar, këngëtari mahnitës, por pa gjimnaz, një aktor i madh, por pa arsimim formal artistik të rrumbullakuar? A janë apo jo edhe këta intelektualë?

A është ai intelektual edhe ai që i ka shkruar 5 libra, por asnjëra me relevance imediate shoqërore ose me relevancë jo shumë të madhe për askënd përveç vetes së tyre? Apo nuk është?

A janë intelektualë të gjithë piktorët, inxhinierët? Apo prozatorët që shkruajnë letërsi të nivelit të lartë estetik dhe artistik intelektualë?

A janë apo nuk janë intelektualë njerëzit që nuk duan të komentojnë për dhe rreth politikës, nuk duan të flasin për (dhe sidomos kundër!) pushtetit, me arsyetimin se “nuk dua me u përzi!” ose me arsyetimin “po, leje bre – se krejt janë njësoj!” apo sepse thjesht “nuk më intereson kjo punë”?

A të bën një intelektual një CV dhe biografi të mrekullueshme akademike?

 

Njeriu i letrave dhe intelektuali

 

Termi “njeri i letrave” rrjedh nga termi francez beletrist (homme de lettres), por nuk është sinonim i termit “akademik”.

“Njeriu i letrave” ishte një njeri i aftë për të shkruar dhe lexuar, në krahasim me një analfabet në një kohë kur shkrim-leximi ishte i rrallë dhe prandaj vlerësohej shumë në shtresat e larta të shoqërisë. Në shekujt e 17-të dhe të 18-të, termi “beletrist” filloi të zbatohej për letrarët francezë, të referuar si intelektualë të salloneve franceze. Në fund të shekullit të 19-të, kur shkrim-leximi u bë relativisht i zakonshëm në vendet europiane, si Anglia dhe Franca, kuptimi “Njeriu i letrave u zgjerua në kuptimin e njeriut të “specializuar”, pra një njeri që fiton jetesën e tij me shkrim intelektual duke punuar si eseist, gazetar, kritik etj.

Regjistrimi më i hershëm i termit anglez “intelektual” gjendet në shekullin e 19-të, ku më 1813, Lord Bajroni raporton se “do të doja të isha mjaft mirë për t’i dëgjuar këta intelektualë”.

 

“Inteligencja”

 

Klasa intelektuale ose, siç kemi zakon dhe qejf ta emërtojmë, “inteligjenca”, është një klasë statusore e përbërë nga njerëz të arsimuar dhe të edukuar të një shoqërie. Por, jo të gjithë. Vetëm ata të cilët përfshihen në punët komplekse mendore me të cilat kritikojnë, formojnë, ndikojnë apo edhe e ndryshojnë politikën dhe kulturën e shoqërisë së tyre. Inteligjentët dhe intelektualët kanë ekzistuar si një shtresë shoqërore shumë përpara shpikjes së termit “intelektual”.

Por, termi si i tillë është produkt i Polonisë së para dy shekujve. Pra, fjala polake inteligencja krijohet në Poloninë e shekullit të 19-të, për t’i identifikuar burrat dhe gratë e Polonisë, profesionet dhe angazhimet e të cilëve i vendosën jashtë profesioneve, zejeve dhe klasave tradicionale shoqërore (aristokracia, borgjezia, etj.) dhe si një klasë e veçantë statusore, e cila preokupohet me zhvillimin kulturor të qyteteve, përhapjen e njohurive të shtypura (letërsi, tekste, gazeta) dhe shqyrtimin e çështjeve të zhvillimit dhe përparimit ekonomik të qyteteve e komuniteteve në të cilat jetojnë.

Autori i termit, filozofi polak Bronisłav Trentovski, duke përdor termin “inteligencja” (intelektualë), dëshironte ta përshkruajë atë shtresë të shoqërisë polake, e cila është e arsimuar lart dhe e cila është profesionalisht aktive. Intelektualë, pra, ishin ata burra dhe gra të borgjezisë patriotike, intelektualizmi i të cilëve duhej t’i siguronte Polonisë udhëheqje morale dhe politike për t’iu kundërvënë hegjemonisë kulturore dhe politike të Perandorisë Ruse.

Në veprën e tij “Ekonomia dhe Shoqëria: Kornizat e sociologjisë interpretative” (1921) ekonomisti dhe filozofi i famshëm Maks Veber, duke përdorur termin “inteligjencë” në konotacione të ndryshme historike dhe gjeografike, e definon dhe vendos klasën intelektuale si një klasë shoqërore të njerëzve të ngritur, që punojnë dhe veprojnë për përparim të shoqërisë dhe të komunitetit, të cilit i përkasin.

Në shekujt e 19-të dhe 20-të, termi dhe koncepti sociologjik i inteligjencës hyn në përdorim anembanë kontinentit europian për t’i përshkruar ata burra dhe gra, që sipas sociologut Pier Bordo janë dy lloj profilesh:

  1. Punonjës intelektualë që krijojnë njohuri (praktike dhe teorike) dhe
  2. Punonjës intelektualë që krijojnë “kapital dhe vlerë kulturore”.

Sipas teorisë së Dr. Vitaly Tepikin, 10 tiparet sociologjike të nevojshme për ta quajtur dikë intelektual janë këto:

  1. Njerëz qe kanë ideale morale të avancuara për kohën e tyre, ndjeshmëri morale ndaj fqinjit, takt dhe butësi në shprehje;
  2. Ata që bëjnë punë mendore produktive dhe (vetë)edukohen dhe (vetë)arsimohen në mënyrë permanente;
  3. Personat me patriotizëm të bazuar mbi besimin tek njerëzit, si dhe dashuri të pashtershme e vetëmohuese ndaj atdheut:
  4. Njerëzit që merren me krijimtari;
  5. Personalitetet e pavarura që flasin lirshëm;
  6. Ata që kanë qëndrime kritike ndaj qeverisë dhe shprehin dënim publik ndaj padrejtësive shoqërore;
  7. Qëndrueshmëria ndaj parimit të ndërgjegjshmërisë personale
  8. Perceptimi ambivalent i realitetit, i cili çon në paqëndrueshmëri politike që ndonjëherë bëhet konservatorizëm;
  9. Një ndjenjë inati, sepse politikat dhe qëllimet dhe premtimet e saj mbetën të parealizuara dhe kjo ndonjëherë rezulton nga tërheqja nga sfera publike si pasojë e zhgënjimit; dhe
  10. Prirja për të polemizuar deri në grindje rreth çështjeve, siç janë arti, idetë dhe ideologjia, të cilat i ndajnë intelektualët mes vete në taborë të ndryshëm dhe ndonjëherë kundërshtarë.

 

Si përgjigje ndaj pyetjeve të parashtruara në fillim të këtij shkrimi, natyrisht nuk do të donim të bëjmë një definicioni përjashtues, por edhe as në një definicion absolut se kush është dhe kush nuk është intelektual i shoqërisë sonë të sotme. Por, është e qartë se në dekadën e kaluar goxha shumë na janë shtuar intelektualët e shkolluar dhe goxha shumë na janë pakësuar intelektualët kritikë, ata që flasin lirshëm për fenomene të rëndësishme dhe sidomos ata që publikisht e kritikojnë të fortin pa marrë parasysh pasojat!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X