Komandanti i kontingjentit të KFOR-it tha se Kurti rrezikon të nisë një luftë të re në Ballkan. Nuk është një akuzë e parëndësishme dhe vjen nga një burim autoritar dhe i ekuilibruar. Kësaj akuze i shtohet edhe analiza e një gazetari me autoritet, si Michael Martens, nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i cili qartësisht vë në dukje se politikat e Kurtit janë në përputhje më planet e Vuçiqit për destabilizim në rajon.
Shkruan: Gerta ZAIMI, Tiranë
Në momentin që po shkruajmë, përshkallëzimi i konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë të jep vetëm idenë e një mbetjeje në vend, me momente qetësie në ditë të veçanta e me momente provokuese në ditë të tjera. Por, pa hapa përpara.
Një ditë pas takimeve të veçanta mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrell, dhe mes të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Borrellin, të cilat rezultuan me deklarata që u kuptuan si sinjale pozitive, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një qytetar serb të Kosovës të dyshuar për sulmin kundër ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan. Po në këtë ditë, 215 ushtarë të FSK-së marshuan në Mitrovicë të Jugut, marshim ky i cili sipas ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, u zhvillua në kuadër të programit vjetor, por që në shumë ambiente u interpretua si një marshim provokues i Ushtrisë së Kosovës në Veri të vendit. Borrelli, menjëherë, u shpreh shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës, meqë – sipas fjalëve të tij – vendimet e Qeverisë së Kosovës dëshmuan se në fakt përshkallëzimi po vazhdon dhe për më tepër po bëhet i rrezikshëm.
Lajmi i fundit jep një postim të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, në Instagram i cili propozon një “plan me katër pika”, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin në qetësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë. “Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale.”, thotë Vuçeviq.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më parë, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog. “Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, tërheqja e ‘milicisë fashiste’ atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhjeve lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog.” janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.
Qartësisht asnjë nga këto dy plane prej katër ose pesë pikash nuk shkon në drejtim të propozimit të përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, i cili pas mbledhjes së fundit me dy liderët ka kërkuar qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve si hapa të parë drejt shtensionimit, të ndjekur më pas menjëherë nga fillimi i krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ndërkohë, dy ditë më parë një përgjigje nga Departamenti i Shtetit Amerikan për “Zërin e Amerikës” vuri në dukje se çdo hap depërshkallëzimi i situatës në Veri fillon nga lirimi pa kushte i tre policëve kosovarë, të ndaluar nga shteti i Serbisë, dhe më pas “të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga Bashkimi Europian dhe të kthehen pa vonesë në një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Dhe këto janë vetëm lëvizjet e fundit në një lojë të rrezikshme shahu që nga momenti i fundit kur më 26 maj Qeveria e Kosovës – pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare – e shoqëruar nga policia, vendosi kryetarët shqiptarë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Më 29 maj, kur protestuesve iu bashkuan bandat e huliganëve nga Veriu dhe disa prej tyre të ardhur nga Serbia, shpërthyen protestat. Përleshjet shpërthyen ndërmjet forcave të NATO-s (KFOR), të pranishme në Kosovë, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, të cilët u rrethuan midis forcave speciale të Kosovës dhe demonstruesve. Dhuna shkaktoi plagosjen e rreth 40 ushtarëve të KFOR-it.
Deri më tani, lojën e ka menaxhuar kryesisht kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili nxiti tensione jo vetëm me Serbinë, por mbi të gjitha me aleatët perëndimorë, me SHBA-të dhe BE-në, duke shkuar në deklarata e qëndrime të konsideruara ekstreme nga pjesa më e madhe e diplomacisë perëndimore. Vetëm pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë, Vuçiqi, deri në atë moment në prapavijë, arriti ta kryesojë garën e tensionimit.
Por, ku po shkon strategjia e ndjekur nga Kosova dhe Serbia? Deri në këtë moment asnjë hapësirë e krijuar nuk le të kuptojë që të dy liderët po duan të ulen në një tryezë për të nisur depërshkallëzimin dhe rimarrjen e procesit të dialogut. Kurti pretendon sovranitetin e plotë të vendit të tij. Masat e marra në këtë drejtim nga qeveria Kurti gjatë dy viteve të fundit për të forcuar shtetësinë e Kosovës kanë të bëjnë kryesisht me dokumentet e identitetit, targat e veturave dhe ushtrimin e detyrës nga kryetarë komunash të zgjedhur vetëm nga 4% e popullsisë. Por, veç kësaj, ai po shkon më tutje në kërkim të një pavarësie politike nga Perëndimi, duke refuzuar çdo propozim për marrëveshje.
Ndërkohë, refuzimet vijnë edhe nga qeveria e Beogradit e cila dukshëm u është kthyer politikave të viteve të ’90-ta, duke e sfiduar pavarësinë e Kosovës, të cilën nuk e ka njohur, dhe qartësisht pretendimit ndaj Kosovës si krahinë dhe territor i saj.
Klima e tensionuar është e rënduar nga fryma nacionaliste e të dyja palëve, ku serbët në mënyrë absurde e po ndjekin politikën e strukturave paralele, të cilët kosovarët e njohin më së miri.
Ultimatumi për depërshkallëzimin drejtuar qeverisë së Kosovës erdhi nga emisarët e SHBA-së dhe BE-së, një ultimatum të cilit Kurti deri tani nuk i ka dhënë asnjë përgjigje pozitive. Sipas shumë analistëve, ky është hapi i fundit përpara se të prishet përkufizimi i marrëdhënieve miqësore midis shtetit të ri të Kosovës dhe Perëndimit.
Strategjia e Albin Kurtit është qartazi e gabuar dhe rëndon seriozisht një nga problemet kryesore të shtetit kosovar – izolimin ndërkombëtar. Nëse pesë vende anëtare të Unionit ende refuzojnë të njohin shtetin e ri (për shkak të problemeve të tyre të brendshme) dhe vetot serbe, të mbështetura nga Federata Ruse, ende e mbajnë atë jashtë shumë institucioneve ndërkombëtare, tani Kurti rrezikon të izolohet akoma më shumë nga Perëndimi, i cili e akuzon atë se ka provokuar incidentet e fundit kufitare me minoritetin serb, duke rrezikuar stabilitetin e rajonit.
Strategjia politike e Kurtit, pra, shkon më tej. Qartësisht e stilit sovran dhe duke ndjekur një rrugë konvergjente me nacionalizmin serb, rrezikon ta vendosë qeverinë kosovare në vendin e parë në renditjen e protagonistëve të përpjekjeve për të destabilizuar zonën e Ballkanit.
Komandanti i kontingjentit të KFOR-it tha se Kurti rrezikon të nisë një luftë të re në Ballkan. Nuk është një akuzë e parëndësishme dhe vjen nga një burim autoritar dhe i ekuilibruar. Kësaj akuze i shtohet edhe analiza e një gazetari me autoritet, si Michael Martens, nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i cili qartësisht vë në dukje se politikat e Kurtit janë në përputhje më planet e Vuçiqit për destabilizim në rajon.
Duhet të merret parasysh gjithashtu se përballë shtyrjes së pacaktuar të procesit të paqes me Serbinë, për të garantuar stabilitetin në zonë, NATO-ja dhe BE-ja nuk do të kenë alternativë tjetër, përveç vendosjes së Veriut të Kosovës nën kontrollin ushtarak të EULEX-it dhe KFOR-it. Kjo do ta minonte thellësisht sovranitetin e qeverisë së Prishtinës dhe do ishte një kthim mbrapa në historinë e vendit, për të mos folur për ambiciet e Kurtit për sovranitet të plotë.
Megjithatë, përkundër dënimeve, paralajmërimeve dhe kërcënimeve që vijnë nga rreshtimi i fuqive perëndimore, Kurti vazhdon të gëzojë një konsensus të gjerë dhe jo vetëm në Kosovë.
Dhe, derisa sondazhet do të jenë ato që i përcaktojnë hapat e Kurtit, pritjet për një kthesë pragmatike në vendimet e tij janë ende larg. Prandaj është e nevojshme të pyesim veten se nga vjen kjo shtytje nacionaliste dhe radikale te populli kosovar dhe nëse ka ndonjë arsyetim. Kosova e fitoi pavarësinë e saj pas një lufte dhe spastrimi etnik nga serbët, nën vullnetin e SHBA-ve dhe NATO-s. Serbia – pas luftërave të shkaktuara në ish-Jugosllavi dhe spastrimit etnik në Kosovë – u bombardua nga NATO-ja dhe presidenti i saj, Sllobodan Millosheviq, u arrestua dhe u gjykua në Hagë si kriminel lufte, megjithëse vdiq përpara dënimit.
Përgjatë historisë moderne, kosovarët kanë qenë një nga shumë pakicat etnike brenda Jugosllavisë. Dhe, pa dyshim, qenia e tyre si të tillë ka shënjuar sistemin identitar. Për një kohë të gjatë, kosovarët kanë luftuar kundër homogjenizimit pansllav, diskriminimit e përbuzjes, duke mbrojtur gjuhën, traditat dhe fenë e tyre, si dhe duke ëndërruar për bashkim me vendin amë (Shqipërinë). Por, kontaktet e drejtpërdrejta me vëllezërit dhe motrat e tyre shqiptare pas lufte kanë qenë zhgënjyese pothuajse në të gjitha frontet (nga marrëdhëniet njerëzore në ato ekonomiko-tregtare, deri tek ato kulturore) dhe më pas janë përkeqësuar së fundmi nga dallimet politike që janë shfaqur me Tiranën, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve jo të ngrohta mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe pjesërisht për shkak të qeverisë së Tiranës, e vendosur në pozicione proatlantike dhe protagoniste e tentativave për dialog mes vendeve të Ballkanit dhe Serbisë.
Kosovarët, pra, ndihen si të ishin jetimë, me plagët ende të hapura pas vrasjeve, të zhdukurve nga spastrimi etnik serb, në kërkim të një identiteti kombëtar kosovar dhe që ende nuk janë në gjendje të shijojnë efektet pozitive të pavarësisë së tyre. Përjetimi si të ishin ende viktima dhe jo fitues të një lufte të mbështetur nga Perëndimi, kryesisht nga SHBA-të dhe NATO, kanë ushqyer një lloj frike e refuzimi të pajustifikuar. Fakti që Serbia është në një fazë më të avancuar të procesit të integrimit europian sesa Kosova, kjo e minon akoma më shumë besimin tek aleatët dhe fut dyshimin për një preferencë perëndimore ndaj kundërshtarit historik.
Për më tepër, presioni i vazhdueshëm i Beogradit ndaj ish-provincës së tij, që konkretisht përkthehet edhe në mungesën e njohjes së plotë ndërkombëtare, ushqen dhe konfirmon në shpirtin e kosovarëve armiqësinë historike ndaj sllavëve fqinjë, e cila daton të paktën në konfliktet mes atyre dhe Perandorisë Osmane. Armiqësi dhe frikë (e justifikuar në histori) që e bëjnë akoma më të madh hendekun e pabesueshmërisë, të bindur se çdo hap do të rezultojë në dizavantazh për ata.
Nga ana e tij, Kurti po përfiton dhe po i ushqen ata me iniciativat e tij provokuese ndaj Beogradit dhe, tani, edhe kundër qeverive perëndimore dhe po përdor nacionalizmin për të ruajtur (dhe ndoshta edhe për të rritur) konsensusin e tij popullor. Por, dëmi më i madh në gjithë këtë strategji është për Kosovën, e cila po sheh procesin e ndërtimit të shtetit të saj (sot administrohet kryesisht nga organizatat ndërkombëtare) drejt pavarësisë efektive, përkufizimit të identitetit të saj kombëtar dhe njohjes së mëtejshme, të ngrirë nga këto tensione. “Populli i Kosovës më zgjodhi mua.”, thotë Kurti në një nga përgjigjet kundrejt ambasadorit amerikan në Kosovë. “Populli i Kosovës voton, ju largon edhe ju. Nuk është një emërim nga kryeministri, kryeministri është zgjedhja e atij që është burimi i sovranitetit”.
Pikërisht duke filluar nga kjo deklaratë dhe apelet e ruajtjes së sovranitetit që Albin Kurti bën, shpaloset më qartë së kurrë rrugëtimi dhe agjenda e tij si një politikan populist me konotacione të forta sovraniste, i cili menaxhon pushtetin në dialog të drejtpërdrejtë “me popullin”, duke hequr nga vendimet çdo konfrontim dhe ndërmjetësim parlamentar.
Literatura e të paktën tre dekadave të fundit dhe vetë praktikat politike na mësojnë se populizmi i interpreton zgjedhjet si një mjet për të vlerësuar liderin dhe jo për të krijuar konsensus mbi bazën e të drejtës së votës individuale. Në dukje ultrademokratik, kur populizmi nga lëvizje kalon në qeverisje ai në të vërtetë është antidemokratik, duke pasur parasysh se demokracia nuk është sundimi i shumicës, por përfaqësuese dhe pluraliste, e përbërë nga debati publik, kompromisi i racionales në kërkim të zgjedhjes optimale. Populizmi në pushtet pretendon të qeverisë sikur vullneti i shumicës të ishte vullneti i popullit sovran në tërësi, duke qenë se partia që fiton është “partia e duhur”. Pasi kap pushtetin, populizmit i duhet të angazhohet në një fushatë të përhershme elektorale, në mënyrë që të mos hedhë dyshimin në popull se ai vetë tashmë është bërë një establishment. Synimi është qeverisja e drejtpërdrejt në emër të popullit, legjitimiteti i pushtetit përmes plebishiteve, brohoritjeve teatrale në rrugë ose votave në internet, duke diskredituar parlamentin dhe autoritetet gjyqësore. Populli është vetëm Një, ai që mbështet liderin, duke përjashtuar këdo që është në kundërshtim me të. Ndaj edhe kur flitet në emër të popullit, në realitet konsiderohet i tillë vetëm ai mbështetës. Dhe, atij populli i drejtohet Kurti në deklaratat e tij mbi burimin e sovranitetit. Atij populli Albin Kurti i propozon që të zëvendësojë një identitet kombëtar proaktiv me nacionalizëm radikal, viktimizim dhe urrejtje kundër serbëve.
Por një komb nuk mund ta përkufizojë veten negativisht në raport me një armik të huaj. Urrejtja e serbëve nuk mjafton për të ndërtuar të ardhmen. E thënë kjo ndryshe, izolimi nga komuniteti ndërkombëtar perëndimor dhe nga aleati i saj primar, SHBA-ja, pa dyshim përmbush ëndrrën e vjetër ruse për de stabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe hapjen (përmes Serbisë) të një fronti të ri konflikti me NATO-n. Zgjerimi i konfliktit ruso-ukrainas në Ballkan, për Putinin dhe Rusinë sot do të shërbente për të demonstruar aftësinë për të zgjeruar zonat e ndikimit ndërkombëtarisht. Dhe, nga ana tjetër, për një shtet të vogël e të ri, si ai i Kosovës, i krijuar nga vullneti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra NATO-s, pozicionimi dhe ekzistenca në orbitën e sistemit ndërkombëtar është më se i qartë – është i varur nga vullneti dhe mbrojtja e asaj fuqie të madhe. Pavarësisht antiamerikanizmit të Kurtit dhe ndjekësve të tij!
Nuk na mbetet veçse të shohim ku e ka daljen strategjia e dy liderëve ballkanikë, duke shpresuar në sa më pak dëme anësore për të ardhmen e Kosovës.