loader image
March 6, 2026

Kujtesa e fragmentarizuar e heronjve

Figurat heroike shpesh fitojnë përmasa mitike pikërisht sepse kujtesa është e kontestuar dhe e politizuar. Grupe të ndryshme të shoqërisë veprojnë si “sipërmarrës ose ndoshta edhe si kartela të kujtesës”, duke konkurruar për të monopolizuar kujtesën e duke autorizuar versionin dominues të së kaluarës, gjë që detyrimisht kërkon të delegjitimohen alternativat e rivalëve.

Besnik SINANI, Tiranë

Figurat heroike të një kombi, qofshin këta themelues, martirë ose çlirimtarë, përshkruhen shpesh në studimet krahasuese mbi nacionalizmin dhe politikat e kujtesës si “koncetrate simbolikë”, ngase ato i përmbledhin historitë komplekse në narrativa kombëtare e morale të kuptueshme e lehtësisht të përftuara nga anëtarët e një kombi. Këto figura më pas institucionalizohen nëpërmjet arsimit, monumenteve, ritualeve përkujtimore, përvjetorëve dhe mediave, duke bërë që një “bashkësi e imagjinuar”, siç e quante Benedict Anderson kombin, të perceptohet në terma vazhdimësie historike e ndërlidhur emocionalisht. Biografia e heroit standardizohet në korniza paradigmatike si sakrificë, tradhti, fitore ose vuajtje. Kjo ndikon që një figurë të mos mbetet më thjesht një person historik, por të shndërrohet në model normativ të virtytit qytetar dhe fatit kolektiv të kombit. Kjo e kthen martirin në element thelbësor të “shpikjes së traditës”, siç e quan Eric Hobsbaum. Mbi këtë element, elitat dhe institucionet krijojnë rituale dhe narrativa në të cilat kultet e heronjve bëhen mjete thelbësore për prodhimin e një ndjesie vazhdimësie historike. Mozaiku në ballë të Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës ose ikonografitë e faqeve të internetit që krijojnë segmente vizuale nga Skënderbeut tek Adem Jashari janë shembuj të këtij koncentrimit simbolik.

Figurat heroike shpesh fitojnë përmasa mitike pikërisht sepse kujtesa është e kontestuar dhe e politizuar. Grupe të ndryshme të shoqërisë veprojnë si “sipërmarrës ose ndoshta edhe si kartela të kujtesës”, duke konkurruar për të monopolizuar kujtesën e duke autorizuar versionin dominues të së kaluarës, gjë që detyrimisht kërkon të delegjitimohen alternativat e rivalëve. “Monopolizimi i kujtesës” realizohet përmes kontrollit të hapësirave simbolike, si muzetë, varrezat, monumentet e topografitë e kujtesës, nëpërmjet kanonizimit në kurrikula arsimore, si dhe nëpërmjet përzgjedhjes selektive të kujtesës, veçanërisht në media. Kur ky monopolizim është i suksesshëm, ai mund ta konsolidojë unitetin kombëtar, duke krijuar një panteon të përbashkët. Kur sfidohet, shpesh prodhon “beteja kujtese”, sepse këto figura kombëtare bëhen instrumente politike për ta riorientuar të tashmen dhe për ta përcaktuar se kush konsiderohet trashëgimtar legjitim i kombit. Kujtimet e familjarëve të Jasharajve për agjërimin e Adem Jasharit ose faljen e teravive të Hamzës, nga një anë, si dhe postimet e Adem Jasharit në një tavolinë me birra, për rrjedhojë, shënojnë një nga vijat e frontit ku po luftohen sot betejat e kujtesës kombëtare, beteja që sigurisht kanë pak të bëjnë me tregimin e të kaluarës, por kanë të bëjnë më shumë me betejat e sotme mbi monopolizimin e së ardhmes.

Heronjtë e kthyer në etno-simbole marrin jetë si spiranca që stabilizojnë identitetet kolektive në repertorë emocionalë të prejardhjes, sakrificës dhe dinjitetit të përbashkët – burime simbolike këto që mund të riaktivizohen në kohë krizash dhe të ripërdoren politikisht sipas nevojës. Në këtë kuptim, dimensioni i mirëfilltë historik i heroit kombëtar është gjithnjë e më pak i rëndësishëm. Rëndësia reale gjendet tek konstrukti kulturor që e ndërthur kujtesën, mitin dhe projektin politik, duke shërbyer si nyje lidhëse ku bashkohen e kaluara, e tashmja dhe aspiratat për të ardhmen.

Heronjtë kombëtarë prodhojnë shpesh narrativa problematike. Për shembull, heroi spanjoll i rekonkuestës kundër sundimit mysliman në Gadishullin Iberik paraqitet nga historiografia nacionaliste spanjolle si hero i krishterë. Në fakt, është e mirënjohur se ai ishte mercenar që ka luftuar për kë e ka paguar, përfshi për llogari të mbretërve muslimanë të Zaragozës, në beteja kundër qoftë të krishterëve ose mbretërve të tjerë muslimanë rivalë. Nën komandën e tij kishte ushtarë edhe të krishterë edhe muslimanë. Vetë emri “El-Cid” (El-Sid) vjen nga fjala arabe për “zotëri” (sejid – shkurt, sid). Shkrimtari Ernesto Sabato, në romanin e tij “Mbi Heronjtë dhe Varrezat”, ironizon faktin se Heroi Kombëtar i Zvicrës kundër tiranisë së familjes mbretërore austriake të Habsburgëve, Vilhelm Tel, pati precizionin për të qëlluar mollën mbi kokën e të birit. Në rastin shqiptar, rënia e komunizmit në kontekstin e deklarimit të “përplasjes së qytetërimeve” solli “rikristianizimin e Skënderbeut”, nga njëra anë, dhe përballjen me historiografinë shkencore, si në veprën e autorëve të huaj, si Olivier Schmidt, ose vendas të edukuar në akademinë bashkëkohore, si Doan Dani, në anën tjetër, kërcënuan imazhin nacionalist të Skënderbeut si Hero Kombëtar.

Si hero i Krishterimit, siç do këmbëngulnin ta prezantonin zërat publikë të krishterë ose kristianofilët europianistë, Skënderbeu do i shërbente gjithnjë e më pak funksionit ekumenik të luftëtarit kombëtar, funksion që i ishte ngarkuar nga rilindësit si Naim Frashëri. Në anën tjetër, vetëdija akademike bashkëkohore për  “shpikjen e mesjetës”, siç e cilëson Doan Dani, do të sillte vëmendjen ndaj anakronizmit të cilësimit të Skënderbeut si “shqiptar” në një kontekst ballkanik parakombëtar, të dominuar, siç vë në dukje Schmidt-i, nga rrjete domini (Venediku, Despotati Serb, Osmanët, Mbretëria e Napolit) dhe pozicionimit të Familjes së Kastriotëve në një mjedis dokumentimi, kancelarie dhe lidhjeje religjioze të dominuar nga kisha serbe (investimi familjar në Manastirin e Hilandarit në Malin Athos është ndër shembujt më të cituar). Kjo nuk e bën Skenderbeun “shqiptar” ose “serb”, vë në dukje Schmidt-i, edhe nëse merret e mirëqenë origjina serbe e së ëmës, por e bën atë “ballkanik”. Problemi është se identitetet moderne kombëtare janë intolerante ndaj fluiditetit identitar të periudhës mesjetare, parakombëtare. Ikonografia kombëtare digjitale e kudogjendur, shprehje e përpjekje monopolizuese të narrativës nacionale, e cila mbivendos Skënderbeun, Nënë Terezën – e njohur kjo mbi të gjitha për kontributin e saj në Indinë e largët, si dhe Adem Jasharin, si gurë themeli të një repertori kombëtarist që kërkon të projektojë një të ardhme postislame, për rrjedhojë, është jo vetëm anakroniste. Ajo në thelb saboton kohezionin kombëtar që apelimi tek mitet kombëtare synon të arrijë.

Si hero i realizuar in real time, mirëfilli në të tashmen e jetuar prej shumë prej nesh, Adem Jashari, si figurë kombëtare, ka potencialin që bujarisht të ofrojë më shumë se sa figura të kontestuara të së kaluarës. Mitizimi i tij ka filluar. Memorialet, këngët në stadiume, investimi me funksionin atëror të “bacës”, sidoqoftë, janë të mbështetura nga memorie filmike, nga gjurmët e plumbave në muret e kullës, nga varret masive të një familjeje të tërë të sakrifikuar, një familje e cila mbart rolin simbolik të sakrificës kolektive kombëtare. Por, historia e Jasharajve do mund ta kryejë këtë rol vetëm nëse betejat e kujtesës do përballen me refuzimin kolektiv ndaj tendencave përjashtuese. Një narrativë që kërkon ta sterilizojë rekordin historik të dokumentuar të agjërimit të Jasharajve ose faljen e teravive, nga njëra anë, ashtu si dhe pretendimi puritanist i egzagjeruar i fetarizmit të Jasharajve, në anën tjetër, vetëm sa do t sabotojë vetë gravitetin simbolik të heroit.

Në traditën hebraike dhe atë islame tregohet se dy gra u paraqitën përpara Mbretit Profet Solomon ose Sulejmanit, secila duke pretenduar se ishte nëna reale e një fëmije të vetme. Profeti kërkoi t’i sillnin një shpatë që të ndahej fëmija në dysh, e secila të merrte gjysmën e fëmijës. Njëra nga gratë ofroi menjëherë që tjetra ta merrte fëmijën të plotë, vetëm që fëmija mos lëndohej. Kjo ishte nëna e vërtetë, vendosi Sulejmani. Kjo kohë polarizmi e tensionesh përjashtuese brendashqiptare kërkon një nivel vetësakrifikimi për hir të ruajtjes së tërësisë. Nëse të gjitha palët e përfshira në betejat e kujtesës mbi atë se sa fetar ose jofetar ishte Adem Jashari do ishin gati të sakrifikonin diçka nga vetja, do të arrinim ta ruanim gravitetin përbashkues të figurës së heroit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X