loader image
May 31, 2025

Kostoja njerëzore e pandjeshmërisë në politikën shqiptare

Pikëpamjet e politikanëve shqiptarë për konfliktin në Gazë pasqyrojnë një përzierje të lidhjeve historike, presioneve të brendshme sociale dhe rreshtimeve ndërkombëtare. Politikanët shqiptarë duhet të mbajnë qëndrim të bazuar në të drejtën humanitare dhe ndërkombëtare. Ose, thjesht, qëndrim si qenie njerëzore dhe kjo mjafton për të treguar mbështetje për njerëzit që vriten pa arsye.

Selim IBRAIMI, Uashington

Për më shumë se një vit, palestinezët në Gazë janë përballur me një luftë dhe vrasje nga forcat ushtarake të qeverisë izraelite. Pavarësisht kritikave nga OKB-ja, organizatat humanitare etj., vrasja e pamëshirshme vazhdon. Ndërkohë që liderë nga e gjithë bota po mbështesin politikën e Izraelit, disa qeveri e kanë akuzuar Tel-Avivin për kryerje të gjenocidit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, gjithashtu, i ka akuzuar izraelitët për gjenocid, por këtu shumë shtete, përfshirë SHBA-në, nuk janë pajtuar me këtë vlerësim. Edhe liderët shqiptarë në Ballkan kanë qenë të ndarë në vlerësimet e tyre për gjendjen në Gazë. Momenti i fundit ishte kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në Izrael, tha: “Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por sipas meje dhe në këndvështrimin tonë atje nuk ka zgjidhje me Hamasin dhe, ndryshe nga sa janë përpjekur të thonë të tjerët, Hamasi nuk është një lëvizje rezistence. Ata janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se nuk ka paqe me nazistët”. Tragjedia e sotme ka një zanafillë të ndërlikuar mes Palestinës dhe Izraelit. Sulmi terrorist i Hamasit, më 7 tetor 2023, ishte vetëm një shkas që sot të mos kërkohet përgjegjësi për vrasjet e reja. Por, ka edhe faktorë të tjerë për të cilët politikanët nuk duan të flasin. Dilema dhe frika është se nëse e thonë të vërtetën, do të ndëshkohen nga Perëndimi dhe aktorët politikë të brendshëm. Epo kjo nuk është e pazakontë për politikanët shqiptarë në Ballkan. Nuk është diçka e re. Përveçse nuk janë të sinqertë për tragjeditë botërore, ata nuk po ua thonë të vërtetën qytetarëve. Bëhet fjalë për individë që gëzojnë pasuri të patundshme me miliona euro e dollarë në kurriz të njerëzve që vuajnë për ushqim dhe liri. Pra, në kontekst të animit apo jo në tragjedinë e Gazës, të thuash se vetëm njëra palë ka të drejtë, këtë mund ta pohojnë vetëm liderët tanë. Kur pikëpamjet publike të qeverisë izraelite janë bërë gjithashtu negative gjatë tre viteve të fundit në SHBA, si mund të vazhdojnë të kenë të njëjtat pikëpamje politikanët shqiptarë? Sipas Qendrës Kërkimore Pew, më shumë se gjysma e të rriturve amerikanë (53 për qind) tani shprehin një opinion të pafavorshëm për Izraelin, nga 42 për qind në mars të 2022-ës, përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit të 2023-tës dhe pushtimit pasues izraelit të Rripit të Gazës. Ndërsa opinionet ndryshojnë çdo ditë për spastrimin e vazhdueshëm, është e qartë se pikëpamjet e politikanëve shqiptarë për vrasjen e palestinezëve pasqyrojnë “një përzierje të lidhjeve historike, presioneve të brendshme, sociale dhe rreshtimeve ndërkombëtare të kësaj dekade”.

A kemi një qasje të llogaritur të politikanëve shqiptarë?

Dihet se kryeministri shqiptar Edi Rama e ka mbështetur fuqishëm Izraelin, duke dënuar terrorizmin dhe duke e rreshtuar Shqipërinë me qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së. Në nëntor të 2023-tës, kryeministri Rama deklaroi se “Shqipëria qëndron me Izraelin kundër Hamasit”. Ai shprehu shqetësim për viktimat civile në Gaza, duke bërë thirrje për një armëpushim. Në këtë drejtim, në fillim të vitit 2025, kryeministri Rama mohoi pretendimet se Shqipëria do të presë banorët e zhvendosur të Gazës. Në Ballkan e më gjerë, prirjet proizraelite të politikanëve shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut janë në kontrast me qëndrimet më propalestineze që hasen tek qytetarët e zakonshëm. Kohëve të fundit, dallime në qëndrime janë vërejtur edhe në shtetet europiane, ndërkohë që në Prizren të Kosovës autoritetet lokale, sipas njoftimeve, kanë ndaluar një tubim në mbështetje të popullit të Gazës.

Ndërsa gjenocidi i Gjermanisë naziste u shpërblye me njohje dhe mbrojtje ndërkombëtare të popullit hebre, duke i dhënë atij një vend të rëndësishëm në kujtesën e të gjithë popujve të botës, vrasjet në Palestinë dhe vuajtjet atje, që nga viti 1948, janë në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe botën e qytetëruar. Megjithatë, rreshtimi strategjik i Shqipërisë dhe i politikanëve shqiptarë në Ballkan me SHBA-në dhe BE-në, vlerësohet nga media se është më afër narrativës izraelite. Qasja e vendos në plan të dytë krizën humanitare dhe zgjidhjen e problemit palestinez. Qëndrimet e politikës shqiptare në Ballkan ndaj Gazës, përveç karakterit të tyre, pasqyron realitetet aktuale të shteteve të vogla. Disa kritikë thonë se ky qëndrim buron nga mosnjohja e Kosovës nga Autoriteti i Palestinës. Pavarësisht kritikave, liderët shqiptarë në Ballkan, në disa paraqitje të fundit, kanë dhënë shenja se mund të promovojnë qasje të përmbajtura, ndërsa mbi 50 mijë të vdekur deri më tani janë parë si hiç. Qëndrimet ose ndjenjat e drejtuesve të shtetit shqiptar dhe më gjerë, deri më sot, shihen më shumë si një përllogaritje e bërë mirë. Llogaritjet e tyre janë kryesisht për përfitimet ditore të ruajtjes së prestigjit. Mungesa themelore e moralit nuk mund të shihet ndryshe, veçse si një argument tjetër ndërshqiptar që pasqyrohet më pas në qasjet ndaj tragjedive në botë. Liderët politikë shqiptarë nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, gjë që reflektohet më tej me vlerësime të pamatura për vrasjet e një popullsie të pafajshme. Të paktën duhet të kenë një qëndrim normal dhe njerëzor ndaj problemeve ndërkombëtare. Nëse ata nuk janë të mirë për veten e tyre, si mund të jenë të mirë për kombet e tjera në kohë të mira dhe të këqija? Kur mijëra njerëz kanë vdekur pa asnjë arsye dhe vendi është shkatërruar plotësisht, atëherë nuk kemi si ta shohim ndryshe këtë qëndrim të deritanishëm, veçse si një promovim të standardeve të dyfishta të politikës shqiptare.

Aspekte historike

Në plan afatgjatë, politika shqiptare nuk do të ndryshojë pavarësisht vrasjeve të përditshme. Nuk duhet të habitemi nga veprime të tilla të figurave politike shqiptare, sepse kemi një lidhje mes fesë dhe politikës kur vjen puna për të mbështetur palestinezët ose për të kritikuar izraelitët dhe anasjelltas. Akoma më keq situata shihet nga jashtë kur, fillimisht, një ushtri e armatosur vrapoi drejt forcave terroriste të Hamasit dhe sot ka më shumë se një vit njerëz të pafajshëm po vdesin. Justifikimet duhet të marrin fund. Kur Britania e Madhe vendosi të luante politikë në Lindjen e Mesme përpara kolapsit të saj përfundimtar dhe kur në vitin 1948 OKB-ja vendosi ta pranonte Izraelin, politikanët shqiptarë duhet të mbajnë një qëndrim të bazuar në të drejtën humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare. Ose, një pozicion thjesht si qenie njerëzore dhe kjo mjafton për të shprehur mbështetje për njerëzit atje dhe, natyrisht, për të hedhur poshtë aksionet terroriste të Hamasit. Njëanshmëria në diplomaci mund t’i kthejë shqiptarët në një komb që e harron të kaluarën dhe e përqafon të ardhmen ku ka aleatë të përkohshëm dhe shumë armiq. Skenat e Gazës me fëmijë të vrarë dhe të plagosur janë të papranueshme për botën e qytetëruar. Të njëjtat duhet të jenë edhe për politikanët shqiptarë. Përndryshe, gjithçka në fund mund të dalë një politikë në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Gjatë historisë në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, ushtritë e huaja kanë kryer masakra në emër të fesë dhe politikës. Këtë liderët shqiptarë në rajon nuk duhet ta harrojnë. Mirëpo, këtu duhet përmendur edhe një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar tek liderët shqiptarë në Ballkan në rastin e palestinezëve dhe izraelitëve. Fragmentimi i popujve arabë dhe politika e tyre ndaj palestinezëve mund të jetë një tjetër arsye kryesore që qeveritë shqiptare të mbajnë një qëndrim të përmbajtur ose të mjegulluar. Shpresojmë që politikanët dhe shqiptarët në Ballkan ta konsiderojnë seriozisht vrasjen e fëmijëve, grave dhe njerëzve të pafajshëm. Qëndrimet politike e diplomatike duhet të jenë konform situatës atje e jo si pjesë të medaljeve personale. Njëkohësisht të bëjnë dallimin ndërmjet forcave që e keqpërdorin pozitën e palestinezëve dhe atyre që synojnë të sjellin paqen dhe, në fund, ndërprerjen e luftës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X