loader image
December 14, 2024

Kosovës i mungon fuqia dhe faktorizimi

Edhe pse pas luftës e kishte ndihmën e një pjese të madhe të botës, Kosova nuk ka ndërtuar klasë politike për t’u përballur me sfidat bashkëkohore. Politika nuk është kuptuar si qeverisje, prandaj as nuk është shfrytëzuar për këtë qëllim.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Kosova ka hyrë në dekadën e tretë të çlirimit dhe sivjet e ka festuar 15-vjetorin e pavarësisë. Në shikim të parë, përparimi është i madh. Parametrat e zhvillimit ekonomik thonë se shtetet zhvillohen ekonomikisht nëse kanë ndërtim. Ndërtimi i shtëpive të banimit, godinave të tjera dhe rrugëve, tërheqin pas vetes një varg të gjerë të prodhimtarisë, përfshirë energjinë. Në ndërtim angazhohet prodhimi i materialit ndërtimor, që tashti është i shumëllojshëm, fuqia punëtore, energjia (elektrike), profesionet e ndryshme, administrata etj. Është një gjallëri ekonomike me zinxhirë të gjatë.

Pamja e ndryshimit në Kosovë shihet më së miri nga periudha e mungesës suaj. Sa më gjatë që qëndroni jashtë Kosovës, kur ktheheni, aq më shumë i vëreni ndryshimet. Nëse e keni braktisur Kosovën në vitin 1999 dhe jeni kthyer për herë të parë me 17 shkurt të këtij viti për ta festuar 15-vjetorin e pavarësisë, ka gjasa që vendin tuaj më të mos e njihni. Kaq shumë ka ndryshuar.

Por, ky ndryshim është mjaft i pazakonshëm dhe, madje, i çuditshëm për ligjet e ekonomisë. Paratë nuk janë mbledhur e harxhuar sipas prodhimeve ose mbledhjes së taksave nga prodhimet vendase. Paratë më shumë vijnë në formë të remitencave nga diaspora e deri vonë edhe nga organizatat e ndryshme shtetërore e joshtetërore ndërkombëtare, që kanë funksionuar në Kosovë. Megjithatë, është një përparim, pasi që Kosova në vitin 1999 ishte e shkatërruar, ndonëse edhe më herët nuk ishte e ndërtuar siç ishin vendet e tjera të ish Jugosllavisë.

Por, në Kosovë nuk shihet përparimi i nevojshëm në shëndetësi, arsim, siguri dhe në fushat tjera. Këtu shteti i Kosovës nuk është duke shënuar sukses. Asnjë qeveri, përfshirë këtë të sotshmen, nuk është angazhuar seriozisht në këto fusha. Madje, as ndërtimtaria nuk mund të merret kryesisht si sukses i qeverisë.

Edhe pse pas luftës e kishte ndihmën e një pjese të madhe të botës, Kosova nuk ka ndërtuar klasë politike për t’u përballur me sfidat bashkëkohore. Politika nuk është kuptuar si qeverisje, prandaj as nuk është shfrytëzuar për këtë qëllim. Politikanët, duke qenë të papërgatitur dhe të papërgjegjshëm, e kanë shfrytëzuar pushtetin për përparim (kryesisht pasurim) personal. Në të shumtën kanë përparuar ata që kanë qenë afër politikanëve, të cilët në fjalorin politik quhen oklokratë ose krunë. Këta e kanë uzurpuar burimin e të mirave të përgjithshme, duke e kthyer në drejtim të xhepave të tyre. Nga kjo shihet se organet e shtetit, që themeloheshin dita-ditës dhe me ndihmën vendimtare ndërkombëtare, u bënë mjet i një pakice të politikanëve.

Nga një rikapitulim i shpejtë i historisë së shtetit të Kosovës shohim se buxheti i parë i Qeverisë së Përkohshme të pasluftës ka qenë i mbushur kryesisht me donacione të jashtme. Kur qe shpallur ky buxhet, një ish drejtor i Feronikelit pati deklaruar se kur ai e drejtonte këtë ndërmarrje gjatë viteve të 80-ta, e ka pasur buxhetin më të madh se sa ai buxhet i shtetit të Kosovës. Të mos e llogarisim fuqinë financiare që kishte Trepça, se duket krahasim i tepërt dhe i pavend.

Gjërat kanë shkuar keq në ekonomi që në fillim të procesit të ndërtimit të Kosovës. Kosova nuk ka qenë ndonjë vend i zhvilluar industrial, por në vitet e ‘80-ta kishte prodhime industriale, që mundësonin ekzistimin e një ekonomie që sillte të ardhura buxhetore. Nuk kishte as bujqësi intensive moderne, por në fushën e ushqimit Kosova ka qenë gati e vetëmjaftueshme. Në procesin e privatizimit nuk u ruajt vazhdimësia në ekonomi me ndërmarrjet ekonomike, siç është rasti me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera që dolën nga ish Jugosllavia.

Sot, 15 vite pas pavarësisë dhe 23 vite pas çlirimit, Kosova praktikisht nuk ka industri e as bujqësi. Pra, nuk ka as eksport serioz të prodhimeve që mundësojnë punësim dhe tatim për buxhet shtetëror. Industria dhe bujqësia nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak të prodhimeve që shndërrohen në para. Këto dy veprimtari krijojnë edhe kohezion ekonomik dhe shoqëror. Për shkak të numrit të ulët të punëtorëve nuk ka as klasë punëtore, e cila është e nevojshme për krijimin e presionit të domosdoshëm në rrjedhat e politikës dhe ekonomisë.

Në arsim gjërat janë edhe më keq. Sa herë që “Pisa” i noton nxënësit e shkollave të Kosovës, ata radhiten në fund të listës. Një ose dy universitete të Kosovës janë po ashtu në fund të listës, kurse disa aq mund të hyjnë në listë. Në shëndetësi problemet vazhdojnë. Të sëmurët, ata që kanë mundësi, shërohen në Turqi, disa edhe në Maqedoni të Veriut, por një numër i konsiderueshëm u drejtohen spitaleve të Beogradit. Kjo është diçka që dihet, por njerëzit e mbajnë të fshehur për shkak të turpit.

Gjatë po kësaj periudhe Serbia e ka ulur kokën, por nuk ka pushuar së vepruari me të njëjtin avaz. E ka ringjallur ekonominë dhe e ka forcuar ushtrinë. Serbia, tashti, me prodhimet e saj bujqësore e ushqen Ballkanin, kurse me ushtri e kërcënon pandërprerë. Tërë këtë punë Beogradi e ka bërë duke mos u pajtuar asnjëherë me Europën dhe SHBA-në kur ka qenë në pyetje Kosova dhe qëndrimi i saj prorus e antiperëndimor. Në anën tjetër, Kosova ka pritur shpërblim për dëgjueshmëri dhe dënim për Serbinë e pabindur. Por, ja që nuk është duke ndodhur kjo. Bota e merr parasysh gjendjen reale dhe vepron nga kjo pikë. Tashti, gjithnjë e më shumë po bindemi se bota nuk funksionon në bazë të “miqësisë së përhershme” (term i shpikur nga shqiptarët), por nga interesi.

Kosova ka ndërtuar një strukturë moderne shtetërore, përfshirë legjislaturën, por vënia në lëvizje e makinerisë shtetërore nuk është zhvilluar në mënyrë adekuate. Mungesa e fuqisë ekonomike është reflektuar në efikasitet me anë të korrupsionit. Tekefundit, vetëm shtetet me ekonomi të zhvilluar, klasë politike të aftë, sistem politik funksional dhe ushtri të mirëfilltë, janë faktorë ndërkombëtar. Për fat të keq, Kosova nuk ka mundur të hyjë në këtë radhë. Qeveria e tashme dhe presidenca e Kosovës tashti janë duke u ballafaquar me këtë realitet, duke u munduar t’i injorojnë pasojat e dështimit në të kaluarën.

Qeveria e Kosovës tashti gjendet në një pozitë ku i duhet ndihma e brendshme dhe e jashtme. Ndihma e brendshme nga opozita dhe nga mediat nuk duket se do t’i ofrohet sa duhet. Është mjaft i çuditshëm edhe qëndrimi i qeverisë së Shqipërisë, ku duket se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një pozitë neutrale, për të cilën shpesh është kritikuar se është në favor të Serbisë. Qeveria e Kosovës duket e vetmuar, por duke dhënë shenja se nuk do të lëshojë pe para presionit.

Në këto rrethana, duke pasur parasysh shpërputhjen e fuqisë politike dhe ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, ne vetëm mund të shpresojmë se Perëndimi, pra Europa dhe SHBA-ja, do të tregojnë arsyeshmëri në përfundimin e procesit të bisedimeve. Me fjalë tjera, duhet të shpresojmë që bota do të vazhdojë të ketë mëshirë për Kosovën, gjë që nuk ndodhë shpesh në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X