Shkruan: Ismail SINANI
Nëpër enciklopedi dhe faqe të ndryshme të internetit mund të gjenden shumë informacione për historinë botërore të hartave. Disa fillojnë ta paraqesin historinë e shteteve pas erës së re, e ca prej tyre shkojnë edhe më thellë në histori, duke prekur kufijtë e imagjinatës dhe shkencës deri në 5000 vjet para epokës së re. Kosova, ëndrra e secilit shqiptar normal, gjendet në fund të këtij procesi dinamik historik. Krejt e fundit, kuptohet nëse në të nuk përfshihen edhe pjesët e shteteve që i ka aneksuar Putini në 10 vjetët e fundit.
Shteti më i ri në botë, në rrafshin emocional shqiptar, disi është ndërtuar me një material krejt ndryshe. Ngjizja e tij pas 1999-tës ose, thënë më saktë, ringjizja e tij pas këtij viti, është rezultat i sakrificës më sublime të popullit shqiptar, por edhe si një peshqesh i shfajësimit të mëkatit të bërë mbi ne para 150 vjetësh nga aleatët tanë të sotëm, që në atë kohë bënë tregti politike mbi fatet dhe tokat tona.
Sot, kur Kosova po shënon përvjetorin e saj të 15-të, po përpiqet të dalë nga gërmadha historike, duke u detyruar edhe njëherë të bjerë në ujdi me Serbinë, e cila prej më shumë se 800-900 vjetësh, në cikle të vazhdueshme, ka zhvilluar një qasje hegjemoniste ndaj tokave arbërore. Ajo sot, edhe njëherë, po vihet para sprovës t’ia prishë qejfin vetes për të paguar çmimin e lirisë. E sfiduar me planin franko – gjerman, sot Kosova po detyrohet të ecë shtigjeve që u imponohen çdoherë të dobëtëve për të kënaqur apetitet e të fuqishmëve.
Optimistët e mëdhenj shprehen të bindur se kjo ndoshta do të jetë agonia e fundit përballë Serbisë. Por, nuk janë të paktë edhe ata që gjykojnë se është një farë utopizmi të besohet se “këtu diku” është fundi i kërkesave serbe karshi sovranitetit të Kosovës.
Asociacioni, ose në kuptimin pezhorativ “Zajednica”, është pasojë e mendësisë së cekët të atyre që në një kohë të caktuar e kanë pranuar, por edhe reflektim i mungesës së sinqeritetit të atyre që ua kanë imponuar. Kjo, në fakt, e nxjerrë në pah bindjen se miqësi të përhershme dhe pa kushte kurrë nuk ka pasur ndonjëherë në raportet mes shteteve, e as që do të ketë. Garancitë “se ne qëndrojmë pas jush” janë iluzione që mundësojnë për ta bjerrë mendjen e atyre që dëshirojnë të besojnë në premtime të tilla. Kaq! Tjetra është politikë – diplomaci, për të mos thënë mashtrim.
Por, me që jemi të determinuar të jetojmë në një kohë të këtillë dhe Kosova nuk është se ka hapësirë shumë për të zgjedhë, duhet gjykuar në bazë të teorisë së përzgjedhjes së “mëkatit më të vogël”. E çfarë i bie kjo?
Pushtet dhe opozitë, medoemos, duhet të shfaqin unitet, kurse paraqitjet politike me gjuhë patetike duhet t’i lënë për më vonë, për kohëra tjera. Askush në Prishtinë, Tiranë e Shkup, asnjë politikan shqiptar, i cilitdo spektër politik qoftë, nuk e gëzon të drejtën të bëjë as edhe gjestin më të vogël, përmes të cilit do të krijonte një pengesë edhe më të vogël në përcaktimin “fatit” të Kosovës.
Kjo trysni me të cilën po përballet shteti më i ri, të paktën në këtë fazë, duhet të marrë fund. Kosova duhet të lëvizë drejt qëllimit të saj, anëtarësimit në Bashkimin Europian, NATO-s dhe OKB-së.
Lufta në Ukrainë, po shihet se tani i ka hapur këto shtigje. Nëse jo për të tre mekanizmat ndërkombëtarë të sipërpërmendur, të paktën për dy të parat, po. Qëndrimi statik vetëm e tjetërson Kosovën. Së këndejmi, instinkti politik thotë se tani është koha. Ne mund t’i shfaqim vërejtjet tona për hilet që na bëhen, por njëkohësisht nuk duhet ta tërheqim perin aq sa edhe të na këputet në dorë.
Te libri “Filozofia e provincës”, Radomir Konsantinoviqi thotë: “Duke u kthyer kundër botës, duke kërkuar veçantinë e vet, subjekti kthehet kundër vetvetes si ‘i jashtëm’, me kërkesën për pranim të njëmendët të vetvetes”.
Kosova nuk duhet të kthehet kundër vetvetes.